TI DO TE VISH! Pozi nga: ENKELEJDA KONDI

Pozi nga: ENKELEJDA KONDI

Ti do të vish!

 

Retë sjellin si premtim shiun,

Po ti, kur do të vish?

Një vetëtimë çjerr qiellin tutje,

Edhe një tjetër…

Si melodi, nata më bie mbi supet e brishtë…

E di, ti patjetër do të vish!

Burg a botë?

Bota – një burg me qiell të hapur,

Vështirë se mund t’i besoj më…

Mbushur me njerëz të sëmurë, të palumtur.

Botë e asfiksuar,

E lodhur nga ofshama njerëzish që thërrasin shpresën.

Botë e lënduar

Nga grahmat e fundit të atyre që ikën

Të vetmuar, pa asnjë shtrëngim dore,

Mbërthyer nga kthetrat e vdekjes.

Botë e irrituar nga komplotistët,

T’i mbyllën rrugët, ta dogjën lirinë

Asgjë s’të ka mbetur më për t’u eksploruar,

Të kthyen në një burg gjigant!

Lart, qielli i hapur kupolë, pret lutjet tona,

Vetëm zogjtë do të fluturojnë këtë verë.

Malli i ndau njerëzit, në udhëkryqe fatesh braktisur,

Botë, ti tani i ngjan një kafazi

Ku janë ngujuar bashkë të mirë e të ligj,

Miq e armiq, të pasur e të varfër,

Të gjithë njëlloj para kësaj fatkeqësie.

Kërkoj të marr frymë,

Po vetëm ajër gri virusesh e frikërash rreth meje,

Prej këtij burgu ku me zor më futën,

Dua të dal.

Prilli

Eja më tako, prill,

Më dhuro një buzëqeshje të pastër,

Më dhuro lule, diell,ditëlindje, cicërima zogjsh.

Dua të kaloj ditë të tëra duke ndjerë aromat e tua,

Dua të takoj shpirtrat e ringjallur prej dimrit,

Eja e më sill atë shqetësim të bukur në shpirt, pranverën.

Eja e më prek, më puth, falmi gabimet e dimrit,

Se vetëm në prill njerëzit duhen ndryshe,

Ndaj eja e me ndiq nëpër net e ditë, mëngjese e mbrëmje.

Sot jam përqafuar me ty e bashkë

Po vallëzojmë nëpër qilimat e tu të gjelbër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *