Poezi nga Elinda Marku

ELINDA MARKU 22

TREND…

Gratë pijnë Red Bull
me shpresën
se do mbarsen,
burrat me shpresën
se do të bëhen buaj!

Mbas nantë muajsh
Grave u dalin mustaqet
burrat veshin
Fustanet
!

NDRYSHIM!

Kur shpifnit ju
për mu
unë qeshja
me t’madhe
Ha-Ha-Ha!
….
Kur tregova unë
të vërtetën tuj
ju kapet avokat,
gjykats,
fare e fis
pushkë,
tanke,
rraketa!

Kaq e tmerrshme
asht e vërteta!!

GJITHËHËRË E SOTME…

krejt jeta
s’asht tjetër
veçse një e sotme
që na përsërit
edhe ne
si veten!
Ja shife…!
Sot jam zgju
me sy nga dritarja,
me sy në gjithëkund,
me sy përdhe.
Jam zgju pra
edhe sot
si dje!
Sot kam folë
për burgun
si dje
në burg
vdisja
për lirinë!
Sot kam duru
një rrenë të bardhë,
si dje që e kam vujt rrenën,
që të nxinë jetën.
Kam ni sot
për një vjedhje që të fik,
si dje që e vujtëm jetën
tonë të vjedhun
krejt!

POEZIA

Poezia asht udhë
Përherë e re,
E pafillueme
as e shkurtë, as e gjatë
Asht thjesht një termale
E kanshme,
Që të çon tek parajsa
E fjalëve:
Shpirti!!!

KUR NUK MUNDEN ME T’POSHTNU!

Ato që s’munden me u dasht!
Bajnë gjithëçka me zotnu!
Mor, t’ japin lekët, pa i pasë
E pa ua kërku…
Ulen tuj të lidh këpucët,
Edhe nëse ke mbathë pantofla,
Të blejnë dorashka të shtrejta lëkure,
Që ma fort t’i ngrijnë duart
Se t’i mbajn’ ngroht’!
Të imitojnë çdo xhest
Me bind vedin se janë si ti!
Të vjedhin edhe vujtjet,
Se ma teshat në tel,
fjalën në buzë;
U duket se u ke dhanë leje!
Dalin ne foto me ndoj milioner
Që të kenë të drejtë
Me thanë
se kanë pushtetin e pares
mbi ty!
Bahen shokë të ngushtë me ndoj prift
Province, që as ungjillin s’ka mujt me lexu!
Mandej shpallin njani-tjetrin profetën!
Baben e vet që paditi të vëllanë
Me u pranu n’ parti
Ta shpall Skenderbe a Gjergj Elez Ali!
I kërkon falje xhelatit qe i la fajin
E kokës së preme të gjyshit!
Hidhet si plesht me e dekoru për torturat
Kundër atyre që nuk i vranë vet
Robt e tyre “reaksionar”!

Nëse zgjohet një mjes e sheh
Se, mbas gjithë këtyne
E të tjerash që nuk i përmendem
Nuk je si ai,
Të padit!
Të shpif,
Të kërcenon
Me thikë e me plumb,
Jo se të ka dasht,
Po se nuk paska mujt
Me t’ zotnu!

PADITUNI

Asht e vërtetë;
Nuk di me i kreh flokët!
Në vend të krahnave
Kam ble k’sula!
As mendimet
Nuk di me i stilu!
Ama ndjenjat më krehin
më bajnë njaç t’bukur,
Sa të gjitha pemët kthejnë kryet,
Kur u kaloj njat!
Njaç t’bukur m’bajn
Sa të gjitha retë mblidhen
kry për kry me shoshoqen
Mbi kryet tem.
Më prekin njomë
me majë t’gishtave,
Shiun!!!

MBRETI IM I VETËM!

Jam një gur i vogël
krejt i padukshëm
i kishës teme të madhe
Edhe po të më hiqni
prej murit të saj
a prej oborrit
të më gjuani me kambë
kudo që kam me ra
kam me kenë
gur i kishes teme
të madhe,
gur që marr frymë
gur që shoh…
gur që ni e ndjej
fjalët e vujtjet
e mbretit tim të vetëm
KRISHTIT!

NANËS!

Nanë,
As dje nuk të erdha
Ke vorri
Me t’i pru lulet
Që thahen
!
Nanë,
Qysh s’e jam ba ti
Ti nuk ke ma vorr
jam un vorri yt!
Ti qielli im Je !

Nanë,
Vjet Mara i ka vizatu dy lule
Njanën për mu
Tjetrën për ty!

Sivjet i ka mbjell!

NGANJËHERË

Nganjëherë më duket
sikur jetoj
në ëndërren e dikujt
Që as më njeh ,
Dikujt që ende s’ka lindur.
Ndonjëherë më duket
sikur lindem
prej ndonjë libri
që ku ta dish
kur do të shkruhet,
kur do të digjet.
Ndonjëherë më duket
sikur shpirti im
ka formën e duarve
duarve që kane formën
e pemëve.
….
Shpesh shoh ëndërra me shi
e me varre!!

ORA E QYTETIT TIM

Ora e qytetit i kryqëzoi
Akrepat mbi gjoks
I mbylli sytë
Bash para syve tanë
Dhe ra e vdiq!
Mbasi tha:
S’ka çka m’duhet t’gjallt
Ndër k’to njerz!

Qytetarët si të gjallë duken
Teksa i bien qytetit kryq e tërthor
Si pikëçuditëse
Që u ka ra pika n’krye!
iiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiiii!

M I U
Miu, atje në podrum
Ka fillu me pa andrra
Të tmerrshme
Me elefantë!
I tregon në gazetë
Me iu duk miut tjetër
Trim!

Mos o Zot me dal miu
Prej podrumit
Me pa macen
Si e pret
Me kthetra
Me iu sul
Në sy!

Të tmerrshme
Po i ka andrrat
Të errët podrumin
Realitetin të mjerë;
Miauuuu!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *