LETERSIA E EMIGRACIONIT DHE E EMIGRATEVE

Enkelejda Kondi-Masseboeuf 

 

Në letërsinë bashkëkohore shqipe zënë një vend të veçantë autorët që vijnë nga diaspora. Janë burra dhe gra, djem dhe vajza, të cilët jetojnë prej vitesh larg atdheut, në vende të ndryshme të botës, aty ku i ka çuar jeta dhe emigracioni. Në krijimtarinë e tyre pasqyrohen natyrshëm temat që lidhen me përvojat personale: malli për vendlindjen, ndjenja e largësisë, dashuria e humbur apo e rigjetur, vetmia, nostalgjia dhe përpjekja për të ruajtur identitetin kombëtar në një realitet tjetër kulturor. Këto nuk janë thjesht “zbrazje shpirti”, siç mund t’i quajnë disa me përçmim, por janë përjetime të vërteta, të thella dhe shpesh të dhimbshme, që kthehen në art përmes fjalës së shkruar.

Nuk duhet parë me dyshim letërsia e emigracionit dhe aq më pak të cilësohet si letërsi “mediokre”. Këto vepra nuk shkruhen për lavdi, as për interesa ekonomike, por si një nevojë e brendshme për të komunikuar përvojën njerëzore, për të mbrojtur kujtesën, për të shprehur atë që ndjehet thellë në shpirt. A mund të kritikohet Naim Frashëri pse shkruante larg Shqipërisë? Po Faik Konica, Fan Noli, Lasgush Poradeci në mërgim? Ata nuk humbën asnjë grimë nga vlera e tyre letrare pse ndodheshin jashtë atdheut,përkundrazi, shpesh nga larg e panë më qartë realitetin shqiptar dhe u bënë zë i ndërgjegjes sonë kombëtare. Po kështu, edhe autorë të huaj si James Joyce, Vladimir Nabokov apo Milan Kundera krijuan disa nga veprat më të rëndësishme të shekullit XX pikërisht në mërgim, duke treguar se largësia fizike nuk e zbeh forcën krijuese, përkundrazi, e ushqen me përvojë dhe reflektim.

 Është e padrejtë të mendohet se kush boton libra nga diaspora e bën këtë thjesht sepse ka mundësi ekonomike. Shumica e këtyre autorëve nuk janë “përfitues rasti”, por njerëz që guxojnë të shkruajnë me përgjegjësi dhe dashuri për artin. Ata nuk synojnë thjesht të kenë “emër”, por të ndajnë me të tjerët përvojat e tyre me ndershmëri dhe mjeshtëri artistike. Në shumë raste, këto vepra janë të denja për t’u konsideruar pjesë e letërsisë serioze dhe profesioniste. “Çdo libër ka vlerë,” shkruan një autor spanjoll, “sepse gjithmonë mësojmë diçka prej tij.” Edhe nëse nuk pajtohemi me gjithçka që lexojmë, çdo vepër është një pasqyrë e jetës, një dritare nga e cila mund të shohim botën e dikujt tjetër.

Letërsia e emigracionit nuk është një zhanër i përkohshëm apo i dorës së dytë. Ajo është një shtyllë e rëndësishme e kulturës sonë bashkëkohore, një zë i fuqishëm që flet në emër të mijëra njerëzve që jetojnë larg, por që e mbajnë atdheun në zemër. Dhe pikërisht sepse kjo letërsi vjen nga thellësia e ndjenjës dhe nga përvoja reale, ajo meriton vëmendje, vlerësim dhe respekt. Letërsia e mërgimit është si një dritare që hapet nga largësia, por që gjithmonë shikon nga vendlindja. Ajo nuk njeh kufij as në gjuhë, as në ndjenjë. Është zëri i zemrës që nuk hesht, edhe kur trupin e ka diku tjetër. Shkruhet në netët e gjata të vetmisë, në stacionet e trenave, në zyrat e huaja, në çastet kur gjuha e nënës flet vetëm brenda nesh. Por pikërisht aty lind fjala më e ndjerë, më e pastër dhe më njerëzore. Kjo letërsi nuk kërkon leje për të hyrë në botën tonë,ajo vjen si frymë, si kujtim, si mall. Dhe mbetet si urë, që na lidh me rrënjët, edhe kur jetojmë larg tyre. Sepse malli është gjuhë. Kujtimi është poezi. Dhe shkrimi është mënyra më e bukur për të mos u ndarë kurrë nga vetja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *