Një tufë poezish nga pesë librat e saj poetikë, si një buqetë lulesh nga Revista KUVENDI, në ditëlindjen e Fluturës, poetes dhe piktores, me urimin për jetë të gjatë e të sukses’shme në krijimtarinë e saj!
TE LUTEM MOS IK!
Edhe kafenë e derdha
Mbi prehër sot…
U dogja pak.
Por s’ka rëndësi.
Isha duke kapur nje varg…
Isha duke u lutur:
Mos ik!
HOW DEEP IS YOUR LOVE?!
Më pushtoje
Ditë pas dite,
Orë pas ore,
Çast pas çasti
E unë pranoja në heshtje
Me buzëqeshje të sinqertë.
Ishte luftë e bukur,
E ndërsjelltë,
Tek i fitonim
Njëri-tjetrit zemrën!
PRITJE
Po të pres,
nëse quhet pritje
deshira për të puthur.
Po të pres,
Nëse quhet pritje
Dëshira për të dashur.
Sa shumë paskam pritur!
Derisa në porten time
Trokite ti.
PREHJE
Vështrova prehrin tim,
Dëshirova të mbështes kokën.
Fëmijët janë rritur-
Le të prehet burri.
THANKS GOD!
Kur nata
M’i ul qerpikët
E më shetit nëpër ëndërrime-
Ti je aty!
Kur dita m’i çel sytë,
Ti je aty,
Për të më thënë
– Love you!
NË QIELLIN E DASHURISË
Natë,
Me plot yje.
Në cilin qiell ndodhem,
Në ç’galaksi s’e di!
Mbi mua
Ndriçon ylli im-
Jam në rrezet e tij.
DUA TË PUTH
Kudo vezullime,
Dëshira për luks.
Të gjithë vrapojnë,
Unë dua të puth!…
DALLGËT
Dallgë,
Përse ma sillni aq pranë
Imazhin e tij?
Vjen e përhumbet tek unë
Ashtu si ju.
PËRJETIM
Dielli përflakët
Në liqen
Pranë këmbëve të mia.
Pemët i jepen
Dritës,
Unë- ajrit.
PASAPORTA IME
“ Paraja arrin gjithçka!”
S’di pse më “vret” kjo shprehje
Pasaportë tjetër kam;
Artin dhe pak magjepsje.
E PIKTUROVA ÇASTIN
E pikturova çastin,
Kur dora jote,
Si Mollën e Evës,
Mbante gjoksin tim:
Adami ishe Ti…
Në përhumbje
Pëshpërisnim papushim:
A më do, a më do,
Shpirti im?…
MËMËSIA
Lart vibron ajri…
Anash sendet e shtëpisë,
Më të shtrenjtat-
Vajzat!
KOMSHIU
Erdha nga larg atëherë.
Në hollin e përbashkët
U shkëmbeva me një komshi:
– I kam ujitur nganjëherë lulet e tua,
– Më përshëndeti me njerëzi.
Mbrëmë dikush rastësisht më tha:
“ Paska ikur nga covidi komshiu ynë!”
Heshtje e plotë… veç dy dyer larg.
Do t’i hedh pak ujë,
Të vetmes lule te dera e tij!