Shkresë vjeshte
Më shkruan një letër atje matanë mali
për ca pika shiu që rigojnë mbi ty,
aspak s’të vret reja që kohën ma ndali,
as njëmijë heshtjet që kyça me dry.
Më çon panoramën e vjeshtës së vonë
tek ecën mbi gjethe krejt qetësisht;
kësaj ane dhe deti prej kohësh rënkon,
qielli ul perden horizontit të brishtë.
Me gotën e verës që sjell nëpër gishta
vijnë fjalë gjymtake mbushur mëri,
Kambanat gjëmojnë në nota të trishta,
Olimpi i mallit na shembet ndër sy!
Kështu i sjell fundin përrallës pa emër,
kështjella e dhimbjes bie mbi ne!
Me ndoshta, s’ke bartur ndjenja në zemër,
s’ke mundur ta duash një qiell që ka re.
Ndaj, lermë ta ruaj këtë shkresë vjeshte,
plotpërplot ngrica, me shi dhe acar;
sa herë ta shfletoj do vras ndonjë heshtje,
pastaj, koha do m’vrasë si më parë.
Mehr licht
Prapë fjalët vërshojnë me lumin përposh,
një ëndërr rrëshqanthi tërheqin me osh;
ndër brigje ajo rreket të kapet pas guri,
po llavë e tërbuar dy duart ia zuri.
Në pritjen e agut minutat rëndojnë
dhe netët e gjata vetveten shumëzojnë;
sa nis e beson që sheh pakëz dritë,
nga hiçi ulkonjat ia behin në pritë.
Kur sytë kapin fundin mendon për ata:
ku ishin, si humbën, asnjë si s’u pa!?
Askush gjë nuk di, të gjithë të pafaj,
si ra, si u shua, si vdiq fat’ i saj…
Mbase…
Mbase, do pendohesh një ditë
e trupi të shembet nga dhembja,
nën diellin e vdekur te sytë,
me ndoshta, do rrojë vetëm mendja.
Kitarat do t’jenë çakorduar,
s’do këndojë as qyqja mbi pemë,
do mbesë poezi e pashkruar,
vajtimi që mbyll çdo poemë…
Mbase, kjo botë s’na përkiste,
s’mund të ishte e jona së gjalli,
do duhej që njëri të vdiste
dhe tjetri të mbytej nga malli.
Vallëzo
Mos pyet sonte për dhembjet!
Lëre ujëvarën e lotëve të derdhet,
shpirtin të zbrazet,
gjaku të kullojë pikë-pikë
bashkë me helmet e së shkuarës.
Zhytu në zhurmën e heshtjes,
ndiz një cigare,
kthe një gotë plotpërplot harresë,
mbyll sytë, dhe…
vallëzo!
Vallëzo me flladin e mesnatës,
zgjoje qytetin e përgjumur
me një tango hareje,
hapa çmendurie,
ulërima pasioni…
Vallëzo, gjer në dehje,
gjer në prehje!
Ndanë udhës së zagarëve
(buzë lumi),
një kor bretkosash
jep koncerte madhështore
natë për natë.
Ata do jenë spektatorët e tu,
udhëheqësit tuaj artistikë,
të qytetit pa aktorë,
pa teatër!
Do jenë melodia e qytetit pa muzikë,
fjala e poetit që ia vodhën poezinë.
Por ti, vallëzo!
Në djall muzika, teatri, poezia!…
Tregoji botës sa e lumtur je
mes natës së errët,
në qytetin e të vdekurve,
buzë lumit të zi!
NA I DINË MENDIMET E FSHEHTA
Jemi të vëzhguar i dashur!
Letrat e para, ata i lexuan të parët.
Tregëti fjalësh
transferta buzëqeshjesh
falsifikime mendimesh
këmbime mirësjelljesh të detyrueshme
ma patën zbeh dëshirën për ta çel kutinë postare
ndaj, të diktuan me një “klik” mbi ekran
para meje.
Po na mbikqyrin i dashur!
Na i dinë mendimet e fshehta
ndjenjat e kristalta
të thënat e hidhëta e të mjalta
të pathënat drithëruese…
na i numërojnë ardhje-ikjet
zënkat e pajtimet,
vuajtjet, dëshpërimet…
Janë kaq të përpiktë në oraret e takimit
sa të mrekullon përsosmëria e përgjimit!
Ua thamë të gjitha i dashur:
qysh se dashuritë i raportuam nëpër qelqe,
qysh se shprehitë i zdërhallem dritareve publike
qysh se iu falëm teatrit absurd,
duke i qesh vetvetes në paqyra ilustrimi!
Mandej, vjen zbrazëtia….
Qiell’ i vendlindjes sime
…të kam tradhtuar,
e di!
Prej kohësh jam duarlidhur
nga hekurat e shpëlara
të epokës së modernizmit.
Këtu nuk ka qiell,
horizonti është i mbyllur
nga ca përbindësha
që zmadhohen dita-ditës,
koha ndryshket para dritares sime
duke shqyer çdo copëz jete.
Bojërat e një piktori qesharak
lyejnë fasadat që nisen drejt teje,
imitojnë ngjyrat e fshatit tim
pa kuptuar se po bëjnë vetëvrasje.
Të mjerët!
Sikur ta njihnin kaltërsinë tënde,
aromën e sythit në lindje,
apo brengën e një gjetheje në rënie,
sikur të ta njihnin frymëmarrjen,
rrjedhën e krojeve
e lotin e vjeshtës së vonë…
Ah, sikur të t’njihnin ty,
qiell i vendlindjes sime,
me perëndimet – melhem zemrash
e lindjet – ringjallje biblike!
Askush si unë s’t’i njeh brengat,
askush s’t’i ka numëruar ikjet,
yjet askush s’t’i ka ndjekur si unë
pranverës njomëzake…
O parajsë shpirtrash!
T’i kam dashur të gjitha stinët,
t’i njoha gjithë lulet,
t’i numërova lisat rrënjë për rrënjë
e fije për fije ta preka barin.
Me gurët e tokës tënde
ndërtova një kështjellë ëndrrash
të cilën iluzionet e gënjeshtërta
ma shembën pa pikë mëshire.
Atëherë kisha puthur ikjen!
Si banore e fundit në tokë të bekuar
u nisa në mallkim…
Ta ktheva shpinën
pa kuptuar se tradhtia
mbante çmimin e errësirës.