Ëndërroni, por në mrekulli mos besoni!

Arben BAJRAKTARAJ:  « Ëndërroni, por në mrekulli mos besoni! Punoni!… »
Intervistë e Raimonda MOISIU me aktorin kosovar me përmasa evropiane, Arben BAJRAKTARAJ

 

Në fëmijëri dhe adoleshencën e hershme djaloshi nga Isniqi i Rrafshit të Dukagjinit teksa shkonte me bagëti në bjeshkët e bukura,eposi kreshnik dhe bukuria natyrore e tyre e lidhën ngushtësisht me letërsinë. Aty ndër bjeshkët do të lexonte shumë e do të njihej me historinë, adhuronte heronjtë që kanë bërë historinë, të cilët do të mbeteshin në kujtesën e djaloshit dhe do i ruante ato si “relike” të cmuara dhe idhujt e tij, udhërrëfyesë për të ardhmen e karrierës së tij. Aktori i mirënjohur dhe i talentuar kosovar Arben Bajraktaraj është bërë tashmë një aktor me përmasa europiane -i njohur për rolet e tij në pjesën e parë të filmit amerikan “Taken”, krahas aktorit të shquar, një nga yjet e Hollywood-it -Liam Nelson-dhe në dy seritë e “Harry Potter”

Victor Hugo që në ekzil kur shkroi veprën e tij romantike “L’Homme qui rit” (Njeriu që qesh) pasi u largua nga Franca në Angli. Novela do të botohej më 1869. Prej kësaj kohe tre regjisorë do të tentonin që këtë vepër – të cilësuar si “mrekullia romantike e Hugos” – ta shkrinin në shirit filmik. Herën e fundit një film i bazuar në rrëfimin e “Njeriu që qesh” ka qenë ai i regjisorit Jean Kerchborn. Dyzet e një vjet më vonë, regjisori tjetër francez Jean-Piere Améris i ka hyrë të njëjtës punë. E njëri prej roleve kryesore në këtë film – xhirimet e të cilit tashmë kanë nisur- është rezervuar për aktorin kosovar që jeton në Francë, Arben Bajraktaraj. ”Për mua roli i Hardquanonne është shumë i respektueshëm sepse është një personazh i rëndësishëm në novelë”, shprehet aktori i shquar Arben Bajraktaraj në këtë intervistë.

Aktorët e njohur Gérard Depardieu, Emmanuelle Seigner e kanadezi Marc-André Grondin janë treshja e yjeve që përbëjnë kastën e aktorëve në filmin “The man ëho laughs”, premiera e të cilit pritet të jepet në fund të këtij viti ose në fillim të 2013-s.

Për Bajraktarajn roli që ai portretizon në këtë film është karizmatik dhe ka një ndërthurje të drejtpërdrejtë me personazhet kryesore si Ursus, Gëynplaine, Sylvian e Comaberl.

“Hardquanonne ka një lloj dualiteti me personazhin kryesor Ursus që luhet nga Gérard Depardieu dhe kjo më pëlqen”, shprehet Bajraktaraj.Në këtë intervistë të ngrohtë e mbresëlënëse aktori i shquar Arben Bajraktaraj rrëfehet për vete kolegët projektet e karrierën e tij. Për më shumë ndiqni bisedën.

-Sinqerisht, ju pershendes për këtë bisedë. Më tregoni dicka nga fëmijëria, rrënjët e origjinës dhe kush ka qenë idhulli, apo cilat fenomene ndikuan në shkollimin tuaj për t’u bërë aktor: nevoja, koha apo dëshira për një të tillë?

Së pari ju falenderoj për interesimin e juaj, që të bëjmë këtë bisedë të përbashkët. Unë kam lindur dhe jam rritur në Isniq, një nga fshatrat e rëndësishëm dhe me një traditë të ruajtur në Rrafshin e Dukagjinit. Rrëfimet dhe historitë e dëgjuara në oda të burrave të fshatit tim, mënyra sesi ato shtjelloheshin, kodi i sjelljes dhe ritualet me elemente shpeshherë të ngjashëm me atë të përshkruar nga shkrimtarët antikë, vetë jetesa aty e mbushur herë-herë me rreptësi e tragjizëm, por edhe me ngjyra komike e absurditeti, përbëjnë mund të them brumin rrënjësor, i cili më përcjell në zhvillimin krijues.Në fëmijëri idhujtë e mi nuk ishin aktorët e filmave, por heronjtë e romaneve. Isha shumë i lidhur me letërsinë, ndoshta ngase babai im ka qenë profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Verës shkoja me bagëti në bjeshkët e bukura të Isniqit dhe kisha kohë me bollëk për të lexuar.

-C’mund të më thoni për veten tuaj në mënyrë krijuese e profesionale? Nga jeta në skenë, rolet që keni interpretuar, lidhjen e fortë që duket se ka lënë kujtime të mira e të trishta?

Aktori për instrument ka trupin e vet, andaj edhe gjëja më e vështirë në ndërtimin e një rruge krijuese është njohja e vetvehtes, pranimi i të metave dhe nëse është e mundshme tejkalimi i tyre. Por më e rëndësishmja është gjetja e fillit të sinqeritetit. Si në dramaturgji ku filli i kuq është damari kryesor për rrëfimin e tregimit, ashtu edhe në ndërtimin e një personazhi për një aktorë, filli i sinqeritetit vendos saktësin e sjelljes së një personazhi. Gjetja e fillit të sinqeritetit është synimi kryesor, gjithnjë duke kaluar fillimisht nga qasja fizike e punës.

– Ju keni një reputacion të fortë si aktor në kinematografinë e filmit në Kosovë por edhe atë franceze dhe kjo duket sikur gjërat rrjedhin lehtë me rolet tuaja. Si ia keni dalë? Si shkon kjo me përzgjedhjen e roleve?

Me punë dhe me mund, dalë ngadalë gjërat zhvillohen. Natyrisht, që nuk është lehtë kur je i huaj në një vend, por duhet fituar besimin e të tjerëve. Unë jam pothuajse në fillim të rrugës dhe më duhet të punoj shumë e më shumë për të ecur më tutje. Deri tani për shumicën e roleve kam pasur fatin të përzgjidhem përmes audicioneve dhe aty ka shumë faktorë që luajnë. Viteve të fundit gjërat kanë ndryshuar një çikëz, andaj edhe kam pasur mundësin t’i përzgjedh vetë disa projekte që më dukeshin më interesante.

-Cfarë lloj personazhesh kanë qenë preferencat tuaja për të luajtur? Cila ka qenë personazhi tuaj i parë?

Regjisorët shpesh më shohin në role të personazheve të ashpër dhe që kanë një të kaluar të rënduar. Mua kjo nuk më pengon,ngase në këso lloj rolesh mundësit e kërkimit janë të zgjeruara. Megjithëkëtë, roli im i parë në një film televiziv ka qenë në Slloveni dhe aty luaja një ëngjëll. Ndoshta nga pleqëria, nëse e mbërrij, një butësi prapë do afrohet…

-Ju keni jetuar, dhe interpretuar role në Kosovë, Ballkan, por gjithashtu aktualisht interpretoni edhe në kionematografinë franceze. C’mund të na thoni për ndryshimin mes këtyre eksperiencave?

Në të vërtet, nuk ka shumë rëndësi se ku punohet, por si punohet dhe më kë ! Ngase për të bërë një film të mirëfilltë është me rëndësi të kesh një skenar të mirë dhe një ekip të zotin për t’a punuar atë si duhet. Jo rastësisht Kubrick-u, thoste se filmi i tij pothuajse kishte përfunduar së punuari kur kishte bërë përzgjedhjen e ekipit ! Struktura e një ekipi xhirimi është shumë e përafërt me një strukturë ushtarake. Për të qenë efikas, urdhërat duhet të zbatohen shpejt dhe me saktësi. Në përvojat e pakta që kam pasur në Ballkan, kjo nuk ishte kuptuar ndoshta mirë sa duhet dhe ky ishte ndoshta ndryshimi më i madh që kam vërejtur. Megjithëkëtë, kjo në fund nuk do të thotë se një film europian ose amerikan është doemos më interesantë sesa një film i prodhuar nga ndonjë shtet ballkanik.

-Ju jeni aktori filmi. Ju kemi parë të luani krahas aktorit të shquar amerikan Liam Nelson, pjesa e parë e filmit TAKEN dhe në rolet e filmit “Harry Potter”. Role këto tejet të realizuara nga Ju dhe impresive. C’mund të na thoni për këtë? Si e shihni veten nga pikëpamja tuaj në këto filma?

Në të vërtet unë kam filluar aktrimin së pari në teatër, ku kohëpaskohe kthehem me shumë qejf edhe tani. Për t’ju kthyer pyetjes së juaj, së pari ju falenderoj për komplimentin e juaj. Për mua ato paraqitje ishin të shkurtëra dhe fokusi im ka qenë t’i punoj sa më mirë duke u bazuar në fizikusin e personazheve dhe duke u munduar t’a respektoj saktësin e situatave. Me distancë mund të them vetëm, që ka qenë e rëndësishme si përvojë pune përballimi me aktorë shumë të zotë dhe që doemos eksperiencat e tilla të punës kur edhe vlerësohen, ndihmojnë në fitimin e vetëbesimit.

-Pavarësisht rolit që keni luajtur në filma, personazhi që ju keni interpretuar ka qenë i rëndësishëm. Sfida që jeni përballuar me intepretimin e tij nga jeta reale dhe në përshtatje me kohën e situatën. A keni gjetur hapësirë për të shpalosur talentin tuaj aty?

Natyrisht që ndryshimi është i madh kur ke një rol, që pothuajse është prezent në ç’do skenë të filmit apo një tjetër kur paraqitja është shumë e shkurtër. Në rastin e fundit me rëndësi është të kuptohet mirë saktësia e situatës dhe dendësia e personazhit. Rregjisori nuk ka kohë që të mirret me ty, andaj duhet pasur kujdes dhe të përgatitesh me kohë, që në momentin kur vjen në radhë për skenë, përqendrimi të jetë në vend. Por edhe në paraqitjet e shkurtëra mund të ndodh ajo që ne aktorët e quajmë moment magjik, kur diçka del nga ne, pa ditur se atë e bartnim në vehte. Janë këto zbulime të rralla, që na japin adrenalin për punën e mëtutjeshme.

-Shumica e skenaristëve dhe rregjizorëve kanë gjetur frymëzimin e tyre në letërsi, si Flaubert, Dostojevski,etj., akti i të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Pra shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë.Pra a ndikon letërsia në kinematografi?

Që nga hapat e parë të kinematografisë, lidhja mes letërsisë dhe filmit ka qenë gjithnjë e pashmangshme. Megjithëkëtë, të gjithë ata që kanë lexuar një roman dhe mandej kanë parë adaptimin e tij në film, sado i mirë dhe i fortë të ketë qenë ai, ndjehen konfuz. Ngase vet kodi i krijimit të këtyre dy arteve është rrënjësisht i ndryshëm. Filmat e bërë nga Visconti apo Godard-i bazuar në vepra letrare janë të fuqishëm dhe prekës, por kur lexon romanet përkatës, prapëseprapë një ndjenjë tjetër krijohet. Për mua, letërsia mbetet burim frymëzimi themelor, por në proçes e sipër pune duhet harruar, për t’u përqëndruar në kodin kinematografik të të punuarit.

– Përsa ju pyeta më lart e lidh me : Jeni në proces xhirimi të filmit francez “Njeriu që qesh” sipas librit me të njëjtin titull të shkrimtarit të shquar Viktor Hygo. Si ndodhi që regjizori francez Jean –Piere-Ameris iu zgjodhi pikërisht Ju për rolin kryesor?

Në të vërtet unë aty luaj rolin e Hardquanone-it, një nga rolet e rëndësishëm të filmit, por jo rolin kryesor. Jean-Pierre Ameris-i më zgjodhi pas një bisede që patëm rreth romanit të Hugo-së dhe natyrisht po ashtu rreth personazhit. Për mua ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem pjesë e këtij ekipi, që punon në adaptimin e një romani kaq të madh dhe të fuqishëm. Kur hyra për herë të parë në dekorin e ndërtuar për film në studio, u ndjeva sikur vërtet kisha shkel në një botë tjetër.

-Si ndjeheni që do të luani krahas një prej yjeve të kinematografisë botërore si Gérard Depardieu,fitues i cmimit Oscar dhe i Palmës së Artë, dhe aktorëve të shquar Emmanuelle Seigner e kanadezi Marc-André Grondin?

Është kënaqësi, por edhe përgjegjësi, si ndaj ekipit ashtu edhe ndaj vetë veprës filmike. Megjithëkëtë ajo çfarë peshon më së shumti është situata dhe raporti i personazheve, sesa njohja e këtij ose atij aktori. Para kamerës, ç’do aktorë, çfarëdo fame të ketë, është lakuriq me të mirat dhe me të metat e tija, ndryshimi qëndron vetëm në mënyrën sesi një aktorë përjeton dhe mandej zotëron situatën. Ishte fascinante për mua të ndjeja qasjen instiktive që ka Depardieu në punë dhe poashtu isha shumë i nderuar për këshillat shumë me vend që m’i ka dhënë.

-Në kapacitetin tuaj si aktor vend të shquar zenë edhe rolet kryesorë në filmat “The woman Brushed off Her Tears, prodhim i tre shteteve; Maqedonia, Gjermania dhe Sllovenia, me rregji te Teona Strugar Mitevska. Unë veçanërisht do të përmendja: “Heroi” të Luan Kryeziut Çfarë ju ka tërhequr për realizimin e këtyre filmave me vlerë historike e kulturore? Përse tituj kaq intriguesë? Si kini arritur t’i realizoni?

Xhirimet e këtyre dy filmave për mua kanë një peshë të veçantë, mbase edhe nga vetë fakti që xhiroheshin, të them ashtu afër shtëpisë sime (njëri në Kosovë, ndërsa tjetri shumicën e kohës në Maqedoni). Gjatë xhirimeve të filmit Heroi, ndjeja një peshë më të madhe emotive se zakonisht, me të cilën më duhej të luftoja pothuajse tërë kohën, për t’i mbetur besnik personazhit. Edhe vetë kushtet e xhirimit ishin jo më të lehtat nga ato që kam njohur, andaj shpresoj se puna në postproduksion të këtij filmi do të jetë e një niveli të duhur. Ndërsa për filmin “Woman who brushed off her tears”, sfida ishte të gjeja saktësin e personazhit duke folur një gjuhë, që nuk njihja pothuajse fare më parë (maqedonishten). Por puna me një aktore me përvojë të madhe si Victoria Abril mandej i bëri gjërat më të rrjedhshme.

-Cfarë ju pëlqen dhe cfarë nuk ju pëlqen në punën tuaj?

Më pëlqen thjeshtësia dhe kërkimi me djersë! E kam bezdi show-izmin dhe rrahëgjokësin.

Në ditët e sotme tradita dhe realiteti “përziehen” me vlerat fetare. Në opinionin tuaj si një aktor me përmasa evropiane , a ka ndonjë konfuzion që ndikon në marrëdhëniet njerëzore dhe ato ndërkulturore. Cili është ndryshimi ndaj të cilit kemi nevojë qoftë si individë ashtu edhe si shoqëri njerëzore?

Deri tashi vonë, ishte puna dhe vlera e një vepre të krijuar, që bënin dikë të njohur. Vetëm pas një pune të madhe dhe të vlerësuar si të tillë nga të tjerët, dikujt mund t’i çeleshin rrugët. Tashi më duket sikur një fenomen i çoroditur ka zënë vend gjithandej, kur mjafton dikush të shihet apo të duket (të jetë vizibël në media) për t’u bërë i njohur dhe kur bëhet i njohur sikur s’ka më rëndësi sesi e bën punën, mjafton të jetë i njohur. Kjo është një përmbysje e vlerave dhe doemos do ketë dëme afatgjate nga kjo. Unë besoj në vertikalitetin e vlerave, jo vetëm në art por edhe në fushat e tjera, dhe kur kjo nuk ekziston më, spekulimi, injoranca e mediokriteti e kanë derën e hapur për çfarëdo!

-A jeni zhgënjyer ndonjëherë gjatë karrierës? Pse? Nga kush?

Zhgënjimet jo vetëm nga të tjerët por edhe nga vetja janë pjesë e jetës, me rëndësi është të mësoj nga zhgënjimet e kaluara për t’u ballafaquar më mirë me zhgënjimet e ardhshme. Ngase edhe këto të fundit, të pashmangshme janë.

-Ndjeheni optimist për të ardhmen e kinematografisë kosovare?

Po. Kosova ka gjithë ato gjëra për t’i shprehur, gjithë ato histori për t’i rrëfyer. Kjo ndoshta edhe do t’i ndihmoj vetë shoqërisë kosovare për të ecur me një barrë më të lehtë më tutje. Unë kam besim te krijuesit kosovarë se do e bëjnë këtë për së mbari. Por, sa i përket filmit nuk mjafton të kesh vetëm regjisorë me ide dhe aktorë me talent. Filmi është krijim kolektiv dhe si i tillë kërkon një bashkim njohjesh dhe kompetencash. Duhet të krijohen së pari ekipe të mirëfillta teknike dhe artistike, andaj mendoj se një bashkëpunim i mirëfilltë është mëse I domosdoshën në hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

-A ju ka rastisur ndonjëherë gjatë jetës të jeni takuar me ndonjë personazh real që ju keni pasur në rolet tuaja?

Më ka ndodhur të takoj njerëz të caktuar qëllimisht gjatë proçesit të ndërtimit të një personazhi për t’u informuar rreth të kaluarës së tyre dhe perceptimit që ata kanë pasur gjatë përjetimit të situatave të ndryshme. Dhe i falenderoj shumë të gjithë ata për ndihmën që më kanë dhënë. Në të kundërtën, jo, ngase kur punoj në ndërtimin e një personazh nuk mendoj të reagoj sikur të isha dikush tjetër, gjithnjë ngelet reagimi im. Gjërat mund të jenë të përngjashme, por jo të njëjta. Atletizmi emotiv i Artaud-së për mua është më domethënës sesa “sikur”-at e Stanislavskit.

-Cfarë ju ka mbetur peng që do të dëshironit ta interpretoni?

Kam bërë shumë pak gjëra deri tani, janë gjithë ato role me të cilët do ballafaqohesha me trup e shpirt! Një aktorë s’ngopet kurrë me role…ndoshta në fund të karrierës, do të mund të flas më mirë për këtë.

-Cfarë është dashuria për ju? Kur një burrë e ndjen se ka të tilla në jetë?

Kur dashuria ikën, krimi s’është larg…

-Hobi dhe pasioni tuaj?

Letërsia,historia, bjeshkët…

-Mesazhi tuaj për talentet e reja…

Ëndërroni, por në mrekullira mos besoni ! Punoni…

-Cfarë dëshironi të shtoni…

I uroj popullit shqiptar që pas 100 vjetësh përgjysmimi, të jetë së paku 100 vjetë i bashkuar e i forcuar!

Ju faleminderit!

Intervisoi :Raimonda MOISIU

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *