(Bisedë e gazetarit Fran Gjoka me akademikun prof. dr.Gjovalin Shkurtaj)
Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thejshtë e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmë, ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.
Veprmtaria shkencore e Gjovalin Shkurtajt është shumë e gjerë. Vetëm artikujt në organet shkencore dhe në përmbledhjet e Kongreseve a të Konferencave e tubimeve të ndryshme albanologjike ndërkombëtare, kombëtare dhe vendore shkojnë mbi 500 tituj: monografi dhe studime dialektologjike, libra dhe studime të gjera për sociolinguistikën dhe etnografinë e komunikimit dhe kulturën e gjuhës e nomën e sotme të shqipes standard, kumtesa dhe artikuj studimorë me tematikë nga filologjia dhe dialektologjia e sociolinguistika, pyetësorë gjuhësorë, sidomos dialektologjikë, sociolinguistikë dhe për mbledhjen e onomastikës shqiptare, probleme të gjuhës letrare të njësuar dhe të marrëdhënieve gjuhë-dialekt; trajtime për filologjinë dhe ligjërimet arbëreshe, si dhe shumë recensione, parathënie librash studimorë ose monografish nga fushat përkatëse.
1.-Prof. Gjovalini ! Si fillim i kësaj bisede, dëshiroj t’ju uroj shëndet të plotë dhe suksese në punën tuaj shkencore dhe me vlera atdhetare, në fushën e lëvrimit të gjuhës sonë të bukur.
Ju falënderoj dhe shpreh kënaqësinë time që më intervistoni pikërisht për revistën “Mësuesi”, organ i dashur për mua jo vetëm pse e kam filluar veprimtarinë time si mësues, po edhe pse kam qenë bashkëpunëtor i hershëm i kësaj gazete. Kam pasur edhe nderin që në faqet e asaj gazete të botohem edhe recensione e artikuj vlerësues për disa prej librave të mi, si p.sh. për librin “Kultura e gjuhës”.
2.-Lutem, mund të na thoni diçka për veten tuaj, punët shkencore e krijuese, veprat që keni botuar?
Pjesën më të madhe të kohës ua kam kushtuar studimeve dukurive të gjuhës së sotme shqipe, së pari si dialektolog dhe si studiues i problemeve të kulturës së gjuhës, të sociolinguistikës; jam marrë prej shumë vjetësh edhe me onomastikën shqiptare dhe me ligjërimin e letërsisë artistike, duke nisur me Naim Frashërin, pastaj edhe me disa prej autorëve më të shquar të ditëve tona, si për I.Kadarenë, D.Agollin, R.Qosen etj.; në këta njëzet vjetët e fundit, u jam përkushtuar gati krejt problemeve të marrëdhënieve gjuhë-shoqëri, duke u pykëzuar thekshëm në dukuri të sociolinguistikës, etnografisë së të folurit të shqipes.
Kam lindur në Bajzë të Kastratit, ku kam kryer shkollën tetëvjeçare, ndërsa shkollën e mesme, meqë asohere ende nuk kishte të tilla në Malësi të Madhe, e mbarova më 1962 në qytetin e Shkodrës e pikërisht në Shkollën e Mesme Pedagogjike, ku kam pasur mësues të shquar të gjuhës shqipe, të cilëve ua di për nder që, qysh në moshë shumë të re, ma ushqyen dhe më nxitën për t’u marrë me gjuhësi e për të nxënë gjuhë të huaja. Në vitet 1962-1966 kreva studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe të Filoogjisë të Universitetit të Tiranës, duke pasur si temë diplome studimin “Vëzhgime për të folmen e Kastratit”, që u vlerësua si studim bashkëkohor me vlerë dhe u botua menjëherë në revistën “Studime filologjike” (nr.2, 3, 1967), i vetmi organ i kohës për studime shkencore gjuhësore të profilizuara.
Në vitin akademik 1966-67, punova si mësues në Shënkollë të Bregut të Matës, rrethi i Lezhës, ku gjeta një mjedis të përshtatshëm për t’i shpënë më tej vëzhgimet e mia në lëmin e dialektologjisë dhe, qysh kur isha atje, hartova një studim dialektologjik të hapët për të folmen e Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, si dhe një kumtesë për disa tipare të së folmes së Hotit dhe të mbarë të folmeve të Malësisë së Madhe, të cilën e mbajta në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike (Tiranë, janar 1968), porse ndërkaq do të emërohesha bashkëpunëtor shkencor në Sektorin e gramatikës e të dialektologjisë të Institututit të Gjuhësisë e të Letërsisë.
3.-Ju e keni nisur karrierën tuaj si studiues e punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, ndërkohë që specialiteti juaj është dialektologjia. Çfarë ju kujtojnë fillimet tuaja të punës?
Në atë sektor punova rreth njëzet e dy vjet (prej shtatorit 1967 deri në maj të vitit 1989), kryesisht si dialektolog, duke përshkruar e studjuar njërën pas tjetrës të folmet e Malësisë së Madhe (të Hotit, të Kelmendit, të Rranxave të Mbishkodrës dhe të malësorëve të Malit të Zi), pastaj të folmen e qytetit të Lezhës, me të cilin në vitin 1982 mbrojta gradën “Kandidat i shkencave filologjike”.
Më 1973, për herë të parë, i dërguar nga Institututi i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, kreva një ekspeditë kërkimore përnjohëse në ngulimet arbëreshe të Kalabrisë, gjë që zgjoi dëshirën për t’iu përveshur shkrimeve për jetën, të folmet dhe kulturën e letërsinë arbëreshe. Botova librin “Shpirti i Arbërit rron” (Shënime dhe të dhëna për arbëreshët e Italisë), Tiranë, 1984, pastaj edhe një varg studimesh për të folmet arbëreshe të Shën-Marcanos, të Marçeduzës, për sistemin foljor të të folmeve arbëreshe të Italisë dhe një numër librash për shkrimtarë të sotëm arbëreshë ( “Shpirti i arbërit rron” i Karmel Kandrevës, “Lule shkëmbi” i Lluka Perrones, “Për ty arbëresh” i Agostino Girdano-Buzëdhelprit).
Por, gjatë më se njëzet vjetve që punova në IGJL, detyra dhe koha kryesore e punës sime ka qenë pjesëmarrja në grupin e punës që hartoi “Atlasin dialeltologjik të gjuhës shqipe”, vepër madhore e emërtesës së Akademisë së Shkencave, në të cilën jam bashkautor në të gjitha proceset e punës: në hartimin e kritereve dhe të pyetësorit, në anketimet në terren brenda e jashtë Republikës së Shqipërisë, në hartografimin dhe redaktimin përfundimtar të veprës, bashkë me J. Gjinarin, B. Becin dhe Xh. Gosturanin.
4. Cila është rruga juaj studimore e krijuese në fushën e gjuhësisë?
Qysh nga maji i vitit 1991 deri në prill të vitit 2011 kam qenë pedagog i brendshëm në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si titullar i lëndëve të rëndësishme të specialitetit: Dialektologjia, Sociolinguistika dhe Etnolinguistika, kam drejtuar disa herësh Departamentin, si shef i emëruar (1995-1998) dhe si shef i zgjedhur (1999-2000 dhe 2002 -2007).
Kam drejtuar dhjetëra tema diplomash, mbi tridhjetë tema të studimeve të thelluara pasuniversitare (MND) dhe pesë tema doktorati, nga të cilat dy me karakter ndërkombëtar: Basil Schader, sipas Projketit të bashkëpunimit me Shkollën e lartë të Zvicrës (2000-2005) dhe Izmit Dyrmishi, në bashkëpunim me Universitetin e Shkupit “Blazhe Koneskij” (2006-2010).
Më 1995 kam fituar titullin “Profesor”, ndërsa qysh nga viti 2006 jam zgjedhur anëtar i Këshillit Ndërakademik Kombëtar të Gjuhës Shqipe, ndërsa në nëntor të vitit 2011 jam pranuar si “Akademik i asociuar”.
Jam anëtar i Grupit shqiptar të punës për anketimin dhe hartimin e skedave për Atlasin Gjuhësor të Evropës (“l’Atlante Linguarum Europae” (ALE), me qendër në Niemegen (Suedi) dhe anëtar i Komiteti Shqiptar të tij; kam marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare vjetore të ALE-së, të zhvilluara në Strugë (Maqedoni) në vitin 2007, në Durrës në vitin 2008, në Glasgow (Angli) në qershor të vitit 2009, në Krakov (Poloni) në qershor të vitit 2010. Në fund të majit, po në këtë cilësi, do të marr pjesë në Konferencën e radhës të ALE-së në Riga.
5.-Çfarë do t’i kumtoni lexuesit mbi prurjet tuaja në kulturën e gjuhës në skenë dhe në ekran?
Për shumë vjet radhazi kam ndjekur edhe problemet e kulturës së gjuhës, duke u pykëzuar sidomos në gjuhën e skenës, të ekranit dhe të mediave, si dhe, lidhur me këtë lëmë, kam themeluar qysh më 1968 lëndën homonime në Akademinë e Arteve, duke botuar edhe librin përkatës “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran” (1988), i mirëpritur dhe i ribotuar disa herë, pastaj edhe variantet më të gjera të tij “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës”, Tiranë 2002, Kultura e gjuhës, SHBLU, 2006. Kam shkruar edhe shumë artikuj e studime për gjuhën e skenës e të ekranit, sidomos te revista “Skena dhe ekrani”, po edhe te revista “Gjuha jonë” etj. Teatrin dhe filmini i kam pasur gjithmonë për zemër, aktorët e mirë, bashkë me folësit e radios e të televizionit, i vlerësoj edhe si “mësues të gjuhës shqipe”.
Mendoj se gjuha e skenës dhe e ekanit, ashtu si kudo në botën e qytetëruar, edhe te ne ka luajtur rol me rëndësi për përhapjen e drejshqiptimit, të diksionit dhe të intonacionit të bukur të shqipes.
6.Ju keni shkruar studimin me temë “Ta duam dhe ta ruajmë gjuhën tonë të bukur”. Mendoni se standardet e gjuhës së sotme shqipe i përmbahen plotësisht rregullave shkencore të zhvillimit?
Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme dhe, si e tillë, ajo duhet mbrojtur, ruajtur e përkrahur edhe më tej nga shteti dhe shoqëria shqiptare,sepse përbën treguesin themelor të përbashkësisë shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve kudo që ndodhen: brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë në trojet kompakte ballkanike dhe në diasporat arbëreshe e shqiptare kudo në botë.Kjo bazë e njëjtë dhe e përbashkët e të shkruarit dhe e të folurit shqip në situata formale (zyrtare) i ka të gjitha mundësitë dhe cilësitë për ta mbajtur edhe më tej peshën e komunikimit të shqiptarëve me shkrim e me gojë, duke u bërë vend edhe prurjeve pasuruese, përtëritëse që mund të sjellin bartësit e saj nga vise dhe mjedise të ndryshme shqiptare.
7.Cili është mendimi juaj rreth pasurimit të mëtejshëm të shqipes?
Pohova dhe ritheksoj se jam mbrojtës i shqipes së njësuar e të përbashkët, sepse e konsideroj si mbërritje me vlerë të shënueshme kombëtare dhe historike të kombit shqiptar, por, ndërkaq, kam qenë e jam i bindur se gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër e kombeve të qytetëruara, shkon duke bërë edhe zhvillimet e veta, ndien dhe pasqyron edhe trysnitë e zhvillimeve të gjithanshme gjeoplolitike dhe ekonomiko-shoqërore e sidomos arsimore e kulturore të shoqërisë shqiptare. Kam qenë e mbetem ithtar i thënies urtake të At Justin Rrotës se “gjuha shkon tue bamë ato ndryshimet e veta” si dhe i konceptit të shëndoshë të atij studiuesi se njeriu, sipas rasteve e rrethanave “mundet me e dredhe g-juhën” duke iu përshtatur rrethanave dhe mjediseve të caktuara. Pra, të njëjtit njerëz, edhe sot e gjithë ditën, sipas nevojës e rrethanave të shprehejs, mund të shkruajnë e të flasin në shqipen standarde, të cilën e nxënë në shkollë, po edhe në të folmen a dialektin e vendlindjes përkatëse. Midis shqipes së shkruar e të njësuar (që po quhet “standard”) vepron parimi i enëve komunikuese: dialektet marrin nga shqipja standarde terma, fjalë e mënyra të thëni dhe kështu zhvillohen e përparojnë; edhe gjuha standarde përthith e pranon vazhdimisht edhe prurje nga krahinat e dialektet dhe, ndonëse në fillim ato sjellin një farë turbullimi, me kohë tretën e bëhen pronë e shqipes standarde, por edhe mund të mbetën jashtë saj.Prurjet nga krahinat nuk e prishin gjuhën,ato vetëm e begatojnë dhe e përtërijnë forcën shprehëse e kumtuese të shqipes.Sigurisht, edhe ajo që vjen përj dialekteve, kur pranohet në standard duhet t’u përshtatet rregullave të drejtshkrimit të njësuar.
8.-Për huazimet e panevojshme që përdoren sot në mjete të informimit publik, ç’mund të na thoni?
Mendoj se folësit më të mirë të radiove e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues të shqipes. Dikur thuhej me të drejtë shprehja latine “Verba volant, scripta manent” (Fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet). Kjo thënie urtake mbetet me vlerë edhe për kohën tonë, porse qëkur kanë ardhur në “pushtet” mediat pamore-dëgjimore (radioja dhe televizioni, magnetofoni, videokaseta, disqet e incizuara etj.) as fjala e folur “nuk fluturon”, por mbetet e fiksohet njësoj, madje edhe më shpejt sesa fjala e shkruar. Sot, bariu i Korabit dhe bujku i Konispolit, marrin në kohë reale dhe me të njëjtën formë gjuhësore të njëjtin informacion si Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë, si presidenti i Kosovës në Prishtinë, si të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen në mbarë hapësirat që përçohen nga valët e drejtpërdrejta ose satelitore të radiove e të televizioneve shqiptare. Po japim vetëm një shembull domethënës: një i huaj nga Suedia, Ul Maruik, i mirënjohur si përkthyes nga shqipja në suedisht, autor i shumë artikujve për Shqipërinë e shqiptarët dhe i një Antologjie të letërsisë shqiptare për mjedisin suedez, e ka mësuar shqipen shumë vjet më parë duke dëgjuar Radio-Kukësin. (Ashtu siç e kanë mësuar italishten shumë shqiptarë, duke dëgjuar programet e RAI-t). Këtë fakt kemi pasur parasysh kur kemi pohuar se folësit më të mirë të radios e të televizioneve shqiptare kanë qenë e mbeten jo vetëm gazetarë, por edhe mësues të shqipes, modeldhënës të shqiptimit, intonacionit, diksionit dhe përgjithësisht të të folurit bukur të shqipes.
Kemi përmendur disa herë për mirë rolin e disa kanaleve tashmë të mirëpritura si Digit-Alb dhe emisonet e Bang-Bang, Çufo etj.në gjuhën e brezit të ri, sidomos të fëmijëve.Fëmijët e sotëm i duan shumë ato emisione, përfitojnë mjaft prej tyre dhe, mund të themi, ata janë ‘gjyshërit’ e ‘gjyshet’ modernë të fëmijëve të sotëm. Kjo, natyrisht, kërkon të shtohet edhe më tej kujdesi për gjuhën e atyre emisioneve, për përkthime të bukura, po edhe për mishërimin sa më të mirë të fjalës së folur nëpërmjet aktorëve.
9.-Ku shfaqen më shumë gabimet dhe qëndrimet e pamira ndaj shqipes?
Shqipja dëmtohet nga mungesa e kujdesit prej atyre që shkruajnë e botojnë, nga programet shkollore të pamira e ku, për fat të keq, gjuha shqipe ka pësuar dëmtim të madh nga heqja e pamotivuar e të nxënit të saj si lëndë më vete në shkollat e mesme. Po ashtu rendja pas së huajës ka prurë edhe shumë fjalë e shprehje të huaja nga ato që janë katërcipërisht të panevojshme.Nuk flasim për huazime, por për barbarizma e manierizma të shprehura me shkrime, shkurtesa e sajesa të huaja, të shëmtuara e të papranueshme.
Gjuhëtarë, përkthyes dhe arsimtarë dashamirë e mbrojtës të shqipes kanë shkruar e vijojnë të kritikojnë gabimet e qëndrimet dhunuese të shqipes, porse ato duket se bien në veshë të shurdhët. Përndryshe nuk ka se si shpjegohet që ditë për ditë, në gazetat e revistat shqiptare dalin gabime të rënda drejtshkrimore dhe ndërtime të mbrapshta e kundër normës gjuhësore të shqipes standarde, të atilla që edhe nxënësve të shkollës fillore nuk mund t’u falen. P.sh. në njoftimet e televizioneve për programet ose emisionet e reja, ka përbindshërira shkrimore dhe thyerje të rënda të normave më fillestare, më të thjeshta të drejtshkrimit të shqipes. Dikush shkruan idea (në vend të ideja), dikush shkruan e diele, e djelë (në vend të formës së drejtë e diel) dhe, për turp e dëm të madh, deri fjalë tashmë të stërpërdorshme si tradhtar, tregtar, tregti në botimet e sotme shkruhen gabim (tradhëtar, tregëtar, tregëti).
Ka politikanë, si dhe jo pak gazetarë, artistë, njerëz të zyrave dhe të mjeshtërive të tjera, që kujtojnë se pa fjalë të huaja të pakuptueshme e të panevojshme nuk mund të quhen të mençur e të përgatitur. Në shfaqje televizive, fituesve u jepet edhe çmimi i lukut , ndërsa mund të quhej shumë bukur shqip: i pamjes apo i veshjes.Gati të gjitha rubrikat e televizioneve shqiptare në Shqipëri emërtohen me fjalë ose sigla të huaja,kryesisht nga anglishtja: INSID, Big-BRADHER, GAT-TALENT dhe, tashti së fundi, edhe “TUNICHT”, a thua se shqipja nuk ka asnjë gurrë pasuruese.
Por e keqja nuk përfundon me kaq. Vijon fushata e ethshme e kthimit të fjalëve shqipe ekzistuese në fjalë të huaja, si p.sh. kryetari bëhet president, kryesia- presidencë, pushtuesi-okupator, shtypja-repersion, bashkësia-komunitet, lidhja-ligë a legë, qëndresa-rezistencë, ndalimi-arrestim etj. Kjo është me të vërtetë një sëmundje ngjitëse që po nuk e ndalëm mund të marrë përmasat e një epidemie gjuhëvrasëse.
10.-Mendoni se letërsia artistike e pasuron gjuhën kombëtare? Ku duket ky pasurim?
Letërsia e mirë kudo në botë është parë e vlerësuar si farkuese dhe pasuruese e gjuhës. Këtë rol e kanë luajtur edhe shkrimtarët shqiptarë të tradiutës dhe të sotmit. Kam ndjekur me ëndje shkrimtarinë e krijuesve të mëdhenj që nga Naim Frashëri e Gjergj Fishta, te Dritero Agolli e Ismail Kadareja, por, me sa kam mundur, kam kundruar edhe shkrimtarët e tjerë, sidomos ata të disa trevave interesante si p.sh. krijuesit e Malësisë së Madhe dhe të Mirditës dhe kam vënë re me kënaqësi se karakterizohen nga një cilësi e vyer e qëndrimit ndaj gjuhës shqipe; ata lakmojnë pasuritë e saj, sjellin prurje të bukura prej hireve të saj, e njomin vazhdimisht gjuhën në lëngun e krahinores e dialektores, porse pa e rënduar shprehjen dhe duke iu përmbajtur një mënyre të të shkruari që e lakmon standardin dhe i përmbahet normave të tij, por pa qenë asnjëherë as “rob’ as “skllav” i tij. Kam shënuar qindra fjalë të bukura, kryesisht krahinore mirditore ose edhe më gjerë të gegërishtes, por që janë përdorur me bukuri e hijeshi në vjershat ose në prozën e Ndue Dedajt, të cilat kanë jo vetëm ngjyresën e këndshme krahinore, por edhe hijeshi e vlera gjuhëpasuruese e sidomos gjuhëruajtëse. Kam shkruar e vlerësuar gjuhën e bukur të poetit Sokol Zekaj dhe të Nikolla Spatharit, si dhe kam gjetur shumëçka të bukur në vjershat e poetit Nok Sinishtaj, me origjinë nga Ksheva e Grudës.
11.- Ju keni botuar dikur në gazetën “Mësuesi” një shkrim që mbahet edhe sot mend dhe është në vëmendjen e mjaft mësuesve dhe njerëzve të letrave, i titulluar “Normëshkelësit duhet të përgjigjen për dëmin që i shkaktojnë gjuhës shqipe”. Mendoni se ka ndryshime për mirë në shkrimin e gjuhës shqipe, prej kohës që është shkruar ai artikull?
Kam qenë dhe mbetem mbrojtës i mendimit se gjuha është tipar themelor I kombit dhe se gjuha e njësuar vetëm e përforcon dhe e zbukuron këtë tipar, prandaj edhe te ne, ashtu si kudo në popujt me tradita e qytetërim modern, duhet të ketë kërkesa të rrepta për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar në të gjithë praktikën shkrimore e botuese, në mediat e shkruara dhe botimet shkencore, letrare etj. dhe të shtohet kujdesi edhe për ligjërimin e folur në mjediset publike e për funksione zyrtare.Të ndjekim shembullin e Francës dhe të vendeve të tjera të Evropës së qytetëruar, të cilat punojnë shumë për mbrojtjen e gjuhës amtare si tipar i përbashkësisë dhe i njëjtësisë së kombit. Rregullat e drejtshkrimit dhe normat e shqipes standarde duhen parë gjithmonë si pronë kombëtare dhe karakteri kombëtar i tyre duhet ruajtur e pasur gjithmonë parasysh.
12.-Po shteti dhe organizmat e tij të specializuara, çfarë ndihme mund të japin dhe ku duhet të përqendrojnë më shumë vëmendjen e tyre?
Gjuha shqipe sot është në nivelin më të lartë të mundshëm, është gjuhë shteti në Shqipëri dhe në Kosovë, është gjuhë e njohur me ligj edhe nga Kuvendi i Maqedonisë dhe, në masë të kënaqshme, po përfillet edhe në Mal të Zi e në diasporat arbëreshe e shqiptare të reja. Deri në Suedi, madje edhe në Amerikë e në Australi, ka sot ngulime shqiptare, ku krahas gjuhëve të vendit, shqiptarët përpiqen e punojnë të mbajnë gjallë edhe shqipen. Sot, gjithandej në Evropë e në vende të tjera të Botës janë shtuar edhe të huajt që flasin e shkruajnë shqip, ka kërkesa për libra mësimorë e abetare të shqipes dhe, mbi të gjitha, dashuria e shqiptarëve tekdo që gjenden për gjuhën e kulturën shqiptare është tregues i mallit dhe i dashurisë së tyre për Shqipërinë. Mund të përmendim, sidomos, punën shumë të mirë që bën në Zvicr LAPSH “Naim Frashëri” me botimet dhe organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Kohët e fundit, madje,edhe në Republikën Italiane është diskutuar e projektuar një ligj që jep hapësira të reja edhe për mësimin e gjuhës shqipe nga mërgata e re e shqiptarëve në Itali.
13-Si ndikon media në ruajtjen apo (përkundrazi) në prishjen e gjuhës?
Në të gjithë botën gjuha mbahet gjallë dhe përpunohet nëpërmjet shkollës dhe institucioneve kulturore, ku tradicionalisht kanë luajtur rol të madh letërsia artistike dhe teatri. Edhe tek ne për shumë vjet radhazi në këtë drejtim është punuar dhe ka pasur suksese të ditura.
Në kohët e reja, sidomos në fund të shekullit që u mbyll e në ditët tona, rolin e dorës së parë përsa i takon modelit gjuhësor e kanë marrë mediat e shkruara (gazetat, revistat, interneti) dhe të folura. Për gjuhën e shkrimit, pas viteve të shkollës, njerëzit kanë si model kryesor atë që gjejnë në gazetat dhe revistat që lexojnë përditë, ndërsa për gjuhën e folur, natyrisht, ndikojnë fuqishëm gjuha e radios dhe e televizionit. Me fjalë të tjera, mediat, qofshin të shkruara, qofshin të folura, ditë për ditë, me atë që shkruajnë e thonë, o ndreqin o prishin diçka në gjuhë. Kam thënë gjithnjë dhe po e përsëris: shoqëria shqiptare dhe kombi shqiptar u detyrohen mjaft shtypit dhe radio-televizionit për sukseset që kemi arritur në gjuhën letrare të njësuar. RTSH-ja dhe radiot e televizionet private kanë pasur e kanë mjaft folës e redaktorë të mirë, që e kanë shqiptuar e intonuar bukur shqipen dhe kanë dhënë modelin e të folurit të mirë për masën e gjerë të dëgjuesve e shikuesve. Po përmend vetëm një sa për të gjithë: folësen e shquar Vera Zheji, po edhe shumë të tjerë që kanë punuar në RTSH. Nuk mungojnë edhe sot gazetarët e mirë, por koha jonë kërkon më shumë, kërkon sidomos kujdes dhe cilësi në përgatitjen e mishërimin gjuhësor të lajmeve dhe të emisioneve.
Po ashtu, ka rënë niveli gjuhësor i gazetave. Dikur bëhej shumë kujdes nga autorët dhe redaktorët, po kishte edhe një korrektor gjuhësor për çdo gazetë. Edhe fjalimet apo artikujt e raportet më të rendësishme të personaliteteve politike të asaj kohe, cilido që të ishte autori, po të kishin gabime drejtshkrimore, nuk lejoheshin të dilnin ashtu,por korrektoheshin e ndreqeshin. Periudha ka qenë ajo që e dimë, por përvoja e saj për sa i takon gjuhës ka qenë e mirë dhe nuk ka pse të mos zbatohet. Ashtu veprojnë edhe të gjitha kombet e popujt e qytetëruar. Po kujtojmë, ndër të tjera, Francën, e cila tregon kujdes shumë të madh për mbrojtjen e gjuhës letrare zyrtare dhe kundër fjalëve të huaja të panevojshme.
Këta dhjetë vjetët e fundit një praktikë e tillë nuk është zbatuar mirë ose nuk zbatohet fare. Gati të gjitha gazetat dalin me gabime të shumta drejtshktrimore, me thyerje të rënda të normave të gjuhës letrare shqipe. Po të ishte gjalllë Faik Konica, shumë prej atyre që shkruajnë me gabime trashanike do t’i kishte quajtur “analfabetë me diplomë”.
14. Çfarë nuk kemi bërë apo nuk e kemi bërë mirë?
Kohët e fundit siç është vënë re e kritikuar shpesh ka pasur një rënie të kujdesit të shtetit e të institucioneve kulturore ndaj gjuhës letrare shqipe, kanë vërshuar sidomos fjalë të huaja të panevojshme si dhe ka pasur shumë byk e kashtë të panevojshëm nga të folmet e dialektet. Këtu, ndër të tjera, ka çuar peshë për keq edhe heqja prej shumë vjetësh e gjuhës shqipe nga programi i shkollave të mesme të përgjithshme. Me këmbënguljen e gjuhëtarëve dhe të dashamirëve të tjerë të shqipes, kohët e fundit, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka vendosur që ta rifusë në programet e shkollës së mesme mësimin e gjuhës shqipe. Shpresojmë se kjo masë do të jetë një ndihmesë shumë e vlefshme që i shërben njohjes së normës letrare dhe mbrojtjes së saj. Kam qenë dhe mbetem adhurues I letërisë, por përsa i takon lëndës së gjuhës shqipe në shkollën e mesme, mbetem i vendosur për mësimin e saj jo krahas e në gji të letërsisë, por si lëndë më vete, madje, si lënda më e rëndësishme e si provimi më i vlerësueshëm për dëftesën e pjekurisë.
Së fundmi, lidhur më këtë, nuk mund të rri pa kritikuar edhe rastet e pamira e të dëmshme të disa pedagogëve e asistentëve, po edhe të ndonjë autori tekstesh shkollore, që nuk i japin rendësinë e kujdesin e duhur gjuhës letrare, nuk japin shembullin e vet personal para studentëve në zbatimin e normave të gjuhës letrare të njësuar dhe sidomos për pastrimin e shqipes nga terma e fjalë të huaja të panevojshme. Ka pedagogë e asistentë që bien pre e leximeve dhe mënyrave të të thënit që lexojnë në anglisht e në gjuhë të tjera dhe këto i përdorin ndonjëherë edhe për të shitur mend si tregues të “kulturës së tyre të lartë” e bashkëkohore. Ndaj kësaj mënyre të foluri ne kemi reaguar e jemi shprehur, por duhet të bëjmë më shumë e më me përkushtim, në mënyrë që të arrihet që fakultetet e universiteteve të jenë balli i luftës për ruajtjen dhe pastrimin e shqipes dhe të japin edhe shembullin më të lartë. Ndoshta, duke parë sa thellë ka hyrë ndikimi i gjuhës angleze dhe i anglicizmave të panevojshme, si dhe për ta këndellur e gjallëruar kulturën gjuhësore të pedagogëve, do të ishte e nevojshme të rikthehemi tek përvoja e viteve ‘70, kur qenë bërë në mënyrë masive edhe provime të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.