LETERSIA SHQIPE KA VETEM NJE RREZIK: HUMBJEN E KONTAKTIT ME LEXUESIN

ERNEST  MARKU

 

Ne pergjigje te pyetjeve te Revistes KUVENDI

Si mendoni për Letërsinë Shqipe, veçanërisht në periudhën postkomuniste?

A është në rrezik Letërsia Shqipe, dhe pse?

Pse, ende shitet më shumë letërsia e huaj në Shqipëri?

A ka letërsi Diasapora?

A ka autorë që mund t’i veçoni nga Diaspora?

A mendoni se krijuesit duhet të lexojnë më shumë se sa shkruajnë?

Cila duhet të ishte politika e botimeve, sipas jush?

A duhet të kishte një lloj orientimi për lexuesit, kritikë të mirëfilltë?

A mendoni se biznesi i shtypshkronjave, ku në shumë raste janë dhe shtëpi botuese, po e dëmton letërsinë dhe largon lexuesit?

 

Shtator, 2023

 

  1. Letësia shqipe asht nji letërsi europiano-përëndimore, në tërësinë e saj. Nëse deri më 1990, problem ishte censura dhe letërsia e ndaluar; në vitet e post-komunizmit, me autorë që paguajnë vetë botimin e veprave të tyne, kjo letërsi ka hy në vazhdën e nji keqkuptimi të madh, si në raport me misionin e mesazhet që transmeton, ashtu edhe në raport me mënyrën e të bamit letërsi.

2.Letersia shqipe ka vetëm nji rrezik: humbjen e kontaktit me lexuesin

  1. Letërsia e huaj shitet ma shumë sepse, përgjithësisht, ajo që përkthehet asht letërsi e mirë dhe e konfirmueme; kurse brenda letërsisë shqipe, duhet me gërmu shumë për me ndeshë në atë cilsoren. Nji arsye shtesë asht edhe fakti se, shpesh, lexuesi nuk bie dakort me qasjen historike ose ideore te autorit që po lexon.
  2. Diaspora ka letërsinë e inercisë dhe atë të mallit.
  3. Nga diaspora mundena me veçu Elvira Donesin, Gazmend Kapllanin, Ornela Vorbsin, Anilda Ibrahimin, Astrit Canin, Lea Ypin, Shqiptar Osekun, Elinda Markun, Ana Kim, Musa Jupollin, Zef Bardhin, Viktor Vokrrin, Tonin Nikollin, Irma Kurtin, Pal Sokolin etj. etj. pa harru se prej diasporës na vjen ndoshta letërsia ma e mirë klasike, po të kemi parasysh ktu Camajn, Koliqin, Konicën, Çajupin, Nolin, Asdrenin, De Radën, Gavril Darën, Sciroin, Sremben, Shirokën e plot të tjerë.
  4. Krijuesit e diasporës, kanë pothuejse të njajtat probleme me krijuesit mbrenda kufijve. Autocensura duhet me funksionu, edhe pse kjo asht nji cilësi e krijuesve me nji intuitë të veçantë dhe askush nuk duhet me rreziku me nisë me botu nji vepër të plotë letrare, pa i pas lexu ma parë, të paktën 1000 të tilla.
  5. Botuesit duhet me mendu ma shumë për emnin e shpisë së tyne botuese.
  6. Ka me pasë gjithnji lexues të veprave të dobëta dhe ndoshta kto janë ma të shumtit. Kritika shërben ma tepër për me kategorizu llojin apo stilin letrar, dhe jo për me ndërtu hirearkinë e vlerave në publik. Librin e mirë e konfirmon vetëm koha, por ndërkohë, dikush duhet me u kujdesë për krijuesit e spikatun. Shteti, biznesi, apo dikush tjetër? Nuk e di.
  7. Shtypshkronjat janë biznes, si çdo biznes tjetër; ktu mundet me u folë vetëm për rolin e shpive botuese. Sa u dhimbset atyne emni dhe sa t’interesueme janë me pasë nji emën prestigjoz?! Koha tash i diferencon edhe ato. Jena nji komb n’kapërcyell të historisë sonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *