Poezi nga ARMENIDA QYQJA

DY MIJË VJET NË SOFRËN E PRISHUR

Në darkën tënde të fundit

Sa herë jam shtruar,

I trembëdhjeti, mysafir i paftuar,

Herë Judë e herë Pjetër…

Ah, sa i ngushtë 

Laku i botës, në qafën time!

Dymbëdhjetë ishin portat

Dhe çmimi, i lartë…

Pulsin tënd mas 

Në vetëtimën e syve,

Zemrekut të kohës

I thyhen eshtrat e hekurta…

Pak çaste ndajnë 

Burrërinë nga tradhëtia

Besimin nga frika,

Jetën nga vdekja…

Ti ha me të, 

Bukën dhe verën ndan,

E sheh në sy

Dhe e puth në ballë…

Zemra ime mbytet në grykë…

A e di? A e di? 

Përgjigjen kërkon

Dy mijë vjet, në sofrën prishur…

Gusht 2023

NJË ZOG I KËNDON FURTUNËS

Orët gri të qiellit shikojnë shtrembër

Hijen time që maj gishtash rreket të zgjatet,

Dhjetë centimetra më shumë 

Dhe një çast paqje mes akrepave të hekurt…

S’e dija që qënkërka kaq e tepërt

Të kërkosh veç kaq

Mes një infiniti mundësish kozmike…

Rrudhet fusha mbi krye,

Ndërsa qënia ime kokëfortë vazhdon 

Fatin të ndjellë në çarjet mes reve…

Një zog që i këndon në furtunës,

Më kujton se pikat e shiut lindin ylberët…

Gusht 2023

NË RRAHJEN QË VEÇ DASHURISË I FALET

Nga lavjerrësi i hekurt, tundet ankthi

Dhe dhëmbëve mban zemrën zënë pre,

Majtas-djathtas-majtas, përsëri e përsëri,

As koha e as ai s’lëshojnë fare pe…

Vetëm një zgjidhje të mundëshme ka,

Të vish ti, që të dorëzohet ankthi, 

Ta lëshojë zemrën nga dhëmbët e veta,

Prehje të gjej, pak qetësi… 

Ajrin le të zhgarravisë më pas lavjerrësi!

Majtas-djathtas-majtas, përsëri e përsëri,

Një kohë rend e një tjetër ndalet,

Në rrahjen, që veç dashurisë i falet…

Qershor 2023

TI NUK MË MBAN MËRI

Nuk munda të vij…

E di, reja e bardhë e shpirtit tënd

S’më mban kurrë mëri…

Mjafton bota për gjëra të tilla, 

Numërime qokash të boshta…

Pika vese bien mbi ballin tim

Sa herë ti mbledh atje lart

Psherëtimat e zemrës sime 

Në grushtin e ftohtë të botës…

Mos u mërzit, jam mirë

Dhe kemi ende udhë për të bërë,

Unë këtu posht e ti atje lart, 

Rreze drite, gjithnjë pas meje…

Gusht 2022

ME DASHURIN PËR TY

Në magjen e shpirtit gatuhet gjithnjë,

Dhe me një fjalë të vetme 

Mbetur dollapëve të zbrazur,

Një shikim, një puthje me dorë në ajër…

Mrekullira di të bëj zemra 

E gjallë të mbajë jo ditë, 

Por shekuj të ftohtë pritje…

Gatuhet, i dashuri im, i urituri im,

Gatuhet gjithnjë kaq shumë dashuri,

Sa hambarët e tërë botës nuk dalin,

Ta strehojnë tërë mallin për ty…

Qershor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *