NËSE S’ MË DO TANI…!
Nëse s’ më do tani
kur ndjehem e lënduar,
kur ndjehem zemërthyer
e me shpirt përvëluar
kurrë më mos guxo
të më thuash se m’ ke dashtë!
Nëse s’ më do tani
kur nuk kam asgjë,
kur tingujtë e këngës sime
nuk lëshojnë më zë,
kurrë mos guxo të ma përmendësh
çfarë përjetuam bashkë!
Nëse më lë tani
kur fati më ka lënë,
kur pikëllim e mërzi e çmendur
frymën ma kanë zënë,
shpalose urrejtjen time për ty
le të më dalë mbi asht!
Nëse më përbuzë tani
kur veten s’ po e dua,
kur jeta dhe vdekja
po lozin valle mbi mua,
çrrënjose dhe kujtimin
se dikur jemi dashtë!
Mos u thuaj “Lamtumirë”
njerëzve që na duan,
mos u thuaj “Lamtumirë”
as yjeve që na ndriçuan,
por, thuaju atyre
që fatin na shëmtuan!
Thuaju, thuaju ‘Lamtumirë”
e mallkoji fort,
atyre që hodhën akull
mbi dashurinë tonë të ngrohtë!
8 Shkurt 2005, Podujevë- Kosovë
DYNGJYRSHJA GJUHË E SHENJTË KUQ E ZI…!
E bekuar qoftë ajo gojë e Arbërit
që për herë të parë të belbëzoi,
e bekuar qoftë ajo mendje e ndritur
që me penë të artë në libër të shkroi,
o Gjuhë Shqipe, himni ynë i jetës
frymëmarrje e shpirt i Dardanisë
më e ëmbla gjuhë e kësaj bote,
o gjuhë hyjnore e Shqiptarisë!
O gjuhë mjaltë e dejëve të mi
në të cilën thërras nënë, baba, motër e vëlla,
o trung me degë gjuhësh i tonës lashtësi,
si ti e pasur askund nuk ka,
sa herë qajë, qeshë, e ligjeroj si trime
shkruaj vargje e këngë këndoj,
ndër shtatë palë qiej e tokë,
o gjuha e babait e e nënës sime
s’ bashku me ty fluturoj!
O gjuhë shqipe, ujëvarë margaritarësh
që përfaqëson shpirtin tonë pellazg të dëlirë,
që shkumbëzon kaltërsi Valbone e Mirushe
e që ndër zemra këput çdo zingjirë,
asnjë gjuhë tjetër, madhështinë tënde
jo, në botë nuk mund ta ketë,
se me këtë gjuhë magjike e hyjnore
edhe Qielli me Diell e Hënë e Yje flet!
Gjuhë shqiponjash e e skifterësh
gjuhë burrëreshë nënash të kësaj toke heronjve,
gjuhë e Skënderbeut, Ademit, Zahirit,
e të gjithë mbledhur Shqiptarisë Dragonjve,
gjuhë e Veqilharxhit, Gurakuqit, Mjedës,
Naimit, Fishtës,Nolit, Migjenit,
që i jep gurgullima e dallgëzime të ëmbla shqipe
Drinit, Bistricës, Llapit, Bunës, Shkëlzenit!
O nina-nana e shenjtë në çdo gojë shqiptari
që me shkronja ari u këndove e u gëdhende në djep,
pa shkronjat tua s’na shkruhet as gur varri
e s’ mund të thërrasim det, mal, lis e as plep,
ligjëro me pastërti kroi, në çdo gjë shqiptare,
ashtu siç ligjërove ndër brezni,
o gjuhë shqipe, gjidhënëse e të gjitha gjuhëve,
dyngjyrshja Gjuhë e Shenjta jonë Kuq e Zi!
KËTU MË LUMTURON E MADHËSHTON DARDANIA…
Kam shetitur unë
metropolet e gjithë botës,
kam shkelur mbi rrugë të asfaltuara
që shkëlqejnë nga pastërtia,
por, askund nuk gjeta dheun e shkriftë
me aromë të time tokës,
ku të mund të më gjejë prehje shpirti
e këto këmbët e mia!
Kam parë bukuri përrallore
alpeve europiane,
ua kam shijuar aromën e freskinë
luleve të tyre, të malit e të fushës,
por, askund s’ më lumturuan
si thëllënëzat e lulëkuqet amënore të Llaushës,
kur agoja me to mëngjeset ndër grunaja,
duke më ledhatuar me gaz e hare gushës!
Kam dëgjuar e kënduar këngë magjepsëse,
të shumë kombeve të tjerë,
kam lexuar e recituar vargje të poetëve,
botërorë me shumë nam,
por, asnjë, si kënga e vargu shqip s’ pat vlerë,
e shpirti s’ ma ka ndjerë,
as s’ mund ma verbuan Muzën time trungilire,
që jam e stërlumtur që e kam!
Ndër rrokaqiej madhështorë , larg vendlindjes,
kam dëgjuar shiun të trokasë n’ dritare,
fërfëllazë ere e reshje bore,
me më të magjishmen ëmbëlsi,
por, askund këta tinguj,
s’ më tingëlluan në vesh si gurgullimë ujëvare,
si në shtëpitë e kullat atërore prej balte e guri,
zemrës sime s’ i sollën kënaqësi!
Vizitova varreza të huaja,
të shkrira në mermere e bronz,
të stolisura, stërmbushura me lule ylberore,
që me sy nuk u kapej fundi,
por, n’ gjithsecilën spektatore shpirtnjeri e huaj mbeta,
nuk ndala, nuk qava, s’ më erdhi të vuaja,
se, asnjëra si varrezat rrethuar me lule kamomili arbërore,
dhembjen e mallin s’ ma lëkundi…!
Ngado që frymova,
punova, vallëzova, jetova,
askund s’ e lash gazin e lotin
që ma fali nënë Kosova.
Këtu ku ndihet fyelli e tupani,
lahuta e ciftelia,
këtu më vie erë vatani,
këtu më flenë e më zgjohen mendtë e mia,
këtu më lumturon e madhështon Dardania,
këtu frymon Shqiptaria!
25 O8 2021 PODUJEVE KOSOVE
CILA SOT SHIJON MË SHUMË…?
( Për Ditën e Puthjes )
A aromë dehëse e blirit,
a puthja jonë sot më shumë shijon,
gjithë telat e shpirtit e rrahjet e gjirit
cila më shumë sot na i trazon?
A aromë bari, mbush plot lule,
a degë pishe, përplot bilbila e pëllumba, vallë,
a puthja jonë plot pekule
afsh rinie prap na ngjallë?
A valëzim magjik e mahnitës liqeni,
me ujë kristal mali përrallor,
apo bashkim i buzëve tona të dashuruara
bekuar me afsh hyjnor?
A shije e ëmbël e verës së kuqe,
a aromë çlodhëse kafeje,
a puthja jonë e dëlirë e pa truqe
sfidon blerimin e malit skaj reje?
A aromë rozmarine, portokalli e shege
a zall i nxehtë e shkumbëzim vale deti,
apo puthja jonë nën reflektim dritash e drurë mështege
e nën tinguj serenadash qyteti?
A ndriçim Dielli buzëmbrëmjeje të kësaj vere,
a reflektim fytyre Hëne mbi lum,
a puthja jonë shkëmbyer nën puhizë ere,
cila ka vlerë sonte e shijon më shumë?
Athua çfarë sonte shijon më shumë,
athua çfarë shijon më gjallë,
apo kur shkëmbejmë puthje ndëvete ne të dy
gjithçka përreth nesh mbetet përrallë?!
VARGU IM ME GJEN SHQIPTAR…
Vargu im për zemra të bardha e të dëlira
U bëftë koshere me mjaltë,
për ndërgjegje e fytyra të nxira
moçal më i thellë me helm e baltë!
Vargu im për nëna e baballarë arbërorë
u bëftë majë mali, më e ndritshmja borë,
në fletore, në libra të nxënësve të mbarë,
valoftë si flamur më i kuq arbëror!
Vargu im u bëftë për piktorë
më e mira e ylberorja magjike brushë,
më i ndritshmi yll, në qiellin atëror,
më e bukura e erëmira manushaqe në fushë!
Vargu im shtoftë në zemra dashurinë,
lidhtë ura, lumenj, detëra e brigje,
muroftë kulla, shtëpi, kala për njerëzinë,
fjalës së drejtë i haptë të bardha shtigje!
Vargu im u bëftë
më e ëmbla e dashurorja ninulë,
e dalë nga gojë nënash shqipe,
për buzëqumshtë foshnjat në djep,
e trimave, martirëve
emblemë lirie n’ kësulë,
në malin letrar shqip
më i larti e i drejti plep!
Vargu im, në çdo shtëpi
u bëftë më i ndritshmi kandil,
më e virgjëra e e stolisura
nuse ndër dasmorë,
trëndafil i kuq në kopshtije,
më i zëshmi bilbil,
mëngjese me rreze t’qëndisura,
fllad dehës veror!
Vargu im i mirë
harboftë i lirë mbi re,
lëshoftë papra, që andej,
shi pa bubullima,
vallëzoftë, ëndërroftë, lumturoftë pa fre,
e kurrë në tokën amë
mos lëshoftë vetëtima!
Vargu im u bekoftë,
zemra të ngurta trimëroftë,
nga depërtoftë ndriçoftë,
errësirën verboftë!
Vargu im i mirë,
i shkrirë e i skalitur në ar,
çdoherë mbettë i dëlirë,
i Kosovës varg shqiptar!…
01 Shtator 2021 PODUJEVË KOSOVË