FJALIMI QË I DHA FUND LUFTËS SË FTOHËT


 FJALIMI QË I DHA FUND LUFTËS SË FTOHËT

THIRRJA QË NDRYSHOI BOTËN: “ZOTI GORBAÇOV, SHËMBE KËTË MUR’’

                                          Nga Frank Shkreli

Kur Zoti Ronald Reagan filloi nga detyra e presidentit të Shteteve të Bashkuara më 1981, qindëra miliona njerëz nga perandoria e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Evropa Lindore vuanin nën diktatura të ndryshme komuniste.  Regjimi komunist sovjetik kërcënonte botën me mijëra armë bërthamore dhe ndihmonte lëvizjet komuniste anë e mbanë botës, të cilat përpiqeshin që me forcë të vendosnin në fuqi regjime komuniste në shtete të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine.

 

25 vjetë më parë, me 12 Qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan viziton Berlinin dhe para portës Brandenburg mbajti fjalimin historik, ndoshta, sipas disa ekspertëve më i rëndësishmi i presIdencës së tij, me të cilin sfidoi botën komuniste dhe udhëheqsin e atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov duke iu drejtuar me fjalët:

“Zoti Gorbaçov, nëqoftse kërkon paqë, nëqoftse dëshiron begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëqoftse kërkon liberalizim, eja tek këjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë.  Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur.’’

Presidenti Reagan në atë fjalim, që sipas gazetës më të madhe gjermane Bild,”ndryshoi botën’’ tha gjithashtu se “Krushçovi më 1950-at parashikoi se do të ‘varroste’ Përendimin.  ‘’Por’’, ish-presidenti amerikan shtoi  se “në Përendim sot ne shohim  një botë të lirë e cila ka realizuar një nivel begatie dhe mirëqënjeje për popujt e vetë, e pa shëmbullt në histori.  Në botën komuniste, ne shohim dështime, prapambetje teknologjike, rënje të standardeve në shëndetsi, madje edhe mungesë ushqimi.  Sot, Bashkimi Sovjetik gjithnjë nuk mund të ushqej popullin e vet.  Kështuqë, para botës sot shpaloset një e vërtetë e pashmangshme dhe e pamohueshme: se liria të çon drejtë begatisë, se liria zëvendëson armiqësitë e vjetëra midis shteteve. Liria është fituesja’’, tha ndër të tjera Presidenti Reagan 25 vjetë më parë në Berlin.

Parë historikisht, në të vërtetë, ky fjalim ishte një vazhdim i politikës së tij të jashtëme anti-komuniste të Presidentit Reagan, tonin e së cilës ai e kishte përcaktuar në një fjalim tjetër që pat mbajtur pesë vjetë më parë në Pallatin Uestminstër të Londrës, ku deklaroi para botës shpresën e tij, “për marshimin e lirisë dhe të demokracisë”, duke thënë se bota gjëndej në një pikëkëthesë historike, se komunizmi si ideologji politike dhe ekonomike, shtoi ai, kishte dështuar, pikërisht sepse shtypte lirinë dhe nuk respektonte të drejtat e popujve që sundonte.  Fjalimi historik i Presidentit Reagan në Berlin 25 vjetë më parë, nuk i drejtohej, pra vetëm Berlinit dhe Gjermanisë, por gjithë botës komuniste, duke venë në pyetje legjitimitetin e regjimit sovjetik dhe të gjitha regjimeve komuniste të Evropës Lindore e Qëndrore.  Nga fundi i vitit 1989, pothuaj të gjitha diktaturat komuniste në Evropën Qendërore e Lindore ishin përmbysur dhe më 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërnda dhe shumica e vendeve të reja të pavarura ish-sovjetike, filluan të marshonin drejtë demokracisë.

Fjalimi i Presidentit Reagan, që për kohën konsiderohet si një sfidë e guximshme dhe serioze ndaj ish-udhëheqsit sovjetik Mikhail Gorbaçov, që të provonte me vepra se ai ishte serioz rreth politikës reformiste të “Perestrojkës’’ dhe “Gllasnost-it’’ që ai predikonte në atë kohë.  Sipas shumë historianëve, ky fjalim shikohet gjithashtu si një pikëkëthesë në periudhën e luftës së ftohët, sepse nxiti moralin dhe shpresat jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por dhe anë e mbanë Evropës Lindore dhe Qendërore, pasi, sipas tyre këjo ishte një thirrje për t’u zgjuar dhe për të rivendosur ndërgjegjen. Fjalimi, që disa e patën konsideruar si provokues për kohën, dihet tani se kishte shkaktuar mosmarrveshje madje edhe në radhët e zyrtarëve të administratës së Presidentit Reagan, disa javë para se të mbahej në Berlin.  Fjalimi ishte shkruar nga një shkrimtar në moshë të re i Shtëpisë së Bardhë i quajtur Peter Robinson.  Por këshilltarët e lartë të mbrendshëm dhe diplomatikë të Presidentit Reagan kundërshtonin përdorimin, pikërisht të thirrjes tani të famëshme, “Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur….’’, sepse mendonin ata, një thirrje e tillë publike nga Presidenti Reagan do të dobësonte pozitën politike të Zotit Gorbaçov në Kremlin. Por sipas ish-ndihmësit të tij, Ken Duberstinë, megjithë kundërshtimet nga këshilltarët e tij më të lartë, Zoti Reagan më në fund vendosi vetë që këjo thirrje të mbetej pjesë e fjalimit, ndonëse sipas tij, “do të ç’mendë diplomatët e Stejt Departmentit, por megjithkëtë, unë do ta përdorë’’, u tha ai këshilltarëve të tij të ngushtë.

Presidenti Reagan dhe para se të bëhej president I Shteteve të Bashkuara ishte shprehur se Muri I Berlinit nuk duhej të ishte ndërtuar kurrë. Si governator i Kalifornisë ai kishte mbajtur qendrimin se telat me gjëmba që komunistët kishin vendosur fillimisht për të ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor duhej të ishin hequr menjëherë.  Ai kishte treguar gjithmonë neveritjen e tij me ndërtimin e Murit të Berlinit dhe ishte i vendosur të bënte çdo gjë të mundur për ta  rrëxuar këtë mur, megjithëse skeptikët ishin të shumtë si në Evropë, ashtu edhe në Amerikë se shëmja e këtij muri mund të sillte ndonjë ndryshim të madh në Berlin ose në Evropë.  Në këtë 25 vjetor të fjalimit, mund të thuhet se të gjithë skeptikët ishin gabim dhe se Presdienti Reagan kishte të drejtë. Ish-këshilltari i Presidentit Reagan për çështje të sigurimit Kombëtar, Frank Carlucci është cituar të ketë thënë para se të mbahej fjalimi se thirrja që Presidenti Reagan i bëri ish-udhëheqsit sovjetik për të shembur Murin e Berlinit “Është një fjali  shumë e mirë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë.’’ Megjithkëte, ky fjalim sot konsiderohet si njëri ndër më të rëndësishmit në historinë e Amerikës, e ndoshta edhe në historinë e botës.

 

Më 12 Qershor, 1987 Presidenti Reagan duke mbajtur fjalimin e tij historik drejtuar banorëve të Berlinit Përendimor dhe gjithë botës.

 

25 vjetë pas fjalimit të Presidentit Reagan në Berlin, bota përballet sot me probleme të reja politike, ekonomike dhe të sigurimit.  Madje, madje këto sfida, në krahasim me ato të shekullit të kaluar, mund të jenë edhe më të mëdha e më  të  rrezikshme dhe më të pa-parashikueshme.  Për tu ballafaquar me këto sfida, Shtetet e Bashkuara dhe bota  kanë nevojë për një udhëheqës si Ronald Reagan, i cili me optimizmin dhe vendosmërinë e tij, me besimin në vlerat,   aftësitë dhe fuqinë e këtij vendi, do të mund të përballet dhe të përballojë sfidat e sotëme kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *