Istref Haxhillari – Per konkursin

Gruaja e ëndërrt

ISTREF  HAXHILLARI

Natë për natë shihte të njëjtën ëndërr si film me seri:

 “Një grua shtatgjatë, me qerpikë të dendur, flokë të gështenjtë mbledhur topuz pas zverkut, e vështronte në heshtje pa thënë asnjë fjalë. Thellë syve të errët në formën e bajameve të pjekura digjej një flakë e përhershme bojë alle.”

Zgjohej dhe ajo zhdukej për t’u shfaqur rishtas natën tjetër.

Pastaj tjetër…

Pamja e ëndërrt i mbushte natën.

Atë ditë doli pa çadër, hyri në dyqanin e parë që i zunë sytë të mbrohej nga shiu. Nxori shaminë, u fshi, ngriti kokën. Një femër e gjatë, shumë e bukur, me flokë lidhur pas shpine, pantallona të ngushta dhe bluzë gjysmë golf që ia gufonte gjinjtë, kishte mbështetur duart mbi tastierën e kompjuterit, kontrollonte shifrat në ekran.

Ai ngriu, sado u përpoq, e pamundur t’i largonte sytë.

Të nesërmen në të njëjtën orë, tani kohë me diell, hyri gjithë ankth ta shihte. Njëlloj si ditën e parë, gruaja rrëzëlluese ishte përqendruar mbi ekran, nuk ia pa dot sytë. Ditën tjetër ngriti kokën, e përshëndeti, iu kthye kompjuterit. Po ata sy të kulluar e  të mëdhenj me ngjyrë të papërcaktuar, i njëjti vështrim i qashtër e i pafajshëm, të njëjtat buzë që e torturonin natën!

Si të kishte dalë prej ëndrrës.

I mrekulluar nga bukuria e saj, çdo ditë pret në ethe orën të shkojë në dyqan, ta shtjerë ndër sy. Sa shkel atje, ajo ngre kokën, i dhuron atë buzëqeshjen e pa të dytë që sa vjen bëhet më joshëse, më premtuese, pastaj ngulet mbi ekran. Çfarë bën me atë kompjuter xhanëm! Thua nuk e kupton pse vjen aty, nuk e sheh se as ble ndonjë prej artikujve të dyqanit?

Sa i marrë?

Turret rrugëve të qytetit, hapësirave të blerta pranverore, ditëve të bardha të dimrit dhe kudo i del  fytyra e saj engjëllore që çdo ditë bëhet më e bukur, më e shndritshme, më e pa  rezistueshme. Kur qëllon t’i buzëqeshë nga thellësia e banakut, ndizet flakë, nuk i intereson më as puna, as miqtë, asgjë, asgjë.

Nuk harron asnjëherë të hyjë në dyqanin ku merr fuqi, ripërtërin forcat, mendon bisedën me të.

Kurrë nuk guxon më shumë…

Më në fund ndodhi ajo çka dëshironte me aq zjarr. Gruaja ngre dorën, e përshëndet me lëvizje delikate të kokës, lë kompjuterin, afrohet buzagaz në cep të banakut.

– Të kam pritur, – i thotë, – sa shumë të kam pritur!

Zëri i mëndafshtë, pak i ngjirur e godet si shpatë! Zot, sa herë ka dashur ta dëgjojë natën, sa herë e ka përfytyruar ditën për diell!

– Mua? – e pyet i habitur.

Ajo qesh, fytyra i ndizet nga një flakë hyjnore, buzët e tulta hapen si qershi.

– Nuk e ke kuptuar? – i pëshpërit rrëzë veshit, – ta kam thënë në njëqind mënyra!

Nuk ishte më ëndërr.

Istref Haxhillari

                E shtunë, 4 prill 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *