U bënë vite që sa herë që afrohet tetori e nëntori, autorët gjallërohen dhe vëmendja në Shqipëri përqendrohet në mënyrë më të dukshme tek libri: duke u afruar tetori, tek çmimi Nobel për letërsinë me shpresën popullore të përvitshme që të jetë Ismail Kadare ai që e merr atë dhe duke u afruar nëntori, tek Panairi i Librit në Tiranë, i cili në mënyrë të suksesshme organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptare.
Njoh njerëz të ndryshëm të cilët si autorë apo si ish-punonjës shtëpish botuese, janë në ujërat e biznesit të publikimit në Shqipëri, disa prej tyre edhe me plane për themelimin e shtëpive botuese, përgjithësisht me synimin e promovimit të letërsisë së mirë artistike. Ky synim iu është ushqyer duke pasur parasysh se, çfarë shohin e gjejnë në tregun shqiptar të librit, nuk i kënaq nga ana artistike. Autorë të rinj të cilët për vite kanë shkruar e publikuar në revista letrare, por edhe të tjerë më të afirmuar që kanë disa libra në biografinë artistike, i kam dëgjuar apo lexuar të shkruajnë në thuajse të njëjtën mënyrë përsa i përket shtëpive botuese, duke i konsideruar ato thuajse si armiq të letërsisë shqiptare, për shkak se prej tyre e kanë parë veten të anashkaluar, nëpërkëmbur, injoruar.
Ky shkrim merr përsipër që pa paragjykime dhe me aq informacione sa është e mundur të mblidhen, duke analizuar industrinë e publikimit të librave, të afrojë këndvështrimet e ndryshme të biznesmenëve dhe të autorëve shqiptarë, mes të tjerash për t’i dhënë drejtuesve të shtëpive botuese një përqasje tjetër mbi mënyrën se si bëjnë e ndoshta do të ishte më mirë të bënin biznes. Këndvështrimi im në të është i autores me eksperiencë në biznes që synon të ndërtojë një shtëpi botuese e cila të kishte si mision promovimin e letërsisë së mirë.
Publikimi i librit është biznes
Publikimi i librit është biznes fitimprurës. Kjo është maksima që udhëheq punën e shtëpive botuese dhe është ajo që më pak se çdo gjë tjetër autorët, sidomos autorët e rinj duan të dëgjojnë e të pranojnë.
Në bazë të punës e në plan të parë të punës për ndërtimin e një shtëpie botuese do të qëndronte analizimi i industrisë së publikimit të librave: njohja me rivalitetin konkurrues brenda saj, i ndikuar nga fuqia e blerësve, fuqia e furnizuesve, rreziku nga hyrjet e reja dhe nga zëvendësuesit. Kjo analizë do të më kërkonte të dhëna mbi shtëpitë botuese, forcën dhe specializimin e tyre në treg, burimet kryesore të të ardhurave dhe kostove që ata kanë, të dhëna mbi prirjet e lexuesve duke iu referuar shitjeve aktuale dhe të viteve të shkuara, të dhëna mbi emrat dhe cilësinë e autorëve vendas, të dhëna mbi emrat dhe cilësinë e përkthyesve dhe redaktorëve vendas, të dhëna mbi atë që konsiderohet letërsi cilësore dhe bestseller në nivel ndërkombëtar, të dhëna kontakti me shtëpitë botuese që kanë të drejtat e autorëve të vlerësuar si cilësorë dhe si bestseller.
Statistikat që mund të mblidhen
Konkretisht puna kërkuese do të më tregonte si fillim se një botim statistikor mbi industrinë e publikimit të librit dhe sfidat e saj për zhvillim nuk ekziston ende. Për numrin e shtëpive botuese do të mësoja që ekzistojnë rreth 60 shtëpi botuese, nga të cilat rreth 10-15 janë ato që bëjnë vërtet biznes, kurse të tjerat përballen më shumë me sfidën për mbijetesë. Nga pjesëmarrja në panairin e librit, do të vëreja që panairi jep një platformë e mirë prezantimi për të gjithë që janë në gjendje të marrin pjesë në të. Nga librarët por edhe nga drejtuesit e shtëpive botuese do të dëgjoja që librat që më shumë shiten janë ata jo-artistikë, por edhe ndër librat artistikë ata që më shumë kanë sukses, janë librat bestseller të huaj. Më tej që për këta libra kujdesen vetë shtëpitë botuese që të vijnë në kohë e në sasinë e duhur në librari, ndërkohë që për librat me autorë shqiptarë, në të shumtën e rasteve, janë autorët vetë që duhet të merren me shpërndarjen dhe negociimin me librarët.
Vetëfinancimi nga autorët si burim të ardhurash për shtëpitë botuese
Nga drejtuesit e shtëpive botuese do të dëgjoja që ata publikojnë edhe autorë shqiptarë, por të cilët më shumë se si furnizues me “lëndë të parë”, i kanë si klientë për mundësinë që shtëpitë botuese iu ofrojnë: që librin e përfunduar dhe redaktuar nga vetë autori, ta marrin në dorë të faqosur, dizenjuar, lidhur dhe me një numër ISBN për të. Rrezikun financiar të lidhur me mosshitjen e librave, shtëpitë botuese e lënë krejtësisht tek autori, duke e kthyer atë nga prodhues dije dhe arti në klient, deri urrejtës e përçmues i shtëpive botuese.
Pirateria
Lidhur me librat e përkthyer nga gjuhë të tjera, një problematikë tjetër rëndon mbi botuesit që investojnë në blerjen e të drejtave të autorit nga shtëpitë e huaja botuese. Pirateria. Pa shpresë për të gjetur zgjidhje e për t’u luftuar ashtu siç do të duhej. Shumë përkthime qarkullojnë, me cilësi të dobët, pa leje përdorimi të së drejtës së autorit, dëmtuese të biznesit të shtëpive botuese të cilat e blejnë këtë të drejtë.
Çfarë tregon bilanci i vitit 2012?
Rezulton se 1675 libra janë publikuar në vitin 2012 e nga këta 545 janë të letërsisë artistike e nga këta 373 tituj i përkasin letërsisë në gjuhën shqipe.
Ndër librat jo-artistikë që përbëjnë peshën kryesore, do të dëgjoja se një pjesë e rëndësishme është ajo e teksteve shkollore për të gjitha nivelet që është një burim i sigurt të ardhurash. Ndër librat artistikë, një burim tjetër i sigurt do të ishte me autorët shqiptarë që duan të publikojnë me investim vetjak. Drejtimi që pritet nga një shtëpi e mirë botuese, do të ishte: përkthimi i letërsisë artistike dhe jo-artistike. Nëse do të isha largpamëse, përveçse në përkthimin e autorëve të huaj, do të investoja në promovimin e talenteve shqiptare. Në punën që do të bëja për të zbuluar “talent scouts” dhe kritikë për t’i angazhuar me punë, do të kuptoja që këto dy hallka të rëndësishme për zhvillimin e industrisë në fakt i mungojnë industrisë. Duke kërkuar për specialistë të mirë shitjesh në treg, do të dëgjoja se në industrinë e librit këtë funksion në më të shumtën e rasteve, e mbulojnë vetë drejtuesit e shtëpive botuese.
eBooks dhe shitjet online
Do të konstatoja se temat eBooks dhe shitjet online janë ende larg vëmendjes së shtëpive botuese dhe këtu do të shihja që ka veçanërisht vend për të bërë ndryshim e sjellë risi në industri. Shqiptarët janë shumë të pranishëm në internet, qoftë si lexues, qoftë si shkrues – veçanërisht autorët e rinj. Ata janë shumë aktivë në rrjetet sociale dhe priren drejt komunikimit. Por shtëpitë botuese ende nuk janë online në formën që e bëjnë simotrat e tyre në vende të tjera.
Mundësitë elektronike si për publikimin e librave me kosto më të ulëta dhe promovimin dhe shitjen e tyre përmes platformave ekzistuese të shitjeve online, do të afronin edhe atë pjesë të lexuesve që për shkak të emigracionit Shqipërinë e gjuhën shqipe i arrijnë përmes internetit, duke e bërë tregun e arritshëm për librin në gjuhën shqipe shumë më të madh se ai që perceptohet në kufijtë tokësorë brenda të cilëve jetojnë shqiptarë.
Konsolidimi i industrisë
Në rast se do të kisha forcën e një shtëpie të rëndësishme botuese, do të studioja me vëmendje zhvillimin e shtëpive më të vogla botuese jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë e Maqedoni, për të shquar ato në mes tyre që janë pjekur më shumë si biznese për të parë mundësinë e blerjes dhe integrimit të tyre: për të konsoliduar fuqinë financiare, për të krijuar sinergji në prodhim, për të fituar ekspertizë e fokus që mund të mungojë. Me rreth 60 shtëpi botuese që operojnë vetëm në Shqipëri, mund të thuhet se industria ka hapësirë për konsolidim.
Investimi
Duke përmbledhur informacionet e fituara, duke njohur prirjet e mia dhe për të pasur nxitje të mjaftueshme për të zhvilluar biznes, do të vendosja të investoja: për një gamë të gjerë publikimesh për të pasur burime të ndryshme të sigurta të ardhurash nga libri; ose vetëm tek letërsia e mirë e huaj dhe vendase dhe ndërkohë të zhvilloja edhe një biznes mbështetës nga i cili të kisha aq fitime sa të kompensoja humbjet në biznesin e publikimit të librave. Kjo do të duhej të ndodhte derisa lexuesit të arrinin në atë shkallë pjekurie që do i shtynte të paguajnë më shumë për të blerë libra cilësorë, të blejnë libra që respektojnë të drejtën e autorit, të lexojnë më shumë letërsi vendase për t’i dhënë një shans rritjes së autorëve të rinj shqiptare dhe zhdërvjelltësimit të mëtejshëm të gjuhës shqipe.
Aktivizimi në Shoqatën e Botuesve Shqiptarë
Si shtëpi e re botuese, do të aktivizohesha brenda Shoqatës së Botuesve Shqiptare dhe do të punoja për fuqizimin e saj si promovuese e interesave të përbashkëta. Do të sugjeroja dhe do të prisja që shoqata të aktivizohet në drejtime të rëndësishme, si: edukimi i publikut drejt letërsisë cilësore, trajnimi i redaktorëve, i kritikëve, i agjentëve letrare, i botuesve, ofrimi i platformave të konkursit për zbulimin e talenteve, realizimi i studimeve me interes për zhvillimin e industrisë, promovimi i saj përmes një platforme shumë aktive në internet.
Dhe së fundmi …
U bënë vite që sa herë që afrohet tetori e nëntori, autorët gjallërohen dhe vëmendja në Shqipëri fokusohet në mënyrë më të dukshme tek libri. Si autore dhe me eksperiencë në biznes e mbi të gjitha si njeri që në gjuhën shqipe do të doja të lexoja me të njëjtën kënaqësi që përftoj kur lexoj edhe në gjuhë të tjera, do të uroja që disa prej shtëpive të rëndësishme botuese në Shqipëri, që tashmë kanë fuqi dhe stabilitet financiar si dhe biznesmenë të tjerë që kanë ndjesi të ngjashme me sa u soll në këtë tekst për librin dhe leximin në gjuhën shqipe, të kalonin nëpër këtë proces vlerësimi të gjendjes dhe të kuptonin se investimi largpamës në këtë industri do të ishte ai që do të bënte ndryshimin e madh në tregun e librit dhe në një këndvështrim më afatgjatë do të ishte fitimprurës për investuesit. Dhe deri sa drejtuesit e shtëpive botuese ta bëjnë këtë për shkak se i çon aty vendimi i shëndoshë i një biznesi që do të zhvillohet, autorët dhe publiku është e nevojshme të kenë deri diku mirëkuptim. Në pamundësi për subvencionim të gjerësishëm të kulturës nga shteti, industria e publikimit të librave në gjuhën shqipe ka nevojë për biznese që arrijnë t’i mbijetojnë krizave dhe e shfrytëzojnë këtë kohë për t’i dhënë drejtimin e duhur të ardhmes së tyre, duke mbartur në vete denjësisht misionin e promovimit të letërsisë së mirë dhe zhvillimit të kulturës shqiptare.
Botimet Shqiptare ( facebook ),24 Shtator 2013