Replikë ndaj shkrimit “Sakrilegji i kuq” të Alfons Grishaj

Nga Valentin Lumaj

April 22, 2022, Marre nga VOAL.CH

Letra e derguar Kryesise se Vatres tre dite në pare, e cila “xhindosi” Alfons Grishajn, qe po kerkon perjashtimin tim nga Vatra:

 Përshëndetje Vatranë,

Uroj që të gjithë të krishterët katolikë të kenë kaluar Pashkë të bardha dhe të bekuara!

Jo pa dhimbje, këto të llojit të keqardhjes dhe të dekujarimit, po i përjetoj këto zhvillimet e fundit në Vatrën tonë mbishekullore. Nuk besoj po ashtu, se në Vatër ka vatranë të lumtur dhe të gëzuar apo që mendojnë se punët e Vatrës po shkojnë mirë.

Puna më e fundit ishte një shkrim i z. Alfons Grishaj, “Sakrilegji i kuq”, shkrim i cili vetëm një punë e mirë nuk mund të quhej për një titullar nënkryetar të Vatrës dhe aq më pak për një gazetë që duhet të jetë Diell për vatranët dhe komunitetin, në shkelje të plotë të nenit 72 të Kanunores. Ky shkrim u publikua të Premten e Madhe, tamam në një ditë kur Judenjtë, gati 2000 vjet më parë kryqëzuan të Pafajshmin, këtë radhë për të anatemuar dhe dënuar disa vatranë të pafajshëm. Mbasi e shtrydha shkrimin e Alfonsit pa u munduar shumë, esenca e këtij shkrimi doli një fjalor i pasur denigrues shqip që i drejton një vatran disa vatranëve të tjerë, të gjitha këto, si pikla të një shpirti vullkan katran:

“Anti krishtë, spiunë të Partisë së Punës, sahan lëpirës të komunizmit, vjellës, pisllëqe ordinere, front neveritës, perçudnime, gënjeshtra, manipulime, Dylqinja e Topozës, shtrat përçudnie, emra mjeranë, minj te shoqësisë së Hadit, ujk, këlysh i ujkut, ballone artificiale që fryhen me pordhë, uthull, fallsifikatorë, piratë, krimba, fytyra të vrerosura, Dylqinja plaka, fshijnë prapanicën me gurë, listë e turpshme, paturpësi, njerëz të pandërgjegjshëm, trumcak, sakrilegj mortal, lukuni zullumbërëse, budallallëk, i pa fe, mjeran, shëmti, shoqëri hipokrite, skena turpi, krim, minj që piqen në hell, mjeranët anti Krisht do të murosen të gjallë, minjtë e galerave, ateistë, gjarpër, zvarranik, shpirtra të ligj, fallsitet, hipokrizi, marrëzi, etj”

Pjesa tjetër në shkrim është një gjuhë e koduar e stilit të autorit, nga e cila dua të veçoj vetëm një pjesë, që mbasi pyeta disa vatranë, asnjë nuk ia nxirrte kuptimin: “Duhet të bëjmë deal që të mos bëjnë “Vetvrasjen e trumcakut”. Unë po jua shpjegoj shkurt:

Në Shkodër dhe zonat përreth është një shprehje: “vrau vedin si fiskja”. Fiskja është një zog mali, që sa hapi gojën të këndojë, gjuetari e hetoi se ku ishte dhe e vrau me çifte. Me fjalë të tjera, Alfonsi thotë që ne (ai dhe kryesia) duhet të bëjnë një deal, pra një marrëveshje, që duhet t’a përjashtojmë në mënyrë që të mos e vrasim me pushkë kur ai (Valentini) flet apo shkruan. Ose, ose, Valentinit për ti mbyllur gojën duhet që ta vrasim, prandaj më mirë ta përjashtojmë.

Në fakt, nuk jam i shokuar shumë nga kjo fabul e tipit ordiner mafjoz, mbasi shokun më të madh e kalova para disa ditësh kur nënkryetari i Federatës Panshqiptare Vatra z. Alfons Grishaj, në telefon më kërcënoi me plumb në kokë: 

“PO FOLE, DO TË VIJ TE SHPIJA JOTE DHE DO TA JAP NJI PLUMB NË KRY”.

 Duke e njohur mirë personin dhe të shkuarën e tij, fill mbas këtij kërcënimi, bëra detyrën qytetare, lajmërova policinë dhe të afërmit e mij, po ashtu lajmërova në kohë reale me shkrim Kryetarin e Vatrës dhe Kryetarin e degës Michigan dhe ndonjë mik timin të besuar. Po ashtu mora masat e mija për të mbrojtur veten dhe familjen, detyrë kjo e një prindi të gjashtë fëmijëve.

Nga ana tjetër, meqë jemi në kohë Pashkësh kur Kisha në këto ditë të ringjalljes së Krishtit na fton për paqe, dashuri dhe falje, unë kam pritur dhe pres një pendesë të tij, prandaj nëse më kërkohët falja, unë do ta fal. Kjo në rrafshin personal.

Por a e dëmton ky akt i tij Vatrën? Po. A e kriminalizon ky akt Vatrën? Po. A njollos ky akt të gjithë Vatranët? Po. A mund të ndikojë ky akt në largimin e anëtarësisë apo pranimeve të reja? Po. Prandaj unë, i ndergjegjshëm për këto, nuk e kam shpallur publikisht apo në media (akoma). Më dhimbset Vatra më shumë se vetja ime. Megjithatë kurrë nuk kisha menduar se në Vatër edhe mund të të vrasin.

Unë i jam mirënjohës Alfonsit për kujdesin dhe ndihmën në raste të nevojshme, nuk i harroj, nuk ja humb, më dhimbset edhe Alfonsi vetë, më dhimbsen ato ditë pune dhe veprash të mira që kemi bërë bashkë, se mua gjithmonë më lidhin me njerëzit vetëm punët e mira; nga femijëria deri më sot nuk mund të gjejë kush një vepër të keqe, të vogël apo të madhe, apo ndonjë hije të karakterit që të më njollosë figurën apo të cënojë të ardhmen time. Prandaj dal hapur dhe pa frikë para gjithkujt.

Por deklarimet: “na duhen katër vjet (per kryetarin) sa të rregullojmë disa punët tona”, “do ti hapim degët e Vatrës në Shqipëri me akte nën kanunore”, “ky do të jetë kryetari i Vatrës …ai tjetri do të jetë kryetari i Këshillit, …nuk i pj… kush për delegatët apo Kuvendin”, “mos na dil përpara se do të anatemojnë, do të shajnë, do të mbetesh vetëm” e të tjera si këto, krijuan çarjen fillestare midis meje the atij në Degën e famshme të Michiganit. Unë ja kam shpreh qëndrimin tim qysh para Kuvendit: “Votën do tja jap Elmisë, sa për Kanunoren do të mbroj atë që besoj unë, më vjen keq por NUK I NDËRROJ PRINCIPET E MIJA ME SHOQËRINE”. Kaq. Asgjë personale, asgjë tjetër, vetëm punët e Vatrës në relacion me parimet e mija. Nuk kam kërkuar kurrë dhe as kerkoj asnjë favor, përveç parime dhe ligjshmëri në Vater. Kaq, çdo shpjegim tjetër kërkon që ta devijojë të vërtetën.

Konica ka thënë: “Thënia e së vërtetës, në mos zgjidhtë ndonje gjë, prapë lë një shije të mirë se fole the çfarë duhet të thoje”.

Shkeljet themelore të Statutit të Vatrës apo tjetërsimi i votave të delegatëve janë të vërteta të pamohueshme, përderisa nuk ka askush kurajo të përgjigjet apo të ballafaqohet me këto akuza. Une dhe miqtë e mij vatranë të “listës së turpshme” jemi të hapur për konsultë dhe debat konstuktiv për t’i dhënë zgjidhje ngërçit ku ndodhet Vatra, brenda normave statuore.

Megjithatë, termi “listë e turpshme” për vatranët qëndrestar, konservatorë, antikomunistë, shkrimtarë kombëtarë, gazetarë, kontribues në vatër për dekada, drejtues të një Reviste Letrare shqipe, apo të etiketosh “Dylqinja plakë e Topozës” një doktoreshë 85 vjeçare, nder i komunitetit shqiptar, të gjithë këta, vetëm se kërkojnë ligjshmëri dhe transparencë, kjo e kalon logjikën e një njeriu normal, dhe nuk jep shenja konstruktive bashkëpunimi. Vënia e etiketës ndaj tyre si njerëz që sulmojnë dhe nuk e duan Vatrën mua më rezulton ndryshe: TË GJITHË E DUAN VATRËN POR KËTA NUK TË DUAN TY, që në mënyrë misterioze (i vetëzgjedhur) identifikohesh me Vatrën. Pa hë të na thotë ky cilat janë vlerat e tij, cili është ky që kërcënon dhe shan vatranët, hë mor, kush je ti?!

Për më shumë se një dekadë Vatra po lëngon nga konjukturat dhe intrigat e tij, që nga zgjedhja dhe përzgjedhja konjukurale e Kryetarëve të Vatrës, rropatja e Vatrës në dyert e gjykatave Federale (ka qenë i paditur për manipulim të një kuvendi të Vatrës), futja e neneve për krijimin e degëve të Vatrës në Shqipëri, apo neneve që lejonin futjen e kandidaturave politike nën parti politike në emër të Vatrës dhe kthimi i Vatrës në një rudiment të partive politikë në shërbim të interesave personale të tij dhe të kryetarit Berisha.

Prandaj unë e ftoj butësisht dhe embëlsisht z. Grishaj, që t’i heqë duart nga fyti i Vatrës, të heqë dorë nga këto emineca gri ndaj vatranëve që nuk mendojnë si ai, TË GJEJË FORCA POZITIVE BRENDA VETES NËSE I KANË MBETUR, QË TË DORËHIQET NJË HERË DHE PËRGJITHMONË NGA VATRA. Vatra nuk ka nevojë për të. Vatren e mban gjallë fryma e Konicës dhe Nolit, Vatra nuk është një zog i trembur “trumcak që vetëvritet”, por është një shpirt i lirë, një shpirt vullkan drite, që nëse vazhdon të luajë me të, do t’a djegë keq së bashku me ndonjë idhtar tjetër, qoftë edhe kryetar.

Unë i ftoj Vatranët jo në diversion por në përballje me të keqen. Mund të vendosni që të jeni kurajozë ose konformistë, zgjedhja është e juaja. Konformizmi i tepruar më kujton gabimin tonë fatal në komunizëm kur mirtuam me heshtjen tonë të keqen tonë. Vatranët duhet që të çlirohen nga vetja e tyre në shërbim të së keqes, të padrejtës dhe jo parimores. Beteja nuk eshtë e imja dhe për mua. Unë kam një jetë të plotë gjithsesi, por pyetja është nëse unë bie, dhe është rradha e dikujt tjetër, THEN WHO IS NEXT TO BE CRUCIFIED?! Se kështu i bie në Vatrën Grishë-Berishë: ose në rresht ose në kryq, zgjidh dhe merr.

Sidoqoftë, mua nuk me bën vatran Alfonsi e as Elmi Berisha, mua më bën vatran Faik Domenik Konica, mentori im i pavdekshëm, më bëjnë vatran veprat e mija në shërbim të shoqërisë dhe komunitetit, më bën vatran gjuha shqipe të cilën me lavdi dhe nder e shumëzoj në fëmijë shqiptaro amerikanë për vite me rradhë, frymëzim ky që rrjedh nga neni 3 i Kanunores së Konicës, më bën vatran besimi im në Zot dhe Kisha e Zojës Pajtore të cilës i shërbej me devocion, më bën vatran qendra e kulturës shqiptare “Nënë Tereza” të cilës i kam dhënë energjitë dhe shpirtin. Prandaj, përjashtimet tuaja të paralajmeruara me akuza të sajuara si ajo e “logos së vjedhur të Vatrës, apo faqe internet, kjo e krijuar ndoshta nga vetë ju që në vitin 2018”, që të kujtojnë komunistët që futnin pushkë në Kisha për të pushkatuar klerikët apo ata që që hodhën bombën në ambasadën sovjetike për të eleminuar “armiqtë e Partisë”, unë i përbuz. Kur nuk tërhiqem para plumbit, edhe këto kërcënimet e tjera nga kreu apo nga zevëndësi, nuk kanë vlerë. Nuk njoh diktatorë dhe harrojeni se do të mund të më bëni “armik të Vatrës”. Unë e kam shpallur me kohë se kam nderin që jam dhe do të jem sa të jem gjallë vatran i devotshëm, patriot i ndershëm, sherbëor i kombit, dashnor i përjetshëm i kulturës dhe gjuhës shqipe.

Me respekt,
Valentin Lumaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *