Pse universiteti privat është efikas në kërkime?

TONIN GJURAJ

Çdo universitet, përveç shpërndarjes së dijes, është në të njëjtën kohë edhe gjenerator i saj. Në këtë kuptim, një mënyrë e përshtatshme dhe efikase për të arritur këtë është përfshirja e universiteteve në projekte studimore. Siç dihet, krahas mësimdhënies dhe një shërbimi administrativ eficient, një aspekt i rëndësishëm për të arritur dhe ruajtur cilësinë e punës në një institucion të arsimit të lartë është kërkimi shkencor.
Dihet po ashtu fort mirë se sot sigurimi i fondeve për projektet kërkimore dhe kërkimin shkencor e projekte sferë e një konkurrence të fortë në të gjitha nivelet e atyre entiteteve që japin fonde për kërkim e projekte, janë nga ato publike, tek ato ndërkombëtare dhe në nivel të Bashkimit Europian. Për të mos folur për fondet për projektet kërkimore që akordon sektori privat në industri dhe shërbime, të cilat apriori janë objekt i një konkurrence edhe më të ashpër, i një shqyrtimi edhe më rigoroz për cilësinë dhe sidomos për rezultatin.
Ndaj për të dyja këto arsye të sipërpërmendura, performanca e institucioneve të arsimit të lartë për të qenë konkurruese në sigurimin e financimit të projekteve kërkimore, ka dalë tashmë në plan të parë kudo. Për efikasitetin e menaxhimit, për shkurtimin e burokracive dhe hallkave të kota të vendimmarrjes, për skemat e lirshme të motivimit të stafit, për burimet më të bollshme materiale dhe financiare në shërbim të projekteve kërkimore, universitetet jo shtetërore, ose ato që menaxhohen mbi parime private, pavarësisht nga forma juridike e pronësisë, janë dukshëm në avantazh ndaj strukturave universitare shtetërore, që janë më të vështira në vendimmarrje, me të gjata në kohë dhe po ashtu më të ngurta në skemat e motivimin dhe shpërblimin e stafit.
Duke u kthyer te projektet kërkimore, mund të themi një të vërtetë të njohur tashmë: Kërkimi është sot kudo një prej shtyllave qendrore të universiteteve: në Britaninë e Madhe, pjesën tjetër të Europës, SHBA-të e gjetkë. Por, në dallim prej tyre, në Britaninë e Madhe, veçanërisht në ciklin pasuniversitar, i vihet një theks i veçantë përfshirjes së pedagogëve në projekte studimore. Kjo bëhet kryesisht për dy arsye: së pari, për të ruajtur dhe rritur cilësinë e punës në universitete. Kryerja me sukses e kërkimit nënkupton që personi i përfshirë në të ka njohuri të plota të fushës së vet dhe është në gjendje të piketojë se çfarë mungon në këtë dije, ose si mund të aplikohen hipoteza të caktuara sociale në kushte të reja, për shembull, në Shqipëri, si një vend i përfshirë në ndryshime domethënëse sociale, politike, ekonomike dhe kulturore, pas viteve ’90-të.  Rezultatet e një pune të tillë shtyjnë më tej kufijtë e dijes. Ato informojnë aktorët përkatës të fushave, si për shembull, institucionet qeveritare ose OJF-të e ndryshme për gjetjet e reja dhe rezultatet, si dhe mbajnë në nivel të lartë edhe mësimdhënien. Së dyti, për arsye të mirëfillta financiare. Projektet studimore kërkojnë para dhe janë të shtrenjta. Për këtë arsye, ato pothuajse asnjëherë nuk financohen nga vetë universitetet, por nga organizata të tjera. Universitetet e vendeve anglishtfolëse kanë një avantazh të jashtëzakonshëm, sepse tashmë thuajse çdo projekt studimor kryhet në anglisht. Në këtë kontekst, duhet që universitetet shqiptare, shtetërore dhe jo shtetërore, të kenë personel të aftë që mund të përfshihen në këtë proces. Për shembull, UET-i ka përpunuar tashmë një masterplan për projekte studimore, drejtime e akse të qarta kërkimore. Janë piketuar, po ashtu, drejtues dhe individë që mund dhe duhet të përfshihen në projekte studimore, duke kërkuar edhe organizata financuese (brenda dhe jashtë vendit) dhe objektiva të qartë e të realizueshëm afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe një sistem llogaridhënieje të brendshme për të kontrolluar dhe vlerësuar arritjen e masterplanit.
Në Shqipëri ka shumë pak organizata apo institucione që financojnë ose mbështesin politika për projekte studimore. Në Britaninë e Madhe organi kryesor është ESRC-ja (Economic and Social Research Council), që ka buxhet qeveritar dhe kryen dy detyra kryesore: së pari, financon kërkimin në Britaninë e Madhe, një kërkim që jep përfitime të qarta për vendin; së dyti, kryen vlerësimin e cilësisë së universiteteve, në bazë të rezultateve të projekteve studimore dhe të cilësisë së mësimdhënies. Vendimmarrja për financime projektesh bëhet me peer-review dhe nuk mbetet në dorë të një apo dy individëve. Ky vlerësim bëhet në nivel departamenti dhe qendre studimore, madje duke i klasifikuar me notë. Kjo lidhet pastaj me një shpërblim monetar për çdo pjesëtar stafi të institucionit, puna e të cilit paraqitet për vlerësim nga ESRC-ja. Zakonisht, ato departamente që arrijnë një notë të caktuar, marrin financime të mjaftueshme nga ESRC-ja, për të punësuar personel studimor, pa pasur nevojë të kërkojnë financime diku tjetër. Kjo motivon stafin edhe për shpërblime të merituara në fund të çdo viti akademik.
Ne besojmë se diçka e ngjashme mund të propozohet të krijohet edhe në Shqipëri, në një bashkëpunim të ngushtë midis institucioneve shtetërore e jo shtetërore të arsimit të lartë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ndoshta mund të shfaqen rezerva ndaj një propozimi të tillë, duke konstatuar se “këtë punë e bën Anglia, kurse ne nuk jemi në stadin e këtij vendi”,  por modeli anglosakson ka provuar sukses dhe superioritet dhe ne, duke pasur me qindra studentë dhe ish-studentë që kanë qenë dhe janë përfitues të këtij sistemi arsimor, staf të arsimuar dhe kualifikuar në atë sistem, mund të lehtësojnë dhe kontribuojnë drejtpërsëdrejti në përshtatjen me një model të tillë.
ESRC-ja dhe shumë institucione të tjera në Britaninë e Madhe kanë arritur cilësinë që kanë, sepse funksionimin e tyre e bazojnë në krijimin e strukturave funksionuese, jo vetëm në përzgjedhjen e njerëzve. Parimi i ruajtjes së ekuilibrit përmes kontrollit (checks&balances) mbetet një parim shumë i rëndësishëm edhe në edukim. Për këtë arsye, ESRC-ja funksionon në bazë të një sistemi peer-review, i cili minimizon rastet e mundësisë së abuzimit. Kjo është arsyeja, përveç të tjerave, që universitetet e hapësirës anglosaksone, që janë struktura publike të pavarura, por që manaxhohen sipas mekanizmave të tregut me natyrë private, dominojnë cilësisht në rankimet e njohura botërore pothuajse 12 mijë universitetet që ekzistojnë sot në botë.
UET-i, si institucion privat, por edhe universitetet e tjera jo shtetërore veçanërisht, mund të propozojnë, madje të krijojnë vetë një “mini ESRC të brendshëm”, i ngjashëm më një “këshill studimor”. Në këtë kuadër, pedagogët e brendshëm mund të bashkëpunojnë (edhe pedagogët e jashtëm) me studiues të huaj, në bazë të njohjes së tyre si Honorary Research Fellows. Kjo nuk i jep universitetit asnjë obligim personeli apo financiar, por e lejon studiuesin të ketë lidhje me një universitet dhe të kërkojë projekte studimore mbi këtë bazë. Një rol i tillë vështirë se mund të refuzohet, pasi kemi të bëjmë më një interes të ndërsjellë të palëve.
Pjesëmarrja në projekte studimore nuk është thjesht angazhim apo përfshirje e stafit në një detyrë të caktuar, por një lidhje e afërt me shoqërinë, me jetën reale, me tregun e punës, ku përtej rutinës së përditshme të mësimdhënies, me anë të shembujve dhe rasteve studimore, përmirësohet më tej programi i lëndës, në varësi të disiplinave kërkimore, përditësohet me shembuj konkretë, duke kontribuar kështu në rritjen e të ardhurave të universiteteve dhe përmirësimin e cilësisë së procesit mësimor.  Nëpërmjet projekteve studimore konstatohet se çfarë teorie apo aspekti teorik ka vështirësi në aplikim, apo nuk mund të aplikohet fare në jetën e përditshme, ose çfarë është më shumë praktike, që është e dobishme për të pasuruar programe specifike, me profilet dhe nënprofilet përkatëse.
Për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut, duhen ide të reja për një arsimim sa më cilësor, staf akademik mësimdhënës, i cili mbështet dhe u përgjigjet sfidave të tilla studimore dhe kërkimore. Evaluimi ndërkombëtar i universiteteve shqiptare duhet të marrë parasysh edhe këtë dimension, krahas mësimdhënies dhe infrastrukturës universitare.
*Rektor i UET

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *