Pjeter Jaku
S A R A
Tregim
Një ditë shiu e vrazhdë i afrohej mbrëmjes. Ides i sillte mërzi dhe njëlloj mpirje një kohë si kjo. Përpara kishte një tavolinë të gjatë dhe të ngushtë, që përdorej për vendosjen e tepsive të vogla të pastave,përgatitur për t’u transportuar në lokalet që i kishin porositur. Ishte më e lartë se tavolinat e zakonshme. Vuri bërrylat mbi të dhe, me sytë e imagjinatës, po shihte fëmijen, vajzën, tashmë disa muaj më shumë se 5 vjeçe, duke shkruar në ca fletë të bardha figura të ndryshme gjeometrike, pa ditur dhe aq se çfarë po bënte. Kur e kishte pranë, përqendrohej te veprimet që bënte e mendonte dhuntitë e saj, që ndoshta do të humbnin pa qënë e mundur t’i ndihmonte. Vitin tjetër do shkonte në klasën e parë e, ndoshta, shkolla do ta ndihmonte.
Paola i kërkonte çdo ditë lapsa e letra të bardha, po ku ti gjente Ida? Komshija, një grua rreth të pesëdhjetave, punonte në një nga zyrat e bashkisë së qytetit dhe i premtoi, se një ditë, do t’i sillte një pako të madhe me letra dhe një dyzinë lapsash me ngjyra, për Sarën. Ida, sikur fluturonte, kur gjente mundësinë për ta ndihmuar bijen e saj, që natyra i kish dhënë dhunti të veçantë! Shiu në qytetin e Sares nuk kishte pushuar. Herë – here, ndodhte që të mos ndalej për një javë të tërë, aq sa përmbyteshin gjithë rrugët e lagjeve. Teksa shihte të bijën, gërmuqur mbi letra, imagjinonte të ardhmen e saj. Vite të vështira jetese kishin trokitur në fytyren e gjithë qytetit, veç ca tregtarucëve mashtrues, që derdheshin që me natë nëpër kafenetë e tymta të lagjes, ku villnin gjithë natën pijanecët, nga përdorimi i pijeve të pakontrolluara, prodhuar bodrumeve të ndryshkur e myshkur, si mos më keq. Si çdo natë, binin e zgjoheshin me ëndërra. Liria kishte sjellë mundësi të pafundme, që mund të vinin në fatin tënd, bash atëhere kur se prisje. Ida e vishte Sarën bukur dhe, nuk i vinte mirë t’ia përqafonin as të afërmit, le më qytetarë të lagjes. E donte veç për vete!
Një ditë, teksa shkonte në punë, e ndaloi Vera, një mësuese në lagjen e banimit të saj.
– Ida, a ke 5 minuta kohë?
– Po,- iu përgjigj Ida, – megjithëse jam pak me vonesë.
– Kur kthehesh nga puna? – vijoi Vera.
– Në katër pasdite, mësuese.
– A mund të takohemi pas pune?
– Po, -iu përgjigj Ida e vijoi rrugen me nxitim.
Gjatë gjithë ditës, Ida, edhe pse punonte në përgatitje ëmbëlsirash, një punë tepër e veshtirë, se hoqi mendjen nga mësuese Vera. Pyetje pas pyetje i vinin në krye, edhe në ato pak minuta pushimi. E dinte se, për afro pesë vjet, mësuese Vera kishte punuar e jetuar në Itali. Tashmë pranvera kish zbukuruar qytetin, si çdo vit, qyshkur ishte krijuar. Qyteti i zambakëve dhe trëndafilave, thirrej në shekuj. Rrugicat erëzonin si të ishte hedhur një parfum i veçantë. Ndërsa, shakatë e humori ishin pasuri e përhershme e qytetit.
Mbasdite e lodhshme dhe e ngrysur, si një ditë dimri. Shiu s’kishte reshtur për ditë të tëra. Rrugicat ndërmjet shtëpive ishin bërë të pakalueshme, por nuk ishte ftohtë. Sikur nga qielli kishte rënë ujë i ngrohtë. Ida, la punën dhe, si me ngut u nis drejt kopështit ku ishte Sara. Edukatorja po e priste, pasi të tjerët i kishin marrë fëmijët. E mbështolli me bluzen e saj dhe u nis drejt shtëpisë, që nuk e kish më shumë se disa hapa. Duke parë kohën e papërshtatshme, mendoi se Vera nuk do të vinte. Teksa mundohej të rregullonte disi shtëpinë, pasi e ëma vuante nga reumatizmi, degjoi portën të hapej. Veshtroi nga dritarja. Vera, me një pako në dorë , veshur me një pardesy të gjatë, që e ndihmonte nga shiu, iu drejtua shtëpisë. Në pako kishte mbështjellë bukur ca mjete pikture për fëmijë, pasi e dinte se Paola, si të gjithë fëmijët, do t’i pëlqente e do të merrej ca kohë me to.
Pas përshëndetjes dhe uljes, Ida i ofroj një kafe turke dhe një karamele, duke e pyetur, nëse donte dhe ndonjë pije tjetër.
Pa u vonuar, Vera i tha se çfarë mendonte për Sarën, pas një njohje që kishte me një mike italiane, e cila interesohej për një pensionist, që ndihmonte fëmijë për studime. Ai kishte krijuar një fondacion me paratë e tij dhe të gruas, që kishte pasë të njëjtin emër me Sarën.
-Ida, – iu drejtua Vera, – më beso, ndoshta është një shans i rrallë, që fëmija jote të studjojë e të rritet në normalitet e pa mundimin tuaj. Mikja ime kërkon një kopje të dokumentave për t’ia përcjellë Luigjit, i cili vendos më në fund, nëse do ta ndihmojë apo jo Sarën.
Idës përnjëherë i erdhën mendime të këqia në krye, sikur vajza e saj do të humbte njëherë e përgjithmonë, ndaj iu drejtua e nervozuar:
– Do ta marrë italiani vajzën time? Une nuk shes fëmijë, Vera!
– Mos më keqkupto, të lutem, – i foli me të urtë Vera, ndërsa Sara ishte shtruar mbi qylymin në dysheme, me sytë mbi letren e bardhë. Edhe ajo u ndje keq me tonin e së emës.
– Nuk po ta kërkojmë Sarën për birësim. Ai ka fëmijët e tij. Lui po kërkon një fëmijë ta shkollojë, t’i paguajë një shkollë të mirë dhe të interesohet për të. Është një rast i veçantë i një njeriu të mirë.
– Edhe njëherë, të lutem, – iu drejtua Ida disi e habitur. Më thuaj të vërteten, se unë e kam dritën e syve, Sarën. Këta dy fëmijë kam (Kishte dhe një djalë rreth katër vjet më të madh ). Nga guzhina erdhi dhe nëna e Idës, e kërrusur pak nga mosha, duke iu drejtuar Verës:
– E dëgjova pak a shumë muhabetin. Përse bahet fjalë moj bijë?
– Veç për mirë, moj nanë! E detyruar t’ia spjegojë nga fillimi, Vera u ndje disi e lehtësuar, nga një punë, që po e bënte pa ndonjë përfitim.
Idës, iu afrua, duke iu lutur ta merrte me qetësi e ta mendonte mirë. Jo se kishte ndonjë problem, nga ato që mendonte nëna për fëmijën, por gjithësesi, ajo nuk mund ta kuptonte me një të thënë.
– Ti vajzën do ta kesh në shtëpi, veç nëse do ti, ajo shkollohet në Itali kur të rritet. Mbaron një universitet Italian, pa paguar asnjë qindarkë. Të tjerët e kërkojnë këtë mundësi për fëmijët e tyre. Kur të jesh gati, më thirr e bisedojmë prapë, por nëse nuk e ke, merre një certifikatë lindje në gjendjen civile, që t’ia nisim Luit.
Pas tri ditësh, Ida e thirri Verën të sqarohej dhe një herë, ndërsa e kishte marrë certifikatën e lindjes. Pasi i diskutoi kushtet me Verën, që vajza do të jetë vetëm e saj, ia dha certifikatën e Paolës me shpresen e mirë, që atë fëmijë po e rregullonte njëherë e përgjithëmonë. Në fund të fundit, askush nuk mund ta mashtronte Idën për t’ia marrë vajzën, që e kishte yll drite.
Lui, sapo kishte marrë zarfin me certifikatën dhe një letër shoqëruese nga Vera. Kur kishte parë emrin e Sarës, kishte kërcyer nga gëzimi! Sara e kish pasë emrin edhe gruaja e tij, dhe kjo Sara fëmijë, kishte lindur bash ditën që i kishte ndrru jetë Sara e tij.
O Zot, si ma solle një Sara tjetër në përkujdesjen time! Lotët i shkonin, ndërsa shtërngonte fort në dorë certifikatën me emrin e Sarës fëmijë. Që nga sot e mbrapa do të jetë njeriu që do të mendoj e do t’i dhuroj gjithëçka kishin kursyer, me Sarën e ngjitur në qiell dhe, që atje, në fronin e Perëndisë gëzohej bashkë me Luin. Zoti më bëri me një vajzë,- thoshte Lui, teksa mendonte vizitën e parë në Shqipëri për të parë Saren. Talenti i Sarës së vogël e gëzonte më shumë. Lui dhe Sara e ngjitur në qiell, kishin pasur pasion pikturën. Perëndia i kishte bashkuar cilësitë e të treve, sikur të ishin të të njëjtit gjak. Vetëm Zoti bën mrekullira të tilla, – mendonte Lui, tek planifikonte udhëtimin dhe detajet.
Vera, Ida dhe Sara duhet ta prisnin Luin në aeroportin e Rinasit. Ishte një mbrëmje e freskët pranverore, ku dita ishte zgjatur. Linja e Romës mbërriti pak me vonesë, por taksia ishte gati, po ashtu edhe hoteli. Mezi priti daljen nga aeroporti. Kureshtja e të dy palëve ishte mbërthyer në takimin tek holli i marrjes së bagazheve. Lui kishte paguar një nga punonjësit e aeroportit, që ta ndihmonte.
Moment emocionues! Luit i shkojnë lotët tek merr në krahë Sarën.
O Zot, ndihmoje Sarën e qiellit të shoh Sarën e tokës, mbretëreshen që të ringjalli Ty! Teksa lutej i përlotur dhe i fërkonte flokët Sarës, takoj Verën e Iden. Mrëmja kishte rënë e butë, gati-gati e mëndafshtë. Taksisiti, një meso burrë, po i priste në parkim, ndërsa darka ishte bërë gati në një nga resorantet më të mira të qytetit.
Hapja e dhuratave u bë në shtëpinë e Sarës. Libri me 365 faqe vizatime dhe disa pako lapsash me ngjyra e gëzuan tej mase Sarën. Lui kërkoi që të shkonin të gjithë në restorant dhe po ashtu, të flinin ato pak orë që do mbetnin, në hotelin ku ndodhej restoranti.
Për Sarën, vetëm 5 vjeçe, ishte hapur një faqe e re në jetën e saj. Lui premtoi se do të jetonte, deri kur Sara të krezmohej e martohej. Atëherë do të merrte leje të shkonte te Sara e qiellit, duke e lënë të rehatuar Sarën e tokës. Duke e paguar shkollën private dhe lënë kursimet e tij e bashkëshortës së qiellit, Sara do të kishte mundësi t’i zhvillonte talentet e saj. Lui nuk jetoi, veçëse katër vjet pas njohjes….
Maj, 2022