DËGJOJ, NJË ZË SJELL OQEANI!

Poezi nga Agim Xh. Dëshnica

Kushtuar mikut tim te rinise S. Kalaja

Në breg, buzë ujërash,

kur s’i merr gjumi,

ashtu si unë nëpër kujtime,

kam dal, endem si ajri vet,

të pres rrezen e parë,

 fytyrën diellit t’ia shoh,

pas yjesh nate, që shkuan të flenë,

sy e duar në ngjyra të përvëloj.

Më dridhëron shungullimë e thellë,

 gjoksi i lagur i shkëmbinjve,

tek ulen e çohen vrik pulëbardhat,

kur bien,  e brofin dallgë si valle,

e shtërgu digjet  pas reve larg,

 ndër zhaurima të kap një zë,

që vjen me ditën me krahët e erës.

Më shfaqet befas posi mirazh

në mjegullnajë djaloshi Memli,*

emër i trishtë, ndodhish tragjike,

me ballin dritë e sytë e zi,

në një kështjellë legjendash

 mbi hon e shkëmb te Kroi Vajës,

në ullishta e hardhi të brishta,

i dashuruar pas ngjyrës së qiellit!…

Hedh sytë përpara, drejt oqeanit,

dëgjoj ankime largesish nën re,

rënkime valësh në shkumëzime,

 zë përmallimi nga zemër e re,

që zbret në breg me pulëbardhat,

 pranë meje e më rrëfehet!…

………

* Memli – personazh kryesor

në romanin “Gremina e dashurisë”

të Mustafa Greblleshit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *