MEDITIM: PARA SHTATORES SË KRYETRIMIT ADEM JASHARI…

Nga: MURAT  GECAJ

 

M.Gecaj

Këto ditë janë festë, në Tiranë dhe në qytete tjerë të Shqipërisë, por edhe më gjerë, në Kosovë e trojet tjera shqiptare dhe në disaporë. Vërej se udhët gumëzhijnë e janë të mbushura plot. Njerëzit lëvizin të qetë, dikush më këmbë dhe të tjerë me makina.  Bashkëkombësit tanë, kudo që  jetojnë e punojnë, i shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre edhe përmes urimeve. Në ditët e festave, tashmë, ato praktikohen në rrugë e me mjete të ndryshme. Ka nga ata, që e parapëlqejnë të shkojnë fizikisht dhe të takohen me familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Disa të tjerë përdorin telefonin e shtëpisë ose celularin,i cili edhe  ka oferta të  përshtatshme, për ta realizuar një gjë të tillë. Është kjo një praktikë e mirë, që i lidhë, o afron dhe i miqëson njerëzit tanë.

Kaloj nëpër kryeqytetin Tiranë dhe ndalem para shtatores së Hasan Prishtinës, në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk ka shumë ditë, që u përurua dhe ende ka këtu  kurora  e buqeta me lule. Njerëz të ndryshëm ndalen e fiksojnë  fotografi, që t’i kenë kujtim. Sjell ndërmend, se pikërisht në ditët e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, aty isha bashkë me një grup kolegësh e miqësh, të cilët kishin udhatuar me autobus që nga Suedia, në Kosovë, Vlorë e kthim.  Aty bëmë së bashku disa fotografi…

Tiranë: Shtatorja e Adem Jasharit (Foto: M.Gecaj)

Më tej, udhëtoj nëpër “Rrugën e Durrësit”. Pa shkuar ende te Sheshi “Rilindja” (njihej më parë, “Zogu i Zi”), ndalem  para një shtatoreje të bukur, e cila të fton ta nderosh dhe ta respektosh. Ndoshta, nuk duhet ta shkruaj këtë gjë, por unë nuk e di emrin e autorit të saj. Prandaj i kërkoj atij falje dhe e përgëzoj për punimin e bukur, që ka bërë. Pra, ndiej kënaqësi, kur e shikoj, me atë shprehjen e saj krenare, burrërore e trimërore. Eshtë shtatorja e kryetrimit Adem  Jashari, komandantit legjendar të UÇK-së, para kujtimit dhe veprës të të cilit përulemi të gjithë. Armët i ka ngjeshur dhe vështrimin e mban larg, drejt Kosovës martire…Ndërkaq, nxjerr aparatin fofografik dhe e shkrepi për disa poza.

Ndërkaq, në kujtesë sjell vizitën, që kam bërë në Kullën e Jasharjve, në Prekaz të Drenicës, në fundvitin 2000. Kam dëgjuar asaj here për sakrificat mbinjerëzore të kësaj familjeje heroike, nga e cila u flijuan mbi 20 veta, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë respekti të veçantë për atë trung të rrallë familjar, aty bëra një fofografi me bacën Rifat, vëllain e Adem Jasharit dhe me djalin e tij, Lulëzimin. Unë e di, se ata kanë sa e sa fofografi të tilla, me vizitorë të shumtë. Ndërsa për mua ajo ka mbetur gjithnjë e paharruar dhe e kam fiksuar në disa botime të mijat.

 

Nga e majta: Rifat Jashari, M.Gecaj e Lulëzim Adem Jashari (Prekaz, 12 nëntor 2000)
Por, kur qendroj  në heshtje para shtatores së Adem Jasharit, sjell në kujtesë edhe vizitën time disaditore në Kosovë, në korrikun e atij viti. Me bashkëshorten time dhe  i shoqëruar nga miku nga Deçani, Qerim Pepshi, bëmë vizita në disa qytete e fshatra. Ishim edhe në Gjakovë e Pejë, Prizren e Prishtinë, në Gllogjan e Novoselë etj. Kudo gjetëm gjurmët e heroizmit masiv të popullit kosovar, në përleshje me pushtuesit gjakatarë serbë. Bëmë një vizitë edhe në shtëpinë e komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ku u takuam me babanë e tij. Por ishim edhe në zonën e Junikut, ku kishte bërë vizitë diplomati i shquar amerikan,  Riçard Hollbruk. Kudo na ranë në sy varre, mbuluar me kurora dhe lule të freskëta. Ishin në nderim të atyre, që e dhanë jetën e tyre të re, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha ato mbresa unë i përmblodha në librin, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000).

Ndërsa meditoj për ato, që shkrova më sipër, kujtesa më shkon te gjithë të rënët, në luftërat shumëvjeçare  për mbrojtjen e vatanit, të tokës së shenjtë të të parëve tanë. Se vërtet është e natyrshme të festojmë së bashku, por dhe të mos harrojmë sakrificat mbinjerëzore, që na është dashur të bëjmë  gjatë historisë, për liri e pavarësi. Se është fakt i njohur, që populli ynë gjithnjë ka qenë paqësor dhe jo sulmues e agresiv ndaj të tjerëve, pra as ndaj fqinjëve tanë. Ndërsa të huajtë na kanë rënë në qafë me pa të drejtë. Me forcë e diplomacy të padrejtë, ata na i kanë copëtuar e marrë nga trungu amtar, disa pjesë të tokave tona dhe, gjoja, me to kanë krijuar “minishtete”. Ndërsa  tani atyre u duket e habitshme, kur ne kërkojmë bashkimin e Kombit Shqiptar, ashtu si të gjithë kombet e tjerë, në Ballkan e më gjerë. Sepse ky ishte një ideal i kahershëm i rilindësve tanë dhe platformë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por edhe e Qeverisë së parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Me këtë mendim, në shpirt e në zemër, ranë kryetrimi Adem Jashari dhe pjesëtarët e familjes së nderuar të tij; u flijuan edhe trimat e tjerë të Kosovës, që  ajo të ishte e lirë dhe e pavarur.

Historinë tonë të lavdishme, ne e kemi dhe duhet ta kemi kurdoherë në mendje e në zemër. Për atë është shkruar në sa e sa libra, ruhet në muze dhe përjetësohet në lapidarë e shtatore të atdhetarëve e të luftëtarëve tanë, të mendjes e të pushkës. Prandaj, lipset të jemi krenarë dhe t’ua transmetojmë brezave pasardhës, si gjënë më të shenjtë, duke ua treguar luftën, përpjekjet dhe gjakun e derdhur për mbijetesë. Me këto ideale të larta, ne duhet të ecim të bashkuar përpara, duke ruajtur lirinë e pavarësinë, duke e begatuar e përparuar çdo pëllëmbë të tokës amtare shqiptare. Kështu do të hyjmë  me ballin lart në Bashkësinë Europiane, të nderuar dhe të respektuar nga shtete aleate e mike, me ShBA në krye.

Tiranë, 25 dhjetor 2012

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *