Nga :NDUE DEDAJ
Në festa si këto të fundvitit do të dëshiroje të uroje përzemërsisht shumë njerëz. Të njohur e të panjohur. Të afërt e largët. Veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit, dy “skajet” e gjindjes njerëzore. Por janë dhe ca njerëz që kurrë nuk i gjen fjalët për ta, edhe pse madhështia e tyre ka të vetmen përkrenare, thjeshtësinë. E nuk kujtohesh vetëm sot për mitin e këngës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Është kremtuar 100-vjetori i Pavarësisë dhe ndër emrat e bujshëm të kombit, do të doje fort që Vaçe Zela të mos mungonte, dhe se e di se prej njëzet vjetësh ajo rron në Zvicër, duke u përballur edhe me probleme të shëndetit. Janë kujtuar ndërkohë dhe miqtë e saj të artit dhe kanë bërë një emision televiziv në “Klan”, ku kanë ligjëruar fisshëm për zonjën e madhe të skenës. Dy vjet më parë kënga e saj “Rrjedh në këngë e ligjërime” u shndërrua në himnin vjetor të “Top Channel”, kënduar në kor nga trupa e këtij televizioni, duke iu kthyer e shumëfishuar publikut të ri artdashës, që as lindur nuk kishte atëherë kur qe ngjizur kjo këngë simbol, me muzikë të kompozitorit të madh, Feim Ibrahimi dhe vargje të poetit të njohur Gjok Beci, që në vitet ’80 shkruante tekste të spikatura për repertorin e muzikës së lehtë shqiptare. Refrenin e saj tashmë e dinë të gjithë:
“Po ku ka si ti, Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur!
Rrjedh në këngë e ligjërime
Ballëlarta me flamur…”
Kur dëgjon Vaçe Zelën harron për një çast se në në cilën epokë rron, se e djeshmja jote dhe e saj ishte një diktaturë, ku liria e artit mungonte. Ashtu sikur ata që dëgjonin Tefta Tashkon, në vitet ’30, harronin realitetin ku rronin, mes një varfërie të skajshme dhe Tirana iu dukej Paris. Me gjasë kjo është fuqia e pamatshme e artit. Ylli i Vaçe Zelës shndriti si ai e s’ka, paçka se si ishte rendi shoqëror, dritat e skenës ka ajo u ngjit, turnetë e paktë nëpër botë, vidioklipet e munguara etj. Ndoshta të gjitha këto iu duheshin të tjerëve, por jo asaj, artistes unikale me një thjeshtësi hutuese e madhështi të parrokshme. Ishte një kohë kur miti i udhëheqësisë politike “rivalizohej” nga emra të mëdhenj të shkencës, artit e sportit, si: Eqrem Çabej, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Vaçe Zela, Nexhmie Pagarusha, Çesk Zadeja, Bekim Fehmiu, Panajot Pano etj. Dhe kur bota kulturore bëhej shqetësuese për kupolën, disa nga mjeshtrit hidheshin prapa hekurave e disa të tjerë mbuloheshin me një heshtje të atillë sa nuk dihej në ishin gjallë apo kishin vdekur, si: Lasgush Poradeci, Dhora Leka, Mitrush Kuteli, Gjon Shllaku, Petro Marko etj. Ndërkohë që nga sytë e regjimit ishin fshirë dhjetëra korifenj të kulturës kombëtare, andej-këndej në emigracionin e pas Luftës së Dytë Botërore, përfshi dhe mbretërorët, Gjomarkajt etj. E megjithatë riktheheshin bujshëm Marubët me fototekën e tyre përrallore. Emra të shquar të Perëndimit si Gjon Mili e Sten Dragoti rrezëllinin sy yje të një hapësire të largët planetare. Kishte dhe ndonjë meteor të shkencës si Besnik Sykja që nuk mund të kalonte pa jehonë.
Ishte e kuptueshme, pra, që ne si fëmijë e të rinj të viteve ’70 të tërhiqeshim nga këta emra fatsjellës dhe idealiteti i tyre. Kishe tek e fundit ca modele kah mund të shkoje. Bash atëherë, si të rinj që ishim, në vend që vargjet e para t’i shkruanim për vajzat që kishim pranë, ia kushtonim ato Vaçe Zelës, ani se s’ishim të një moshe me të dhe për më tepër e kishim larg, porse zëri i saj ishte një magji artistike, një eklips. Ajo, e gjithpushtetshme, i jepte kuptim qenies së secilit pa e kuptuar. Kënga i saj të rriste të bukur, të freskët, të lirë. Nëse kongreset hijerënda nuk ishin të tuat, sallat ku këndonte artisja e dashur ishin lirisht të tuat, plot ndjesi të larta e emocion. Tjetër ishin duartrokitjet e presidiuemeve dhe tjetër ato për këngët e Vaçes. Me Vaçen gurgullonin gurrat e bjeshkëve, shpërthenin këngët e bilbilave, lulet e fushave, valët e detit. Vaçja ishte një tjetër realitet nga ai ku ti rroje. Këndonte Vaçja bashkë me kitarën dhe ti i bashkoheshe zërit të saj dhe të Mentor Xhemalit për atdheun. Vaçja e këngëve të njohura, si “Valsi i lumturisë”, “Fëmija i parë”, “Kur bien fyelli e çiftelia”, “Nënat tona”, “Moj e bukura Shqipëri”, “Këngët e vendit tim” dhe e dhjetëra hiteve të tjera në vite nuk mund të ngjitej në skenë e të mos merrte përherë çmim të parë, duke patur njëzëri “po”-në e të gjithëve. S’mund të ndodhte ndryshe me një zë aq magjepës, të bukur sa s’thuhet e mbase të papërsëritshëm.
Një kartolinë për Vaçen do të ishte veçse një afresk dashurie e mirënjohje. Ndërkohë që ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ashtu si dhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj. Ministria e Kulturës vitin 2009 e quajti “Viti i Vaçe Zelës”, në përkujtim të 70-vjetorit të artistes. Dhe nuk shterron nderimi për mbretëreshën e këngës moderne shqiptare. Ashtu siç ajo e pagëzoi me një cilësi të re këngën e shekullit të vet, ashtu shqiptarët kanë për t’i pagëzuar vazhdimisht bijat e tyre me emrin Vaçe. Dhe do të këndojnë me siguri, ashtu si ajo këndoi për Shqipërinë: “Po ku ka si ti, Vaçe Zela!…
27 dhjetor 2012