ASGJË S’ËSHTË SI MË PARË – Poezi nga NDUE DEDAJ

Në pamundësi për ta shpërndarë librin poetik të sapobotuar “Mjegullat e gjenezës” (“Geer”, Tiranë, mars 2020), përzgjodhëm prej tij këtë cikël për lexuesin.

DHEU I KUQ

Dheu i kuq është fanari im mbi kullën e Rodonit…

Prej dheut të kuq piqen tjegullat e shtëpisë së vjetër

Mos me ra shiu cërkatë mbi gurin e caranit.

Dheu i kuq është gjaku im i pikturuar…

ASGJË S’ËSHTË SI MË PARË

Vitet më rrinë përherë e më ngusht,

ndërsa këpucët përherë e më lirë.

Asgjë nuk është si më parë,

pemët lëshojnë më shumë hije,

dielli perëndon më shpejt,

deti si një bujtinë për pleq.

Asgjë nuk është si më parë,

sidomos kalendari monoton,

që i bien fletët si flokët e borës,

i vetmi që nuk e shoh…

Vitet më rrinë përherë e më ngusht,

ndërsa këpucët përherë e më lirë.

        

DITËN KUR LEVA

Shëngjergji i karmoi kulshedrat me heshtë…

Çelën sythe trarët e kullës treqindvjeçe n’vërri

gazmuan dhe gurët e shndritshëm të zallit

ku camërdhokët laheshin në hurdha e zinin bërcakë,

u dyndën të afërmit me dhanti të fisme e çifteli

ungji hodhi tre napolona ari n’filxhanin e kafes

dajat erdhën me një dash njëzet e pesë okësh përdore

gratë e fisit zgjidhnin penjtë e lidhur nyje udhës së kroit

dhanë shpirt shtrigat e fundit të shek’llit atë ditë.

Burrat e dheut këndonin këngë majekrahu si në epos,

brofi në këmbë im gjysh si Leka i Lekëve:

“Kullës tonë iu shtua dhe një pushkë”.

Vela si një nanloke e thinjur dimrave

zgjati duart të më lidhte kërthizën…

DËGJOJ HESHTJEN TËNDE

Dëgjoj heshtjen tënde si zukat

Brenda meje – brenda teje,

Koha shkund pemën e viteve

Nuk bëhet dot pjalm e fllad.

Dëgjoj heshtjen tënde si pikon,

Kaq vite e lidhur nyje,

Koha lë njolla mbi pëlhurë,

Afresk që vdaret në muzg…

Dëgjoj heshtjen tënde si qan,

Muzikë e lehtë pa pentagram,

Koha rrjedh si ujët nën urë –

Ne mbi të nuk jemi gjurmë.

TË KISHA QENË RAPSOD

Të kisha qenë rapsod i mehallës sime që flirton n’shi

Shumë gjana ndryshe do të kishin me qenë në jetë,

Emni im do të përmendej anekand si një kreshnik

Do gdhendej në mbishkrime të gurta si i Progonit arbër,

Do të binte për mue trumbeta si për një Uliks të ri.

Qaj e k’ndo për vete dhe ndrikullat e shtetit!

Me ma pas lakmi dhe aedët qorra të shekujve.

Të kisha qenë rapsod i tollovisë sonë tribale

Zanat e maleve do të kishin shti dashtni në mue

Kep më kep, breg më breg e krue më krue

Tue e lanë Fishtën n’shenjtinë e vet lahutmalcore,

Zani im do gjimonte der’ në Këshill të Europit…

Të kisha qenë rapsod i shekullit njëzet e nji,

Eh si do të kisha flatrue në skena dhe arena

Cub i rrokullisë sime pa libra e simfoni,

Qaj e k’ndo për popull, në kor heronj e horra!

Lum e lum si ne, flamujshqyer nëpër boka…

VELA E POETIT

Mali i Preç Zogajt.

I priste lindjet krojeve mbi Lissus,

i vizatonte muzgjet

e mëndafshët mbi det.

Kurrë njeriu nuk matej me malin e vet.

Asnjiherë s’e kam kuptue

si atje nalt n’majën e qelqtë mbi kreshtë

kishte humbun anija me gjith’ direkë

e kishte mbetun si dallgë e ngrime n’ajër

… vela?

Mali i detit

sa herë shkrep dielli lisave ngulun n’kep,

përlind veten.

Tungjatjeta Preç!

Shtegu që zgjatet mbi Manati

për kah kunora e atij mali me vela

asht në ty

orë që zgjohet njiherë në njiqind vjet.

VENDI IM JAM UNË

Vendi im – shullâ në një kreshtë të bardhë dimri

pingrojnë orët e zanat, verrkeqet e orlat…

prej Motit të Madh pret të mirë mot

Vendi im – qytet amfiteatrosh, kështjellash, ballosh

log bjeshkënamunash, gurrë lugjeverdhash

si një barrë e vrame në brigje të planetit.

Mund të më lëvdoni për shkak të vendit tim

mund të më qortoni për shkak të vendit tim,

vendi im jam unë.

PËR QIELL E PËR DHÉ

 Për qiell e për tokë! baba im bënte be

Toka e qielli bëheshin një…

Ngre dorën nalt, t’i bëj një fotografi qiellit

blici flakëron prej rrezeve të kuqe të planetit Mars,

retë barsa gati për të pjellë foshnjën e lagësht

Shirat ngjizur me rrufe, mëngjeset kaltuar me erë

ylberi ngulur mbi dy shkrepa si hark triumfi.

Zotat fuqiplotë trazojnë urët e fundit të zjarrit

dehen me verë në bujtinat me flatra

harrojnë ku është ferri e ku parajsa!…

Për qiell e për dhe! baba im bënte be.

Qielli e toka bëheshin një…

Nuk pashë dikë atje nalt

t’i bënte një fotografi robinës së qiellit,

tokës…

23 qershor 2017

KALI IM

Ti je kaq i mirë kur shilohesh për herë të parë,
kaq i urtë kur kullot barë në livadh

kaq i dhembshur kur shtegton me barrë në shpinë

kaq fisnik kur buzë lumit përzien baltën e kuqe

për ta pjekur si bukën në furrë

për tulla e tjegulla, poçe e vegsha.

Por ti je kaq i prapë, kali im

kur sillesh e përsillesh në lëmë

e s’di të dalësh më nga balta,

që vetë ke ngjeshur…

SOZIA

Ra në fushën e luftës

Duke thirrur në kupë të qiellit

Rroftë Mbreti!

Poshtë Mbreti!

TEATRI VDIQ

Perdet ngjyrë vishnje të teatrit

Madhështore si portat e rënda të kështjellave

Befas ranë… para klithmave nudo

Të aktoreve bjonde të shekullit XXI.

Makbethi vdiq lakuriq në skenë,

Hamleti në paraskenë lakuriq vdiq,

Desdemona lakuriq dha shpirt në prapaskenë.

Shekspiri përfundoi në psikiatri!

Deri këtu kishte qenë

Tregjikomedia e tij…

VENDET E VOGLA

Kanë një mallkim vendet e vogla,

Duhet ta dish në cilin krah zgjohen.

Ora e qytetit nuk të ndihmon,

Yjet e horoskopit s’të bëjnë punë.

Ti patjetër duhet t’i ledhatosh ato

Me fjalë e me gjeste miradije.

Nuk u mjafton pjergulla mbi lis

Nuk duan vetëm rrushin e ambël,

Por lisin me gjithë degë e gjeth.

E kanë të vështirë të rritën

Tri pëllëmbë më lart se hija e vet

Vendthit e bekuar, me huqe mushke.

PSALM PËR MALIN

Në veten time fle një mal me kaculitë dëbore në verë.

Ky qe fati im shtegtar me shpendët flatradlirë

Të zgjohem me nji mal nën krye e nji mal mbi shpinë,

Një mal të njehun, një mal të panjehun…

Kurrë nuk u ika maleve në vargje poezie

Me ngja ma pak malcor e ma shum’ mis trotuaresh,

Ani se kur janë zemërue me mue e malin tok

Më kanë gjuejt me fjalën e idhtë “malok”…

Karrocën e ngarkueme me neon e asfalt

E tërheq tërthoreve e qafmaleve gjithkah,

Të ngjizën alpeve simfonitë e njihershme,

Se qytetet patën dalë prej psalmeve të epeve!…

Mos mendoni se jam ndonjë i marrë bri caranit

Që e ndjell qytetnimin me lahutë e fyej,

As murg kambëzbathun malebekues,

Po ma mirë më thoni malcor, se malelëshues.

 

PËR GJERAT QË NUK DI

nuk di të luaj melodi me fyell si im gjysh

t’i bie bilbilit, zumares, curles dyjare

nuk di të pozoj krenisht me qeleshen e fisit,

nuk di të lidh kollaren cirka – cirka

sipas shijes së partive cikaloshe shqiptare,

veç lidhësat e këpucëve të mia di të lidh e zgjidh

nëpër oda kullash e monopate!…

për gjërat që nuk di, mos ji i penduar,

ani se ke humbur daullet e turmës.

FOTOGRAFI

bëj fotografi me lulet në të dalë të dimrit –

ua largoj ferrat të mos ua zënë frymën

bej fotografi me fëmijët parqeve të qytetit –

kur kalojnë ata, bëj policin e trafikut

bëj fotografi me vashat që bëhen nuse –

në pajë fshehur kanë Gurin e Nuses

bëj fotografi me bustet rrethuar nga pleqtë –

porositë e tyre i shënoj pa i shkruar në letër

s’e shkrep asnjëherë blicin para brumbujve

që karratojnë topthat e plehut… i bëjnë pirg

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *