Cikël me poezi nga Mëhill Velaj
Për Ditët e Letërsisë Shqipe Detroit Michigan 2020
Unë e ti, Etyd!
U puthëm gjatë
qe muzg
sikur puthesha
me një muzë.
Unaza,
filizat dardane
ngurosën atë puthje
ndër buzë…
Më mbajnë peng ato kujtime
Më mbajnë peng ato kujtime
mes shelgjeve lotvajtuese
te Livadhi i Vogël
te Krecki Binjak
te Verri i Ademajve
te Lisi i Varreve
te Ara Jonë
në Çabrat
edhe herët, edhe vonë.
Nga mënga më zgjon
buka misërnike
si copë prej floriri
në ’47-ën e urisë.
Si një shtrigë shpirtkeqe
Viti ’57 i madh i zisë
kur mblidhte armë ndër shqiptarë
OZNA e Jugosllavisë.
Viti ’68
demonstrata për flamur
kosovarët e vegjël
duke u shtypur me grusht.
Burgje, tortura, pa pushim
libra të fshehtë shqipë
drejt ‘74 -ës
te Kushtetuta.
Gota me verë
në SHBA i vetmuar
më ngjan si gjak
kur e pi
më sjell ndërmend
vitin ’81.
Kur shkelnin tanket serbe
djalërinë e Kosovës
me zinxhirë.
Sa shumë kujtime
Erdhi fundshekulli
njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë…
pranverë
mjaft më bisedime
Kosova martire
rrëmbeu armët këtë herë.
Kosova ime
Më prit, po vi!
Si marinar i mplakur
që kthen nga detrat për në skelë.
Më ruaj dy metra dhe
një gur gdhendur mbi të
emrin e mbiemrin tim!
Rrugës kah varrezat
Kalova botën pash më pash
fytyrën time mbuloja me dorë
kisha frikë nga vetmia ime
nga ato orë që më dridhin…
Mes sysh e vetullash intrigante
ec i vetëm rrugës së varrezave
sytë e nënës ende më mëshirojnë
në këtë buzëmbrëmje të zezë.
Në krah të varrmihësve kazma e lopata
gropojnë dhimbshëm mbi dheun si mbi trupin tim
ishte muzgu im i fundit,nuk do kem më nënë
nesër në agim.
Në kalldrëmet e rrugicës sime
kacavaren litarëve tek kthenin delet nga kullota
mes kufomash ndjej kurrizin që s’e drejtova kurrë nga puna
dhe nënën time që më desh sa bota.
Teatër pa spektatorë
Një lëndinë e madhe, e heshtur
dhe lulet kurorë – kurorë
nën dhe nuk pipëtijnë
me dhjetëra e qindra aktorë.
Të gjithë me fytyrë kah lindja
epigramet gdhendur mirë
pesë mijë njerës në heshtje
janë një kor i ngrirë…
Të heshturit nën dhe
as nuk grinden, as nuk qeshin,
as ankojnë, as qajnë, as mburren
as ngushëllojnë ata që vdesin.
Pesë mijë që marrin frymë
të përlotur nuk bëjnë zë
lule vënë te Fan Noli
dhe Konica që s’janë më.
Thinjat e tua, Kosovë!
Si një rreth argjendi dukej hëna
në grykën e natës
ndërsa vajtimi i kukuvajkës
Më rrudhte zemrën e fytyrën.
Gjarpërinjtë e natës dolën nga skuta
helmonin shpirtra të pafajshëm.
Insektet thithëse të kënetës
udhëtonin pa mëshirë
nëpër morgun e kufomave
shushurisnin zhurrmën e frikshme
të grahmës së vdekjes.
Merimangat e stuhisë nga erërat e historisë
rrethuan trupin tend, Kosovë!
Ata që ulërinin në emër të paqes
ndër çizmet e tyre rridhte veçse gjak.
Shqiponja shkundi krahët fort
Pendët e saj hapën faqen e historisë
Toka u tund, fëmijët u zgjuan të trembur
Vetëm lapidarët e kuptuan
Se po vinte dita e lirisë!
Era fërshëllente
rrezet përvëlonjëse të diellit
theknin thinjat e tua, Kosovë!
Një tufë pëllumbash u shkëput
nga turma e pafund
me sqepat e tyre
largonin vargonjtë e prangave.
Ishin bijtë e tu, Kosovë!
krenarë si malet shekullore të Dardanisë
shqyen çizmet gjakatare të Serbisë.
Luftonin për vdekje, derdhnin lot
Derisa vunë kurorën e LIRISË.
Jam Marathonomaku yt
(Ditiramb kushtuar Fan S. Nolit, në 45-vjetorin e vdekjes)
Amanetin tënd thinjur ndër mote,
Pranë varrit tënd e solla, sot Fan Nol!
Me zërin e vargut të Migjenit:
“ Na të birtë e shekullit të ri”,
Dhe me krahë të shqipes shkruam vargun e librit,
historinë e historisë së Ilirisë,
krisma, luftë e zemërim,
përplasjet e gardheve, në morinë e barërave të këqija,
i mbollën në vend të luleve
në kopshtin e Dardanisë!
Në turravrapin e tmerrshëm të kohës,
ngarkuar në kurriz barrën e dhimbjes, revoltës e paqes,
zëri yt, Fan Nol!
Kumboi fort në korridoret mondane të Parisit,
Mos prekni Arbërinë!
Ndalini tik-taket e sahatit të mbetur të
akrepave cinike të të uriturve,
atyre
hipokritëve të pabesë të Evropës,
që flirtonin në veturat e ndritura
me hartën e Iliriadës në xhep, e
me një të rënë të lapsit,
e nxorën në pazar e nëpër rrugë,
morën hisen e kreshpave të kafazit të Shqipes!
Rendëm pas ëndrrës, pas amanetit,
si Marathonomaku yt dhe
rrëzuam muret dhe dogjëm gardhet,
zhdukëm gjurmët e mëkatit e mbi to
shtruam qilimin e Pavarësisë,
në tokën e Kosovës, në Tokën e Ilirisë!
Renda e renda,
ja më fshij djerëst nga balli dhe
amanetin tënd thinjur ndër mote,
pranë varrit tënd e solla, sot Fan Nol!
Me zërin e vargut të Migjenit:
“ Na të birtë e shekullit të ri”.
Fluturimi hyjnor i BACALOKUT!-
(Poetit Din Mehmeti)
U drodha atë mëngjes, kur qyqja ia dha vajit,
Pikëllimin e treta tutje në horizont,
Nuk e pashë të ndriçonte yllin polar,
Pashë diellin po lotonte,
Pashë qiellin u bë gri,
Pashë pëllumbat e trishtuar,
Që gugisnin me oi, oi……
U shua poeti Din Mehmeti, tha dikush,
Romantiku i pandreqshëm, tha një tjetër,
Udhëtari i kahershëm i penës së artë, shtova unë dhe
ndjeva sytë të më digjnin nga lotët,
ndjeva parzmin të dhimbte e zemrën të tkurrej,
hiri i cigares m’u tha ndër buzë!
I vetmuar endem rrugëve të Gjakovës,
Shkel mbi gjethet e zverdhura,
Vështroj zogjtë që largohen,
Dhe me vete mërmërij si vetw poeti:
”Fatin tim nuk e nënshkruaj”.
Lart në qiell retë ikin e vijnë,
Unë akoma çapitem gurë më gurë,
në kalldrëmet e qytetit të heshtur,
me shpresën e kujtimin.
Dhe në hapësirën e agimit të ditës së re
Zëri im grish copëzat e kohës,
Jo nuk ka vdekur BACALOKU!!!
Në cepin e horizontit të bardhanës përqark,
Një zog shtegtar fillon të fluturojë,
Para rrezeve të diellit e qiellit të kujtimeve,
Është fluturimi hyjnor i poetit!