Nga Agim Xh. Dëshnica
Në marsin e mjegulluar të vitit 1965 në atdhe, lajmi i ikjes së Nolit nga kjo botë, në datën 13, u përhap me vonesë, pothuaj i shuar. Tek ecja mendueshëm me hapa të ngadaltë në muzg nëpër trotuarin e rrugës së Kavajës, dëgjoja kumbimin e përvajshëm të kambanave të Kishës Autoqevale Ortodokese Shqiptare. Natën vonë shënoja në ditar:
“Jo! S’ka më Fan Nol… Mbi buzët e tij prehet heshtja. Dora e tij e lëshoi penën e artë. Iku e na la vetëm në këtë botë mundimesh e fluturoi në pambarim për të zbukuruar kostelacionin e yjeve tanë të pashuar, pranë De Radës, Samiut, Naimit, Mjedës, Fishtës e Konicës…
E ç’humbje më e madhe mund t’i ndodhte këtij vendi se sa ikja e Noli!? Tani ndërsa dëgjoj në muzgun e mbrëmjes këmbanat e përzishme e të vetmuara, shoh se atje, largatdheut, një brerore e artë dhe e shenjtë paqeje e ka qarkuar dhe ne një hidhërim i rreptë na ka pushtuar. Veç një besim na ngroh zemrat, se vepra e tij e madhe, do të jetë diell për Shqipërinë. ..“
Ajo kishë e dhunuar nga diktatura në 1967, tashmë u është kthyer besimtarëve shqiptarë, por mjerisht aty mungon shtatorja e Peshkopit Theofan, ndryshe nga Katedralja Shën Gjergj në Boston, me bustin e bukur në hyrje dhe portretin e lartë në holl, ku si shenjtë ai buzëqesh.
Nga shkrimet përkujtimore veçojmë:
Dielli, janar – mars, 2005.
Imam Vehbi Ismaili, në ligjëratën e vitit 1965, u shpreh: “Fan Noli u bë prift, që t’i shërbente më mirë Shqipërisë. Fan S. Noli ishte drita, ishte syri i gjithë bashkatdhetarëve të tij të mërgimit. Bashkë me të në krye, luftuam me çdo mjet për të liruar dhe për të mbrojtur vendin e lindjes.”
Ndërsa nacionalisti Baba Rexhepi e quan Nolin: “Frymëzues të parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin e të gjitha lëvizjeve patriotike, fetare e të kulturës në këtë vend të bekuar; lule të simbolit, të bashkimit dhe të mburrjes kombëtare, si para botës shqiptare dhe para botës së huaj.”
Monsinjor, Dr. Zef Oroshi: ”Dijmë se Fan Noli nuk qe vetëm Ipeshkvi i Ortodoksvet shqiptarë n’Amerikë. Ai qe njeri i aktivitetevet të mëdha e të shumta. Megjithatë, ai mbetet i pavdekshëm për themelimin dhe udhëheqjen e Kishës Shqiptare n’Amerikë. Ai qe letrar i mirë, poet, historian, kritik, poliglot, orator, muzikant dhe megjithëse, për pak muej qe dhe i pari Kryeministër i Republikës Demokratike të Shqipnisë, koha nuk e priti, që as të krijohej nji Kushtetutë demokratike, drejt zhdukjes së obskurantizmit shekullor aziatik, drejt nji shteti modern, me të drejta të barabarta, me nji ndërgjegje të plotë, të pastër nacionale.”
Ernest Koliqi: “Stefan Stilian Noli, një ndër personalitet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet si nji fytyrë poliedrike, d.m.th. e shumanëshme.“
Hasan Dosti: „Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit tonë. Ky simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.“
Agim Vinca: „Noli nuk qe asnjëherë indiferent karshi dramës tragjike të popullit shqiptar të mbetur padrejtësisht jashtë kufive shtetërorë, pas vitit 1913, edhe pse kishte lindur jashtë atdheut, në një koloni në Turqinë Evropiane, ai do ta shohë Shqipërinë, jo si torzo të vitit 1913, por si tërësi etnike. Si krijues, si publicist edhe shpirtëror, por edhe si burrë shteti, ai e ngriti zërin kundër dramës tragjike në Jugosllavi dhe në Greqi, në regjimet e tyre monarko-fashiste, në vitet 20 – 30 të këtij shekulli, por edhe më vonë. Kosova dhe Çamëria ishin për të plagë që kullojnë gjak në trupin e kombit.“
Prof. Robert C. Austin: „Zëdhënësi kryesor i një Shqipërie republikane dhe të demokratizuar ishte Peshkop Fan S. Noli, i vendosur të çrrënjoste trashëgiminë 500-vjeçare të sundimit osman. Edhe pse pa dyshim ishte e dukshme për momentin, fitorja e përkohëshme e Nolit përfaqësonte mundësinë e fundit për ndryshimin e doktrinës qendrore të politikës së brendëshme dhe të jashtme të Shqipërisë.“
Leka I: “Lajmi i hidhët i humbjes së patriotit të madh, Monsinjor Nolit, na shqetësoi së tepërmi. Shërbimet e mëdha, që i ka sjellë Atdheut kanë qenë e mbeten përgjithmonë të çmueshme. Shpirti i Tij u qetësoftë në paqe e qetësi! „
Princi Skënder Zog: “Fan S. Noli ka qenë një patriot dhe shkrimtar i madh.”
Sipas Sotir Pecit, Noli ishte “apostull i madh i dërguar nga Krishti, për Shqipërinë.” Ndërsa Andon Frashëri shkruante: “Fjalimet e tij të drithërojnë e të japin zemër; këtu të ngrejnë në qiell, aty të përplasin për tokë, të ndezin, por dhe të zbusin e të qetësojnë dhe dendur të bëjnë të qeshësh e të derdhësh lot gëzimi.” Shto kundërshtarët, qofshin edhe ata më të rreptët, që, pas qëndrimesh të padrejta, u përulën me nderim para tij.
Të “fortët”, “profesorët nolistë” të djeshëm, këto shkrime e deklarata nuk dëshirojnë t’i prekin. Dje u digjeshin duart, sot u mpihen.
Rrëfimi i Nolit, vargu i gjatë i dokumeteve dhe i shkrimeve nga autorë të shumtë, hedhin dritën e së vërtetës, për jetën e tij politike në përputhje me fazat e zhvillimit të ngjarjeve historike. Udha e shkelur prej këtij patrioti të madh, duket qartë tek shkon drejt përëndimit të praruar europian dhe amerikan, për mirëqenien e popullit shqiptar e lulëzimin e Atdheut.
Në 1906 në Boston do të niste veprimtarinë kushtuar çështjes së madhe të lirisë dhe pavarësisë së atdheut patrioti i madh demokrat shqiptar, peshkopi, poeti, shkrimtari, shqipëruesi, historiani, muzikanti, shtetari dhe oratori i paharruar, Fan S. Noli. Nëse dikush do të hulumtonte veprën e tij, do të ndodhej përballë një mali të lartë të vështirë për t’u ngjitur. Pasi Noli ndërroi jetë, njerëzit nisën të numërojnë librat e botuara. Numërimi arriti shifrën 44. Por a janë gjetur të gjitha, ndër to edhe dorëshkrimet në shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, greqisht, spanjisht, danisht etj?
Të ngarkuar nga Akademia e Shkencave e RPSSH, sipas udhëzimeve nga lart, „profesorët përzgjedhës” në vitet 1987-89 u orvatën të pakësonin numërin e librave të Fan S. Nolit, duke i ndrydhur në 5 vëllime, me emërtimin “vepra të plota”, ndër to Albumin-I 1948 me poezi origjinale. Pas tyre shqipërimet, Korbi, Anabel Li, poema Skenderbeu, Rubairat etj. Në vijim Historia e Skënderbeut në tre versione: e para, e vitit 1921 me shqipen e Nolit, e dyta, e vitit 1947 e përkthyer nga anglishtja në shqip, e treta e vitit 1950 me shqipen e Nolit, më tej Princi i Makiavelit, Bethoveni dhe Revolucioni, gjithashtu në shqip, përkthyer nga Xh. Lloshi, dhe publicistika jo e plotë, kurse Albumi-II nuk u botua kurrë. Më 1996 nga N. Jorgaqi u botua vëllimi 6 (Autobiografia), përkthyer nga A.Kristo, shkëputur nga libri „Pesëdhjetëvjetori i Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë-1908-1958”, edhe ky mbetur jashtë veprave. Në vëllimin 6 u përfshi vetëm një pjesë e ligjërimeve dhe e letërkëmbimit, po ashtu në shqip, përkthyer pjesërisht nga një grup përkthyesish. Qysh pas vitit 1990 me botimim e veprave të Nolit janë marrë disa Shtëpi Botuese private, publicistë dhe redaktorë të shumtë, jashtë institucioneve shkencore. Në vitin 2002 nga Shtëpia Botuese Dudaj dolën në qarkullim ligjërime më të plota në shqip, disa të përkthyera. Ende nuk dihet fati i librave të tjera letrare, shkencore muzikore, fetare, i letërkëmbimit si edhe i dorëshkrimeve.
Deri më sot nga historianët e shkrimtarët tanë, nuk po shohim asnjë shkrim apo libër të mirëfilltë, pa shtrembërime për këtë kolos të kulturës shqiptare, megjithëse kanë si burime të pastra veprën e tij, shkrimet e bashkëkohësve, si Faik Konica, Mitrush Kuteli, Andon Frashëri, Qerim Panariti etj. E ç’mund të mësojë lexuesi shqiptar nga ndonjë studiues me mungesa dijesh historike, i cili njeh vetëm një prej tre librave të Nolit për Skëndërbeun, atë të vitit 1921, dhe ngazëllehet me çmitizimin e heronjve të historisë!
Duke shfletuar në kohë të ndryshme enciklopedi të shumta amerikane, angleze, gjermane, greke, italiane etj. vihet re, se në njerën prej tyre, si Webster’s Biographical Dictionary-1965, (Uebsters Biografikal Dikshënëri), Fan S. Noli rreshtohet krahas shqiptarëve të tjerë të shquar në histori, si Gjergj Kastrioti – Skënderbe, Klementi XI, Aleksandër Albani, Jovan Gjergjilame, Mehmet Ali Pasha, Jovan Bardi, Ali Pasha – Luani i Janinës, Aleksandër Moisi, Gjergj Fishta, Mbreti Zog (Skenderbeu III). etj.
Ashtu si veprat e Shekspirit edhe ato të Nolit kanë mbijetuar fuqishëm, plot freski me tërë vlerat patriotike, shoqërore dhe artistike për të gjitha kohët. Të shkruara pas vitit 1924, poezitë e tij i shërbyen kombit, edhe më 1941 ndër librat e shkollave shqipe në Shqipëri. Edhe në 1943, kur Mitrush Kuteli nxori në dritë librin Mall e Brengë me krijimet e Nolit. Me botimin e Albumit I në Boston më 1948, në kulmin e diktaturës në Shqipëri, ato do të merrnin një kuptim krejtësisht të ri. Shumëkush ndër ‘to do të shijonte jo vetëm artin, por do të gjente edhe ndjenjat e mendimet e veta liridashëse. Të tilla ishin Hymni i Flamurit, Moisiu në Mal, Syrgjyn Vdekur, Shpellë e Dragobisë, Marshi i Barabajt, Rent o Marathonomak, Anës Lumejve, etj. Kundër përcaktimeve fyese e shtrembërimeve të „përzgjedhësve“ soc-realistë, ai është Krishti e Muhameti, Omar Khajami e Shekspiri, të gjithë këta të ringjallur, se flasin me gjuhën e bukur shqipe. Është Bethoveni vetë, është flamuri “fushëkuq e shkabëzi”, i cili „bashkon islamin me krishtërimin“; është “shkaba” me krahët hapur, që vigjëlon nga lartësitë e maleve mbi të gjithë Shqipërinë Etnike dhe sodit me shpresë e besim perëndimin e artë, nga i cili priste të shfaqej dielli i demokracisë. Poezia dhe proza e Nolit i ngjan një pylli të dendur në zgjim në kohë pranvere plot larushi ngjyrash e tingujsh, një pylli të gjallëruar, diku me fëshfërima lulesh e gjethesh, diku me bubullima e krisma të largëta, gurgullima krojesh e mërmërima ujërash të pastër. Mjafton të japim disa copëza nga këto krijme të dala nga pena e tij e artë, të cilat pas leximit, madje edhe pasi dëgjohen, mbeten të pashlyera në kujtesë. Kështu mund të thuhet edhe për prozën e Nolit, që shpesh merr ngjyrimet e një poeme, siç është “Kthimi i Skënderbeut në Krujë”:
“Qindra vjet më parë, kur Shqipëria nxirrte vetëm trima dhe luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës, te kështjella e Kastriotëve, rrinte pranë zjarrit, mbi poltronë veneciane, një zonjë bujare me flokë të bardhë e me rroba të zeza, me një fytyrë të hequr, të tharë e të vijosur prej hidhërimeve, si ndonjë e shenjtë madhështore që vuan e mundohet, por s’e thotë. Qe pincesha Vojsavë, e veja e Gjon Kastriotit, e ëma e Skënderbeut.
Jashtë veriu i egër i maleve të Shqipërisë po frynte si i tërbuar, vërshëllente si i marrë nëpër vrimat dhe mazgallat, përziente valët e Adriatikut të fryra, perçeshkumë, që përpiqeshin si kuçedra, fishkullonte si me kamxhik shkëmbinjtë e lartë që oshëtinin dhe gjëmonin. Qyteti i Krujës, qe si i shkretuar. Në fortesë valonte flamuri i Turqisë.
Brenda në kështjellë mbretëronte një qetësi, si një heshtje varri. Asgjë s’pipëtin. Njerëzit atje s’flasin dhe baresin ngadalë në majë të gishtërinjëve, sikur ka ndonjë të vdekur në shtëpi. Zonja me flokë të bardhë e me rroba të zeza i afrohet më tepër e më tepër zjarrit që të ngrohet, por më kot. E ka zemrën të ngrirë. Shtëpia e saj ka mbetur pa burrë, pa zot. Katër djemtë që kish ia mori Sulltani si peng, tridhjetë vjet më parë. Tre prej syresh të helmuar; i katërti s’dihet a është gjallë. Po dhe në rron, a do të kthehet vallë ndonjëherë? Vallë a e mban mend t’ëmën, t’anë, Krujën, Shqipërinë, se qe çilimi kur ia rrëmbyen nga krahët? Dhe princesha Vojsavë qan e i lutet Perëndisë duarlidhur, zemërthyer: ”Tre m’i more për mëkatet e mia, të katërtin ma fal, mos ma merr o Zot; mos na e mbyll shtëpinë!”
Në mur, përsipër vatrës, varet një shpatë e kohëve të vjetra, që s’e ngre dot njeri i sotmë as me dy duar. Qe palla e Kastriotëve, e mbajtur brez pas brezi prej trimave që nxori ajo derë e shkëlqyer. Turqit e shkelën dhe e plaçkitën kështjellën, por pallën s’e nganë, se asnjë s’qe i zoti ta përdorte. Vojsavë e varfër ngre kryet shpesh, sheh atë shpatë dhe sytë i mbushen me lot. Qan nëna për një bir, qan shpata për një burrë! Ç’u bë ai djalë, ku është ai trim? Gjer kur do të valojë mbi fortesën e Krujës ai flamur i urryer i tiranit të huaj? Gjer kur do ta presë nëna të birin, Kruja të zotin, Shqipëria t’anë, bota trimin që s’ka shok?
Po menjëherë hapet dera dhe hyn brenda një luftëtar i hijshëm, fisnik dhe madhështor, hundëshkabë, sypetrit, me mjekër të gjatë e të dredhur, i veshur me çelik, i armatosur gjer në dhëmbë, statuja e gjallë e Marsit. Vojsava kthehet, e shikon, përpiqet të ngrihet, po qëndron si e ngrirë nga ajo pamje e papritur. Fërkon sytë, se mos sheh ëndërr. Luftëtari që hyri është gjallë i shoqi, Gjon Kastrioti, po më i ri, më i bukur, më i lartë…
-Në mos je hije a fantazmë që vjen të gënjesh një plakë të vjetër, një qyqe të neveritur, ti je im bir, ti je Gjergji im. Fol! Mos më mundo!
Po luftëtari nuk flet dot. Ai, që s’i ishin vrejtur sytë kur i binin shigjetat dhe gjylet, si breshër mbi supet; me qindra të vrarë e të plagosur rrotull, qan tani si çilimi, bie më gjunjazi, i puth dorën princeshës së nderuar, po lotët e mbytin dhe s’thotë dot: Unë jam!
Po nëna e mori vesh. E njohu nga syri, e njohu nga fytyra, e njohu nga sjellja. Pastaj e njohu më mirë Shqipëria dhe bota nga ajo që bëri. Ai qe i tërë dhe i gjallë Gjergj Kastrioti, Princi i Krujës, Konti i Matit, dhe Zoti i Dibrës, që u quajt Skënderbej nga Sulltani, Mbreti i Shqipërisë, dhe i Maqedonisë prej Papës.“
Noli njerëzor, i dashuruar pas lirisë dhe armik i çdo diktature në mbarim të jetës la një poezi kryevepër me titull „Sulltani dhe Kabineti“, e komentuar nga një varg kritikësh të soc-realizmit ndryshe nga vërteta, kinse drejtohej kundër mbretit Zog, me të cilin ai ishte pajtuar qysh më 1933. Kjo del e qartë si drita nga „Jetëshkrimi i Nolit“, i paraqitur nga Qerim Panariti në vëllimin „Albumit II “, Boston – 1966, që s‘u botua asnjëherë gjatë diktaturës, për shkak të përmbajtjes “së papranueshme”. Po në atë kohë nuk u botua as „Vështrimi panaromik“, një shkrim i përkryer i Mitrush Kutelit marrë nga libri „Mall e brengë“ -1943, si hyrje tek Albumi I – 1948 i Nolit, ku ndër të tjera shkruante: “Vjersha e Nolit nuk ka ondulacionin e valëve në mezin e detit, po përplasjen e tyre anës, me zhurmë, gjithëmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës ajo nuk u përngjan pjesave të rumbulla, por çipeve të mprehta. Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po në krastë. Nuk limon me daltë, po pret me sëpatë dhe me çekan të rëndë.”
Vetëm pas shembjes së sistemit komunist, Albumi II do të shihte më në fund dritën e botimit. Veçse për çudi „Jetëshkrimi i Nolit“ nga Qerim Panariti, u përfshi tepër i cunguar në vëllimin 1 të veprave të Fan S. Nolit më 2003 nga Shtëpia Botuese Dudaj. Në jetëshkrimin e plotë në origjinalin Albumi II – Boston-1966 del sheshit e vërteta se për kë u shkrua poezia e parafundit, „Sulltani dhe Kabineti“. Nga çdo lexues i vëmendshëm i kësaj kryevepre të stilit Orvelian, qysh në dy strofat e para kuptohet lehtë se ajo drejtohej kundër diktatorit E. Hoxha dhe qeverisë së tij. Në atë kohë gazeta Dielli, botonte edhe një karikaturë kuptimplote nga piktori Xhafo.
Enver Hoxha ngre dollinë Nga Xhafo.
(Kabineti dhe Sulltani) Marrë nga gazeta Dielli e viteve 60 -Boston
Sulltani dhe kabineti
– fragment botuar për herë të parë në gazetën Dielli, 1961 –
Shokë, sot kam panair
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë.
Kupë e parë, jam aga,
Kup’ e dytë, jam Pasha,
Kup’ e tretë, shpall ferman,
Ngjesh një pall’ e jam Sulltan.
Jam Ali Qopeku i Parë,
Qen si unë s’keni parë;
Pra, kur leh duartrokitni,
Zbrasni topat brohoritni!
Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhehnemi e Xheneti ,
Kijameti e selameti.
Jam xhamia e jam namazi
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi
Kush ngre kokën e merr lumi!
Kush do ligj’ e republikë
Me statut e me logjikë,
E ka pisk e ngordh si hor
Në konop si tradhëtor.
Ju a nisa historinë,
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim e për lavdi.
Nukë pata paraardhës,
Ju lë një bir si pasardhës,
Gjurmën time të pasojë
Dhe vatanin ta sundojë.
Shkruaj ti, o Bash – Qatip
Shkruaj mprehtë’ e me tertip,
Lidhi llomotit’ e mia,
Shkrepi nesër te xhamia!
Ty Abdull- Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrezem;
Merr nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil!
Ty Abdull- Xhahil Nefer
Ty të bëra Serasqer;
Bjeru armiqve, shuaji,
Thyeji e bluaji!
Ty Halim që s’di këndim
Je vezir për arsim.
Mbylli shkollat se na nxinë,
Me kallamn’ e tradhëtisë.
Leri hapur medresetë
Seminaret e teqetë
Po me gjuhët arabishte,
Hebraishte dhe turqishte.
Këtë urdhër çpalle vrap;
Libër ti laik, mos hap;
Me Ungjillin e Kuaranin
Merret Prifti me Imamin.
Ty Haxhi Domuz evlat
Ty të bënj Vezir Xhelat
Lidh litar dhe mbreh sëpatë
Var e ther po pa shamatë!
Vraji , preji kundërshtarët
Si të funtmët dhe të parët,
Se ma prishën qetësinë,
Ma çkallmuan mbretëtinë!
Noli dhe shtypi shqiptar në vitet 30 – 40
Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 – Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kulturës, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pashoq, Naimi, Fishta, Konica e Noli,” Në albume të përkryer me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, ndrinte dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të flasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë,”ose: “Ç’humbje, që nuk i jepet rasti të organizojë në Shqipëri një universitet popullor. Leshzi me sy të mprehtë, një fizionomi e qeshur , gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzure, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave. Atë Noli nga kultura dhe karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane.“
GAZETA DIELLI, 1939 – 1968
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pas mbarimit të saj në një varg dokumentesh pasqyrohet rreziku nga fashizmi dhe komunizmi. Fan Noli është gati të bashkëpunojë me të gjithë ata që janë ngritur dhe përpiqen për shpëtimin e atdheut nga çdo rrezik. Në shkrime të shumta ndihet shqetësimi i madh i tij për fatin e atdheut. Historiani Beqir Meta shkruan: “Nuk është aspak ekzagjerim, po të nxjerrim përfundimin se gjatë Luftës së Dytë Botërore Vatra qe e vetmja organizatë shqiptare, i vetmi grupim shqiptar që u orientua më drejt.”
Kur Shqipëria u rrezikua përsëri më 1939, Fan Noli, Ahmet Zogu, Faik Konica, Mit’hat Frashëri etj. janë në krye të detyrës. Për mungesë hapësire japim vetëm pak njoftime, që nisin nga viti 1939 deri më 1968.
Dielli, 7 dhjetor 1939. Nën titullin „Flamuri ynë”, shkruan: „U ngrit më 28 nëntor 1912 – u robërua prapë më 12 prill 1939… Fjala e Peshkop Nolit i shton shpresat e popullit për çlirimin e Shqipërisë“…“.Lufta që po bëjnë aleatët në Evropë, ka për qëllim mbajtjen e qeverimit demokratik edhe shpëtimin e kombeve të vegjël nga robëria e fuqive lakmonjës. Shqiptarët duhet të punojnë për lirinë e tyre kombëtare, se liria nuk fitohet pa sakrifica.“
Dielli, 29 korrik 1942. Faik Konica: „Të themeluarit e një kishe kombëtare; të marët pjesë me udhëheqjen e lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë; të mbrojturit e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve; t‘organizuarit e jetës politike në Shqipëri; të kryesuarit e një guverne liberale;- këto janë disa nga veprimet që Shqipëria i detyron Peshkop Nolit. Tani Peshkop Noli ka dalë përpara me flamurin e një bashkimi të shentëruar për shpëtimin e Shqipërisë.”
Në gusht të vitit 1942, Konica i dërgon mbretit Zog një letër mjaft me rëndësi për temën që trajtohet. Letrën e gjetëm në anglisht në librin “Faik Konitza- Selected Correspondence.” Ndër të tjera, aty shkruhet: „Opinioni i popullit shqiptar tashti është në favorin Tuaj, Madhëri. Dhe ky kryesisht për shkak të gojëtarisë dhe influencës së Imzot Nolit. Unë mendoj se Imzot Noli, do të ishte njeriu ideal për kryeministër, por për fat të keq fakti që tani ai është qytetar i Shteteve të Bashkura një zgjidhje e tillë paraqet vështirësi…”
Dielli, 27 mars 1943. Pas marrjes së letrës nga Tajar Zavalani F. S. Noli botonkryeartikullin: „Origjina, zhvillimi, dhe e pritmja e Bashkimit të Shenjtë“.
Më 27 maj 1943 Noli i shkruan ministrit të oborrit, Sotir Martinit: “Jam gati të jap gjithçka për Frontin e Bashkuar Shqiptar.” Në letrën për Anton Logorecin, gazetar i BBC më 1943, shkruan: “Njohja e mbretit Zog, është po aq e domosdoshme si provë e pa ekivoke.” Njëkohësisht përpiqet të njihet me grupimet nacionalistë, që luftonin kundër fashizmit. Miraton marrëveshjen e Mukjes. Përshëndet rininë trime, e cila po dilte malit kundër pushtuesve të huaj, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Gjendjen e luftës në Shqipëri e njihte pak a shumë mirë. Në raste të veçanta shprehej optimist, për sigurinë e tërësisë tokësore, me ndihmën e SHBA.
Dielli, 11 gusht 1943: „Lufta në Shqipëri nuk pushoi, kur shkelnë italianët Shqipërinë të Premten e Zezë. Populli shqiptar nuk dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve: „Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani etj.„
Dielli, 18 shtator 1943: „Mbreti Zog kërkon hyrjen e Shqipërisë në rrethin e Kombeve të Bashkuara.“
Dielli, 25 shtator 1943: “Balli i Çlirimit Kombëtar dhe Zogu kërkojnë si dhe tërë patriotët e vërtetë bahkimin e gjithë Shqipërisë.”
Dielli, 2 tetor 1943: „Fjalë e Imzot Nolit në radio ka bërë përshtypje të madhe në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.“
Dielli, 12 dhjetor 1945: Nën titullin „Zgjedhjet në Shqipëri“ jepet njoftimi:„ Në Shqipëri u bënë të dielën më 2 Dhjetor, zgjedhje të lira të fshehta dhe direkte. Fronti Demokratik fitoi përfundërisht. Kjo nuk duhet të na çudisë shumë, pasi në Shqipëri hë për hë, s’ka tjetër parti…“
Dielli, viti 1947: “Më 14 korrik 1947 gjenerali Enver Hoxha arrin në Moskë. Më 21 korrik UN-i, refuzoi aplikatin e Shqipërisë.
Dielli, maj 1948: „Gazeta Bashkimi më datë 1 maj shkruan me shkronja të mëdha: Rroftë 1 maj! Tani puna qëndron kështu: Dita nuk munt të rronjë më tepër se 24 orë, dhe kur mbushet kjo kohë çdo lutje që t’i bësh Perëndisë, Stalinit ose Enver Hoxhës ditën nuk munt ta zgjatësh dot më tutje. Kozmollogjia s’ka lidhje fare me ideollogjinë.“
Dielli, 9 qershor 1948: „Shteti i ngordhur mban një ushtri prej 60.000 njerëzish të armatosur. Se ç’munt të bëjë Shqipëria me këtë ushtri një Zot e di.”
Dielli, prill 1949: “Gënjeshtrat dhe shtrembërimet: Përgënjeshtrohen shpifjet ndaj Vatrës, e editorit të gazetës „Liria,“ organ politik, që financohet rregullisht nga Qeveria Komuniste në Shqipëri”.
Në 18 tetor 1951 Noli bënte të ditur: „Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë një anëtar i një organizate komuniste. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam bërë një predikim komunist, ose prokomunist, ose antiamerikan. Përkundrazi, unë kam lartësuar udhën demokratike Amerikane të jetës dhe theksova faktin historik se Shqipëria i detyrohet për indenpendencën e saj krye Amerikës e në mënyrë të veçantë Presidentit Uillson. Kurrë kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Synodhe ose Patriarkati të huaj, komunist ose tjatër. Si Kishë Orthodokse Shqiptare në Amerikë, të cilën e kryesoj, kjo është në pikpamjen administrative indipendente. Unë nuk kam të bëjë as me emërimet, as me dorëheqjet e peshkopëve, ose të arkipeshkopëve në kishat orthodokse të Shqipërisë. Kështu që, unë nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për dorëheqjen e Kryepeshkopit Kisi dhe emërimin e pasardhësit të tij, Kryepeshkopit Vodica. “
Dielli, 28 nëntor 1951. Jepet një poezi e vitit 1917, me titullin: “Simboli i Shqipërisë”, shkruar nga vatrani K. Katundi . Me mbiemrin Katundi njihen disa vatranë, ndër ta dhe Thoma Katundi, i cili u pushkatua pa gjyq bashkë me njëzetë të tjerë, ndërmjet tyre dhe Sabiha Kasimati, natën e 14 shkurtit 1951, pranë urës së Beshirit. Mbi poezinë e K. Katundit është vendosur një shqiponjë e zezë në sfond të errët, shenjë e qartë zie për viktimët.
Dielli, 5 shkurt 1958. „Lajme nga Shqipëria“ „Tirana zbon gazetarin anglez nga Shqipëria.“ Në reportazhin e botuar ai kish njoftuar: „Moska po loz rolin e „vëllait të madh“ mik besnik, aleat dhe protektor…Populli shqiptar, larg Moskës, është kundër, urren Rusinë, rron me frikë dhe me tmerr. “
Dielli, 2 prill 1958: “Fashizmi dhe komunizmi kanë disa pika të përbashkëta. Në sistemin fashist fjala e kryetarit ish kanuni i vendit. Nën sistemin komunist zbatohet gjith’ay kanun: kryetari nuk bën gabime kurrë.”
Dielli,19 maj 1958: “Këshilla për ata që vizitojnë Shqipërinë.”: “S’duhet të vini në Shqipëri me ndjenjën amerikane, domethënë mos kujtoni që Shqipëria është Amerikë e dytë. Po të vini në Shqipëri me këtë ndjenjë, bëni një gabim fatal.Të gjitha ato që keni dëgjuar nga Radio Tirana dhe ato që keni kënduar në shtypin e Tiranës duhet t’i harroni më parë se të shkelni në tokën Shqiptare. Sistemi që do të gjeni në Shqipëri quhet sistem”socialist.” ose më mirë sistem komunist. I tërë populli, që nga Enver Hoxha dhe poshtë, janë “shokë” dhe “shoqe”.
Dielli, 6 korrik 1960: „Amerika dhe Shqipëria: Amerika për emigrantin shqiptar u bë me të vërtetë një fortesë e patundur e shpëtimit të Shqipërisë nga copëtimi… Në Shqipëri Vatragëzon një emër aqë të math dhe aqë të lartë, sa, para popullit u bë një sinonim lirie dhe demokracie. Regjimi i sotëm ka një kohë të gjatë, ta shikonjë Vatrën si një halë në sy….Vatra luftohet se ka tradita kombëtare.“
Dielli, 7 shtator 1960. „Tirana duhet të kuptojë njëherë e mirë dhe përgjithnjë, që vatranët, ndonëse janë me shpirt dhe me zemër për popullin shqiptar, rrojnë në një vend të lirë, ku liria e fjalës, e mbledhjes, dhe e shtypit, janë të garantuar në kanunin themeltar të këtij shteti dhe s’mund të tremben nga kërcënimet e komunizmës.”
Dielli, 28 shtator 1960: „Letër e hapur drejtuar Mehmet Shehut: I nderuari Kryeministër i Shqipërisë, meqë jini i pari kryeministër i Shetit Shqiptar të kini fatin të vizitoni Amerikën, shtetin që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi pas Luftës së parë Botrore, është mirë që çdo fjalë që flisni në Forumin e Hapur të Kombeve të Bashkuara, t’a peshoni mirë, jo në ballancën e Stalinizmës… Cili është ndryshimi midis fashizmës dhe komunizmës, që e praktikoni ju në Shqipëri?…Këtë sistem – sistem fashist me një emër tjetër- ju e quani „demokraci popullore.“
Dielli, 7 dhjetor 1960: „Shpëtimtarët dhe tradhëtorët: „Midis Esadistëve dyzet vjet më parë dhe „tradhëtorëve“ të sotmë ndodhet një ndryshim i math: Esadistë ishin një pakicë, ata që quhen „tradhëtorë“ sot përbëjnë shumicën e popullit shqiptar, pasi shumica e popullit, në mos janë antikomunistë, të pakën s’janë në favor të komunizmës.“
Kur Fan Noli nuk jetonte më, udhën e tij e vazhduan patriotë të tjerë, si Anton Athanasi, Qerim Panariti, Nik Kreshpani. Sotir Pani etj. Ndër libra, revista e gazeta shfaqen emra të njohur për ndjenjat e lirisë dhe dashurisë ndaj Atdheut si Xhevat Kallajxhiu, Nexhat Peshkëpia, Arshi Pipa, etj. Kritikat kundër regjimit komunist në Shqipëri vijuan si më parë.
Dielli, 17 prill 1968: „Të gjitha komunitetet fetare u suprimuan në Shqipëri.“ Ndër të tjera përkujtohet pritja e ngrohtë në katedralen Shën Gjergj nga Fan Noli e motrave të mbretit Zog, të shoqëruara nga Faik Konica.
Noli dhe idetë e tij prej patrioti
Ashtu si më parë edhe pas vitit 1946, Fan S. Noli nuk ka pasur asnjë iluzion për sistemin komunist, si në Shqipëri dhe në botë. Mjafton të lexohen letrat e dërguara Konicës, ku zhvlerëson shkencërisht librat “Kapitali”e “Manifesti komunist.” Manifest i vërtetë i Nolit është krijimi i ndritur, Hymni i Flamurit. Për idetë që mbart kjo poezi optimiste mjaftojnë të citojmë vetëm dy strofa:
.
Hymni i flamurit
“O Flamur gjak, o Flamur shkabë
O vënd e vatr’, o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, Flamur i zi.
Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
S’trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli.
Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Më 1944, me urdhër të E. Hoxhës, pas torturash shtazarake, do të vritej patrioti demokrat, ish kryetari i Shoqërisë Bashkimi, Zai Fundo, teksa luftonte krahas nacionalistëve shqiptarë për lirinë e Kosovës. Për këtë akt barbar Noli u shpreh: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të mëdhenj, si Fundoja?”
Në librin origjinal të Nolit, „Album II, 1966“ Boston, i fshehur prej syve të lexuesve gjatë kohës së diktaturës deri vonë, në shkrimin biografik për Nolin, nga Qerim Panariti, del në dritë e vërteta, se poezia “Sulltani dhe Kabineti“, botuar në gazetën Dielli më 1961, drejtohej kundër diktatorit Hoxha dhe qeverisë së tij, krejt ndryshe nga komentet e analistëve komunistë. Po në këtë shkrim përmendet edhe ngjarja, aq shumë e përfolur, rreth mbërritjes së një delegacioni apo grupi diplomatësh sovjetikë në Tiranë, e shpërdoruar nga historianët komunistë si një fakt simpatie ndaj BS: “Kundërshtarët e Nolit, shkruan Panariti, s’kanë hequr dorë as sot që t’i ngjitin vulën e kuqe; s’kanë hequr dorë as sot, kur Noli s’është më me neve që të mpronjë veten. Po të kishin kundërshtarët e Nolit vetëm një çerek derhemi mënt në kokë dhe pakëz fisnikëri, do ta merrnin me mënt, që dhe sikur të deshte Noli të lidhte relacione diplomatike me Bashkimin Sovjetik, kushtet politike në Shqipëri në dhjetor 1924, ishin aq të mërzitura sa Noli pothuajse po pregatitej t’i linte shëndet Shqipërisë përgjithëmonë.“ Këtë ngjarje e ka trajtuar edhe Robert C. Austin, profesor në Universitetin e Torontos. Pas shqyrtimit të mjaft dokumenteve arkivore, në librin “Shtegu i Pashkelur i Fan Nolit”, ai arrin në përfundimin se në vitet ‘20 ndërmjet disa shteteve europiane dhe Bashkimit Sovjetik ekzistonin lidhje diplomatike. kurse qeveritë shqiptare kishin zhvilluar bisedime për lidhje të njëjta. Pas rënies së Qeverisë së Vërlacit më 1924, sovjetikët vazhduan përpjekjet edhe me qeverinë e re të kryesuar nga Fan Noli, por pa asnjë rezultat. Ky qendrim u quajt prej tyre jo miqësor, por pa pritur e pa dijeninë e Nolit më 16 dhjetor 1924 një delegacion diplomatësh sovjetikë mbërriti në Tiranë. “Ministria e Jashtme, shkruan Prof. Austin, njoftonte më 17 dhjetor Nolin se vizat i kishte dhënë konsulli në Vjenë…Më 18 dhjetor u njoftuan Përfaqësitë Diplomatike se, për shkak të situatës ndërkombëtare, delegacionit sovjetik prej tetë vetësh i ishte kërkuar të largohej dhe i gjithë grupi ishte nisur për në Itali po atë mbrëmje… “
Patrioti i madh Mit’hat Frashëri në shkrimet e veta Kryengritjen e Qershorit nuk e cilëson askund si “rebelim bolshevik”. Një dukuri të tillë ai konsideron vetëm kryengritjen kundëratdhetare të Haxhi Qamilit, të cilën ndër të tjera e quan “lëvizje bolshevike.” Edhe Noli vetë më 1914 do ta mallkonte ashpër atë rebelim në poezinë “Thomsoni dhe Kuçedra”. Ndaj u kritikua nga analistët komunistë sipas stilit soc.realist: ”vjersha u shkrua me rastin e vrasjes së kolonelit hollandez Thomson, dërguar prej Fuqive të Mëdha imperialiste, për të organizuar xhandërmarinë e qeverisë reaksionare të Durrësit. Noli nuk i kishte të qarta synimet e shteteve imperialiste ndaj Shqipërisë, prandaj e paraqiti jo drejt personin e Thomsonit.”
At Artur Liolin në shkrimin “Noli dhe komunizmi“ sqaron: “Pasi Noli mësoi mbi egërsitë e regjimit komunist në Shqipëri, u distancua, gjë që duket qartë, kur ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri, as për të marrë titujt e ofruar nga Qeveria Komuniste, patjetër për qëllime të errëta kompromentuese, dhe as për hulumtime shkencore, as për të hyrë në çështje të mjegualluara fetare. Në fund , si mund ta ftonte senati i shtetit të Masaçusetsit Nolin për të dhënë bekimin e hapjes së sesioneve të vitit 1963, nëse Noli do të ishte një „komunist?“ Apo si mund ta ftonte Nolin „komunist“ presidenti Lindon Xhonson posaçërisht në Shtëpinë e Bardhë në korrik 1964 për të bekuar në Uashington dhe për të dhënë fjalimin me rastin e 400 vjetorit të Shekspirit? Argumentet ndryshe nuk pinë ujë.“
Nga historia e vendit tonë tashmë dihet se gjatë regjimi komunist përkrahësit e Nolit u ndëshkuan pothuaj të gjithë, me pushkatim, tortura në qelitë e tmerrit, burgosje e internim. Një prej tyre, shkrimtari i shquar Petro Marko, në librin “Retë dhe Gurët” shkruan, se me rastin e 28 Nëntorit më 1952, Fan Noli do të fliste në Zërin e Amerikës me këto fjalë: „O ti që je në fuqi me hanxhar në dorë për të prerë kokat e patriotëve, thuamë ç’po bën!?… Shqipëria pret një Shën Kostandin për të shpëtuar nga kjo kasapanë.” Pra, Noli ishte i lidhur shpirtërisht gjithmonë me popullin e vet, i cili vuante nën sundimin e një diktature të paparë në histori.
Sot në shtypin prokomunist janë gjallëruar sërish kritizerë, që fshihen pas frazave demokratike, që dikur përkrahën gjallërisht „revolucionin kulturor“ për shembjen e xhamive e kishave, për pushkatimin, burgosjen e fyrjen e miqve e bashkëpunëtorëve të Fan S. Nolit.
Letërkëmbim arkivash
Seria e letrave zyrtare me Qeverinë Komuniste për çështje të rëndësishme kombëtare gjatë vitit 1946, na bën të ditur për shqetësimin e madh të Nolit ndaj atdheut. Në mbarim të atij viti, ndihet zemërimi i tij ndaj sjelljes së delegatëve që dërgonte E. Hoxha për bisedime me porosi të rrepta. Pas kritikave dhe lajmeve të hidhura që arrinin nga Shqipëria, më 1947 “bekimet” e marrëdhëniet diplomatike të Nolit kanë marr fund. Vatra patriotike do të cilësohej në “Fjalorin Encikloedik “organizatë reaksionre që kaloi në mbrojtje të politikës antishqiptare të qeverisë Amerikane; pjesa patriote u largua prej saj dhe krijoi organizatën “Shqipëria e Lirë.”(?!) Pra, njështrembërim ky, kur dihet se kjo organizatë u krijua me nxitjen e ndihmën e qeverisë komuniste. sikundërshtare e Vatrës. Një dokument domethënës, botuar në gazetën Dielli, janar – mars 2003, flet qartë për sa u tha më lart:
RPSH
Ministia e P. të Jashtme V.F.L.P.
N. 353-19 Res. Pers. Tiranë 1947
Promemorie
Shokut Thedhor Heba
Nga informatat e sigurta që kemi, na rezulton se ndër Shqiptarët e Amerikës, të cilët e kanë simpatizuar lëvizjen t’onë nacional-çlirimtare po shënohet një ftohtësi ndaj Pushtetit Popullor, dhe është frikë që kjo ftohtësi me kohë të marrë proporcione të gjera… Ki parasysh se ka edhe disa reaksionarë, që me propagandën e tyre, po mundohen ta ushqejnë ftohtësinë në radhët e shqiptarëve ndaj nesh…
Do të marrç kontakt me të gjithë ata që kanë një farë influence dhe do të jeç në lidhje të vazhdueshme me krerët e Shoqërisë Vatra dhe Organizatës Shqipëria e Lirë. Po fshehurazi besimin duhet ta mbështetësh vetëm ndër krerët e “Shqipërisë sëLirë”..“Vatra“ dhe „Dielli“, që kanë një histori dhe të kaluar të shkëlqyer dhe që lidhen tepër ngushtë me traditat kombëtare. Prandaj është zor që ato të vazhdojnë të përkrahin regjimin t’onë, tek i cili çmojnë vetëm luftën e çlirimit, po nuk pranojnë ideologjinë dhe sistemin e tij.
Shokut Dr. John T. Nasse,* do t’i dorëzosh të hollat** dhe do t’i rrëfesh, vetëm sa për të marrë njoftim të përmbajtjes së saja, letrën që i drejtohet atij dhe i bashkangjitet kësaj Promemorie.
P. Ministri i P. të Jashtëme
Hysni Kapo d.v.
P.S
* Dr. J. T. Nase, përkrahës i regjimit komunist në Shqipëri, kryetar i Shoqërisë Shqipëria e Lirë me gazeten, ”Liria.”
** 5000 dollarë.
Përkujtimi i Nolit
Me rastin e 100 – vjetorit të lindjes, në vitin 1982, Federata Vatra dhe UNESKO, përkujtuan me nderim Fan S. Nolin, në mbledhje të posaçme shkencore, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar. Asokohe në Shqipëri u botua një shkrim fyes ndaj tij në gazetën Bashkimi, i përgatitur nga kalemxhinj me gjasa “noliste” nënshkruar nga diktatori E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe një urdhër, të mos merrej pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në qendër të presidiumit tëndriçuar nga prozhektorët, ngrihej busti i diktatorit. Lart në këndin e djathtë – fotografia e Nolit e zvogëluar tej mase me urdhër të sekretarit shkencor të Akadmisë së shkencave L. Omari, përkundër dëshirës së kryetarit , kish humbur në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në katër radhët e para. Në ato çaste, kur hidhje sytë drejt fotografisë në kënd dhe dëgjoje kumtesat e profesorëve, kishe përshtypjen se Noli, në shenjë proteste, ishte larguar nga salla.
Për Nolin në Shqipëri, nuk u ngrit asnjë përmendore. Emri i tij nuk u vendos në asnjë institucion shkencor, madje në asnjë shkollë të mesme. Me anën e botimeve të cunguara u kuptua se numëri i veprave të Nolit nuk duhej të kapte nivele të larta. Në ndërtesën e Akademisë së Shkencave fotografi të shumta të diktatorit vareshin kudo dhe busti i tij zbardhte në ballë të sallës së mbledhjeve. Befas një ekonomist i Akademisë zbuloi në Qendrën Arkeologjike, ndërmjet arkash të mbuluara nga kartona, letra dhe pluhur, bustin e Skenderbeut, vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Të rimkëmbur e mbarti për në Akademi. Kohët ndryshuan, perdja e hekurt u gris, muri i Berlinit u shëmb, shtatoret e tiranëve u rrëzuan. Në selinë e Akademisë së Shkencave, fotografitë dhe busti i bardhë i diktatorit u zhdukën. Tashmë atje shihen Skënderbeu dhe Fan S. Noli.
Libra me dritën e së vërtetës:
.”Poeti Fan S. Noli – Vështrim Panoramik. Ribotuar nga libri “Mallë e brengë” – Tiranë, 1943.” Pra, “nolistët” marrin vendim t’ia japin fjalën e munguar shkrimtarit të paharruar, Mitrush Kutelit, njërit prej viktimave të diktaturës. Pra, vendosin që përgjegjësinë për disa mendime të paqarta asokohe për Nolin, t’ia ngarkojnë poetit e shkrimtarit më të dashur të rinisë. Kurse biografinë kronologjike përgatitur nga Qerim Panarit, botues i librit Album II, e fshijnë nga libri për të fshehur disa të vërteta që lidhen me jetën e veprimtarinë e Nolit, që nis me lindjen në Qytezë-Ibrik Tepe. Pastaj largimi për në Athinë, Egjypt e në Botën e Re, ku krijon shoqatën “Besa-Besë” me gazetën Dielli. Më tej themelon Kishën Ortodokse Shqiptare. Së fundi, në bashkëpunim me atdhetarë të tjerë, si Konica, gjallëron Federatën Vatra, deri në ngjarjet e qershorit 1924. Dihet se pas këtij viti nis veprimtaria më e shkëlqyer letrare e Nolit, që vijon me rivendosjen e miqësisë me Ahmet Zogun Pra, dhunohet origjinali i Albumit II 1966, ku ndodhet edhe poezia “Sulltani dhe Kabineti”, e komentuar ndryshe për ndryshe nga NJ. Në kapitullin “Noli: njeriu dhe karakteri i tij”, Panariti shkruan: ”Noli ishte një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” nga vogëlia dhe një gjigant intelektual. Noli kish me qindra miq, me mijëra admironjës, po s’kish asnjëckë konfidant, domethënë njeri që t’i hapte zëmrën qint për qint: kurdoherë ish i rezervuar. Për këtë shkak ish e pamundur t’i hynte dot në shpirtin e ndjenjat e tij. Si në fe e në politikë, Noli ishte adhuronjës i lirisë të mejtimit. Pikëpamja e tij politike kundër shteteve diktatoriale është shprehur bukur në vjershën “Kabineti dhe Sulltani”, që botohet në këtë vëllim. Kur u botua kjo vjershë te Dielli më 15 shkurt 1961, një tok nga shqiptarët kujtuan se vjershëtari kritikonte regjimin komunist në Shqipëri dhe disa prej tyre filluan të bombardojnë Diellin me kritika banale, nja dy prej tyre i botova, të tjerat i hodha në çportë. Një ditë ia solla në vesht Nolit kritikat e Shqiptarëve kundër vjershës në fjalë. Nënqeshi dhe tha: “Ndodhen njerës në botë që jo vetëm admirojnë autokracinë, po e vënë në fuqi me votë të lirë. Kjo ngjet në shumë vise të botës.” Pastaj shtoi: “Kur shkrova vjershën ofenduese, s’kisha ndër mend regjimin komunist të Shqipërisë, shpreha ndjenjën time kundër çdo regjimi diktatorial që kufizon lirin’ e mejtimit.” ”
“Letërkëmbimi” i përdorur si kundërvënie ndaj jetës e veprës së vërtetë të Nolit. Aty vërehen shpesh herë letra të zakonshme të gjetura nëpër shtëpitë e qytetarëve, ku nuk përjashtohet mundësia e cungimit dhe e përpunimit të tyre. Në shtyp papritur dalin artikuj të bujshëm: “Zbulohen letrat e Noli me diktatorin” Mandej tërë ajo zhurmë shuhet si flluskë sapuni me disa syresh, që u takojnë viteve 1945 e 1946, kur vendosej fati i atdheut në konferencat ndërkombëtare. Njerëzit e dërguar nga Tirana, flisnin në Boston, Nju Jork e Uashington me gjuhën e diktatorit Hoxha apo Sulltanit, i cili vështronte drejt Beogradit e Moskës.