-pjesë nga romani “Flaka e shpresës”-
Në kujtim të Ramadan Pasmaçiut, autorit të paharruar e këtij romani.
Kur mbaron së lexuari këtë roman të dhënë me një stil mjaft tërheqës letrar e aspak narativ, që derdhet me një gjuhë të figurshme gjithë kolorit nëpèmjet një subjekti të bollshëm, të plotë, por konçiz, ndihesh i mbushur e i ngrohtë, domosdo, edhe krenar për të parët tanë.
Ramdan Pasmaçiu
26 shkurt 1938, Berat. 31 tetor 2021, Tiranë
Karvani, me nëntë kuaj gjithësej, shpinte e binte njerëz në rrugën Berat – Janinë. Dhe ata të dy, gjoja, për atje po shkonin.
Qiraxhiu, një burrë i thyer po kockëfortë, i thinjur, fytyrëvrarë, vetullfshesë e me sy të vecërr, të egër, ishte fjalëpakë. Nuk lidhej në muhabet me udhëtarët, veç e ngiste kalin me vështrimin përpara, duke e thithur çibukun thellë e duke e nxjerrë tymin me shtëllunga. Atë ditë ai nuk e drejtoi karvanin nga ana e Drobonikut, që të kalonte më pas nëpër Çorrogjaf, në Gllavë, Ballaban, Këlcyrë e Tepelenë, por, sa la pas Urën e Goricës, mori nga e djathta.
Një mesoburrit lëkurëbardhë me ca bark, me kasketë e me veshje qyteti, që e pyeti sepse e ndërroi krahun, iu përgjigj preras:
– Unë e di nga e heq udhën! Po s’të pëlqeu, zbrit!
– Jo, ore, se s’ta thashë me të keq! – mërmëriti mesoburri dhe heshti.
Qiraxhiut sikur s’i shkuan në veshë ato fjalë. Nuk foli më, por u koll nja dy – tri herë dhe pështyu mënjanas. I priu kuajt drejt Velabishtit. La Palikështin në të majtë, i ra Mbreshtanit përbri, kaloi mbi Galinë, nëpër Paftal, Mbolan e Sinjë, që të dilte në Mallakastër.
Ai, edhe pse ca si nursëz, qenkej njeri shpirtmirë dhe nuk sillej keq me udhëtarët. E ndalonte karvanin në çdo çesmë, a burim, që gjenin rrugës.
“Pini ujë, freskohuni, mbushni dhe paguret!” – u thoshte, sikur ata të ishin të vegjël dhe duheshin mësuar.
– Zbrisni këtu, çlodhuni ca nën hije, sa t’ju shmpihen këmbët! Vini torbat te gjunjët dhe hani dy kafshata bukë! – u tha, kur arritën te një lis i madh matanë Velçanit.
– O xhaxha, më fal shumë, po si ta thonë emrin? – e pyeti Sifi, duke buzëqeshur lehtë.
– Lazëm e kam, Lazëm Sadiku!
– Ta gëzosh!
Xha Lazëmi për herë të parë e vuri paksa buzën në gaz.
– Po zotërinë tënde qysh e thërresin?
– Sif Garunja.
– Edhe ti e gëzofsh, or bir!
Në të errur arritën në Ballsh.
– Këtu do të gdhijmë sonte! – tha qiraxhiu dhe i zbriti kalit para derës së një hani me dy rrepe trungjetrashë në oborr, me një gardh rreth e rrotull, me ahure poshtë e me konakët lart, tek ngjiteshe me ca shkallë të gurta.
I zoti i hanit ishte babaxhan. U shtroi të hanin nga një tas me fasule të nxehta, bukë misri të trashë, të gatuar me ujë të valë, qepë dhe turshi me speca e domate të pabëra. Kur mbaruan, i vuri të flinin të gjithë bashkë në një konak, në radhë njëri pas tjetrit mbi ca rrogoza. U dha nga një jastëk të shkurtër mbushur me lecka, i mbuloi me velenxa, fiku fenerin e u tha natën e mirë.
Pa zbardhur, zëri i xha Lazëmit kumboi i rreptë e u përplas faqeve të konakut:
– Çohuni, se na zuri dreka!
Lanë sytë, hëngrën mënges shpejt – shpejt, vezë të skuqura me djathë dhe ullinj, e u nisën…
Te një kurriz kodre mbi Hekal, u shfaqën befas ca xhandarë. Kishin bërë një si postobllok në mes të rrugës. Njëri prej tyre, një skërfyell i gjatë si shufër arixheshke, u foli ashpër:
– Ku shkoni? Zbrituni kuajve!
Të gjithë u hodhën në tokë. Xha Lazëmi që udhëhiqte, i doli përpara e i tha:
– Është karvani im ky. Këtë punë bëj unë. Bie e shpie njerëz tutje – tëhu! Qiraxhi hesapi!
– Nga vini?
– Nga Fieri.
– E ku shkoni?
– Në Janinë.
– A jo, xhanëm! Ai iu kthye udhëtarëve: – I keni korçanet e kokës?
– Po qysh s’i kemi!
– E mora vesh! Po ç’dreq ju shtyn të veni deri në filifistun?
– Unë kam një mik atje dhe dua ta pjek! – i tha burri lëkurëhollë.
– Po ti!? – e pyeti xhandari Sefen.
– Unë jam bashkë me këtë, – ia ktheu Sefja, duke treguar Sifin, – po vemi të porosisim ca mall për një saraç tonin.
– Edhe këtë e mora vesh! Po ndonjë armë të fshehur a keni me vete?
– E ç’na hyjnë në punë armët neve! – folën udhëtarët përzjerë.
Xhandarit iu egërsuan sytë.
– Mbylleni! Mjaft folët! – e ngriti ai zërin dhe iu drejtua prapë qiraxhiut:
– Tani qysh t’ia bëjmë që të vinë me ju edhe dy nga ne deri në Tepelenë?
– Ç’të them! Zotrote e shikon që kuajt janë të zënë.
– Qepe dhe dëgjomë! Ky i holli le të hipë në vithet e këtij kalit, tek është ai atje me pak bark! Kështu lirohet një kalë! Po edhe këta dy të tjerët hollakë janë, le të bëhen tok! Ja, de, ku na dalin dy kuaj të zbrazët!
– Punë që s’bëhet ajo, xhandar efendi! Më lodhen e më ngordhin kuajt ashtu! Kanë rrugë të gjatë përpara!
– E po, kur e paske atë merak, e anavasim ndryshe ne! Dy nga ju të ecin në këmbë e të ndërrohen me shokët aty këtu, sa të arrini në Tepelenë!
Sefe Lara nuk i la radhë qiraxhiut të fliste, iu afrua xhandarit e i tha si në vesh:
– Unë s’e kam për gjë të eci mbi opinga gjer ku thua zotrote. Edhe ky shoku im do të bëjë si do të bëjë bashkë me mua! Ja, merreni kalin tim dhe të këtij! Veç kam një merak! Ca burra, që u këmbyen me ne në Qafën e Koshovicës dje pas dite, na thanë të hapim sytë, se qenkan dukur komitë këndej! E, ja, po na dolën edhe neve, ku t’ju fshehim? Me kokën s’bëhet shaka!
Xhandari mblodhi buzët, u rrudh e ia nguli sytë Sefes.
– Ore, jezit, i ke sagllam ato që thua ti, apo të stisura?
Sefja tundi kokën,
– S’jam nga ata unë! Nuk torolisem me xhandarin e dovletit, se ia kam taksur ymrin Padishahut, qysh kur isha dhjetë vjeç, i qofsha falë!
Xhandari e shikoi ngultas Sefen, heshti dhe iu afrua xhandarëve të tjerë. Seç bisedoi me ta me zë të ulët. Pas pak erdhi dhe u foli të gjithëve me inat:
– Ikni, ikni! Thyeni qafën! * *
Grykën e Tepelenës përfund mureve të Kalasë së Ali Pashës karvani e kaloi qetë.
Ishin ende orët e para të mëngjesit dhe jo veç që dielli s’kishte filluar të nxehej, po edhe nga lugina vinte një puhizë e lehtë sa më s’bëhej e ëmbël.
– Në mos paçim ndonjë telash rrugës, pas nja dy – tri orëve, do të sosim në Virua! – u tha udhëtarëve qiraxhiu.
– Ty të kemi të parë këtu e ti e di ç’bën! – ia ktheu Peçi.
Xha Lazëmit nuk i pëlqente ta lëvdoje, ndaj nuk i dha përgjigje Peçit. U koll nja dy herë dhe priu përpara pa folur.
Sa e lanë Tepelenën pas dhe dolën te Uji i Ftohtë, ai u ndal, i zbriti kalit dhe foli me zë të lartë:
– Do ta bëjmë një shplodhje të shkurtër këtu, si thoni?
– E bëjmë, ore, poqysh! – iu përgjigjën udhëtarët gati me një gojë.
– Mos harroni të mbushni paguret, se s’kemi më ujë si ky përpara. Bëjnë edhe kafe në atë ngrehinën e vogël më të mëngjër! Edhe çorbë kanë, edhe paça, edhe mish të pjekur! Dëgjuat? Shkoni, në daçi! Hani ndonjë gjë, po shpejt, ama!
Ishte një vend i bukur shumë. Me hije e me fresk, që ç’të thoshje! Degët e gjera të rrepeve të moçëm frynin me lezet! Fresku të shtynte të merrje frymë pa u ngopur. Hija e madhe e pemëve mund të përfshinte një tabor të tërë ushtarësh. Nga njëra anë – fëshfëritja e gjetheve, në anën tjetër – gurgullima e ujit të akullt e të kulluar qelq, që lëshohej vrundull nga sipër! Lëre – lëre, të qepej goja nga magjepsja.
Peçi u shmpi, hapi krahët dhe thithi ajrin me gjithë gjoks.
Sefja e Sifi s’ia ndanin sytë dhe qeshnin. Edhe ata ndiheshin jo më pak të gëzuar për më shumë se, siç kishte thënë xha Lazëmi, në vakt akshëmi, do të kishin në sy Gjirokastrën e Çerçiz Topullit. Pas një copë udhe, vështrimi i Sefes u ngul i vrenjtur mbi Sifin.
– Ku e ke atë ti?
– Në gji, o Sefe vëllai, në gji e kam! Ku ta kem gjetkë!
– Ashtu, de! Ruaje si sytë e ballit, se s’kemi surrat t’u dalim shokëve përballë, po e humbe!
– Ç’thua! Pse tarallak më bëre!?
Ata të dy po shkonin në Gjirokastër me një letër të Dan agait, komandantit të komitëve të Beratit, për Çerçiz Topullin.
Sefe Lara kalonte andej për së pari herë dhe kundronte me afsh gjithçka përqark: pyjet, malet, luginat. Pas një çasti, e pyeti Sifin:
– A nuk të duket edhe ty ajo gryka e lumit si e Gjorovenit?
– I ngjan një çikë vërtet, por është më e mbledhur, më e thellë, me më shumë ujë dhe me pemë të larta brigjeve.
– E marr vesh, e marr. Po për kalanë e Aliut ç’thua?
– E madhe, e lartë. Ta merr mendjen!
– Po jona?
– Oh, lëre! Ç’e zë në gojë! Ajo ha bukë veç! Botën të bredhësh, s’ia gjen shoqen!
– Edhe unë kam dëgjuar…Po sikur të vemi ta provojmë çorbën tek ai konaku?
– Kam hall mos prishim urinë e drekës!
– E po, shkojmë e pimë vetëm nga një kafe!
– Hajt, tymi t’i dalë!
…Sa e vunë kafen në buzë, qiraxhiu thirri:
– Mblidhuni, ore, se do ikim!
Sefja doli në prag me filxhanin në dorë.
– Ja, edhe një çikë, xha Lazëm, se na dogji buzët kjo! Apo ta lëmë fare?
– Jo, jo, pijeni rehat, se s’përmbyset bota!
Sjellja dashamirëse e qiraxhiut i nxitoi edhe më ata të dy. U dukën sakaq tek dolën, u lëshuan në vrap drejt kuajve e u kërcyen sipër.
Xha Lazëmi s’u bëri zë. U vu në krye dhe e ngau kalin e tij përpara.
Karvani zhvendosej drejt Gjirokastrës pa zhurmë, diku nëpër udhë të ngushta me zhurina, a me dhe të ngjeshur, e diku – në vende të hapura me gurë e me pellgje të cekët prej ujëvarave, që vinin nga rrjedhat e bregoreve.
Herë – herë dëgjoheshin rrahjet e patkonjëve, shkrofëtima e ndonjë kali të karvanit, cicërima e zogjve fluturakë e të mëllenjave në zabele, dhe krakllima e sorrave të egra.
Kuajt ecnin urtë njëri pas tjetrit. T’i shikoje së largu, të jepnin shëmbëllimin e një gjëje të gjallë e të gjatë me një shpirt, që dridhej e nxirrte bark sa aty – këtu, duke përshkuar udhën e ngushtë, ku me kurrize e ku me tatëpjeta të buta.
Udhëtimi po shkonte pa u penguar e pa të papritura. Me ç’dukej, dosdo do ta arrinin Viruan në vakt dreke.
Tashti kishin në të djathtë dy kodrina të gjelbëruara përballë njëra -tjetrës. Rrëzës së tyre niste udha për Kardhiq. Çdo gjë po shkonte mirë e bukur. Udhëtarët ndiheshin ende të freskët, ndonëse kishin lënë prapa goxha rrugë. Siç thoshte qiraxhiu, pas nja dy orësh, do t’ua kapte syri Gjirokastrën si në pëllëmbë të dorës.
– Të kënaqka jeshili i këtyre kodrinave! – i tha Sefja Peçit. – Të ketë lepuj e dhelpra këtej?
– Ka, ore, poqysh! Sa të duash! Veç ujq të mos ketë, thuaj! Atyre kush ua bën hallin!
– Ç’punë kanë ujqërit në behar kaq afër rrugës!?
– Për ujqër me dy këmbë them, jo për ata me katër!
– Të paska zënë frika, më duket, or Peçi!
– Jo, hiç! Gjersa jam me ju, as që trembem fare, por që ta dish, të thashë! Se i njoh mirë unë ç’vende janë këto! I kam kaluar edhe herë tjetër.
Fjalët e Peçit sikur zgjuan shejtanin që flinte! Befas, nga ca gëmusha, u dëgjua një gërthitje:
– Qëndroni tek jeni, more! Ju kam vënë në si koburen të gjithëve! O t’jua krej trutë në shesh, po lëvizët!
Xha Lazëmi ia tërhoqi frerin kalit dhe bëri t’i zbriste, po s’arriti.
Zëri i egër prapë sokëlliu:
– Mos xërmo nga kali ti, more, plaku stafidhe, se të ikën koka, dëgjove? Nuku qesh u’, po çë thom e bëjte!
– Si zë i njohur ky! – tha Sifi.
– Eshtë ai i mbrëmshmi, hajduti i mushkës qorre, që fjeti tok me ne tek hani! – ia ktheu Sefja, teksa ai i pusisë thirri ashpër:
– Kreni nga xhepat ç’para keni, lëshojini në dhe, dhe thieni qafën, mos t’ju shoh më! Përndrishe, ju përlau vdekëla!
Qiraxhiu shikoi i ngrysur gëmushat dhe s’lëvizi. Po edhe udhëtarët heshtën e s’lëvizën.
Peçit i iku fytyra. Fryma sa s’iu pre. Ishte gati t’i lëshonte te këmbët e kalit nja tre – katër metelikë, po s’ia mbante të dilte përpara të tjerëve. I tha Sefes në vesh:
– Qenka i poshtër shumë! Ne e falëm atje te hani, edhe pse e zumë me preshë në dorë, tek donte të na zbraste xhepat,, ai na del këtu e na zë pritë!
– Pritën e tij e përmjer unë! Se nuk është trim, po gjysmë bythe burrë! – iu përgjigj Sefja. – S’bën nga ato që thotë! Por, na di si veten. Prandaj kërkon të na shtjerë frikën! Ja, shikomë mua tani!
Sefe Lara u hodh me vrull nga kali në tokë. Futi dorën në hejbenë e tagjisë, nxori revolverin me kurrizin kthyer gëmushave, e vuri në brez nën setër dhe filloi të ecte ballas, pa iu dridhur qerpiku, drejt atij pizevengut.
– Mos hidh asnjë çap nga u’, more, se ike si qeni në rrush! – ulëriti ai i gëmushave
– Pa, hë! Të shohim ç’burrë je! – ia ktheu Sefe Lara dhe nxitoi hapin.
Xha Lazëmi u shqetësua e i foli Sefes të kthehej, po ku e dëgjonte më Sefja!
Sifi nuk ndihej! Ishte i sigurt se shoku i tij, aq vjet komit, nuk qe për t’u mësuar. Dinte ç’bënte.
– Ktheu pas, more, se o të ta vërvis kokën në hava, të thaçë! Ktheu, more, mos më fut në gjinah!
Sefe Larës sikur nuk i vinin në veshë ato kërcënime.
– Ktheu, se o t’i thiej kokallat! A ke të vogjël në shtëpi, a nuku ke? S’të vjen keq t’i lënç udhëvet? O të t’i shqiejnë mishrat korbat e ulqërit, i nxiri ti!
Zëri nga prita tanimë sikur fërgëllinte! Sikur po fundosej. Tingëllonte si lutje e jo si kërcënim!
Sefe Lara e hoqi revolverin nga brezi dhe e drejtoi nga gëmushat.
– Çohu e dil që aty, se s’të them dy herë! – Dhe i hodhi edhe tre hapa përpara.
Ai tjetri u ngrit dhe u duk i tëri në këmbë, duke u dridhur si purtekë. Varur në gishta mbante vërtet një kobure.
– Aman, more, mos e përliej dorën me mua mavrinë, se nuku ka fishekë kjo imja. Shihe! E ndrishkur është!
Sefja nuk foli më. E vuri përsëri revolverin e vet në setër, e kapi surratverdhin nga zverku, e tërhoqi zvarrë dhe e çoi para karvanit.
– Ja, ky është trimi, që donte të na vriste! Ç’t’i bëjmë?
– Ma bjer pak këtu! – ia ktheu qiraxhiu. E kur Sefe Lara ia afroi, ai ia nguli sytë buzë – e – hundërrudhur, ia mbështeti gishtin e madh në ballë, e shtyti tutje dhe shfryu: – Këtë e ka vrarë Perëndia, duket! – tha, – ia kanë çukitur trurin sorrat! – Ikim, se u bëmë vonë!
* * *
Xha Lazëmi e priu karvanin në të djathtë e u ndal në ca hije. Kishin arritur në Virua. Ç’vend! Të linte gojëhapur. Me tërë ata drurë të gjelbëruar e sheshe gjithë bar. Përpara – një si liqen i vogël, që vetëtinte nën diell, ujëra të kulluar lëshoheshin nga bregore të veshura me shkurre, mare e dafina dhe gurgullonin lehtë. Gjethet e pemëve fëshfërinin dhe flladi i ëmbël ta shtonte jetën.
– Një orë do rrimë këtu! – tha qiraxhiu. – Çlodhuni dhe hani drekën! Në atë dyqanin atje keni plot gjëra!
Tek po u jepte kuajve të pinin, atij iu qas një djalë.nën të tridhjetat dhe i foli i ndrojtur.
– E, mo, qiraxhi, ç’vete, mirë?
– Qysh do Zoti!
– Mos keshe nja di vende për Janinë?
– Të shoh, pa të them! Prit një herë!
– Pres, mo, po çë, si nuku pres!
Si kaloi ndonjë gjysmë ore, xha Lazëmit iu afruan Sefja e Sifi.
– Hë, po shkoni? – i pyeti ai buzagaz, sa i vuri re. – Pas katër ditësh, do të më keni prapë këtu! Po në mbaruat punë më parë dhe gjeni me se të ktheheni, mos më prisni!
– Mirë, xha Lazëm! Hajt, faleminderit shumë prej teje e mirë u pjekshim shëndoshë!
————————-
Përgatiti për botim Agim Xh. Dëshnica