Episod me insekt
Ulem në kafene tan lezet, me shiju atë pakoçast, pas ca orëve të mira pune. Pamja përballë meje nuk është zgjedhja me e mirë e mundshme, por gjithësesi, ngjan disi më interesante në krahasim me hiçmosgjënë, qëndrimin vendnumëro atje brenda, mes katër mureve, që as flasin as dëgjojnë, as hidhërohen as hidhërojnë.
Nejse, duhet ta pranoj se e nisa disi shqetësueshëm, pasi kamarieri nuk ma solli menjëherë kafen, dhe qëndrimi im i parehatshëm, tek një symprehtë, mund të vërehej fare qartë. Mandej, mos tu vëntë pas sikleti se nuk të shqitet lehtë.
Nuk zgjat shumë kjo atmosferë, një insekt del nga guaska ku e kishte struk vetën dhe, prraf kërcen mbi tavolinë. Përplaset mespërmes ngushtësisë së tij, gumëzhin, ulërin, gradualisht nxin gjithë tavolinën. I thëm butësisht; – qetësohu, ja ku ke hapësirën tënde, nuk ta cënon njeri! – por nuk dëgjon, nuk arsyeton, madje shton rropatjet, tonalitetin, deformohet edhe më keq, zapton gjithë hapësirën. Atypëraty qortoj vetën, – hej, se insekt është, mos pret të ndodhe ndonjë mrekulli të të kuptoje me fjalë?! Pra, duhen marrë masa serioze. Heq kujdesshëm atleten e këmbës së djathtë, me qëllim për t’ia bërë kokën bërsi. Nami u bëftë, i duhet treguar vendi me doemos kësaj shpifsire. Mirëpo, prapë ndalem. Si gjuhet atletja mbi tavolinë? Përreth mund të ketë njerëz… është dhe turp ta marre e mira për skandale të tilla, në një botë si kjo, të ndërtuar përsosmërisht bukur. Ndërkohë që mendohesha, atletja kishte mbet në ajër bashkë me dorën, Shoh dorën, shoh atleten, borë të bardhë, shoh insektin, sterrë i zi. Prapë i kthehem vetes, jo krejt pa nerva kësaj here; – hej e lojtur, po pse u dashka t’i ndysh kot, kur prapëseprapë vetë ke për t’i larë?! Dorëzohem. Marr një vendim prej dështakeje. Çohem dhe i lëshoj tavolinën.
Botuesi i lumtur ose Lumturi hajvançe
(Ndodhi e viteve më parë)
Mikesha ime Xhuli, më ftoi në një promovim libri që bëhej në Tiranë. Mendova se zhvillohej në njëren nga sallat e kulturës, me emra të njohur të letërsisë, dhe kureshtja ndaj jetës kulturore kryeqytetase s’më la ta mendoj dy herë. Por jo, s’qe e thënë, bëhej në lokal. Botuesi kishte vendosur kështu! Sipas tij, poezia shijohej më mirë më mish e sallatë, birra ose venë. Nisi më mirë s’ka, nën simfoninë e thikave, pirunjëve, cakërrimin e gotave, porositë për peceta ndaj kamerierëve, e tij… Duke qënë më e reja e kësaj “sofreje poetike”, kisha mbet disi e hutuar, si e pamësuar me promovime të këtij soji, dhe pas njëfarë kohe se nga m’u bedit botuesi aty pranë, nga kreu i vendit ku ish, s’e di! Me Xhulin njiheshin prej kohësh, ndaj erdhi gjithë nur e gaz, u rehatua në karrigën më të afërt, e më pyet: – Emrin si ua thonë? … Sa vjeçe jeni? … Ku jetoni? … Si si? Në Lezhë akoma?! Po si, (i bëri sytë dac) me se jetoni atje? (A thua vija nga mesjeta!) Studimet, ku thatë se i keni mbaruar, në ç’degë? – Nuk thashë çfarë kam mbaruar, – ju përgjigja, – bëra të mes… – Ç’thua moj? Si gjithë kjo vajzë pa shkollë? Po a jetohet kështu në ditët e sotme? Dhe akoma atje! (Tani i ngjaja përtej mesjetës!) Si mendon ta ndërtosh të ardhmen? Bobooo më çorodite! – Shtanga.
Nga dreqin ishte bërë botues ky trupeshk?! Ndërkohë autorja e tre librave kishte ardhë nga Italia plot emocione për promovimin “brilant”, siç i kish thënë botuesi, kishte rezervuar restorantin, paguar sipas porosisë së tij, e tani priste këtë të fundit t’i rikthehej fjalës për librin e sajë, a së paku të ftontë dikë t’i lexonte ndonjë poezi. Po as kjo s’qe e thënë të ndodhte. Pasi shqeu dhe ca nga mishi në pjatë, rrudhi sytë, sikur sforcohej të bënte ndonjë të pabërë, dhe e bëri më në fund; – Po e di ti se unë kam mbaruar tre fakultete? E di ça kam arrit të bëj? E mi numëroi tak e tak sukseset, duke i rënë tavolinës me gishin tregues të bërë kulaç.
– Të lumtë! -i thashë. – Jo po e di ti që vajza ime studion në universitetin më të mirë, vetëm falë meje? E di ti këtë apo jo? – Ja ma thatë ju, – i përgjigjem. Balli vezullonte nga kremi hidratues, sytë i rrezatonin lumturi hajvançe, ndërsa vazhdonte pandërprerje me; “jo po, e di ti…” Mu desh t’i kërkoja ndjesë që t’largohesha, e urova për gjithë arritjet e njëpasnjëshme, edhe pse ish hera parë dhe e fundit që ja dëgjova emrin këtij suksesaxhiu trefakultetësh, llafollogu bresherik, syqeshur e ballëkremosur. Kur dolem në fllad të pastër, më pyet Xhuli; – pash besën ç’llomotiti ai papagalli që s’pushoi një herë? – Mbas kaq vitesh jetë – i thashë, – pashë një njeri të lumtur! Të lumtur në tërë dimensionet e fjalës lumturi. Xhuli ja krisi të qeshurit me zë të lartë…
Shtator 2020