Poezi nga Pjeter Jaku

DASHURIA

 

T’i mbështillesh dikujt,

Ta rrethosh ajrin me krahë,

T’u nanshtrohesh drithmave,

Të mos i duash për gjynah!

Pastaj,  të bëhesh lisi,

Ku andrra

Të ngjitet për ty!

Çdo gjë që nuk ndahet,

Është dashuri!

 

 

 

T  I

 

Ti je si deti

Dhe sa deti!

Ti je sa qielli

Dhe si qielli,

Ti je si fjala

Dhe sa fjala,

Ti je bota

Dhe sa bota,

Ti je planeti

Me vetëm

Një emër,

Ti që gurit

I vë zemër,

Ti je fryma

Dhe frymëzimi

Vet,

Ti, gjithë sendeve

Në botë

I jep jetë,

Ti je krejt gjallesa

Dhe bimësia

E tokës,

Ti je Mbretëresha

Mbi gjithë mbretërit

E botës,

Ti je kundërshtia

E idhnimit njeri

Ti je gjithësia

DASHURI!

Ti je si shpata

E Demokleut,

Ti e zgjidh nyjen

E pazgjidhur

Gordiane,

Ti mbinë furishëm

Nga thellësia

E dheut,

Si një stuhi

Në njëmij

Tufane!

Ti je buzëqeshja

E hapsirës

Pafund,

Ti je e mira,

Që të keqen

E mund,

Ti je si ti

Dhe vetëm

Ti!

 

 

PYES VETEN…

 

Si nuk po gjëj një Itakë

Të ankoroj deshirat e mia,

Si një Odise i shkathtë

Penelopes durimin t’i blija!

 

T’i fry e shfry kacekët e erës

Me peshqit që kërcëjnë mbi valë

Natës së fshehur pas zemrës

Ti jap edhe sytë e mi të zjarrtë.

 

Nëse pabesia nuk hy midis nesh,

Me Penelopen krejt botën do ta vesh,

Sa, edhe drurët të duhen si njerëz!

 

 

  FLUIDITET

 

Ti je mali pa peshë, pa masë,

Nuk ke gjatësi dhe asnjë llojë perimetri,

Nuk kapësh prej asnjë dore dhe fjale

Ti je nisja e kthyer në ardhje!

Ti erdhe te unë për të më treguar,

Veç një llampë që kisha harruar

Ta ndez!

Ti, në paradhomën time

Të harresës,

E shtove një çelës!

 

 

Antonimi…

 

Dashnia nuk asht letër alkolike

Me i pastru duart pas prekjes!

Dashni asht me dasht njeriun,

Deri në fund të kujtesës!

 

Dashni nuk asht interesi

Për të “shitur” lakmitë tuja

Të momentit,

Dashnia është të mos mjaftohesh

Me kënaqësinë tënde,

Po dhe të tjetrit!

 

Dashnia asht të mendosh dhe flijimin,

Në pamundësinë për të qënë

Bashkë!

Dashni asht edhe pa e prek njeriun,

Me dashtë!

 

 

PERVEÇ TEJE

 

Ti je shteg që më çon në vullkan

Ti je zjarr që më djeg e më zgjon

Unë, asgjë përveç teje sot nuk kam

Më jep frymë dhe më nxjerr nga ky hon!

 

Ku kam rënë pa e ditur se ku jam,

Gjithë jetën të jetoj me diellin tand!

Ti je drita që po humb bashkë me sytë

Ti je kohë, nuk je dite, nuk je muaj, nuk je vit

Je e ngjitur krejt për mua ind për ind!

 

Je një shtesë e domosdoshme që të nxit

Për të qënë ai që s’je e s’mund të jesh

Gjithë yjet që u dogjen për t’i ndez

Për të parë atje ku s’mbrrin asnjë shqiponjë

Ti je dritë e ditëpërditëshme që të mbron

Nga një sulm pa kalendar e pa jehonë!

 

 

HARTA  IME 

 

Të gjitha krahinat e mia të trupit

Në gjeografinë fizike të dejeve

Në Veri kam zonën e ftohtë të trurit

Në anën e majtë të zbehjeve…

 

Për ndonjë faj që rastësisht më troket

Ndonjë lajthitje të pamenduar mirë

Drejtëpeshimin ma ban më të rëndë

Kur shpresat m’i vrasin në rënie të lirë!

 

Këmbët zbresin njëlloj drejt tokës

Si dy shtylla të hekurta qendrese.

Krahët, njëlloj ngrihen drejt kokës

Në formë lutjeje dhe pendese!

 

Teoria e Kopernikut për levizjen planetare

Rrotullon  gjithë jetën planetet e  trupit tim

Tuj dhanë dritë ma shumë se dhjetra centrale,

Vetëm për DASHURINË!

 

 

Amnezi

 

Ti je ilaçi im

Që më vë në gjumë

Bëj të ngrihem

S’më le ëndrra

Më tërheq

Për fryme shumë!

Bëj të flas

Ti ma zë gojën,

Se prej buze

ma merr fjalen,

ma merr frymën

thu se vdiqa

dhe ti prapë

ma sjell ringjalljen!

Ti se ti

Por, unë dhe unë

Do shkojmë

Larg në përjetësi

Ti e di

Se unë të  pres,

Se nuk shkoj

Askund pa Ty!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *