Lutem
Qiellin dhe Tokën desha ti puth,
Lirinë, Paqen e Dashurinë gërshet ti bëj,
Njerëzit ti ofroj sa më shumë me mujtë,
Nata dhe Agimi përqafuar të qëndrojnë pa fre,
Të mos bjerë shi kur dielli kuqëlon,
Deti dhe yjet të mos lotojnë më,
Universi i deformuar të marrë formën e duhur,
Zotit ti përgjërohem në lutje,
Të më thotë,
Përherë Shpreso!
Asnjëra botë s’më pranon
Pashë hartën ku marr frymë.
O, o, o, dëshpërim i madh!
Universi jetësor më kishte fshirë,
Yjet ishin shuar nga qielli,
Shpresa qëndronte e varur pa identitet.
Thirra në dialog botën tjetër.
– Ç’farë kam bërë, nuk po e kuptoj?!
Qeshi me të madhe bota parajsore,
Shpërtheu në oshëtima të fuqishme.
– Bota jote është rrafshuar,
Është mbushur nga krundet,
Je sjellur më mirë se ç’duhet
Shiko : Vërtetësi hipokrite, teatrale, skenike,
Shpifje, masakra, premtime “magjike”,
Drejtësi kudo e thurur si pëlhurë cinike,
Metastaza ku shtrihet e pisët mbretëria pa relike.
Ndotu pak, se ashtu të pranon!
Do gjesh veten besoj më kupton?!
U largua përsëri në oshëtimë.
S’po kuptoja si është më mirë…!?
Nga edukata e puna në vite mbarta vlera,
Po ato fluturuan i mori era.
Nga trashëgimia krenari,
Por vitet e shkrumbuan sikur i bënë magji.
Asnjëra botë kështu nuk më pranon,
Truri apo mendja diku po gabon.
Ujit rrudhat e fisnikërisë
Nga dita në ditë tentojnë të më godasin momentet e trishta
Shtypi si pavetëdije pedalin e kohës për tu larguar sa më shumë
Nuk dua të futen në këtë refren jetësor
Më ngjan si një plak kërcun i pangopur
Që rri me bastun buzë rrugës
Me buzëqeshjen e ngrirë që shiu e lag kohë e pa kohë
Nxirë nga zjarri i viteve që shpojnë si rrufe
Si një pëmë e shkrumbuar që vetëm rënkon
Por një ditë fort vetes do i flas
Të ndal netët e acarta me stuhi
Rrënjët t’i ujit përherë me lëng shprese
Rrudhat e fisnikërisë
t’i ushqej me oksigjenin e pakursyer
Jetën t’a stiloj me petale shumëngjyrëshe
Vitet e vyshkura t’i fshij për hapësirën e shumëpritur
Duke besuar në ndihmen e Universit
Ti thur gërshet me besimin dhe forcën që kam.
Zëri nga shpellat e ndjenjës
Një zë më vjen nga shpellat e fshehta të ndjenjës,
Në petkun shumëngjyrësh mjel zërin tim.
Sytë gozhdohen e shtrihen në blerim të çastit,
Në vezullim të çuditshëm të natës hipokrite.
Emocionet dashurore si anije ngrejnë velat drejt dëshirës,
Kridhen në një pus të thatë e brengat lëshohen.
Thyej ndjenjën në copëza kristali,
Ndërsa yjet si margaritarë të rremë ndriçojnë.
Partiturat e zemrës përplasen me shkëlqimin mistik,
Si rrëfenjë e shpirtit tim në monologun e pasionit.
Si fanar hapen nota gëzimi në lakuriqësinë e kohës.
Ndërsa kalon në ribërjen e sfondit të kërkuar.
Fjalët formojnë figura në gjergjefin e lumturisë.
Në çarqafët e errëta hëna hedh yjet papushim.
Ëndrrat derdhen në vargmale të rrezeve të argjendta.
Gjuha ishte lidhur, e fjalën e zinte në lak,
Sepse Perënditë tashmë kishin rënë nga froni.
Ishim Ne,
Bënim atë çfarë Perënditë nuk dinë.
Pushtuam melodinë e mëngjeseve të panumërta.
Ndërsa agimet fluturonin në vijim,
Pritnin muzgun e ditës pasuese si një kujtim i bukur.
Kthehu në realitet
Dikur në lotin tënd kishte kripë prej detit të kaltër,
Furtuna ishte krahasimi me Ty,
Uragan ishte gjendja jote në ëndërrat suferinë,
Për tu kthyer ngjizur rishtazi,
Ashtu me plot nur bukuria thërret.
Tani loti yt është i ëmbël si ujërat e kristalta,
Ku fluturojnë mëngjeset si veriu,
Zbuten acaret e dimrave të egër,
Duket se gjethet e dashurisë akoma nuk ishin vyshkur
Anija e ndjenjës ishte ankoruar në shpirtin tim,
Llavëndezur përmbysi mallet,
Bëlbëzima jote u bë ulërimë fluturuese,
U përpëlit në zhdukje,
Lotët që zbritën faqeve,
Pa u tharë akoma i zura në pritë,
Zëri yt ishte bërë valë me energjinë e heshtjes,
Derisa muzgjet tretën dhimbjen,
Atje ku netët u gdhinë me buqetën e përjetësisë.