U mbyta në dallgën e mendimeve të tua, Në mbrëmje ngjyrë blu dashurish. Hodha hapa të ngatërruara anës Senës, Përqafova qiellin tënd Dhe lëshova ajrit frymën e shpresës. Vallëzova me melodinë që më shushuriti ëmbël te veshi, Dashurova fytyrën tënde në dehjen e pranverës, S’u lodha së prituri prekjen tënde…
Le të humbas tani në gjirin tënd, Paris, Në frymën tënde le të humbas.
G R U A
Unë jam grua, Butësi puthjesh, Zemërdashuruar Flokëlëshuar, Aromë lulesh, Ndjenjë e qëndisur Pëlhurash të bardha.
Unë jam grua, Kënga e jetës Melodi e pashterrur.
Unë jam grua, Gjysmë dashurie, Muza e vargut, Loti i dhimbjes, Unë jam grua, Dje, ëndrra e një vajze…
DJALIT TIM
U rrite, biri im, U bëre burrë. Vitet ikin Dhe unë s’i vura re, I kuptova vetëm Kur u ngrita në majë të gishtave Dhe të putha Dhe ndjeva një tjetër parfum.
E turpëruar, puthja ime Mbi faqen tënde Si zog i trembur fluturoi Dhe iku e u ndal Mbi degën e një ëndrre.