Ermira Mitre ( Poezi per konkursin )

  1. NË MUAJIN MARS

Në Mars,
vështroni si ç’bëhet dimri,
si bymehet brumi i tokës,
nga Venusi,
si ënjten sythet,
në çdo frymëmarrje,
si ndizet syri,
nga ylber zambakësh.

Në Mars,
vështroni si zhvishet dimri,
si heq pallton,
kapuçët, dorashkat,
si hijeshohet Toka,
me bluza petalesh,
si harbohet e kuqja,
dashuri tulipanësh,
kordelja e verdhë,
xhelozi dafodilesh,
vështroni si në altarin qiellor,
pranvera rikrijon kurme yjesh.

Në Mars,
ndjeni tek njerëzit,
si ç’bëhet, e ri-bëhet shpirti,
në katharsis,
si plasariten gonxhe-zemrat,
si buisin lulet,
dashuritë njerëzore,
tek ndjellin shpresën,
me aromë pranverore,
e shkundin shpirtin,
nga përjetimet e petkave të dimrit.

Ndjeni si troket në zemër haiku,
kumt i epërm i bilbilit.

Në Mars,
pranvera, nimfë magjistare,
shpirtrat pendestarë i shndrron

në apoteozë ringjalljeje!

Mars 2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *