Armenida Qyqja, lindur në Tiranë, më 1977, me vendbanim në Vankuver të Kanadasë që prej 1995. Autore e 7 vëllimeve poetike:
Përtej kangjellave të shiut (2018)
Puthje ne eter (2020)
Letra pa zarf (2020)
Mes rrahjeve të zemrës (2020)
Dyzet plus (2021)
Ktheja pranverês zemrën (2023)
Sizifi i shpirtit tim (2023)
I VDEKURI QË QESH (2022) është prurja e parë në prozë, në zhanrin e tregimeve të shkurtra.
A BUNCH OF POEMS INSTEAD OF FLOWERS është prezantimj i saj i parë në botën anglishtfolëse, permes botimeve online në amazon.
Libra në proçes: një prurje e re në prozë si dhe një vëllim tjetër poetik.
MËNGJESE MALLI-
Gugatja e pëllumbave ndjek
Mëngjeset e akullta,
Është malli që i flet zemrës
Sapo lind dita...
Era e lagësht e jugut,
Rreket me çdo frymë t'ma zbus dimrin,
Këtu, në tokën e largët,
Por plasaritjet, shpirtit dot s'ia ngjisin...
Jodi i kripur lëpin plagët e hapura,
Por dot s'i shëron,
Asgjë në botë, nuk i zëvendëson,
Buzët e tua...
Janar 2023
-NGA EKRANET E SYVE-
Gishtat lëshohen butë mbi tastierë,
Ashtu si mbi trupin tënd dikur,
Nën mollëzat e tyre shpirtin të ndjenin,
Frymë tek merrte nga poret e djersitura...
Shtrydhet zemra aty mbi çdo gërmë
Dhe prapë s'i thotë dot të gjitha,
Të ngurta çelesat ku derdhet rrahja,
Fjalë pas fjale, me mijëra kilometra...
Dorëzohem i dashur, dorëzohem,
Ekranet e syve le të flasin më mirë,
Me ty brenda tyre personazh kryesor,
Le t'ia tregojnë botës të gjitha...
May 2023
-KAFE E PIRË VETËM-
Eh mjeshtër, e humbe fillin sonte,
Harrove ta ndezësh mbi buzë cigaren,
Hidhësira e duhanit të përzihet në heshtje,
Me atë të kafesë së pirë krejt vetëm...
Muret gri të qiellit shikon shtrembër,
Pa ditur ç'të ther këtë prag vjeshte më tepër,
Ikja e të shtrenjtëve përjetë përtej reve,
Apo ikja e pinjollëve përtej maleve e deteve...
Si një relike e vjetër i ke mbetur qytetit,
Me miqtë e ikur dhe monumentet e shembur,
Horizonti i zbrazët t'i mjegullon sytë,
Që më kot picërrohen dikë të shquajnë nga larg...
"Po vijnë shirat" të lajmërojnë gjunjët,
Tek ngrihesh, të ikësh ngadalë,
Filxhanin e nxirë dhe lekët sheh shtrembër,
Bashkë me kamarjeret që s'ti thanë dy fjalë...
"Një mijë lekë, çmimi i heshtjes mbi tryezë,
Se s'mund të quhet kafe kjo që pi vetem,"
Mpihet dhimbja e reumatizmës
Nga therja që shpirtit ia gërryen brinjët...
(Tetor 2022)
-E DASHURUAR-
E harruam edhe Ukrainën,
Atje në vargmalet e hirta,
Ku djemtë e nënave bëhen statistika...
Dhe lajmet për to kanë rënë në gjumë...
Jo, s'do më brrej as mua ndërgjegjia,
Unë as e vrava dhe as e tradhëtova,
Thjeshtë u lodha së dëgjuari, së menduari luftën...
S'kam faj që jam ende kaq e etur për jetën...
Jo, s'do më brrej për asgjë ndërgjegjia,
As për vendin tim që sa vjen e tkurret,
Të gjithë duan të ikin, kurse unë...
Por s'do të flasim as për këtë sonte...
Për krejt asgjë atje jashtë, s'do të flasim,
Në sy do mbajmë njëri-tjerin tek heshtim...
Vetëm në buzëqeshjen tënde veshur,
Në gjoksin tënd do dergjem e dehur...
Në djall vaftë bota me andrrallat e veta,
Vetëvrasjet e klithmat e saj të pafundta,
Pas vetes e kyça sonte derën,
Jam ende kaq e dashuruar me jetën...
(Korrik 2022)
-ME JU JAM-
Në sheshet ku ju shtypet liria jam,
Me gaze lotësjellësa e dhunë,
Jam fjala që udhën nga gjoksi juaj çan,
Kur me presione ju bëjnë të rrini urtë...
Jam vetja juaj që s'do të zbohet
Nga vatra drejt botës së panjohur,
Loti i hidhur mbi shpresën që helmohet,
Dita që lind në sytë tuaj e lodhur...
Udhëtare e kohës, vij ndalem tek ju,
Me tridhjetë vite mbi sy "de'ja vu",
Në zemrat tuaja trokas pareshtur,
Brenda jush të zgjoj Arsyen e Fjetur...
Të rreme janë gjithçka që ju shesin
Me manipulime, premtime për punë,
Të rreme dhe ëndrrat atje përtej detit,
Biletat e fatit pa skadence, datë afati...
Sy bukura rini, mos u dorëzo!
Sa fryme ke, ka ende shpresë, lufto!
Përmbysi tryezat e pazareve,
Është rradha jote, në shtëpinë e të parëve!
(Dhjetor 2021)
-QË TË VIJË PRANVERA-
Aty jam,
Fshehur në petalet e luleve të vogla
Që dhe mes gurëve çelin,
Motiv u jap kryet lart të ngrenë,
Gjersa sytë e tu të ndeshin...
Duhet!
Sepse pranvera s'mund të vijë pa lule
E as pa këngën e zogjve...
S'di, a e dinë këtë ata,
Që s'lënë as barin të mbijë,
I shkatërruan, shkretuan, të gjitha...
I kam braktisur lëndinat e mia,
Tokën e premtuar
Dhe aty jam, mes barit të egër, gurëve,
Sepse e di që pa sytë e tu,
S'mund të ketë për mua pranverë,
Askund...
Mars 2023
-BIJËVE PLANGPRISHËS-
Eh, Ankiz, duhet t'i falenderosh zotat,
Që dhe pse paganë, të mëshirshëm qenë,
Iku koha kur biri e mban në krahë atin,
Udhëve të botës nga endet pa Atdhe...
Të tepërt na i dolën ati dhe dheu,
Njeriut global që veç vetja i duhet,
Pa asnjë rrënjë që lidhur ta mbajë,
Pa barrën e eshtrave të plakura mbi supe...
Paganë qenë zotët e tu Ankiz,
Por të mëshirshëm fort, për besë!
Shokët e tu, po ruajnë sot në azil
Vendet e tyre, për bijtë plangprishës...
(Tetor 2021)
-MOS I MUNGO DRITËS-
Eja, lëre botën e vetmisë dhe eja,
Atje ku të thërret zëri im dhe në gjumë,
Mos ki më frikë nga vetvetja,
Brenda saj, i dashur, tashmë jam unë...
Harroi dështimet, tradhëtitë, humnerat,
Çirçet me mijëra magjira e lodra,
S'jam asgjë që kjo botë ka parë më parë,
Fuqinë time, e marr veç nga zemra...
Eja i dashur, mos i mungo më dritës,
Shtegut, që ajo shtron mes syve,
Eja, një mrekulli t'i shtohet botës,
Që veten vret mes urrejtjes e lotëve...
(Korrik 2022)
-DO T'U VIJË DITA-
Po shtriqet batica mbi frontin e braktisur,
Nga një fije, përherë e më shumë,
Në një gjysmë kafke bunkeri të përmbusur,
Një pulëbardhë po darkon plot zhurmë...
Për kohëra të largëta po u flet valëve,
Për luftën e ftohtë, ushtarët e gurtë,
Nëndetëset, sirenat e alarmeve,
Miqtë e armiqtë, që në Jon s'rrinë urtë...
Të tjera kohë sot, të tjera pallavra,
Slogane, parrulla, heqje lirie,
Armiq e miq, që këmbejnë fytyra,
Dhe pse zjarr nuk ka, era tym bie...
E falën Shqipërinë pa vula, pa letra,
Për shukat e parave, që hanë me zor,
Ashtu si gjelave do t'u vijë dita,
Me këmbë t'u bien, kryeve në oborr...
(Gusht 2022)