NË QOFTË SE SHQIPËRIA ISHTE NË PRAG TË VDEKJES, ATË E RINGJALLI KULTURA.*
( Bisedë imagjinare me At’ GJERGJ FISHTEN, në prag të 130 vjetorit të lindjes së tij ) Ripublikim
Bisedoi: Pjetër Jaku, shtator 2001
Ripunuar, Gusht 2019
A mund t’u pyesim diçka për origjinën, At’ Gjergj, meqë ne dimë një origjinë shumëplanëshe, që pak a shumë i ngjan origjinës së Homerit, për të cilën ende nuk ka një përcaktim ekzakt? Për Ju, fliten dy variante të origjinës, ndërsa për vendlindjen dihet. Shumë thonë se origjina është mirditore, të tjerë zadrimore, megjithëatë Ju u keni kënduar ma shumë malësorëve; pra, as mirditorëve, as zadrimorëve!?
Njeri mund të lindet kudo, kur plotësohet cikli natyrorë , si në të gjitha ligjet e natyrës. Ndodh, fjala vjen, që të jemë lind në Sarandë, por unë s’mund të thamë se jam sarandiot, se nana ime ka vesh dhe vesh rroba të bardha, se baba im ka mbajtun qeleshe, se unë nuk mund të flas tosknisht, se mua do ma thirrnin emnin Zef e jo Taqi, pse kam le në Sarandë, ta zamë! E, për të ardhë te pytja juj, unë jam le në Fishtë të Lezhës, e cila në planin administrativ mund të ketë kenë edhe zonë e Shkdorës e, për mu, Fishta asht Mirditë. Ju e dini, pak a shumë, se tanë ato male janë Mirditë. Sepse, Mirdita asht e gjanë. Ajo ka pjesë në disa rrethe, si i thoni ju sot. Në Shkodër, në Pukë, në Lezhë, në Mat, në Dibër, në Kukës në Krujë. Pra, “zapton” krejt Veriun, përpos Malësisë, që asht republikë më vete, por jo bash krejt si Mirdita! Baba im asht mirditor, që për kushte ma të mira pati “emigru” nga Domgjoni, fshat i krahinës së Fanit, në Kosovë e, prej andej prapë në Mirditë dhe, hera e fundit qe levizja për në Fishtë. Sa i takon Homerit, për atë pretendojnë shtatë qytete. Megjithatë, ndryshon Shqypnia me Greqinë, edhe pse Homeri ka folë gjuhën e të parëve tanë.
At’ Gjergj, lexuesit i intereson ma shumë më ditë se si ratë në kontaktet e para me literaturen e njohun botnore, a ndikoj ajo në krijimtarinë tuj të mavonshme? Po në letërsinë shqipe, cilat ishin preferencat tuja? Ju i jeni drejtue shumë folklorit, ku edhe në biseda të zakonshme, duket ndikimi prej legjendave, miteve, baladave, prej gjithëçkaje të krijuar nga populli.
Të thamë të drejtën, pjesës së dytë të pytjes dua t’i përgjigjëm së pari. Folklori hyni te unë më krejt vitalitetin e tij. Ai ishte ba pjesë e jetës shqyptare. Tradita, zakoni, Kanuni, dasmat e vdekjet, burrënia e besa ishin themelet e nji vendi pa shtet, por qe e mbanin kombin të njisuem, pa u shkep e shkaperderdh, sa në Serbi, sa në Greqi e sa në Itali. Shqypnia mbeti Shqypni, vetëm në saj të kësaj kulture. Masanej, ne kishim shumë trima, të cillëve populi u këndonte në çdo rast, në çdo darkë e festë. Ata, jo veçse ishin shumë, por ishin vërtetë për të kenë. Ku mund ta gjejsh Mujin e Halilin tonë, kush popull e krijoj ma mirë Gjergj Elez Alinë dhe bajlozin, kush popull e lindi Kastriotin tonë, po Oso Kuken kush e leu, po trimat me emën të toskënisë që u prinë helenëve dhe luftuan çmos kush kundër osmanllinjëve? Po trimat e ditëve tona dhe me siguri i kohëve që do vijnë, kush i leu dhe kush do t’i lind? Cilli truall i rriti? Ata nuk ishin dhe nuk janë pjellë e fantazisë, veç me u ba kangë, por ishin djemtë e kësaj toke, që pinë ujin e k’tyne bjeshkëve, që u rriten në majë të shkambit, në të tana pjestë e Shqypnisë, e nuk iu përkulen kurkujt, pa ja kthy kurrë shpinën Atdheut.
U vranë e u prenë, i ndoqi fati ma i zi e, prapë se prapë, qëndruan si lisat në kambë përballë stuhive shekullore, qëkur a kriju njerzimi. Asnjëherë s’u rrëzuan shqyptarët, ndonëse historia u ra egër e gjatë. E, disa herë t’kqiat që të bien mbi kry, të ndihmojnë për me kenë ma afër njani-tjetrit, për t’i njohun ma mirë cilësitë e njani-tjetrit, për ta mbajtë këtë kulturë të krijume, që nuk u shua për 500 vjet radhazi. A, përsa i takon pjesës së parë të pyetjes, të thamë të drejtën, qyshse mësova me shkru e këndu, qyshse vendosa t’ia la jetën teme Zotit, e të mësoj për me kenë një bari i mirë i Tij, m’u desh me luftu me vedin, për t’i njoftë veprat ma të mira që u krijun e, ma së pari veprën universale që na çon te Zoti, BIBLEN. E lexova dhe rilexova e, për mos me u mburrë, thamë që rrallëkush e ka lexu sa e si unë. Përveç vlerave të saj madhore në edukimin shpirtnor të njerëzve, ajo asht edhe një vepër e mrekullueshme arti. Aty gjinden tana cilësitë e artit. Nuk ka shkollë ma të madhe se BIBLA! Mbas ksaj, pata mundësinë, që në moshën 13 vjeçare të dija Eneiden e Virgjilit përmendësh, të njihesha me filozofët e të tana kohnave, që nga antikiteti me Demostenin, Platonin, Aristotelin dhe Ciceronin, për me ardhë të Koha e Mesme, me Averroes, Shën Agustinin, Shën Albertin e Madh, Shen Toma i Akvinit dhe Shën Bonaventura, për me përfundu te Kohë e Re, me Skotin, Bossuet, Rousseaut, Taine, Benjamin, Ruebin, Herderin, Cantun, Mullerin, Fornarin, etj. Albanologët Meyer, Jokl, Schanus etj…
Këto lexime mu deshen për formimin tim kulturor, filozofik dhe historik, çka janë të domosdoshme, për ni njeri që i ka hyp në kry me kenë dikushi në laminë e shkrimeve. M’u desh të lexoj e rilexoj yjet e poezisë botnore, poezinë e asiro babilonasve, poezinë egjyptiane dhe të ebrejve, për me ardh ke Kanga e Nibelungëve, ke Iliada dhe Odiseu, tragjeditë e Eskilit dhe Sofokliut, komeditë e Euripidit dhe Aristofanit, me kalu ma vonë ke Dantja, Petrarka, Servantesi, Shekspiri, Gëte, Shileri, Bajroni e tjerë poetë, dramaturgë e filozofë, piktorë e muzikantë, që bota u trand prej tyne. E, më vjen keq që këto pjesë të qytetnimit, hala nuk ishin ba prona e të gjithëve, për kushtet e mrapambetuna të vendit tonë.
Prej këtyne veprave u formua e realizua edhe formimi im estetik, pa të cilin nuk mund të merresha me shkarravinat, të cillat më pelqenin që në fëmijni. Kështu, unë mësova se cila ishte forca e fjalës, kur mrena saj asht dija dhe shpirti. E, sa për vargje me rima foljore, ose ma mirë kallzime demek poetike, krijojnë edhe vajtoset-sit e veriut, bollë të mira, duke shku në botën tjetër pa e pa emnin nëpër gazeta e libra. Kujtojeni veç nji sish, se si e vajtoj nji lypsare prej Puke, mirditorin: “ Kur erdh shpirti për me t’dalë/ plasi kulla ballë e m’ballë/ kjajti dera për me t’nalë/ fjala e Zotit s’u kthye dalë.” Këto vargje, sot me zor i gjenë në poetë të shkollumë. Shikojeni me vëmëndje, se si në çdo njani varg, ka një figurë letrare. Sidomos metafora e nreq poezinë aq mire, kur e shoqnon me hiperbola, si në rastin e këtyne katër vargjeve, që në sipërfaqe duken krejt të rëndomta. Pra, poezi kaq të mira krijonë edhe popuj të vegjël. Qytetnia nuk matet prej madhësisë së territoreve, po prej individëve që përbajnë një shoqni civile, qi kanë marrë përsipër me ia ba njeriut, sa ma të lehtë gjallesen mbi dhe. Ju duhet ta dini çka thanë filologu i përmendun i Universitetit të Gratz-it, professor Meyer: “ Poezia popullore shqype, prej pikpamjet estetike, asht ma e bukura ndër të gjitha të tjerat e Evropës.”
At’ Gjergj, cillat ishin përpjekjet e para tujat për me shkrua poezi, si lindi kjo ide, ai mbani mend poezitë e para? Kush u nxiti ma shumë, ose ma mirë me thanë, kush e zbuloj talentin Tuj dhe, kur ju u bindet se mund të baheshit dikush në këtë zeje?
Sa ma shumë të lexosh, aq ma shumë e ke të vështirë të shkruash. Ky asht një konstatim i kahershëm. E pra, due me thanë se, po lexove shumë, nuk të pëlqen asgja e jotja, gjithçkafja të duket e zbetë, pa dritë, rutinë, që s’thotë gja dhe, kështu, të del vetja qefit e duhet dikush me të nxit për me marr penën. Por, gjithëmonë prova nuk mund të bahen. Provat kanë pjesën e tyne të kohës e, ato janë punime që ruhen, vetëm në “muzetë” private, që nuk ia vlen t’i shoh askush. E, unë e kam thanë edhe herë tjetër, se letërsia nuk asht për dhamtë e gjithëkujt, që din shkrim e kendim. Ma shumë se me marrë një penë e me ngjye në bojë, të shkrumit asht zanat. Për nji ditë dhe pahiri, askush nuk u ba shkrimtar a poet! Edhe kallajxhisë për me xanë se si bahen e kallajtisen sinijat, tepsijat, kusijat, legenat, jibrikët, fulteret, etj. i duhet me pasë nejt do vjet shegert me ndonji kallajxhi të mirë. Kështu mu desh dhe mua të “rri” shegert te ata që përmenda ma sipër, për t’fillu e përfunu shkrimet, qi sot ju i njihni dhe vlerësoni. Ju po i shifni si po ngrifen do shkarravitës, me do fjalë bihude e me një shqipe të garravaxhzueme si autor librash, kur s’munden me nejt dy minuta në një rreth letrarësh a artistash, përse u zihet fryma e pëlcasin. Për mos me kenë kështu, poezitë e para nuk ia tregova askujt, disa herë nuk mund ia tregojsha as vetes. Ato ishin ma shumë kushtime për mësuesit, për të afërmit, mbresa momentesh, qi unë vetëm i hidhja në letër, pa u kujdesun për artin, ose çka doja unë me thanë. Disa prej tyne i shkrova dhe në italisht. Me thanë të drejtën, gjatë studimeve të mia në Bosnje dhe Dalmaci u njofta dhe me veprat e poetëve Gerga Martiq, me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq, të cillit edhe ia kushtova një poezi në italisht, me poetin dhe publicistin Andrija Kaçiq Moishiq, veçmas çmova Ivan Mazhuraniqin dhe vepren e tij “ Vdekja e Smajl-Ag Cengiqit”, të cillën gati e pata msue krejt përmendësh. Përjashtue të gjithë këta, poeti i njohun malazez P.P. Njegosh, më ka frymzue shumë me vepren e çmueme “ Kunora e Maleve”. Një nxitje e veçantë, që unë të merresha me poezinë, ka kënë miku im Pashk Bardhi dhe, Abati i njoftun Preng Doçi, veçanërisht, që unë të merresha me diçka të madhe.. por, gjaja e madhe nuk bahet me porosi, atë e ban historia e vendit, të cilit i përket dhe posaqë, frymëzimi dhe talenti i përshkrimit poetik. Mua më takoj t’i njifsha përsonalisht disa heronj, që ne i kishim shumë afër e nuk ua dinim vlerat. Ma vonë, ata do të baheshin heronjët e Lahutës. Lahuta do të fillonte udhën e saj me punën time si famullitar në fshatin Rapshë të Hotit.
Me që doli fjala te Lahuta, a mundeni me na thanë, si nisi kjo vepër, për të cilen filologu i shquar gjerman, Lambertz ka thënë: “ Fishta meriton që, nëpërmjet përkthimit në gjuhë të tjera, të gjajë hyrjen në letërsinë botnore”, dhe , më pas, nga po ky studiues “ Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtes, jo vetëm se ka randësi në pikpamjen artistike, por edhe pse ajo, porsi vena e mirë, sa ma shumë vjet që të kalojnë, aq ma vlerë merr.” Dhe, për të përfunduar, përsëri Lambertz shprehet: “ Edhe Fishta si Homeri ishte njohës i vendit ku ekzistonte eposi, në Malësi të Madhe. Natyrisht që në asnjë mënyrë, Fishta nuk ishte imitues i verbër i Homerit. Pjesa dërmuese dhe ma e rëndësishmja, në epin e shqiptarëve, është jo homerike, e kulluar, krejtësisht origjinale.” Thëniet e këti studiuesi dhe përkthyesi, si dhe të shumë të tjerëve, janë të pafund, por mua ajo çka më ka tërheq vëmendjen, asht forca kombëtare në ligjerimin tuaj poetik.
Secila vepër që niset e ka një qëllim, përndryshe ajo ka dekë para se me le. Edhe unë , para se me shkru Lahuten jam nxit nga historia jonë, nga të kqiat që na kishin ra për hise, nga përballimi i tyne dhe nga fuqia mbinatyrore e njërëzve tanë hiperbolik, siç asht rasti i Gjergj Elez Alisë e shumë të tjerë, në eposin tonë të mrekullueshëm! Disa gjana i thashë edhe ma sipër, në lidhje me Lahuten, por dua të cek se, po të mos isha përpjekë më Marash Ucin, nuk do të ishte shkrua Lahuta! Blenin e parë, “ Te Ura e Rrzhanicës” e publikova me 1905, ndërsa Blenin e dytë, me 1907. Tashti nuk po i radhis të gjitha kangët, se janë shumë, veç di me thanë, se puna deri në përfundim zgjati disa vjet. Botimi i plotë u ba me 1937. Gjatë kësaj kohe, unë nuk shkrova vetëm Lahuten, por edhe poezi të tjera, si dhe u mora me disa pjesë dramatike. Lahuta e Malësisë ishte një porosi e kohës! Atë nuk e shkrova unë. Shqypnia kishte ra në gjunjë, ajo kërkonte ringjallje, heronjët nuk i mungonin, ashtu si nuk i kanë mungua kurrë kombit tonë. Mendova t’i drejtohesha Skandërbegut, ndonëse në çdo kangë përmend Kastriotin ( kastriotët ), pasi ai ishte përditë me ne, ishte përherë në gjoksin tonë, dhe si një mburojë në mëndjen e shyptarit i dha forcë me u përballue me dragoj të tillë si turqit e serbët. Me këtë rast, thashë ta vendosë Lahutën në një trull original dhe real, jo si në dramat e tragjeditë e Shekspirit. Lahuta asht nji vepër kolektive, që lindi Shqypnia, pse iu kërkonte nji kangë e gjatë dhe e rrallë si kjo, ku të përshkruhej historia në një vepër artistike të llojit tregimtar, që t’u shërbente njerëzve si edukim dhe frymëzim, për me i bind, ose me u vetbind se prej ka vishin, cillës rracë i përkitnin, që për nga aftësitë, nuk mund të krahasoheshin me askan në rruzull! Për Kastriotin ishin shkrua plot histori, por ato na vinin si pak të largëta. E, pikërisht për këtë, unë u takova me kastriotë të ri, plot vrull e energji, sa bëmat e tyne mu desh t’i qes në Lahutë. Për të krijue nji epope të tillë, pati shumë përpjkeje ku, ndoshta për numrin e vargjeve edhe ia kaluan, por ndjenjat kombëtare nuk mund i ngriten, atje ku i ngriti Lahuta. Poema shumë të gjata shkruan bejtexhinjët, si: Dalip Frashëri, Hadika ( Kopështi ), me 65 mijë vargje, Shahin Frashëri ( History e Mihtarit, me 12 mijë vargje, Naim Frashëri ( Histori e Skëndërbeut) me 11 500 vargje, Frano Krispi, poemen epike me 50 kangë, me titullin “ Mbi Malin e Trandafilave” e ndonji tjetër. Unë nuk i sajova teatrat e luftrave në imagjinatë, por ato kishin ndodhun në zona konkrete, beteja e luftime të pashoqe si janë përshkrua te Ura e Rrzhanicës, apo Vranina, etj. Kam nigju se Aureli ( Plasari ) diku e ka thanë të vërtetën, në rastin që ka vrejtun se Lahuta asht mbështet mbi nji realitet të dhanë historik, autori s’ka trillu skena të reja, nuk asht orvat me ndërtu teatro falls, ndaj asht nji vepër epike me specifikë të veçantë. Dhe, pikërisht kështu ka kenë e vërteta. Jo më kot Dom Zef Gilaj më pati ba nji pytje: “ A s’ju duket, se ndonjenin prej heronjve të Lahutës së Malësisë e keni rrit si tepër?” e kuptova se për ka e kishte fjalën, dhe ju përgjigja: “ Hero i Lahutës së Malësisë, në përgjithësi asht populli shqiptar.”
Përsëri rreth Lahutës. At’ Gjergj, si e priten miqtë tuaj botimin e kësaj vepre, a keni informim për mendimet e mëpasme ( në vitet komuniste ) dhe të ndonji shkrimtari me emër, në vitet e mavonëshme?
I kam respektu gjithëmonë mendimet e të tjerëve, kur ka ardhë në pytje vlerësimi i veprave të mia. Kur studentët e Vjenës e përshëndeten këtë botim, unë me At’ Bernadin Shllakun i dolem përpara Emzot P. Doçit, ku u bisedua gjatë, për këtë problem. Më kanë knaqun vlerësimet e Lasgushit për transfigurimin poetik dhe tipizimin lirik të të gjithë vepres. Poashtu, Çabej e ka shpjegu bukur shperndamjen e heronjve, duke mos e mbështet vepren në një hero kryesor. Nuk ishte vetëm Oso Kuka, por ishte dhe Ded Gjo”Luli, edhe Abdyl Frashëri, edhe Tringa, edhe Marash Uci, edhe Preng Markola, edhe Lleshi i Zi, edhe shumë e shumë të tjerë. Nuk më ka pëlqy dyqendrimshi i Dhimitër Shuteriqit e Gjergj Zhejit, ndonse ky i fundit sikur ka fillu të ndryshoj mendim, por vetëm për anën teknike, atë të ndërtimit të një vepre, pa hy në randësinë e saj dhe në përmbajtje. A, përsa i takon Kadaresë, bindem se nuk e ka lexu me vëmendje Lahuten, ose e ka lanë që në faqet e para. Ta vlerësosh si vepër agressive, unë nuk mundem me kuptu. Mos Kadareja donte që ne t’i përkëdhelnim malazezët, serbët e grekët? Kë sulmonte Lahuta? Cila ishte varfëria në ide? Po sterilititeti? Apo Kadareja hedh ca fjalë e iken, thua se po thotë profecina. Nuk më takon mua të flas ma gjatë, pasi bahet fjalë për një nga veprat e mia, por po të ishte se Kadareja dishron nji debat të vërtetë, nënshtrua rregullave të lojës, me argumenta bindës, e jo nga maja e kapelës, pasi të duash të denigrosh nji vepër, fare lehtë mund të hedhësh fjalë, si ai budalla nji gurë në ujë. Kadareja ka shkrua vërtet shumë, e disa nga ato janë me vlera, por duhet nanvizu, se aj, ende s’ka shkru nji vepër shumë të bukur, edhe pse regjimi e pagoi veç si shkrimtar. Nuk besoj se nji vepër e tij t’ketë rezistua kohës e të jetë e kërkume sa Lahuta. Pra Kadareja duhet me ditë, se Lahuta asht shkrua, gati nji shekull ma parë, kur nuk ishin kompjuteri e kalkulimet e mendimeve, kur nuk ishin vilat e veturat, siç i pat Kadareja, me u turr mas temave për veprat e veta. Prapë se prapë, Kadareja u mundua me riparu atë që kishte thanë ma parë, duke kenë nji ndër të parët që tha t’i hapet udha Fishtes, që në pranverën e 90-tës, kur Shqypnia ende nuk ishte hapun. A, për ma vonë kanë diskutu për qendrimet e Kadaresë, Injaci, Aureli, Tonini ( Çobani) etj. me shkrimet dhe veprat e tyne. Fjala ma e mirë asht vepra. Por, siç marr vesh ma vonë, e ka ndryshua qendrimin. Asht puna e tij. A, përsa i takon përcaktimit si arkaike dhe kanunore, due të thamë se Kanuni i Maleve të Shqypnisë, dhunën që i bahej njeriut kah jeta, gjaja dhe ndera, e mbante për nji faj të randë. Si në vende të tjera të botës, edhe në Shqypni gjinden njerëz që vrasin e vjedhin, qi bajnë punë të pandershme. Nse në viset e qytetnume i ndëshkon ligji dhe shteti, te ne ligj dhe shtet ishte Kanuni. Aleksandri i Serbisë, bje fjala, a kje myt n’Shkodër a n’Beograd? Milionat e Panamasë, a kjen vjedh prej shqyptarve, a po prej panamezve? Kartat e mshefta të dredhive të luftës në Francë, a kjen shit prej ndoni shqyptari, a prej hebreut Dreyfu?! Duhet me ditë, se nuk asht ligja qi formon popullin, por populli qi formon ligjen! Sparta ka krijue Likurgun e jo Likurgu Sparten. Të gjitha këto në një mënyrë a në një tjetër, thuhen në Lahutë. Arkaike asht që, fjala vjen, Kapidani i Mirditës nuk mund ta ndryshonte asnji paragraf të Kanunit? A nuk asht ky një ligj demokratik? Europa kishte mundësi të mos i linte malazezët të hynin në Shkodër, por jo të dërgonte ushtri e mashtrime për t’i nxjerrë, për me ba piknik në Shqypni, të liqeni. Për mua, Europa nuk ka kenë as ma shumë, as ma pak se një qen, qi vetëm leh. Duhet me ditë edhe tjetrën, se Shqypnia deri më sot ka pasë kenë në Europë, si një ishull në det, nji kombi të meçëm e të organizum, rrallë që i ndodh gja pahiri. Përsa i përket komunizmit, ajo qe një sëmundje e madhe, qi gabimisht e hoqi Shqypnia. Ajo, nuk duhet të ishte kurrë, në kampin ruso-sllav, duke pasë gjytetnime të tjera ma afër.
Po përsekutimin tuaj, At’ Fishtë, si e shpjegoni?
Përsekutimi im nuk asht ma shumë, as ma pak se përsekutimi i krejt popullit shqyptar, ndonse makabriteti i përsekutimit tim i kaloi të gjithë kufijtë njerëzor. Ishte një sëmundje që, edhe sot po e vuan Shqypnia, megjithatë asht zor me u ba shqyptartë! Thonë t’hujt se shqyptartë i kanë ment majë kësulës, e duket se shumë herë kanë arsye, pse shumë nesh n’për kafe e mejhane, n’për festa e raste, edhe në shpiat tona, s’bajmë tjetër, veç tue pyet, a thue si do të jesë puna e Serbisë mbas luftet, e Malit të Zi, Belgjikës, Rumanisë e, kërkujt si bie nërmend me pyet e me u interesue, pale si do të jesë puna e Shqypnisë. Ment majë kësules përherë kërkojnë skajet e shkaqeve. Sa i takon përsekutimit tim, do të deshiroja të jetoja dhe dhjetë vjet, të burgosesha e pushkatohesha si shumë të tjerë, që të kisha , të paktën nji varr. Përsekutimi im ka kenë ma çnjerëzori, qi rrallë asht ba në ndonji vend të botës. Mund të levizin eshtnat nga nji vend në tjetrin, por që të treten, kjo s’ka ndodhun. Bindem se asht rast unikal! Digjen aziatikët, por nuk hidhen askund pa porosinë e tyne. Përsekutimi qe shumëformësh dhe model. Kisha Katolike, veçanërisht, qe shembulli i këti përsekutimi. Pothujse të gjithë priftrinjët u burgosen, u torturuan, u pushkatuan, vetëm pse predikonin fenë dhe atdhenë, vetëm pse i edukonin njerëzit si ta duan njani-tjetrin e, jo si ta vrasin njani-tjetrin. Sistemi komunist përsekutoi letërsinë dhe kulturen, ndaj e rrëzoi Shqypninë, ashtu siç e shihni. Komunizmi qe një sëmundje, që botës, por deomos shqyptarëve, i duhet kohë për ta shnosh, për ta hek nga trutë e njerëzve, ai ishte drita e rreme, ku i thuhej së keqes mrekulli, së shëmtuares e bukur, që ia hoqi trunin njeriut, me heqjen e besimit, për ta sundue ma kollaj, e kë?! Shqyptarin! Me njeriun e ri të komunizmit, ai desh e bani shqyptarin kinez, rus, serb, si një bust të ndërtum prej rane, që dallga e parë do ta rrëzonte. Asht krejt e paumunden ta mbash nji popull si tonin, me temperament të veçantë, nan sundim aq gjatë, sa e mbajti komunizmi. Tuj kenë që, edhe në natyrë nuk gjindet kurrgjasend pa një qëllim, edhe komunizmi e kishte nji qëllim; ta sundonte njerinë sa më gjatë të ishte e mundun. Por, Zoti, mbasi e krijoi njerinë për vedi, ja diftoj edhe rrugen, se si mundet me mbrrit te liria! Përsekutimi në kulturë, qe dami ma i madh që psoi Shqypnia, qyshkur mbahet mend. Ky përsekutim e plagosi Shqypninë dalëkadalë, siç e brenë kanceri njerinë, duke e shpërba burrëninë, duke e mbyt institucionin e besës, duke u dhanë fuqi ta pafuqishmëve, duke ngrit ata që nuk nuk mund të rrinin në kambë, kështuqë Shqypnia u ba nji plagë e hapun, që vetëm rilindte tumorre në trupin e saj. Shumë autorë u hoqen nga qarkullimi, filloi lista e të ndalumve, u hartuan tekste të reja e, shkolla jonë zi e ma zi, prish e ndreq tanë jetën. U mbyll Perëndimi, portat tona të përjetshme të diturisë dhe kultures ranë. U fut kultura ruse e, të rinjtë tanë u drejtuan atje për shkollim. Gjuha u bastarzua në emën të komtarizmit dhe politikës kulturore sllavo-komuniste. Shkodrani dhe dibrani do të flisnin si gjinokastriti, pa asnji cen të gjuhës së tyne , kur dihet se funksioni i gjuhës mbahet në tri shtylla; shkollë, zyrë, libra. “Edhe fjalët janë sende”,- thotë Bajroni. Njeri vdes, kalbet e harrohet, por komunizmi duhet ta dinte se fjala rrnon e kërthneztë në verigen e gjatë të moteve. Historia na mëson se fjala ka kenë ajo, qi ka forcue e shkatrrue familjet, ka mkamë e sham ( shëmb) për dhe shtete e kombe. Ndalimi i letërsisë asht krim, qi nuk mund të falet. Literatyra kombtare asht visari ma i çmushmi e stolia ma e lumnueshme e historisë së një vendi, e asaj nuk mund t’i vihet vizë, për hir të autorëve, që nuk përshtaten me systemet, që ndrrojnë sa herë u do qejfi udhëheqësve. Djerrja e gjuhës dhe kultures, asht djerrja e indipedencës e, ajo u dor, ndonse flitej shumë për madhështinë artificiale të komunizmit . Ma së shumëti, Shqypninë e shëmtoi mosbesimi. Shqyptari nuk dilte nga shpia pa u lut, nuk binte me fjet pa u lut. Lutej për vete e për familjen, se po të ishin mirë ata, do të ishte mirë edhe Atdheu, ndaj asht i pandashëm binomi Fe-Atdhe! Vendet ma të gjytetnume të botës dhe ma të mdhaja, në themel të tyne kanë fenë, besimin. Kushtetuta e tyne nenin e parë e ka me besimin e jo si komunizmi, që interesat e nji grushti njerëzish i venin mbi ato të kombit.
Ndoshta ndër rastet e rralla, Ju jeni marrë edhe me politikë, keni kenë Nankryetar Parlamenti, Sekretar delegacioni, keni përfaqësue Shqypninë në disa Konferenca Ndërkombëtare, keni shkrua për sistemin parlamentar dhe probleme të tjera të politikës shqyptare e ma gjanë. Si e shpjegoni Ju këtë? A ka pasë reagime?
Gjithë ato që thatë ju, janë ashtu, veç ndonji shtese. Kam pasë nji aktivitet mjaft të ngjeshun në politikën e asaj kohe. Nuk ishte puna se më kishte teprua koha, që të merresha me politikë. Letrari, prifti dhe politika janë tre njerëz mrenda nji njeri e, kështu ngarkesa asht tepër e madhe. U mora me politikë, se ashtu e vlerësova. Kush ma mirë se ne i dinte hallet e popullit tonë, aq të vujtun. Por, a ishim në gjendje me ndryshu gja në jetën e shqyptarëve? Si nji za qi rrxohet në humnerë, ishte zani ynë. Politika dhe drejtimi shqyptar ishte mbytun në turlifarë lloje batakqillëqesh. Përgjithësisht e si përherë, drejtonin injorantët, se dinë e mendojnë ma shumë se kushdo për me rujt karrigen e, jo më kry detyrën! Kishte disa nënpunës që hiqeshin si të modës, me do gjysma studimesh në Evropë, që në fakt nuk ishin gja tjetër veçëse do sahanlëpirsa të mbretit. Iu përkushtova politikës me nji përkushtim të plotë dhe një aktivitet shumë të dendun. U zgjodha deputet i Shkodrës me 1921 e Parlamenti më votoi për nankryetar. Sa bana për Shkodren, do të pysni ju? Aq sa mund ta presë një lis i vetëm furtunën. Ishte një fortunë që vinte nga shumë drejtime. Shqypnia përherë asht sulmue kështu. Nuk i dihej se nga mund t’i vinin rrufetë, nga qielli a nga toka. Këtë vend kaq të bukur e kishte namë Zoti, të ishte kështu, kaq i bukur dhe, bash për këtë, kaq i lakmueshem. U përpoqa sa munda, dhashë mendimet e mija, shkrova për sistemin qeverisës, pata shansin të jemë disa herë në delegacione ndërkombëtare, të japë edhe atje mendimet e mija, por më kot. Megjithatë, kurr nuk pendohem. Gjithësecili duhet me ba aq sa mundet, e të tanë bashkë kishim me ndreq Shqypninë! Si atëherë edhe sot, ashtu vepron Parlamenti, korrupsioni, batakqillëku, pangopshmënia e gjithë veset e kqia janë mrena asaj godine. Nga kush kontrollohej dhe kontrollohet Parlamenti? Ku ishte dhe ku asht Senati? Si e për kë do ti nxirrte ligjet. Po komisionet? Po dhomat e përfaqësimit? etj. etj. që bota e modernizueme i kishte dhe i ka. Thua nuk i dinin këto politikanët Shqyptarë, qi banin sikur lexonin Kushtetutat e vendeve ma të njoftuna, për demokracinë dhe shtetin, për njerëzit. Kjo dihej e dihet: qi deputeteve e ministrave t’u lihej dorë e lirë, t’i binin kryq e tërthuer fitimeve përsonale, ta linin djerrë me dashje trullin ligjor dhe kontrollin e tyne. Ata donin dhe duan të jenë të pakontrollushëm. E, ata pra nuk ishin Zoti, ishin dhe janë vetëm bijtë e kësaj toke, bijtë e Shqypnisë së gjorë, që i beson gjithëkuj. Parlamenti nuk asht gja tjetër, veç një komedie, që zgjat pafundësisht në kurriz të mjerimit tonë!
Diçka të veçantë për Konferencen e Parisit, At’Gjergj?
Në Konferencën e Paqes në Paris, që i filloi punimet në janar 1919 dhe vazhdoi deri në Mars 1920, pata rasen me fol edhe unë, me temën “ Shqyptarët dhe të drejtat e tyne”, duke pasë detyrën e sekretarit të delegacionit. Në këtë Konferencë, theksi im ka kenë, pak a shumë, që shteti shqyptar duhet shtri gjeografikisht deri ku përfshinë gjuha shqype. Veç kësaj, se gjakmarrja kanunore, nuk asht shenjë e barbarisë apo e kanibalizmit të shqyptarve. Ajo asht ndëshkimi me vdekje për një vrasje, asht një vendim si çdo vendim i dhanë nga një gjykatë evropiane. Kryetarët e bajraqeve zbatonin Kanunin, të cilin e njihnin si një legjislacion në territoret ku kishin ndikim. Aty theksova se, vrasja e gjaksit nuk ban gja tjetër, veçëse çon në vend një ligj. Në kët fjalim mora shumë raste qi e vërtetonin faktin e naltpërmendun, si edhe në vendet ma të civilizueme në botë. Qe pra, këto nuk ishin gjana të reja e padituna, por kush do t’i thonte dhe ku? Pse shqyptarët që bridhnin Evropën edhe ma përpara i pranonin sallatat serbogreke për kanabilazmin shqyptar?! Kujt i ranë në qafë shqyptarët? Më kë u ngatërruan pa shkak? Përse luftuan ata? Kush i bani 54 kryengritje kundër Turqisë? E përse? Ata përherë luftuan për të mbrojt atdhenë e tyne, token e tyne, nderin e tyne. A, përsa u përket polemikave, ato janë zhvillim, e për mua kanë kenë të pakonsiderushme në rrjedhën shqyptare. Ju doni të dini dhe ma për polemikat. Ato sjellin vetëm zhvillim se, që thua ti, të bajshë një polemikë, duhet edhe njëfarë përgaditje, duhet edhe shumë kulture, por edhe pak kohë e përkushtim, disa herë duan edhe nerv, jo nerva, në të gjitha rastet të bajnë ta shtrydhësh trunin. E, ato bahen kur të imponohen, kur dikush kruhet me ty, e ato të hanë kohë e mund, kur bahen me të mëdhej e jo me shokët e Ismet Totës. Për mua dy janë polemikat ma të ransishme, të cilave u kam kushtue pak kohë. E , ato kanë kenë me Mehdi Frashërin, përsa i përket Lahutës së Malësisë ku flitej për Lidhjen e Prizrenit, e konkretisht për figuren e Abdyl Frashërit. Ajo polemikë, të thamë të drejtën, nuk qe fort e zorshme, pse mund t’i përgjigjesha krejt kollaj dhe ta ulja në shkam. Ai mendonte se po më zinte mua, pse unë Abdyl Frashërin e kisha pru në Lidhjen e Prizrenit me fustanellë e rroba kombëtare. Dhe, bash për këtë Mehdiu kishte qeshur, aq sa s’kishte mujt me nal gazin. Në këtë rast ai përmendëte meritat për civilizimin e Abdylit, si njohës i gjuhëve të huja, si orator etj… unë i përgjigjem Zotni Mehdiut, se ishte ma mirë që e solla ashtu me fistan e kollçikë, se ta kisha sjellë me redingotë e kësulë të kuqe, pra me uniformen turke, që në të vërtetë kishte marrë pjesë në atë Kuvend ( Lidhja turke, siç u quajt!), edhe pse e randësishme për shqyptarët. E, sa i përket meritave në fushën e dijes, ai luante me këto shprehje: “… njeri i rafinuar, që fliste fare mirë turqisht, greqisht dhe frëngjisht, që ishte diplomat dhe mbante lirshëm fjalime të improvizume, pati shetit Evropen…”, dhe kaq! Ndërsa unë, në Lahutë e përshkruaj si një njeri që mat e prêt, pra nuk flet kot, fjaltë e tij nuk i hedh posht krajl as mbret, se mundet me ndej në çdo tyrezë bisedimesh edhe me nivelet ma të nalta, që vinte nga një derë e njoftun e shqume për pendë e dije, pa të cilat nuk rrnon Shqypnia dhe, trim që kudo e ka qitë shtegu ka lanë namë, duke i sjellë faqe të bardhë Shqypnisë, et,… Gjykojeni vet, cilli përshkrim asht ma i plotë, i Mehdiut apo imi? A nuk janë herojtë e çdo kombi me veshje kombtare. A nuk janë edhe sot e k’saj dite ushtarët grekë të gardës me uniformë kombëtare, a nuk mbrriti Faik Beu në Amerikë me uniformë kombëtare. Lidhja e Prizrenit ishte një takim përfaqësues i vilajeteve të at’hershme i nji randësie të veçantë, ndaj dhe përshkrimi s’kish si bahej ndryshe. Përsa i takon Ismet Totos, për librin “ Grindje me klerin,” i cili shprehej se Unjilli asht një përrallë dhe disa akuza të tjera të pabaza dhe të pakulturë, e pata krejt të kollajtë të polemizoj. Një shkrimtaruc pa formë me t’u neverit, i dukej se ka msue diçka, se ka knue dy tri libra, por nuk asht asgja tjetër pos një kosh i shpartallum, i cilli në partallet e veta mendon se ka diçka me vlerë, për t’ua thanë lexusve, që nuk i kishte askund. Mendonte i varfri Ismet se idetë i ka kapela e bukur, që mbante në krye e jo kaptina. Dhe, vërtetë, te Ismeti ndoshta ndodh kështu, që ai, sall për këtë ta ketë ble kapellën. Me një shqipe erë boze, kujtonte ftyrëfudullsi, përnjimend shul opange, se na kishte lexu Enciklopedinë Britanike! Po cilla enciklopedi e hodhi poshtë fenë, që kur u krijue e më sot? Le ta gjajë kapelja e Ismetit! Libreci 27 faqesh i kti zotnije, na rreket me krrokamat e tij, të hahet me Pader Anton Harapin. Po le t’më përgjigjet ky fik i papjekun, vetëm nji pytje: Si u shkaktue e pse u shkaktue Bota? A thue vetëm ana materiale e shkaktoi Botën? Rroba nuk përfton ide, as nuk kryen veprat e njeriut e, sa për çështjen e kopetencës së tij ndër shkrime, qi do të ishte ma e para në rend të pyetjeve, ktu e la mbas dore, në këtë fushë nuk merrë frymë. Pse ai nuk u drejtohej muhamedanëve, që ishin gjashtë-shtatë herë ma shumë se të krishterët në Shqypni, po rreket të kapet pikërisht me klerin katolik? Me një mendje të kaçurrelueme e tanë mjegullinë, zotnia e tij don t’i futet dialektikës, pa pasë haberr nga kurrgja, tuj u përpjek të ngre problem, veç si e si të ulë klerin katolik, që ai të mos përfaqësoj asgja. Inferioriteti i kti zotnije, nuk mund të ngjitet ma nalt se shkallët e katit të parë. E pastaj, nuk shkruhen libra me hamendje, aq ma keq kur në to ngre probleme qi nuk i diskutojnë akademi, kur unë vazhdoj ta pys më kambëngulje se qysh e pse u shkaktue bota? Ai përgjigjet se Zoti nuk e ka krijue Botën, se ashtu më asht mush mendja! Ku janë diskusionet dhe duksimet shkencore, logjike e filozofike? Ku asht Enciklopedia e Britanisë? As religjionet, as sistemet filozofike, as metafizika, as dhe shkenca e re nuk japin “ receta bindse” mbi pytjen, se qysh e pse u krijue Bota? E, tash filozofuci i Tiranës, dje dalë prej shpërgajsh, na ngrifet si gjeli n’pleh e kokoriz të madhe në “ Grindje me klerin” e thotë: “ Më pëlqen fort të polemizoj me priftën…” si do të polemizonte me priftat, kur secilli sish, nuk denjon të ulet njat ti për nga niveli e kultura. Ai nuk mundet kurrqysh të ulet për polemika me priftat, sepse nuk ka asgja të përafërt me shkollën e tyne, me dijen e tyne dhe as me edukimin njerzor! Më falni qi u mërzita me dokrrat e ktij gjeli, por janë do fenomena që duhen kjartsua ma mirë, pasi ai, sadopak mundet me ndikua, me atë libruc, vetëm te mendja vet e mykun. Pse ai nuk kërkon të polemizoj me intelektualet e njoftun të kohës së tij? Mugesa e kultures asht ndëshkimi i parë që i nipet një pseudofillozofi, si Ismeti.Ky dokrraxhi e fudull, pa asnji dhunti polemizuse me argumenta, në asnji tryezë nuk mund të ulet.
Po për polemiken me Hilë Mosin, At’Gjergj, ç’mund të na thoni? Shpesh herë i jam rikthye ta lexoj, dhe sa herë e shoh, më afrohet sikur të ishte shkruar dje. Nuk janë shumë faqe të librit “ Gabove, Hilë!”, por është sistemi që nuk arriti me ndryshu, që prej asaj kohe deri më sot?
Hilë Mosi ka kenë miku jem, i cili kje ba me ne në problemet ma të ransishme të kombit shqyptar, siç ishte problem i alfabetit shqip, aprovu në Kongresin e njoftun të Manastirit. Hila pat gabu vërtetë, ndryshe s’do ta kisha kujtu ashtu siç e kam shkru. Meritonte një kujtesë publike se, edhe pse ministër i një kohe të zorshme, duhet me ditë se përparësi duhej dhanë përherë popullit dhe gjuhës së tij. Detyrat vijnë e shkojnë e parimet mbesin. Shqypnia ka kenë e do të jetë këtu sot e miljona vjet. Hila, si minister mori guximin me kritikue “ Hyllin e Drites” dhe drejtuesit e saj ( kujto mua ) dhe Kishën në përgjithësi, duke njoftu mbylljen e shkollave që drejtoheshin e mbaheshin nga Kisha Katolike dhe me shpenzimet e saj, aq ma tepër pse unë guxova me futen gjuhen shqype në këto shkolla, duke e shmang nga programi atë italiane.
Dhe ishte kjo që Ju, At’ Fishtë e titulluat “ Letër e hapun ministrit Hilë Mosit”
Hila e botoi shkrimin e tij që kritikonte Kishen në Fletoren “ Besa” me 4 nandor 1932 e unë ju përgjigja te “ Hylli i Dritës” në dhjetuer të po ati viti. Siç e kam thanë ma parë në një letërshkëmbim me At’ Pal Dodaj “ … kishem pasë përnimend nevojë me shfry zemren me dikë, përse aq jam i neveritun nga intrigat, te fitimet, tadhtitë, poshtërsitë, koprracitë, mbrapështitë e nga veset e tjera prej të cilave asht e përlyme Shqypnija… sidomos nga disa, demek të zgjedhun ministra e deputetë..” Ministri duhet të japë shembullin ma të denjë, kur bie fjala për të dalun në publik me shkrime e deklarata, për çeshtje të mdhaja kulturore kombëtare, siç asht arsimimi i brezit të ri. E, sall për të shfry mninë për kurrgjasend, në shpërdorim të autoritetit që ta ka dhanë populli. Duhet me ditë, se dhe atëherë, jo si sot, por kurrupcioni bani reperkusionin e vet tuj mos u bazu në vlerat e zotësitë morale e ditunore, por rrena, batakçillëku, dredhitë, akraballëku etj tuj abuzu me prestigjin komtar, e ulë atë deri ku s’shkon ma.
Meqë dolët të Kongresi i Manastirit, a mund të na thoni diçka At’ Gjergj, edhe për këtë vepër kombëtare të randësisë ma të madhe shqiptare, në të tana kohnat? Gjuha asht e barabartë me Kombin.
Ju besoj se dini, edhe pse shumë i keni fshehun të vertëten
historisë, për dy emna si imi dhe disa priftënve e hoxhallarëve . Kjo
temë ashtë aq e gjanë, sa sot e ksaj dite Shqypnia nuk e ka ba nji Komgres ma
të mirë, përpos atij me e prish shqypen, që u ban ë kohen barbare të
diktatorit. Kongresin e pati thirr Shoqnia “ Bashkimi” e Manastirit , i
ashtuqujtun Klubi i Manastirit me kryetar Fehmi Zavalanin , i cili kje
edhe mikëpritsi në shtëpinë e tij. Hollësi të tjera, mbas viteve 90-të mundeni
me i gjet sot boll e gjithëfarë sojit, por e vërteta asht se Ai, Kongresi i
Manastirit asht një Monument i Pashoq Kombëtar. Në mungesë të Mit’hat
Frashërit, që aso kohe ishte redaktor i dy revistave të njoftuna në Selanik “
Liria” dhe “ Dituria”, që nuk mundi me mbrri në kohë, përshndetjen e fillimit e
bani Fehmiu , si pritës i miqëve të ardhun nga krejt trojet shqyptare e e
klubet jashtë Shqypnisë dhe raportin e fillimit e mbajti Gjergj Qiriazi,që
mbajti edhe një ditar të posaqem për konsullin anglez dhe atë austriak,
dokumenta shumë të ransishëm që u gjeten tani sëvoni. Ai ishte një Kongres
gjuhësor, por që u diskutuan edhe shumë problem të politikës së asaj kohë, që u
mbajten shumë secret, për të cilat edhe sot nuk dihet kurrgja. Turqit e ndiqnin
me kërcënime, pasi ata dojshin me marrë për bazë alfabetin turkoarab e me rujt
sundimine tyne dhe ne gjuhë. Ditën e tretë të kongresit, i cili vazhdoi afro
dhetë ditë mu dha e drejta me folë. Mbas fjalimit tim, që si duket u bani
përshtypje, pasi unë cilësova se do ta pranojsha cilindo variant që do ta
miratonte Kongresi, e ransishme ishte me pranu variantin perëndimor, me bazë
alfabetin latin, pasi shqypja ishte pjesë e tij, delegati i Shkupit Hafez
Ibrahim efendi u shkëput nga salla dhe erdhmi më përqafoi. Ne ishim për kombin
aty e jo për vedi. Me votat e të tanve unë u zgjodha Kryetar i Komisionit të
Alfabetit e jo siç thuhet rëndomë, Kryetar i Kongresit. Kryetar i Kongresit
ishte zgjedh njeriu i ditun Mit’hat Frashëri. Ndamjet krahimore ishin të
dukshme, por parimet kombëtare, falë matunisë së delegatëve rrijshin përherë
mbi to. Duke shmnagë shkronjat arabe, greke dhe sllave ne vendosem shkronjat e
shqipes së njoftun në themelet e shqypes. Tre alfabetet e përdoruna u
zëvëndësuan në nji, por në përdorim të përkohëshëm u la dhe ai i Stambollit,
për konjuktura politike të momentit, si dhe për përdorimin e përhapun që kishte
në Shqypninë e Jugut. Botimet e kohës e diktuan këtë Kongres dhe, një rol
kryesor ka Abati Preng Doçi, i cilli me shoqninë “ Bashkimi” dhe krijuesit e
tjerë, i dha një zhvillim të jashtëzakonshëm gjuhës shqype me alfabetin latin ,
si bazë. Për themelimin e shoqërisë “Bashkimi”, “Kalendari i Maleve” i
vitit 1900 i Faik Konicës shkruante:
“Ma e madhia ndodhinë për kombin shqiptar më 1899, asht krijimi i shoqnisë
“Bashkimi” ne Shkoder, per përparimin e gjuhës kombetare. Kjo shoqni zgjodhi
për kryetar Imzot Prenn Doçin, Abatin e Mirditës. I shkëlqyeshmi Abat i
Mirdites ka me vedi besimin edhe uzdajen e gjith shqyptarve, te shka do fes qi
ne qofshim.”
Ndërsa unë mundem me thanë pëwr Abatin, pa u ndalë hiq me mendue, se nuk asht kund nji skaj Shqipnjiet, ku burrat e mendshem e të kalemit mos të kenë ndie e përmend ket emën. Kudo ndrit duka e tij, a nder Pari Kishe, a ndër Kren të vendit, ase ndër njerëz të diplomacisë, gjithkund i la nder vetit e nam kombit të vet.
Meqë ra fjala për Faikun, ai nuk na del se ka qënë pjesëmarrës në Kongres, At’ Fishtë. Dini gja për këtë rast?
Luigj Gurakuqi e kishte problem thirrjen e tij dhe, u gjet një mundësi, që Klubi i Manastirit t’ia çonte ftesën. Faik Konica, tuj mos qënë i knaqun me Alfabetin e Stambollit dhe, tuj pasë ba nji propozim tjetër, qi një vit ma vonë ta sillte ai nji program, nuk pranoi me marrë pjesë. Biles, me njëfarë arrogance pat shkrue nji artikull në “Albania”, me titullin “Kongresi i shqiptarëve xhon-turq të Maqedhonisë.”
At’ Gjergj, ju keni pasë rastin t’i përgjigjeni edhe Vladanj Gjorgjeviçit, për të shpifunat që kanë ba kundra kombit shqyptar, në librin e tij “ Les Albanias et les Grandes Puissances”, a mund të thoni diçka mbi të vërtetën?
Gjorgjeviçi ishte kap mbas kangës popullore, aq të njoftun “ Fryni era u çil taraba”, për ato skenat kur gruja përdor thiken. Asht e vërtetë qi në Shqypni, pos kangësh erotike, qi sigurisht shprehin psikiken shqyptare, aty-ktu ndihet edhe ndonji kangë popullore e pahijshme por, jo për kta mund të thuhet, me mend në krye se kombi shqyptar, s’ka ndjesi bujare e humane. Po të ishte se ne do të kapeshim pas ksi llojesh shprehjesh, mund të thojshim shumë ma zi për kombin serb, në mes të cillit, si dhe në mes kombeve të tjera, gjinden fort ma shumë kangë trivjale e të flliquna, se sa n’ mes të kombit tonë. E, ai “studius”, duhet me ditë ma s’parit, se ne kemi një visar të mrekullushem të kultures popullore, të mbledhun prej At” Vinçens Prenushit, në vepren e madhe “ Visaret e Kombit”. Dhe, e dyta, duhen pa qëllimet që ka kanga. Nga kush e pse duhet të msojmë, ose çka na lypen edukatoret e librat, në qoftë se nuk ndodhin kurrë fenomena negative te njeriu? Pra, edhe tekstshkruesi e ka pasë nji mendim para se me i mshua lapsit për nji kangë, ose mund të jenë histori të ndodhuna prej vërteti. Mendimi në këtë rast asht, qi n’për punë të keqe a të dhunshme, me ndëshkue ndonji punë tjetër ma të zezë e ma të randë, e me qitë në dritë veprat e mira qi njerzit i bajnë përditë. Në fund të fundit dihet se çka mund të bajë motra për vllanë! Ajo asht vërtet një histori makabre, por në jetë gjithçka mundet me ndodh!
At’ Gjergj, u faleminderit për gjithëçka na thatë dhe, besoj të takohemi prapë, sepse ne , vetëm sa e kemi fillue biseden.
Falenderoj edhe Kuvendin, që guxoi me m’thirrë në këtë bisedë.
Bisedoi: Pjetër Jaku, shtator 2001
Shenim: Polemikat e tjera dhe mendimet estetike, lidhjet miqësore, librin poetik “ Mrizi i zanave”, 1932, arkitketura dhe humori, lidhjet ndërmjet besimeve, titujt dhe gradat si dhe pse i ishin dhanë, akuzat që ishin ba nga regjimi komunist dhe e vërteta, etj. etj do t’i ndiqni në bisedat që vijnë ma vonë.
*Publikuar në revisten Kuvendi, Nr.4, Shtator 2001, fq.13-32, me fare pak korigjime