POEZI NGA LULEZIME MALAJ

Kam parë heshtje..

Kam parë heshtje dramatike me britma,

Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!

E kam parë në një shtëpi të braktisur;

Memece.. dhe maskuar syrin e verbër!

Heshtja ime i ngjet një melodrame;

Nga të qeshurat brinjët lidh me shall,

Pastaj rebelohet, i bie me grusht ajrit

Dhe duket, sikur më çon në djall!

Ndodh që heshtja rri tek unë mërzitur;

Lamtumirën më lë, ngritur dorën shtizë,

Por në muzg, kthehet sërish’ tek unë

Ka pasaportë, po nuk ka vizë!

Ajo seç ka ca gjëra të çuditshme, etruske; 

Sytë e saj të dashur me kod i deshifroj

Me të qeshurat e saj, ndërtoj mëngjeset

Dhe gjithë botën, ndërtoj! 

Unë gëzohem, kur ju shoh kaq të heshtur;

Në heshtje rrin’ dhe yj’t e ndrijn’ një botë

Kësaj bote të heshtur që lëngon në borë,

I falni dashuri dhe klimë të ngrohtë!

Kam parë heshtje dramatike me britma,

Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!

E kam parë në një shtëpi të braktisur;

Memece.. dhe maskuar syrin e verbër!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *