Përvetësimi dhe të nxënit
Fjalët “përvetësimi” dhe “të nxënit” përdoren zakonisht në mënyrë të ndryshme. Disa i përdorin edhe pa kurrfarë dallimi. Të tjerët përdorin edhe njërën, edhe tjetrën, si terma të përgjithshëm, por të dytën e marrin në një kuptim më të kufizuar (Hatch 1978:404).
“Përvetësimi” mund të përdoret në kuptimin e përgjithshëm apo në kuptimet e mëposhtme:
Interpretime të gjuhës së folësve të huaj sipas teorive aktuale të gramatikës universale. Kjo punë është gati-gati degë e psikolinguistikës teorike dhe nuk ka interes për ushtruesit e Gjuhës së Huaj, kryesisht ngaqë mendojmë se nxënia e gramatikës mbetet veprimtari e pandërgjegjshme;
Njohuri në Gjuhë të Huaj (përveç Gjuhës Amtare), si dhe zotësi spontane përdorimit, të cilat burojnë nga parashtrimi i drejtpërdrejtë në tekst ose nga pjesëmarrja në aktet e komunikimit.
“Të nxënit” mund të përdoret në kuptimin e përgjithshëm ose duke u kufizuar në procesin nga i cili buron zotësia gjuhësore, si rrjedhojë e përpjekjeve të planifikuara, kryesisht gjatë studimeve në institucionin përkatës.
Në të vërtetë, përcaktimi i një terminologjie të standardizuar duket i pamundur, sepse nuk ekziston asnjë term i përgjithshëm dhe i qartë që përfshin “përvetësimin” dhe “të nxënit” me kuptimet e tyre të kufizuara, tashmë të pranuara.
Për të përvetësuar Gjuhën e Huaj, kërkohet krijimi dhe shfrytëzimi i rasteve të të nxënit. Por si mësojnë nxënësit ?
Aktualisht, për sa i përket kësaj çështjeje, nuk kemi një marrëveshje që buron nga kërkime të rëndësishme, e cila do të mundësonte mbështetjen e përvetësimit në një teori të caktuar të nxëni. Disa teoricienë mëtojnë se aftësitë njerëzore të trajtimit të informacionit janë shumë të mëdha dhe i mjaftojnë një qenieje njerëzore të paraqitet si duhet në një gjuhë të kuptueshme për të, me qëllim që ta mësojë, si dhe të jetë i aftë ta përdorë për t’u kuptuar dhe për të komunikuar (Breen 1983:151). Ata besojnë se procesi i të përvetësuarit është i paarritshëm për vëzhgimin ose për intuitën dhe do të lehtësonte përdorimin e vetëdijshëm që buron nga metodat e mësimdhënies apo nga mënyrat e të nxënit. Për ta, gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një mësues qëndron në krijimin e një mjedisi gjuhësor sa më të pasur që të jetë e mundur, ku të nxënit do të bëhet larg çdo mësimdhënieje formale.
Të tjerët mendojnë se, përveç ekspozimit ndaj një prurjeje të kuptueshme, pjesëmarrja aktive në ndërveprimin komunikues është kusht i domosdoshëm dhe i mjaftueshëm për përvetësimin e gjuhës. Mirëpo, ka nga ata që mendojnë se veprimtaritë “njohëse” janë të mjaftueshme për studentët që kanë mësuar rregullat e gramatikës dhe të fjalorit dhe do të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të përdorin gjuhën për shkak të përvojave të mëparshme dhe të vullnetit të tyre, pa pasur nevojë të bëjnë përsëritje. Të ndodhur ndërmjet këtyre dy pikëpamjeve të skajshme, pjesa më e madhe e nxënësve dhe e mësuesve “në këtë rrjedhë”, si dhe materialet pedagogjike, do të ndjekin praktika më eklektike. Ata pranojnë se nxënësit nuk mësojnë me doemos atë që mësuesit u mësojnë dhe se u duhet një ndihmë e madhe në gjuhë, në një kontekst konkret dhe të kuptueshëm si dhe rastet për të përdorur gjuhën në mënyrë ndërvepruese; ata pranojnë, gjithashtu, se është bërë më i lehtë, kryesisht në kushtet artificiale të orës së mësimit, bashkërendimi i të nxënit të vetëdijshëm dhe të praktikës së mjaftueshme, me qëllim që të kufizohet apo të ulet vëmendja e ndërgjegjshme ndaj sjelljeve fizike të nivelit fillestar të fjalës dhe të të shkruarit, si dhe ndaj korrigjimit morfologjik dhe sintaksor, duke çliruar kështu mendjen për ndërtimin e strategjive të komunikimit të një niveli më të lartë. Disa besojnë se mund ta arrijnë këtë qëllim përmes ushtrimeve sistematike deri në ngopje (Long 1996:443).
Në përgjithësi, ekzistojnë larmi të konsiderueshme reagimi sipas moshës, natyrës dhe origjinës së nxënësit, për sa u përket elementeve ndaj të cilëve ata reagojnë në mënyrë produktive (Brumfit 1979:188); këto larmi gjenden te mësuesit, autorët e metodave, etj., dhe lidhen me ekuilibrin e elementëve që fusin gjatë orës së mësimit, sipas rëndësisë që i kushtojnë realizimit, thithjes/marrjes/perceptimit, korrigjimit, lirshmërisë, etj.
Metodat dhe mënyrat e të nxënit
Mësimdhënia, si zanat, është bashkëpjesëmarrje për mësimin e shumë specialistëve, mbi të gjitha, të mësuesve dhe të nxënësve.
Ata që merren me provimet dhe diplomat duhet të kenë parasysh parametrat e duhur për diplomat në fjalë dhe nivelin e kërkuar. Ata duhet të marrin vendime konkrete lidhur me natyrën e detyrave dhe të veprimtarive specifike që propozohen, me temat që do të trajtohen, me shprehjet, elementët leksikorë dhe idiomatikë që duhet të mësojnë ose të mbajnë mend nxënësit (Bygate 2005:112), me njohuritë sociokulturore dhe aftësitë për të kontrolluar dijet përmes provimeve, etj. Ata mund të mos shqetësohen për procedurat përmes të cilave përvetësohet ose mësohet zotësia, me përjashtim të rasteve kur metodat e tyre të vlerësimit mund të kenë ndikim pozitiv ose negativ në të nxënit e Gjuhës së Huaj (Chafe 1985:121).
Kur japin orientime për kurrikula ose krijojnë programe, autoritetet përqendrohen në përkufizimin e objektivave të të nxënit. Duke vepruar kështu, ata mund të theksojnë vetëm objektivat e nivelit të lartë, sipas detyrave, temave, zotësive, etj. Ata, edhe pse të nuk janë të detyruar, mund të bëjnë specifikimin e hollësishëm të përmbajtjes së fjalorit, të gramatikës dhe të nocioneve dhe të funksioneve që u japin mundësi nxënësve të kryejnë detyrat dhe të shtjellojnë temat (Levelt 1999:99). Ata nuk janë të detyruar të tregojnë linja të drejtpërdrejta ose të bëjnë sugjerime lidhur me metodat që do të përdoren në klasë dhe me etapat që do të mundësojnë përparimin e nxënësit.
Autorët e librave dhe të metodave nuk janë të detyruar, edhe pse kanë dëshirë ta bëjnë, të formulojnë objektivat e tyre, duke iu referuar detyrave për realizimin e të cilave ata duan të përgatitën nxënësit, ose zotësive dhe strategjive që duhet të zhvillojnë. Për më të tepër, ata mund të marrin vendime të hollësishme dhe të prekshme lidhur me përzgjedhjen dhe zhvillimin e teksteve, të veprimtarive, të fjalorit, të gramatikës, që duhet t’u parashtrojnë nxënësve. Prej tyre pritet që të japin informacion të hollësishëm në klasë, detyrat dhe veprimtaritë që duhet të ndërmarrin nxënësit, si reagim ndaj materialit të paraqitur. Realizimet e tyre kanë ndikim të rëndësishëm në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit, si dhe duhet të mbështeten në hipoteza të formuluara qartë lidhur me natyrën e procesit të të nxënit.
Mësuesit përgjithësisht janë të detyruar të respektojnë udhëzimet zyrtare, të përdorin libra dhe material pedagogjik, të konceptojnë dhe të përpilojnë provime, si dhe të përgatisin nxënësit dhe studentët për diploma. Ata, në çdo çast, duhet të marrin vendime për veprimtaritë në klasë, të cilat mund t’i parashikojnë dhe t’i përgatisin më parë, por që duhen rregulluar me kujdes në përputhje me reagimet e nxënësve ose të studentëve. Prej tyre pritet progresi i nxënësve ose i studentëve përmes gjetjes së mënyrave të identifikimit, analizimit dhe të kapërcimit të vështirësive të të nxënit, si dhe nëpërmjet zhvillimit të zotësive vetjake për të mësuar. Po ashtu, duhet mundësohet të kuptuarit e procesit të të nxënit në të gjithë kompleksitetin e tyre; ky i kuptuar mund të jetë më tepër rezultat i përvojës, se sa produkt i formuluar në mënyrë të qartë përmes reflektimit teorik, dhe mishëron kontributin në kuadrin e bashkëpjesëmarrjes në procesin e të nxënit.
Janë nxënësit ata që i nënshtrohen përvetësimit të Gjuhës së Huaj gjatë procesit të të nxënit. Janë ata që duhet të zhvillojnë kompetencat dhe strategjitë dhe të kryejnë detyrat, veprimtaritë dhe veprimet e nevojshme për të marrë pjesë në mënyrë të frytshme në aktet e komunikimit. (Tarone 1983:77).Megjithatë, janë të paktë ata që mësojnë paraprakisht, duke marrë nisma për të planifikuar, për të strukturuar dhe për të kryer veprime vetjake të të nxënit përvetësues. Një pjesë e madhe e tyre mësojnë në mënyrë reaguese, duke ndjekur udhëzimet dhe duke kryer veprimtaritë që u propozojnë mësuesit dhe librat. Megjithatë, kur mësimdhënia ndërpritet, të nxënit që vazhdon duhet bërë në mënyrë të pavarur. Të nxënit e pavarur mund të nxitet nëse parimin “nga të nxënit te të nxënit” shihet si pjesë përbërëse e të nxënit gjuhësor, me qëllim që nxënësit të bëhen gjithnjë e më tepër të vetëdijshëm për mënyrën vetjake të të nxënit, për zgjidhjet që u ofrohen dhe për ato që u përshtaten më mirë. Edhe në kuadrin e një institucioni të caktuar, ne mund t’i mësojmë pak nga pak të bëjnë zgjedhje të pavarura në lidhje me objektivat, me materialin mësimor, me metodat e punës, me nevojat, me motivimet, me karakteristikat dhe me burimet.
Ju lumtë Profesoreshë përgëzime.