Letër nga New York-u
Poezi nga: Lulëzime Malaj
Mbi rrasën e pusit pran’ shtëpisë, ulur rri e mendoj:
Për kujtimet e fëmijërisë, që m’trokasin fort’ në portë.
Ç’rastësi! Një mesazh në celular më befasoi,
Vjen nga im kushëri, që banon në New York.
A e mban mend motër, më thotë, – Kur ishim fëmijë,
Kur luanim me porta, me topin tonë prej lecke?
Sa herë ti më bëje hile në gjuajtje penalltije,
Edhe hëna mërzitej e ndukte faqet si rrecka!
Kur gjarpëronte makina-postë tej në xhadetë,
Në barkun e saj të bardhë zienin: lajme, mall…
Derdheshin n’ato letra: hallet, brengat, dashuritë,
Ne e ndiqnim me sy, atje, rrëz’ një pllaje në mal!
Kur ngjiteshim nër degët e manit në avlli,
Me gjethe na puthte në gushë e faqe!
A e di? Për ato perëndime t’purpurta m’ka marr malli,
Për të bukurat vashëza, që binin erë manushaqe!
A të kujtohet motër, kur laheshim te gjoli,
Dhe unë një ditë, mend’ ti bija me not n’bregun tjetër?
Porse në mes të gjolit, shkuma më doli,
Ndërsa ti qeshje, perëndimi digjte shallin e vjetër!
Këtu më zihet fryma, nga rrëmuja.. molisëse…,
Qiejgervishtësit, pronësojnë kaltërsirën an’ e kënd.
Për aty m’rri mendja, nën kuben e drurëve në harlisje..
Pezull si mjegull e tejdukshme, e avullt, e ergjendtë..!