ERMIRA YMERAJ, ANTOLOGJIA POETIKE 1991-2023

ERMIRA YMERAJ

LEXIMIT


t’kisha me mujt,
me mund,
me ta hekë nga nji ashkël
çdo ditë ngarkue mbi gjinj,
mu n’gjoks brenda njaty,
ku ngihet e unjet,
ngryset e zbardhet, dridhet e tkurret jeta,
librin e shpirtit me shkru…
eh medet!
pa le kur t’fiket prej gjurmëve fryma,
kisha me ditë
me ta ngjit m’u n’amë,
pëshpërimat e nji andrre.
shijet me kultivu,
librin e syve me lexu!
bash tana herët që kokën se çan,
sa je mbi kambë t’reja
ngarkue me dëshira beze,
me pasthirrma pranvere,
me drithma moshe,
kisha me dashtë,
zemrën me ta shëtitë n’andrallat të krijimit,
gjuhën me pasuru.
librin e t’pathanave me lexu.
e kur flokët t’nisin me u rritë,
bashkë me trupin,
hije ma shumë n’trotuar tuj ba,
me mujt atëherë kisha dashtë,
me të ni
tuj i fërshëllu andjeve,
pa teklif,
n’sy të kthjellun
n’shtjellat e nji libri.
e n’mesditën tane n’zhegun e moshës,
ku i tkurrun je prej kahjeve, caqeve, përplasjeve, brrylave, frikërave,
mendimet kisha dashtë
mos me t’i ngatërrue me cullufet e merimangave.
e atëherë ke me mujt,
me shijet e mbledhuna,
me i latue dhimbjet e nji shpirti t’kultivum.
nji greth,
ndoshta ma shumë se nji,
ka me lypë me t’u dukë bletë,
Atëherë!
vetiu ke me zgjedhë
nji re të bardhë t’rrokaqafun me qiellin e nximë
n’lojnat e yjeve stilue me fjalë.

Prill 2023

 

UNE JAM GRUEJA…

Unë jam grueja,
Grueja e vargjeve t’ errëta,
E rreshtave me metafora t’brishta
dhe epitete të marra,
shkarravis fletët
e bardha,
Me fjalë t’lidhuna
n’skutat e mendjes,
t’grishuna n’shpirt, e
harbue n’zemër.
Jam grueja,
Që dua shumë
thartimeve të jetës
kuptim me iu dhanë.
Jam grueja që dashnisë
i shkruej me zjarr,
Gatu n’përshtjellime fryme.
E tash…
m’leni me ra
qetë
n’ujnat e harruem
T’nji shpirti trazuem.

19 mars 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *