ANTOLOGJIA POETIKE 1991-2023, AGIM SPAHIU

AUTOPORTRET



Herë-herë më grafullon gjoksi si tambli në flakë,
jam shend e verë, plot hove njerëzore, i pashëm,
i fresket e i gjallë,
i pastër e i larë si natyra pas shiut,
i tejdukshëm si qelqe e zbrazët.
Gjithkush ma lexon shpirtin në bebez të syrit…
e viti më duket një ditë…

Herë-herë shkretem krejt
pres
regëtime e fundit në heshtje,
jam si pylli dimëror,
i ftohtë pa ndjenja,
bosh,
e dita më duket nje vit…
Nga çasti në çast pres të më çojnë në varrezë
Pse s’më çojnë?!


 

PREK TRUPIN E NJERIUT

Dua të prek trupin e njeriut, të lehtin, të lirin,
gazplotin e jetëdhënësin trup, të marr e të jap
dritë, guxim e mençuri… Puthmë! Ç’është kështu me ty?!
E ndien veten të lodhur e të plakur nga një mendim nator,
që mbjell harresë e vetmi… Dhe trembesh si fëmijë.
Ç’rëndësi ka mosha?! Puthmë! Ç’është kështu me ty?!
Prek trupin e njeriut, të lehtin, të lirin,
gazplotin e jetëdhënësin trup, merr e jep dritë,
guxim e mençuri!
Vetëm prekja e njeriut është kundër shurdhimit,
harresës, vetmisë, vetëm prekja e njeriut.
Shëtiti mollëzat e gishtave mbi supe, krahë, ballë,
vetulla e sy, futi gishtat në shkurren e flokëve dhe dëgjo
si këndojnë zogjtë e dashurisë në buzë… Nesër
agu do ta largojë këtë mendim nator, më beso,
nesër do të jetë shuar krejt…
Do ta ndiesh veten të freskët, të lehtë,
do ta zgjedhësh fustanin luleshumë, buzëkuqin e ndezur,
do të krihesh me kujdes,
do ta shtosh buzëqeshjen… Nesër,
e mrekullueshme do të jesh nesër!
Si mëngjes mesprilli verior, si vajzë e dashuruar
do të ndihesh nesër, më beso,
nesër kur të prekë dita-jetë që sapo ka filluar…
Puthmë! Prek trupin e njeriut, marr e jap pafundësi,
mbushur plot e përplot shpresë e dashuri.
 

Kukës, 1986



KUR S’TË SHOH…

Shihem në pasqyrat e mëngjesit, i mbush mendjen
vetes se jam i ri, vesh këmishën e bardhë e dal
në pikëpjekje me ty…
Dal të shoh hapin, fytyrën e çelët,
të ndiej ecjen, vështrimin, përkëdheljen
e ti të therësh si flutur prilli nëpër shtatin tim,
të më japësh kaltri, forcë e besim,
të më japësh zjarr djali
e të më mbash në këmbë – të lehtë të ma bësh
çdo gjendje të rëndë… E pastaj,
e pastaj unë i gjithi të jem dashuri
përqafuar me botën, përqafuar me ty,
i shpenguar si era, i mrekulluar si pema
të sythoj ëndrra e punë të reja…
Por kur qëllon që s’të shoh dot
pasqyrat më qorrohen, nxihet këmishë e bortë,
më sulmojnë rrudhat, plakja e mosdashja,
mërgon ëndrra, fjala, më mbulon nata.
Plakem një mot kur s’të shoh dot!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *