(mbi romanin “Dashuri diktatori” të shkrimtarit Xhevat Mustafa)
Kishte disa vite që miku im, Xhevat Mustafa, publicist, analist dhe shkrimtar, punonte për këtë roman. Sfida ishte e madhe, vërtet. Jo vetëm se për diktatorin tonë komunist, Enver Hoxhën, kanë shkruar edhe të tjerë, dr
ejtpërdrejt ose tërthorazi. Por sepse, këtë radhë, duhej pasqyruar letrarisht, në gjininë e romanit artistik, një tipar i veçantë mizor i karakterit të tij, shpirti hakmarrës ndaj kujtdo që nuk e kishte pëlqyer, madje edhe përbuzur, në rininë e tij, përfshi këtu edhe disa vajza.
Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Gjirokastër, Korçë e Tiranë, duke filluar nga fundi i viteve 20 të shekullit të kaluar, deri në prillin e vitit 1952. Në atë kohë diktatori i ardhëshëm njihet me dy vajza shqiptare nga qyteti i lindjes, me Sabiha Kasimatin dhe Musine Kokalarin si dhe me Aurelian, vajzën e një punëtori Italian, po në atë qytet. Të tria të bukura, sigurisht, por edhe me karakter të fortë. Duke e njohur bashkëvendasin e tyre bukurosh, por me tip Don Zhuani, nga afër, asnjëra nuk guxonte t’u përgjigjej flirteve të tij, ndonëse për mirësjellje bisedonin dhe shoqëroheshin me të. Kjo gjë e nervozonte dhe e cimbiste jashtëzakonsisht sedrën e Enverit, që më kot e dëshpërimisht këmbëngulte në propozimet e tij. Jeta studentore i shkëputi të gjithë përkohësisht nga bezdisjet e djaloshit deri sa vajzat shqiptare dhe Aurelia gjetën shokun e tyre të jetës. Njëkohësisht të parat i përqendruan energjitë e tyre në studime të mirëfillta shkencore dhe letrare. Ndërsa Aurelia iu përkushtua familjes që krijoi me bashkëatdhetarin e vet, Xhuzepen, punonjës i Bankës Italo-Shqiptare. Nga ana e tij, Enveri nisi jetën e nëndheshme politike dhe u bë ai që njohim të gjithë, kreu i Partisë Komuniste dhe, më pas, i shtetit totalitar në Shqipëri.
Pikërisht në këtë kohë nis edhe tragjedia, jo vetëm e tri grave rreth të cilave thurret romani në fjalë. E para e pëson Musineja, madje pa u “çliruar” ende Shqipëria. Me urdhër të shefit komunist, u pushkatuan pa gjyq, bashkë me dhjetëra të tjerë në Tiranë, edhe dy vëllezër të Musinesë (I treti shpëtoi sepse e kish zenë malarja dhe partizanët që shkuan ta marrin përtonin ta bartnin deri te vendi i ekzekutimit- ky ishte Hamiti që në Kosovë vlerësohet për veprën e tij :Kosova –djepi i shqiptarizamit”). Musinenë vetë, e burgosën pak kohë pas vendosjes së regjimit totalitar dhe më vonë e internuan deri sa ajo ra në depresion, u sëmur nga kanceri dhe vdiq në Rrëshen të Mirditës. Thonë se kufomën e shpunë në varreza vetëm me karrocën e ndërmarrjes komunale. E dyta e pësoi Aurelia. Ia arrestuan të shoqin në Bankën e Vlorës, të cilin e akuzuan “për vjedhje të pasurisë së shqiptarëve” dhe e dënuan tetë vjet burgim në Burrel, nga ku nuk doli i gjallë. Vetë Aurelia mezi arriti të riatdhesohej në Itali me të birin, motrën dhe prindët. Sabihasë iu rezervua një fund më i tmerrshëm: u arrestua në gjendje të sëmurë, pa fakte, një mesnatë, bashke me 21 intelektuale të tjerë, në 19 shkurt 1951 dhe u pushkatua në grup, më 26 shkurt të po atij viti, në një fshat afër Tiranës.
Këto fakte janë bërë të njohura për publikun këta 30 vjet në demokraci, por në roman, sikurse thashë në fillim, ato paraqiten artistikisht, përmes skenash të larmishme, bisedash, si të viktimave, ashtu edhe të figurave të tjera të pushtetit, si Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Nako Spiru, Omer Nishani, etj.
Duke e lexuar ngadalë dhe me vëmendje tërë romanin, kam përjetuar shumë vuajtje shpirtërore, pasi mu rikujtua ajo periudhë e errët mesjetare e vendit tim, ku edhe unë e kam pësuar jo pak. Shpesh në ëndërra kam parë edhe makthe!
Romani është një kallëzim ndaj regjimit mizor enverist, që e kaploi Shqipërinë tonë të vogël e të shumëvuajtur, të paktën, për 46 vjet! Mjerisht, shqiptarët ende nuk e vlerësojnë atë regjim, njëjtë sikurse e vlerësojnë psh gjermanët dhe italianët nazizmin dhe fashizmin! Por për ato regjime është shkruar mjaftueshëm, sa askush nuk i lavdëron më, madje ka turp edhe t’i përmendë!
Bardhyl Selimi, 19 gusht 2021