SHTATЁ MOTRA, NJЁ VЁLLA E I’DEF

(Poemë)

Nga ILIR SHAQIRI

 

Qëkur katundit mortja i ra

Mbet n’shtatë motra e në një vëlla.

***

T’shtatat bashkë në i’gjysmë shtëpi

Një vëlla t’hajthëm krejt i ri,

Një odë t’vogël me i’frëngji

Kulmi shqepë hëna përmbi.

***

Kur fryn erë e kur bie shi          

Njëra-tjetrën e marrin n’gji

Një shtrojë t’shtjerrë e bëjnë xhurdi 

Mbështjellin vëllain mos me u mërdhi

Kopanec trupin e tij.

***

S’kanë as mushkë as kalori

As s’kanë dele s’kanë as dhi

Një thes miell e i’tepsi

Bukën thatë kripën përmbi.

***

S’i lanë bahçet pa prashitë

As livadhet pa kositë

As gardhiqet s’lanë pa i thurë

Kurrë pa u ulë, pa u mbështetur kurrë.  

***

Tej te kroi shkojnë për ujë

I lajnë petkat ulur n’gjunjë

I lajnë faqet, sytë zi

Shtambat n’dorë sapunin n’gji. 

***

Një ditë t’lume, për çudi

Si n’legjenda vjen një dhi

Vjen një dhi e vjen një kalë

Frekëputur hënëpërdalë…

***

N’rrasë te kroi t’dy janë ndalë

Mbeten çikat krejt pa fjalë.

I lëshojnë gojët ujë me pi

I’copëherë s’munden me u ngi.

***

Ah e gjora dhia e shkretë

Paska humbur paska tretë

Sytë përgjakur leshrat shtjellë

Kush e di sa kohë pa mjelë

Nuk peshohen dot me okë

Gjinjtë e t’shkertës zharg për tokë. 

***

Kur ja lëmojnë jermin e trishtë

Si me e prekë gacën me gisht

E ja shtrydhin gjinjtë ngadalë

Me ma t’ëmblat t’zemrës fjalë

Pak me këngë e pak me llafe

Si m’ia heq zhardhecin qafe.

***

Kali s’ngopet ujë tuj pi

Fort i rënd pikëllimi i tij     

Jelet lëmsh, rrëmet rrëkeje

Si t’ketë ikur prej beteje…

***

Vëllai i hajthëm pak dai

I  k’cen n’shpinë gjokut t’ri

Kalon vigun përmbi lumë

Hedh vështrimin mbi katund

Kullat djegë era shkrumb…

Tej hambarët misër, grurë

Thasët shqepur grykët shthur

Si lumëshiu kur plasë mbi urë

Ju trash gjaku nën lëkurë.

***

Ia hoq gojzën gjokut t’ri 

ia mbush barkun me tagji

ia kreh shpinën kashai  

Thasët e drithit sipër tij

E merr udhën për n’mulli.

***

Udhë me gropa, udhë e gjatë

Zbardh me ditë, errë me natë

tuj pi ujë n’gurra e kroje

gjokut, blojës tuj bá roje

Fjalët e babës tuj i përtëri

Kurrë pa i mbyll qerpikët zi.

***

Filloi brezin ta shtrëngojë

Nisi arat t’i livrojë   

Nuk la kund asnjë therë

Një pëllëmbë tokë nuk e la djerrë

Edhe arat e fisit të tij

I mboll misër e grurë të ri.

***

Koha ecte, gjelbërohej

Katundshkrumbti zbukurohej…

***

Dhe një ditë nën hije t’lisit

Tuj ja shtrydhë djersët plisit

I shkoi dora nën mustak

Fije t’njoma t’dalne pak

Hodh shikimin tek mendohej

Ju mbush mendja të martohej.

***

Por katundi nuk ka çika

Vjen mollëkuqja pika-pika… 

***

Bukure moj bukuresë

pikaloshe kuqezezë,

kah e kam nusen, mund ta di?

Ta marr udhën e të vijë

Ta marr udhën të vijë vetë

Ta bëjë burrë një djalë të shkretë

Para shpirtit s’ka gjë tjetër

Veç shtatë motra e i’shpi t’vjetër.

***

Bukurea drithëroi

Hapi krahët e fluturoi

Tre katunde i kaloi

N’dorë t’njomëzakes ulë pushoi

Dhe u kthye si erë mali

Teksa e priste n’hije djali.

***

Bukure moj bukuresë

çfarë të tha ajo syzezë?

***

Po, mi tha nja dy fjalë:

Të dielën dielli sapo t’dal 

Të më vijë hipur në kalë

Të më marr e të më çojë 

Të më çojë ku të dojë

Me çfarëdo të më mbulojë.

***

Vëllai – urtaku – llafepaku

Tha një fjalë e ndjeu konaku!

***

Motra e madhe ra n’pazar

Djathë e gjizë ngarkua mbi kalë:

Kush i merr krejt përnjëherë

Për i’okë kripë e dy sheqer?

  ***       

Një ezmer perçezi

Lidhur ballin me shami

Nxori harxhin prej kotarit

Tek dalldisej n’mes t’pazarit

Si i shpëtuari prej litarit.

***

I shtriu letrat gruaja e tij

Gjerë e gjatë mbi një shami,

Përreth saj nja 12 fëmijë,

këmbëzbathur barkun n’fushë,

verë e dimër faqeprushë.  

***

Zotkotari perçezi

Lavdëron harxhin e tij

Këngë e dajre me ojtni:

Kush ble një, lë t’i marr dy 

Si me mall, si me pare

bujrëm defa me xhampare.

***

Shtojzovallja hipur kalit

Po ja kthen shpinën pazarit

Vjen e ndalet para derës

Siç çel syri i pranverës.

***

N’prag të derës vëllai doli

Motërmadhen n’gryk e mori

Shkarkoi harxhin e pazarit

I’strajcë tagji ja mbushi kalit

Ja brizon shpinën me dregëza

Ja ndreq shalën vjegëza-vjegëza   

Me ca dredhla prej livadhit

Lulekëmbore anësh ballit…

***

Motra e vogël defin zuri

Me dy duar, faqe purpuri:

Niset dasma për me u nisë

Përhair t’kjoftë oj dada e shtëpisë!

***

Dada n’gëzim e thirri djalin

Teksa e bënte gati kalin:

Motrat thonë se t’kanë parë n’ëndërr

Nesër mbrëma bëhesh dhëndër?

***

Thataniku shtrëngoi atin

Me dy hapa e kaloi shpatin

Ani pse pak brinjëdalë

Hije i ka shtati mbi kalë!

***

-Udha e mbarë vëlla dada t’pastë

Shëndosh e mirë ty mbrapa t’lashtë!

***

Jep uratën motra e madhe

Të tjerat ngrihen si sorkadhe,

E ndajnë odën në dy anë

Ja shtrojnë shtratin kashtë e sanë,

I ngrenë rrasat mbi çati

Mos me hy ma borë as shi.

***

N’mes t’oborrit çika pret

mblidhte flokun në gërshet…

***

Si një zanë nën hije t’blirit

Ju kish shqepë këmisha rreth gjirit

Ju kish shqepë e s’kishte tjetër

përveç kësaj pëlhure t’vjetër,

teksa priste gjoksi i vlonte

as jeleku s’ia përthekonte… 

***

Tash vjen koha dhe i’çerek

Tregon ora me qostek

N’prehër t’saj mbi gjunjët gjak

Amanet prej babës plak

qëkur u dogj katundi flakë.

***

Si një frymë që vjen prej mali

N’hije t’blirit mbërriti djali…

***

Dhe u panë sy me sy

S’i me i lindë një nënë të dy.

U ngrit n’këmbë zemërshkrumbta

ta shtrëngojë me llërë të brumta

tek u poqën faqe-m’faqe

si dy lule rrit në bahçe.

***

E çliroi ballin prej flokëve

E pa dhe i’herë kodrën e lotëve,

I rrodhi një, por ja mor era,

mbi kullë t’babës mbyllë me thera.

***

Hipi e shkrumbta n’vithe t’kalit

Duart e buta në ije t’djalit

Tek fryn era e shirokut

Ja vallëzon fijet e flokut

Troku i gjokut turra-turra

Ja fërfëllon këmishën me gurra

Ja shprish blejzat prej gërshetit

Siç valëzojnë valëzoret detit!

***

Si nuk pat kurrkush me i pa

Me ja thënë këngës sa s’ka

Me ja dridh gjethnajën ahut

Me i’këngë therëse majëkrahut.

***

Asnjë zë nuk jehoi malit

Veç hingëllima e fortë e kalit… 

***

Zdirgjej shpatit nusja e re

Dhe s’i ulte sytë përdhe

S’kishte çejz e as duvak

Dhe nuk kishte dert aspak

Kishte faqet t’kuqe flakë!

***

Me vaj në buzë e vogla motër

Teksa hedh vështrimin n’kodër: 

Qysh vjen nusja kështu pa pajë,      

na mërdhitët sonte vëllai?     

***

Qeshen t’gjashtat e ranë n’dalldi:

Motërz moj pashë sytë e zi            

Këndo e gëzo e dert mos mbajë

E m’lon nusja me flokët e saj! 

***

Shtëpia ndriti gurësedef

Nga shtatë motrat me një def…!

One thought on “SHTATЁ MOTRA, NJЁ VЁLLA E I’DEF

  1. Kam tre proza pak te shkurta me titull ;PERTEJ LIGJIT, UNE BERA GJITHCKA QE MUNDA.
    PROZA JAN .Trimat nuk futen ne burg o Jorgo, Si shpetoi Xhavit Sufja dhe trimeria e peshkatareve te vlores ne javen e pare te vjeshtes 1982
    sqarim, jan ndodhi te verteta ndodhur ne regjimin diktatorial
    Lutemi botoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *