Ishte viti 1997 në kolegjin St. Antony në Universitetin e Oksfordit, ku këshilltari im i kolegjit, z. Richard Clogg, ndërsa diskutonim rreth Shqipërisë dhe Ballkanit, më tha: “Ballkan është bërë një fjalë e ndyrë”. Sigurisht që nuk e kishte për njerëzit e Ballkanit dhe kombet e tij, por kishte ndërmend luftërat, konfliktet dhe mosmarrëveshjet në këtë rajon përshekuj, historinë tragjike të Bosnje-Hercegovinës dhe trazirat e vazhdueshme në këtë rajon. Kjo në fakt është shumë e vërtetë, nëse i shtojmë edhe genocidin serb në Kosovë.
Sot ne përballemi me një realitet krejt të ndryshëm, një rajon të përfshirë në bashkëpunim, këmbim mallrash dhe burimesh njerëzore si edhe në proceset integruese. Pavarësisht kësaj, mund të ngrihet pyetja nëse Ballkani është ende specifik.
Në 22 vitet e fundit Ballkani ka qenë një tokë pjellore për kërkime politike dhe sociologjike. Rënia e komunizmit dhe zhvillimi i regjimeve të reja demokratike tërhoqi vëmendjen e studiuesve, të cilët e kanë parë rajonin tonë si një laborator për studime krahasimore dhe të veçanta.
Konsolidimi demokratik dhe anëtarësimi i këtyre vendeve në Bashkimin Europian ka çuar në shumë pyetje mbi dinamikat dhe strukturën e jetës politike të Ballkanit.
Në radhë të parë, ky rajon i Europës është analizuar nga studiuesit si një entitet i veçantë. Pas një dekade, shumë autorë të tjerë nisën ta përfshijnë këtë rajon në kornizën e përgjithshme europiane, pavarësisht veçantive rajonale.
Për vende, si Sllovenia, Bullgaria, Rumania, Kroacia etj., me anëtarësim të certifikuar në BE, procesi i gjatë i adaptimit institucional, reformat ekonomike dhe politika, i transformuan këto vende dhe i sollën ato më pranë demokracive perëndimore. Por në fakt, të gjitha vendet në rajon kanë bërë përpjekje të forta, në mënyrë që të sigurojnë pluralizëm politik dhe shoqëror dhe respektimin e të drejtave të njeriut në sistemin e demokracisë liberale. Megjithatë, sa i përket konsolidimit demokratik, shumë autorë kanë vëzhguar simptoma të asaj që Schedler në vitin 1998, e ka quajtur “erozion demokratik” në këtë rajon. Europianizimi ka provuar gjithashtu se ka efekte të kufizuara në funksionimin e institucioneve dhe adoptimin e përgjithshëm të ligjeve dhe normave të reja.
Vende të tjera kanë bërë përpjekje serioze, por ende nuk janë ftuar për t’iu bashkuar BE-së. Shqipëria dhe Turqia janë ndoshta shembujt më konkretë, pavarësisht angazhimit të tyre.
Për më tepër, të gjitha këto zhvillime kanë ndikuar mënyrën sesi vendet e rajonit e perceptojnë dhe përdorin Bashkimin Europian në politikën e tyre të ditës, por gjithashtu sa i përket rindërtimit të imazhit të vetes dhe kombeve të tyre.
Prandaj sot, ne mund ta konsiderojmë këtë rajon specifik dhe të vlefshëm për studime vetjake, apo të integruara në një kornizë të përgjithshme europiane, por duke treguar disa karakteristika të veçanta. Guxoj të them se nuk do të ketë Europë pa Ballkan, duke përfshirë sigurisht Shqipërinë dhe Turqinë në të.
Në mënyrë që të trajtohen këto çështje, duhet t’u përgjigjemi disa pyetjeve që lindin:
Cilat janë efektet e grumbulluara të proceseve simultane të konsolidimit demokratik dhe europianizimit? Cilat janë efektet e post-komunizmit dhe faktorëve vendas? A ka ende një model të veçantë në zhvillimin e këtyre vendeve? A janë rastet devijante ende devijante dhe a janë duke performuar ende mirë favoritët?
Kemi nevojë t’u përgjigjemi tani dhe në të ardhmen e afërme këtyre pyetjeve empirike dhe teorike.
*Rektor i Universitetit Europian të Tiranës. Fjalë e mbajtur në workshop-in “Nga luftërat ballkanike te projekti i paqes në Ballkan”, i organizuar nga Qendra për Kërkim Strategjik e Ministrisë së Jashtme të Turqisë, dhe Instituti i Studimeve Ballkanike në Universitetin Europian të Tiranës.