A u zbulua misteri i universit?
Ajo që prisnim doli: “Ne kemi një zbulim”, tha drejtori i CERN-it, Rolf Heuer. “Ne kemi konstatuar një grimcë të re, që është në përputhje me Higgs-Boson”. Shumë duartrokitje dhe të qeshura, ndërsa Rolf Heuer flet për “një hap historik”. Atmosfera në CERN është e çtendosur, gati euforike, edhe pse shefi i qetëson duke thënë: “Këto janë vetëm fillimet. Kemi një punë të madhe para nesh”
Ka shumë gjasa, që fizikantët e qendrës kërkimore CERN kanë gjetur grimcën elementare misterioze. Një sensacion i madh shkencor. Dhe shkencëtarët janë si të dehur nga gëzimi. Për Peter Higgs bëhet realitet ëndrra e jetës së tij. Fizikani britanik, ndërkohë 83 vjeç, zhvilloi në vitin 1964 teorinë, se duhet të ekzistojë ndonjë grimcë, që e le materien të bëhet materie. Kjo grimcë elementare u quajt së fundi me emrin e tij. Peter Higgs është ftuar si mysafir nderi në konferencën e madhe në CERN pranë Gjenevës, ku fizikanët prej kohësh janë në kërkim të grimcës misterioze.
Prezantimet u transmetuan drejtpërdrejt në internet, përveç kësaj edhe në konferencën e nobelistëve, që zhvillohej në Lindau në liqenin e Konstancës, dhe në Melburn, Australi, ku mbahej në të njëjtën kohë konferenca më e rëndësishme e fizikës së grimcave (ICHEP). E gjithë kjo të linte paraprakisht të kuptoje, se do të bëhej e ditur diçka shumë e rëndësishme, Pra, asgjë më pak sesa zbulimi i grimcës misterioze elementare.
Ajo që prisnim doli: “Ne kemi një zbulim”, tha drejtori i CERN-it, Rolf Heuer. “Ne kemi konstatuar një grimcë të re, që është në përputhje me Higgs-Boson”. Shumë duartrokitje dhe të qeshura, ndërsa Rolf Heuer flet për “një hap historik”. Atmosfera në CERN është e çtendosur, gati euforike, edhe pse shefi i qetëson duke thënë: “Këto janë vetëm fillimet. Kemi një punë të madhe para nesh”.
Studiuesit e CERN-it janë pothuajse, por jo njëqind për qind të sigurtë. “Ne kemi nevojë për më shumë të dhëna”, thuhet, por të dhënat aktuale tregojnë shenja të qarta, se ekziston një grimcë. Për Joachim Mnich, drejtor i studimeve të sinkotronit gjerman të elektroneve Desy, “ajo që po nis këtu, është zbulimi i shekullit” dhe ministrja e Shkencës, Annette Schawan, i përgëzoi studiuesit e CERN-it për “sensacionin shkencor”.
A është me të vërtetë një sensacion? Me siguri që po. Rezultatet janë një sukses i madh për fizikanët në Qendrën Kërkimore Evropiane të Grimcave, CERN, të cilin ata e kanë pritur gjatë, pas dështimeve, incidenteve e avarive të shumta të sinkrotronit më të madh të grimcave në botë. Ata ishin gjithashtu nën presionin e madh të konkurrencës. Sepse një grup kërkimor amerikan në Fermilab pranë Çikagos kërkon prej disa vitesh grimcën e Higgs. Kohët e fundit ka qenë një garë kokë me kokë, të cilën CERN-i nuk donte ta humbiste në asnjë mënyrë.
Tani duket sikur CERN-i e ka fituar garën. Të paktën me një probabilitet të madh grimca e Higgs-it është kapur. Apo e thënë më saktë, po i afrohet nga ana statistikore. Sepse ajo nuk mund të shihet. Higgs Boson është thjesht teori. E shpikur nga Peter Higgs, në letër, e dëshmuar në formula të pafundme fizike dhe matematike. Hipoteza e tij: diçka duhet t’u japë masë grimcave të tjera të shumta të materies. Sepse kuarket, elektronet dhe neutronet sipas përkufizimit të njohur matematikor nuk kanë masë e si rrjedhojë ato do të duhej të qarkullonin ngado dhe pa pushim me shpejtësinë e dritës, por nuk e bëjnë këtë: Pra, ka diçka që i frenon dhe u jep atyre masë e peshë. Është pikërisht kjo ajo që duhet të bëjnë grimcat e Higgs-it. Dhe këto grimcat e Higgs-it, kështu thotë teoria, duhet të krijojnë kudo në univers një rrjet të dendur, në të cilin varen pjesët përbërëse të materies. Grimcat e Higgs-it janë diçka e tillë si zam, që mban së bashku grimcat e ndryshme elementare, nga të cilat përbëhet materia, pra edhe njeriu.
Ishte një ditë e madhe për Peter Higgs si i ftuar nderi në CERN. Një plak me shkëlqim, një studiues i madh, të cilit iu përmbush ëndrra e madhe. “Për mua është me të vërtetë një gjë e pabesueshme, që kjo ka ndodhur në kohën, që jam ende gjallë”, gëzohet ai dhe elita e fizikantëve duartroket. Në CERN, në Lindau dhe në Melbourne. Të gjithë ishin së bashku. Momenti për shpalljen e zbulimit Higgs, të paktën për sa i përket publicitetit, ishte zgjedhur në kohën e duhur.
Përshëndetje nga përtej oqeanit
Shkencëtarët në Qendrën Evropiane për Kërkime Bërthamore, ose CERN, njoftuan dje zbulimin e një grimce nënatomike që ka tiparet e të ashtuquajturës pjesëza Higgs, e njohur edhe si “Grimca e Zotit”. Shkencëtarët në Laboratorin Kombëtar Fermi të Fizikës Bërthamore në periferi të Çikagos thonë se ky është një zhvillim historik. Rreth 200 shkencëtarë dhe punonjës të tjerë u mblodhën në Fermilab – në orën dy të mëngjesit – për të ndjekur njoftimin e zbulimit nga Gjeneva. Shumë prej tyre si Patricia McBride kanë lidhje të forta me eksperimentin e CERN-it, ku, për të gjetur grimcën u përdor një akselerator mjaft i fuqishëm”.
Shumë teknika që u përdorën atje u provuan së pari këtu. Shumë njerëz u trajnuan këtu”. Shkencëtarët kanë shpenzuar qindra miliona dollarë për të krijuar teknologjinë që bën përplasjen e atomeve. Kanë shpenzuar gjithashtu dhjetëra mijëra orë për të analizuar të dhënat. Por tani ata besojnë se kanë gjetur atë që duket të jetë grimca nënatomike njohur si grimca Higgs. “Është një nga hallkat kryesore që mungonte për të kuptuar se si u krijua gjithësia”, thotë shkencëtari Robert Roser. Higgs, thotë ai, është një grimcë që tërheq grimcat e tjera, dhe shpjegon se përse lënda ka masë. Kjo ndihmon të kuptohet se si janë formuar planetet dhe jeta. Por ai është i kujdesshëm në deklaratat e tij duke shtuar se në CERN u gjet një objekt që i ngjan grimcës Higgs por jo vetë kjo grimcë.
“Ky është një ndryshim mjaft i hollë. Gjatë shumë viteve të ardhshme, ata do të hetojnë të gjitha vetitë e kësaj grimce për të parë se si ajo vepron, çfarë shije ka dhe nëse sillet ashtu siç ishte parashikuar”. Në Fermilab ishte instaluar dikur akseleratori Tevatron, paraardhësi i akseleratorit të CERN-it. Por vitin e kaluar ai u nxorr nga përdorimi. Zoti Roser thotë se të dhënat përfundimtare të prodhuara nga Tevatroni përputheshin me ato që u nxorrën nga laboratori CERN. Të gjitha këto, thotë ai, përbëjnë ndryshime dramatike për shkencëtarët. “Gjetja e re do të ndryshojë mënyrën se si shkenca e sheh botën, por nuk do të ketë shumë ndikim te publiku në përgjithësi”.
Ndonëse nuk është e qartë se ku do të çojë zbulimi i ri, McBride dhe Roser thonë se teknologjia e shpikur për gjetjen e grimcës ka sjellë tashmë rezultate të prekshme – të tilla si krijimin e magazinave dixhitale të quajtura “cloud” që përdoren për telefonat celularë dhe kompjuterët. Por zoti Roser shton se përfitimet e vërteta ende nuk i kemi parë: “E kam të vështirë të them sot se çfarë përfitime praktike sjell grimca Higgs. Këtë do ta kuptojmë me kalimin e kohës. Por njerëzimi ka bërë gjithmonë pyetjen “pse” dhe ne jemi një hap më afër përgjigjes”. Hapi tjetër, thotë zoti Roser, është të konfirmohet pa asnjë dyshim shkencor se ajo që ata besojnë se është grimca Higgs është vërtetë kjo grimcë.
Metropol, 07 Korrik 2012