– Cili është kodi juaj postar?
Azilantja mbeti. Ishte larguar nga vendi i vet dhe kërkonte strehim në vendin e lirisë.
– ZIP Kodi?
Hutimi ia la vendin dëshpërimit. Sytë i qëndruan te një fytyrë e njohur. Kishte ardhur edhe ai të ndiqte gjyqin. Ishin nga e njëjta anë.
– Zonjë, këtu ZIP Kodi është një kod postar i përdorur nga Shërbimi Postar i Shteteve të Bashkuara (USPS).
Gjykatësi u vrenjt.
– Është prezantuar në vitin 1963. Ka pesë shifra…
Ajo humbi në kujtime. “Në mbrëmje rrethuan kullën. Ishin mbledhur si ujq. Atje ku shkelnin i vinin flakën. Babai i njihte mirë dhe na kishte përgatitur me kohë. Atë ditë djemve u dha nga një pushkë dhe i tregoi frëngjinë nga ku do të na mbronin. ‘Janë nisur për Kosovë, t’ia dorëzojnë Shkjahut. Por, kur të shkelin mbi ne do ta kalojnë këtë dhe’. Tërë natën pushka s’pushoi. Në të gdhirë u dëgjuan plasje të forta te dera. Në mesditë kishin mbetur vetëm ne, fëmijët dhe gratë. Gjallë. Na nxorrën jashtë. I vunë zjarrin kullës”.
Në mesinxher më thërret miku im Vasel Malaj. Ka shumë vite që jeton bashkë me familjen në Miçigan. Ka ngritur një kompani të suksesshme ndërtimi dhe fëmijët i ka shkolluar në shkollat më të mira.
– Ke parë që “komunisto-spiunët” dhe “njeriu i ri”, si manipulues e servilë, përfitojnë duke mashtruar edhe Amerikën e drejtë.
– Përse ke arritur në këtë përfundim.
– Nuk ma kishte marrë mendja që, këtu, do të besoheshin batakçinjtë.
Vaseli është nga një familje e madhe patriotike. Antikomuniste. Me ndryshimet e viteve ’90, atij iu besua një detyrë e lartë në policinë e shtetit.
– A e di se kam qenë dëshmitar në një gjyq. Emigracion. Një e persekutuar politike kërkonte strehim dhe kishte të drejtë.
– Do të dëshiroja shumë ta di. Në gjyqin tim dëshmitarë ishin Uran Kostreci dhe Robert Papa. Roberti ngaqë kishim punuar bashkë në ambasadë, ndërsa Urani si mik i familjes, që më njihte mirë.
– I besuan?
– Gjykatësja me orgjinë franceze, kureshtare, e pyeti Uranin: “Si ju kanë trajtuar komunistët në burg? Njëzet vjet”. Urani menjëherë: “Zonjë do t’ju përgjigjem me një thënie të Shekspirit, ‘O ju të gjallë, përse doni të mësoni për të vdekurit’!”. Gjykatësja s’e mbajti të qeshurën.
“Rrugës për në internim, jug të vendit, një gruaje të re iu shua foshnja në duar. E ftohta e madhe. Karroceri e pambuluar. Dimër. Dy ditë udhë. E gjora e shtrëngonte në gji, të mos e kuptonin policët. Dhe, e vajtonte pa zë. Nëna ime më shtrëngonte pranë të më ngrohte dhe ngushëllonte të renë, që i kishte ikur mendja”.
– Malësorja e ndershme, iu përgjigj të tëra pyetjeve. Prokurori në fillim e pastaj gjyqtari ngulën këmbë për adresën e shtëpisë. Ajo i dha emrin e fshatit. Kullës së djegur. Prokurori e akuzoi se gënjente: “Numrin e shtëpisë, emrin e rrugës, ZIP Kodin”. Iu kërcënua. E persekutuara e tronditur shikonte nga ne në sallë. “I kemi të dhënat e sakta nga Departamenti i Shtetit. I ka siguruar nga ambasada jonë në Shqipëri”. Nuk durova. Kërkova leje të dëshmoj.
– Zoti gjykatës unë quhem Vasel Malaj. Kam shërbyer në policinë e shtetit të Malësisë Madhe. E njoh zonën shumë mirë nga ku vjen zonja. Fshatrat nuk kanë pasur numra shtëpie dhe emra rrugësh në Shqipërinë e pushtuar nga komunistët.
– Si shpërndahej posta, letrat, njoftimet?
– Ishte një i besuar i tyre, që e njihte mirë fshatin dhe e kryente atë punë. E quanin korrier.
– Gënjen!
– Këto që them janë të vërteta, gënjeshtarë janë ata që kanë keq informuar gjykatën.
Vaseli merr një shishe uji të ulë tensionin.
– Menjëherë më nxorri jashtë. E persekutuara e humbi gjygjin.
Kalon një gllënjkë poshtë.
– Qindra të tjerë si ajo janë deportuar, pa të drejtë, nga Amerika. Dhe, mijëra “komunisto-spiunë”, “njeriu i ri”, kriminelë të kuq, jetojnë padrejtësisht në Amerikë. Ligji i emigracionit i ndalon.
Ka të drejtë them me vete. Njoh nga ata që u mësonin shqip diplomatëve amerikanë që emëroheshin në Shqipëri. Bashkë me gjuhën u fusnin edhe helmin enverist.
– Bile, punojnë në vende të besuara. Kanë përgatitur një infrastrukturë të fshehtë dhe kanë depërtuar në agjencitë e sigurisë dhe emigracionit me dokumenta dhe dëshmi të falsifikuara. Kur mendon që ishin përgatitur për t’i hedhur bobën atomike Amerikës… nën komandën e Bashkimit Sovjetik.
I trishtuar i uroj natën e mirë mikut tim të vyer.
Vasel Malaj