Poezi nga Marisa Ashiku

TRANDJE


I këndoj në heshtje  ndjenjave,
Dhe tingujt më tranden 
në të  qeshurën e ngrohtë, 
që shkrihet me frymën tënde, 
brenda puthjes së dëshiruar...

Aromë kamomili më mbeti mbi buzë,
Petalet e bardha pikuan lëngun e fundit, 
dhe më dehën shpirtin, me një grimcë paqeje...

Syhapur do flenë ndjenjat
mbi shtratin e një mungese, 
që mban në të majtë hënën, 
 në të djathtë diellin
 e në qendër qënien time, njësh përzier me ty...

4/8/2022


***
Puthja jote, 
si njollë e mjegullt e Andromedës, 
i mbeti zemrës...

***
një tik-tak larg teje, 
ecën qenia ime
rrugës së qumështit!

Maj /2023




Rrugëtim... 

Rrugëtoj në ëndrrën e fanitur
Të gjej pak vete... 
Të gjej pak ty...
Thirra heshtjen në buzën e plasaritur, 
E më çoi tek sytë e tu... 

U shpërbënë fjalët në heshtje... 
Dhe gërmat u arratisën,s'di se ku. 
Disa në pluhur dëshirash përfunduan,
Disa në  qorrsokake të një qielli blu.

Mora një  laps e një fletë 
Vizatova sytë dhe një rrugë flu...
Rrugëtoj në një rrugë damar prerë
Të gjej pak vete...
Të gjej pak ty... 

1/11/2021





Mjegull... 

Flatron zëri i dëshirave
në muzg
horizontit pezull,
një lumë mjegulle ndan qiellin në dy, 
në njërën pjesë unë, në tjetrën ti, 
të mekur prej fatit, mbetëm...,
si rrokaqiej të shembur...!

Fërfëllon zëri i dëshirave
mbi thyerjen e dritës, 
unë sjell mëngjesin, ti perëndimin...

Me shpresë se,
do të hollohet rripi i mjegullës
në një mesditë,
dhe era e ngrohtë
do t'na rrah fytyrën dhe sytë 
me puthjen dërguar zemrës...! 

12/12/2021



Mbeti vjeshtë në zemër ...

Këtë pranverë
 u kthyen dallëndyshet!
Ti ende jo...
Dhe manushaqja e fundit
të priti ty...
Buzëqeshja dhe aroma e saj
në kurthin e mungesës
kanë mbetur..! 

15/9/2015

SHENIM:  Ky cikel poetik u perzgjodh per Revisten Kuvendi, nga poetja e njohur Armenida Qyqja, Redaktimi i ciklit u bë nga Pjeter Jaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *