POEZI NGA RAZIJE HOXHA

DIMRI I ATDHEUT

Të jam kapur fort pas rrënjësh,
atdheu im prej lisi.
Prej trungu, të jam mbërthyer
me kthetrat e dëshpërimit,
prej degësh.
E mbahem fort!
S’dua të të lë!
Si një foshje,
të jam varur në grykë.
Si një zog i dëshpëruar,
dimëroj fatin tënd të ashpër!
Mos më lër të shkoj.
Foleja ime, ndërtuar
prej ëndrrash të përket ty.
Krenaria ime,
vargjet e mia, janë për ty.
Edhe hapat e mi, zëri im,
buzëqeshja ime,
edhe eshtrat e mia një ditë,
duan të të falen ty!
Oh, mos më lër të shkoj!
Edhe nëse dimri yt,
shumë do të zgjasë.
Edhe nëse pranvera,
shumë do vonojë.

NJERIU I PASTREHE

Qendro aty, statuje e pafajësisë!
Dëshmi e egoizmit të kësaj bote mizore.
Sa herë ta mbyllen derën,
sikur të ishe armiku, era.
Përcilli mbi kurrizin tënd,
hidhërimin e dimrave,
dufin e shirave të vjeshtërave,
përdëllimin e zhegut te verës.
Të dridhurat, lëngimet,
psherëtimat e tua, m’i jep t’i bej vargje,
t’i lë për kohën si dëshmi.
Se në kohën tonë.
Strehohet një qen,
dhe lihet në rrugë një njeri.
Qëndro aty!
Statuje e pafajshme e varfërisë.
Teksa në anën tjetër të trotuarit,
vallëzon luksi, mbi makinat luksoze,
kostumet e shtrenjta,
bizhutë e shndritshme, tatuazhet.
Qëndro aty! Derisa të bëhesh hero.
Derisa të bëhesh dritë.
Se ndoshta pas teje,
kësaj bote të verbër i vijnë sytë.

PYLLI I MAGJEPSUR

Eja, o i dielltë,eja!
Shkelmi shtigjet e fshehta,
mua, pyllit tënd të magjepsur pas teje.
Mbushma gjoksin, me zogj pranvere.
Bleroma shpirtin.
Që larg dëgjohen gurgullimat
e kujtimeve, të tua.
E pa pushtuar jam!
E pa sunduar!
Vetëm ty të pres,
me sytë nga rruga.
Që mijëra vite, dremis
nën këngën e mërzitshme të bulkthave.
Me duhet ti dëgjoj hapat e tua,e të zgjohem.
Unë pylli yt, i magjepsur!
Eja, o i dielltë, eja!
Përndritmë, pra!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *