Poezi nga Blerim RRECAJ

ZJARRE PRAGPRANVERE

Pa prit’
E pa kujtu’
Marrim udhë
E mbërrijmë këtu ku pikojnë pishat
Lotë bore e lotë shiu
Dhe hyjmë në katin e sipërm
Të këtij restauranti
Deri këtu çdo gjë e zakonshme
Derisa vije dikush që ulet pranë oxhakut të ndezur
Aty ku deshëm të uleshim ne
Po na u duk shumë nxehtë
E lulja pranë dritares
Ku rrijmë për qejf
Herë bisedojmë mes vete
Herë me telefona
Është oxhak pranë pranvere
Që borën në majën e Kodrës së Goleshit
Po provon me e ndez

KUR VIJNË MËRGIMTARËT

Kur vijnë mërgimtarët
Ditët ngjallen
Tjerafare bëhen
Me shpirt të përbashkët
Hedhim valle ritmike të gëzuara
Endemi nëpër këngë malli të (pa)harruara
Sofra shtrohen nëpër zemra
Nëpër vatra
Tjera frymëmarrje ndjehen
Nëpër mozaikë peisazhesh

PRAGVJESHTE

Në qiell u shtrua një qilim i bardhëllimtë
Paksa i hirtë me ca njolla kaltërsie
Dallëndyshet më s’po lodrojnë
Mbi ballkone banesash
Kjo do të thotë se vjeshta po na vije.

Qiell i përzier një shtrojë artistike
Varg varg i lirë, diku dhe me rimë
I këndshëm, i butë, i patër, i larë
E tund, e shkund e tremb zhyllkaosin
Si dordolec prej kashte diku në një arë…

ÇASTE PRAGDIMRI

Për shkak të një defekti
Dhe pasi nxemjet nuk funksionojnë nëpër klasa në objektin ndihmës
Djali i madh sot nuk është në mësim
Me të e lëmë të voglin në shkollë
Vet ulem në një kafene
E lë djalin me ca shokë të tij
Të hedhin bombola
Me drojë e duke e porositur për kujdes
Tinguj të lehtë muzike vazhdojnë
Ndërsa unë padashje e shtyej me brryl filxhanin me espreso që derdhet
Porosis një tjetër
E tash tinguj të muzikës popullore
Më bëjnë shoqëri
Dita jashtë e kthjellët me diell
Shiritat të këndshëm me dritëxixëndezura
Si perde të këndshme rrijnë në xhamat e kësaj verande
Ku lirohen e zihen tavolina
Në -google- filloj një kërkim
S’ mund të ankohem
Gjej dy-tri poezi të mira
Njëra prej të cilave është shndrruar në këngë
Në njërin xhep të palltos së dimrit
Ngjyra korbi kokëzezë e truppërhirtë
Gjej një monedhë metali 2 euro
Disi dhe këto do dalin nga xhepi
Që kushedi qe sa kohë aty ka mbetë
Kohë për t’u ngritur nga këtu
Ecejake rrugëve
Shoh një gjilpërë të puthitur për asfalti
Që kushedi mbase askush s’do ta marr
Për të qepur
A arnuar diçka

PERËNDIM DIELLI NË FUSHËN E KOSOVËS

Dielli
Lodroi e lodroi
Nëpër këtë ditë të qetë
U lodh e shkoi për t’u shtrirë
Si fëmijë në shtrat
Që këmbëngul ta dëgjoj një përrallë
Para se ta zë gjumi
E vërtiti kokën i habitur
Duke lënë gjithë ata vinça mbi qytezë

NDRITSHMËRI E ËMBËL

I hapa dritaren
Kësaj nate të ndritshme
Kësaj nate të ëmbël

LOJË E ILUSTRUAR

Dielli erdh e hyri për dritare
Si top tenisi
Po rri mbi radiator
Hëna po e kërkon
Po e kërkon
“Diell fshehe kryt’
Hëna po të lyp”…

KUI TË ZË SHIU

Duke ecur diku
Në hyrje kryeqyteti
Papritur ia filloi shiu

Me vrap ia mësyva
Te strehëz e are
Dy goma veture një mbi një
Që s’di se kush I mbante
Veç në cepin e epërm të gomës lart
Rrinte një parashutiste e luleradhiqes
Nxorra telefonin nga xhepi
Për të bërë një selfi
E pakënaqur më thërriste
Gruaja që vinte pas me fëmijë
Çka po bën ashtu o Blerim

Ia mësyva ka streha tjetër
Kokën vura nën të
Shiu që tash binte më shumë
Vazhdonte të m’I lagte këmbët

U zgjova
Vërtita në mendje ëndërrën që sapo mërgoi
Në këtë ditë të vranët e qiellhirtë
Kujtova copëza shirash
Që më zunë në zgjëndërr
Njëra prej tyre këto ditë

NGA NJËRA E SHTUNË TE TJETRA

Të shtunën që shkoi
U takova me një mik
Të shtunën që na erdh
Me tjetrin mik poashtu të vjetër
Në kryeqytet
Jeta po shkon
Sa zgjat ky tranzicion
Na kujtohet shprehja
E shtunë e shtatëqind vjet

MË MIRË T’I KTHEHEM ËNDËRRIMIT

Ëndrra mund të nis nga një copë bisede
Nga një vështrim fëmije
Nga një fluturim zogu
Nga një mikpritje njerëzish

Ëndrra mund të nis pas zgjimit nga gjumi
Nga pragu i shtëpisë paprit’ e pakujtu’
Sytë sapo i ktheva andej kah ëndërrimi
Ndonjëherë veten e ushqej edhe kështu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *