Shenim për poezinë-këngë të Ilir Shaqirit “ Balade per Zef Kakocen”, poet dhe artist arbëresh.
Pjeter Jaku
Një poezi model dhe një këngë zie, për të cilat ka nevojë njeriu, kur shpreh një dhimbje, duke u ndjerë i lëhtësuar nga pesha e saj. Kështu u ndjeva dhe unë kur lexova dhe njëkohësisht ndigjova të njëjtin autor, Ilir Shaqiri tek i këndonte aq bukur mikut të tij, poetit arbëresh ( shqiptar ) Zef Kakoces, me rastin e shkumjes në amshim. Përnjëherësh na vijnë ndërmend qindra elegji, që në kohët më të vjetra, deri më sot. Kështu do ti shkruante Fan Noli Luigj Gurakuqit, kështu do ti shkruante Luigj Gurakuqi vdekjes së motrës dhe pamundësisë për të qënë i pranishëm në varrimin e saj. Janë me mijëra raste të elegjive në kohët antike, greko-romake, me disa strofa distikësh në formën e përsëritjes për dhimbje dhe humbje të mëdha tronditëse. Në këtë rast, na vjen të kujtojmë përfaqësuesit e elegjisë greke; Solón, Tirteo, Calino, Teognis, etj… që vajtonin me dhimbje përcjellëse, në disa breza, të rënëve në beteja e luftra, që do i stamponte përjetësisht historia. Ndërsa te poetët latin dalloheshin; Ennio, Tibulo, Propercio dhe Ovidio. Balada dhe elegji janë shkruar plot edhe në Eposin e Kreshnikëve në Letërsinë e Vjetër Shqiptare. Një nga to, më të dëgjuarit janë këngët ë vajit të Ajkunës për Omerin, një pjesë të të cilave përafërsohet në një fragment vajtues në Lahutën e Malësisë, ku motra qanë Avdinë.
Elegjitë e Ilir Shaqirit, tashma janë të njohura. Ai u këndoi, duke i mbajtur të gjallë e të përjetshëm Heronjtë e Luftës, me një ndjenjë të pashoqe trimërie dhe dashurie për atëdheun e tyre. Me vargjet-këngë të tij u bë frymëzuesi i luftëtarëve për liri. Vargjet dhe këngët e tij ( prej afro 600 të tilla) ishin të barabarta e ma shumë se propaganda e një ministrie të tillë. Vetëm ky aspekt kërkon një ndalesë të veçantë, në të arthmen!
Balada e Ilir Shaqirit për Zefin, që përmendëm më lart, është një poezi zie, dhimbje, humbjeje e një miku, që kur shkruhet aq ndjeshëm, me aq finesë artistike, i kalon përmasat e poezisë, që përshkruan dhimbjen individuale, por ktheheht në një fenomen dhimbjeje shoqërore, sepse jo kushdo e ka njohur Zefin, siç e ka njohur poeti dhe këngëtari, njeriu i mirë Ilir Shaqiri. Përshkallëzimi është një nga elementet kryesor të kësaj balade, vargje ziet me ngarkesë artistike, që të mban në tension dhimbjeje, ku secili e njeh poetin, pa e pasë takuar kurrë, Ky është, në fund të fundit, misioni i letërsisë së vërtetë! Që në vargun e parë poeti njofton humbjen e një përsonaliteti, që na përkiste të gjithëve “ ndërroi jetë vëllai…” e, varg pas vargu thellon humbjen duke kujtuar se kujt i përkiste, se kujt i kishte shërbyer pasioni dhe kultura e tij, “…moj e mira Arbëri”, se si ai i kishte kënduar Arbërisë, tokës së vet, për të na thënë se ai ishte një ndër artistët e vlertë të Arbërisë, Arbërisë së pacak. Në strofën e dytë, poeti Ilir Shaqiri e nis me një metaforë, për të ardhur te përsonifikimi, “ Sot, rri heshtur vjershërimi/ n;degë ulliri e lëkurë dheu…” për të zbritur te metafora përsonifikuese dhe logjike, ku bën të qajnë dhe legjendat e gurëzuara, siç është Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skëndërbeu, “ qau dhe qielli nga trishtimi/ një lot nxor dhe Skënderbeu”. Më pas, shkallëzimi vjen duke zbritur te njerëzorja, tek secili, në kujtesë edhe të atyne artistëve që kishin ikur para Zefit. Me një kthjelltësi të pashoqe, poeti zgjon balada e legjenda të tjera, që folklori shqiptar, i ka murosur në ndërgjegjen kombëtare, siç janë heronjët legjendar Kostandini dhe Doruntina. Krejt natyrshëm poeti rrëshqet, në ritet popullore, që s’iu ndanë kurrë shqiptarëve për raste të tilla, me objekte e veprime, si shamia e zezë e nënave shqiptare, duke e risjellë përsonifikimin si një figurë lutëse, që i ankohet qiellit “ në çdo skenë i fliste qiellit”. Përsonifikimi dhe përshkrimi i poetit që shkoi, na jepet me forcë emocionuese dhe tepër njerëzore, si në vargun brilant “tek po ngjitej n’prehër të Zotit “, për të ardhur në fund, ku autori ngurtëson mos’harresen e poetit që shkoi.
Shijojeni poezinë e Ilir Shaqirit dhe këngën në linkun e mëposhtëm!
BALADË PËR ZEF KAKOCËN
Ndërroi jetë vëllai,
iku, shkoi, moj e mira Arbëri,
po kush mbeti të të këndoi
urtësisht sikur ai?
Sot, rri heshtur vjershërimi
në degë ulliri e lëkurë dheu
qau dhe qielli nga trishtimi
një lot nxor dhe Skënderbeu.
Gjitonia mblidhet shesheve,
hap i rënd peshohet udhëve,
po kush mbeti ta gjalloi
Milosaon e katundeve?
Kush do e zgjojë Konstandinin?
Besë e arbrit – Arbëri,
përtej detesh fluturimin,
motërmirën ta kthejë n’shtëpi!
Me shaminë e zonjës mëmë
nga çdo skenë i fliste qiellit:
arbërorët janë një brumë
qëkur mbi dhé ra rrezja e diellit!
Shpurë e shtangë mallmadhi i Motit
tej Moresë – Shqipërisë
tek po ngjitej n’preher të Zotit
vëllai thelbor i Arbërisë.
Po kush mbeti ta jetësoi
atë: URËN PËRMBI DET?
Qëkur zemra e tij pushoi
një pellg lotësh ra ndërmjet.
Kjani trima arbëreshë
dhe ju vasha iliriote,
kënga i tij do rrojë mes nesh
siç Arbëria rron ndër mote!