Poezi nga Pjeter Jaku




FJALE TE DEHURA  
 
 
Mbajnë  subjekte  tingujsh,
Gjysëmfjalësh të thyera,
Çerek fjalësh të dehura,
Me fillim të ëmbël,
Me ngritje toni zemërues,
Për një teke budallaqe,
Për një mospelqim puthje,
E kontradikta ngjit kulmin
Në veshjen e fjalëve me
Brekët e maskave!
Tuj respektu qeverinë e rrenave 
Çmimi i frikes rrit mungesen
E prekjeve,
Rrallimin e frymës,
Në pjestimin e ligësive!
 
O zot, hiqua maskat
“Dashurive”  me bileta jeshile
Hyrje në parajsen e ndjenjave
Për shitjen e pandershme
Të ndjesive!
 
02 korrik 2020
 
 
DEMOKRACI
 
Demokraci është të mbjellësh lule
Edhe në kopështin e komshiut,
Nëse pranë tij ke mbjellur!
Demokraci është të ecësh,
edhe kur s’mund të ngrihesh ,  
nëse i ke premtuar dikujt!
Demonraci është
ta ndigjosh tjetrin deri ne fund,
por t’i thuash nëse s’te pëlqen!
Demokraci është ta ndash dhimbjen njëlloj,
edhe pse ty, ndoshta më shumë të dhëmb!
 
24 qershor 2020
 
 
 
 
U PRI MENGJESEVE
 
 
Për të ecur para diellit,
Unë e pres lindjen me dorë
Në ballë,
Duke filluar kryqin e përditshëm:
“Në emër të Atit e të Birit e të
Shpirtit Shenjtë!”
Nuk ma kujton mengjesi lutjen,
Por unë, për të ardhur mengjesi,
Në sytë e mi dhe të tutë,
Lutem për secilin banor të globit:
“ O Zot , ndihmoi të gjithë njerezit në botë,
 të jetojnë mirë e të jenë të lirë!”
Amin!
 
27 qershor 2020
 
 
 
 
SHIU  
 
Shiu është lidhja ime me qiellin
Pa shkallë, pa asgjë prej gjëje
Një kontakt elektrik me shpejtësi
Rrufeje!
Pastaj, rrufetë zbresin në gjoksin tënd
Ku  marrin vrull të gjithë lumenjtë
E avullojnë, e bëhën e shi
E shkojnë në qiell përsëri!
O zot, u bëfsha shi,
Vetëm për Ty!

29 janar 2019
 
 
 
MENGJES …
 
M’ka dalë gjumi herët,
Tuj mendu
Mos me m’zanë drita
N’gjumë,
Me ia dhanë
Mëngjesit një kafe,
Qiellit me ia ofru
Një gotë konjak,
Që t’ia hapë
Udhën  diellit
Me i nda retë
Nga fërkimi i natës
Mëngjesi ishte
Ma i shpejtë e m’xuni
Tuj iu afru kafes!
 
 
 
TI JE …
 
 
Ti je një zgjim bimor
I natyrshëm
Mengjesi, princi jot
Merr frymë ngeshëm
Tuj kenë le nanët
Para diellit,
Në livadhin pranë
Tuj la sytë
Me vesën e natës
Nga avlli i dashnisë
Së orv’ve të amla
Tuj përcjellë kohën
Njëlloj
Që nga fillimi i botës
Së pagojë!
 
 
 
Histori
 
Një mal dembel
Shtrinë këmbët në lum
Sipër tij ca sorra
Kanë qerdhet me derë
Nga retë,
Ca zogj që flenë
E vdesin në fluturim,
Kanë kodin e tyne sekret
Tek shkruajnë historinë
E të parëve të vet!
 
 
 
DETI
 
 
Deti, si një luan i çmendur
Tund kreshtën e thinjur
Duke rrahur bregun
Me dallgë të hov’shme,
Toka tërhiqej rrëzë bjeshkëve
Si një lindje e parakohëshme
Shkëputja e reve
që marrin formë tufe
Në një fluturim kelektiv
Sikur na bien në shpinë!
 
 
PA  T Y
 
Një stuhi e pafundme
Më vjen në sy, në gjoks, në kry
E kur?
Bash kur jam pa Ty!
 
 
 
 
DIMER SI KY…
 
( Kushtuar dimrit kolektiv afro gjyswm shekullor )
 
Shtëpi të kërrusura
Si ti kishte mbërthyer ngërçi
Çelin portat tuj ndjek retë
Për me hy pak dritë e zbehtë!
Druvarët ngarkojnë mbramjen
Me zjarrin e portokalltë
Tuj thanë me vete:
Dimër si ky, mos ardhtë!
 
 
 
                                                                 U   N   E
 
                                                                      
                                                           Une isha, nuk erdha
                                                  Babai erdhi, se para tij qe gjyshi
                                        Para gjyshit qe babai i tij e të tjerë që erdhën
                                     Njëri pas tjetrit , të  vënë  si  ushtarët  në  vij
                                Të larë ngjyrave të ylberta të lumenjëve të artë
                            Tuj puthun ajrin e vaktë të dritës së maleve, ende pa i hapun
                          Sytë, në temperaturen  e fjalëve dhe urimeve. Ku së brendëshmi
                      Pulësonte frymë qiellore, dritë dhe alkimi që vjen përherë tuj u
                   shndërru në portretin tonë, nga hekuri në shkëmb, nga shkëmbi në tokë
                         Nga toka në hi, nga hiri në hiç.  Unë erdha, nuk isha, të njëjtes
                                 rrugë që erdhi Nëna dhe  gjyshja  ime , dy trekëndësha
                                        të mbyllur me dy kulme e me radhë, pas njëra
                                              tjetres, duke u kthyer në drite e diellin në
                                                    kangë , erdhëm njëri pas tjetrit të
                                                         lidhur synit të fillimit tand!
                                                            Gjyshja, mbretnesha
                                                                 E pritjes së lindjeve
                                                                   Ma preu lidhjen
                                                                       Me nanën!     
                                                                              Sot,
                                                                          Piramida ime
                                                                          Ngul me krye
                                                                                  në
                                                                              T O K E!
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *