Cicërimat shqip në Parkun për fëmijët dhe kulturën
“Gjuha Amtare, shtëpia jonë”
Nga: Armela Hysi
Në Athinë për Ditën Botërore të Shkrimit & Leximit me organizatën «Duke lexuar, rritem» (Διαβάζοντας Μεγαλώνω)
Po hyjmë pothuajse në dekadën e dytë që aktivitete të ndryshme në Ditën Ndërkombëtare të Shkrimit e Leximit, përkujtuar në fillim të Shtatorit, gjejnë edhe komunitetin shqiptar të Athinës në përkushtim të kësaj date të përzgjedhur, kundër analfabetizmit dhe të drejtave themeltare të njeriut për arsimim e dije.
Ejani tek pema Portokalli, ishte sërish edhe këtë vit thirrja publike që grishi. Një ditë kur trungjet e pemëve të parkut, vishen me ngjyrat e ndezura të ëndrrave dhe jetës, e aty edhe gjuha jonë amtare, shtëpia jonë e ngrohtë, jo vetëm që gurgullon ëmbël, për të treguar të rejat e takimit pas pushimeve, mes fëmijëve e të rriturve, por edhe lexohet, në përralla, e vjersha, merr jetë në lojëra e rrëfime, kthehet të marrë energji të re në kujtimet dhe rrënjët e atdheut.
Mësuesit pjesëmarrës, Eriketa Qorlazja Kollçaku, Kristina Roshi dhe Pjerin Lleshi, me vëmendjen e Komunitetit Shqiptar, dhe personalisht të Kryetares Rovena Xhori, të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi, nën kupolën e programit të organizatës “Duke lexuar, rritemi”, realizuan një pasdite të veçantë për të vegjlit e prindërit e tyre, dhe mjaft bashkatëdhetarëve që iu përgjigjën thirrjes për t’u bërë pjesë e këtij aktiviteti. Mësuesit lexuan përralla ku fëmijët plotësonin vijimin e fjalëve apo germave që mungojnë, histori për qytete të Shqipërisë, tregime se sa i vyer është roli i mësuesit dhe shkollimit në jetën e njeriut, lojëra me fjalë për t’u përgjigjur të vegjlit dhe përherë ndezën buzëqeshjet e tyre të çiltra gjatë përjetimit të kësaj veprimtarie.
I pranishëm në këtë aktivitet edhe Liter-Art, shoqata e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Greqi. Poetja Armela Hysi, e nxitur nga vogëlushët lexoi për ta dy poezi të shkruara kur ajo vetë kishte qenë ende vogëlushe në moshën e tyre, të cilat ishin lexuar në atë kohë edhe në programin e Radios kombëtare të RTSh-së dhe vlerësuar me çmim të parë në edicionin përkatës; ndërkohë që mësuese Kristina lexoi dy vjersha për fëmijë nga autorja Valentina Satka, e cila bëri edhe paraqitjen e dy librave të saj për të mitur, dhe ndau me pjesëmarrësit kujtime të vegjëlisë.