Frrok M. KRISTAJ: Katër poezi

Frrok M. KRISTAJ: Katër poezi

 

SHEKUJT E GJERGJIT LARTËSOHEN NË LAVDI

– Në 550-vjetorin e kalimit në amshim –

 

 

Gjergj Kastrioti, kreshnik i racës njerëzore

nga qielli na vjen me emër të diellit prore

Në Arbëri Skënderbeu bëri emër – hero
shekuj me rradhë me krenari na ngroh

Qetësisht Gjergji ynë sot na vështron

i derdhur në bronz kudo na hirëson
Na shfaqet si yll’i dritës, i ringjallur
me ngjyra t’ylberit Kuq’e Zi i përmallur

Shekujt e Gjergjit lartësohen në lavdi
mëkëmbës i lirisë i gjallë në përjetësi

Nëpër varre përplasen eshtrat e krenarisë
emri i tij i shëron plagët e historisë

 

IMZOTI YNË PJETËR BOGDANI

– Në 330-vjetorin e përjetësisë –

 

330 vjet me ty, o i Përndrituri Pjetër Bogdan

– ti rreze engjëlli i dritës hyjnore

– ti hyjnor i racës njerëzore

 

Pas trazimit të varrit tëndë

shenjtërit derdhën bekim

mbi eshtrat e hudhur rrugëve të Prishtinës

 

Mbi varrin e zbrazur, o i Bardhi Bogdan

Çeta e profetëve qëndisi aureolë

– aureolë të epitafit të kohës

 

Imzoti ynë Bogdan

edhe sot po jetojmë

me lëkurë të arnuar

buzë varrit të rrënuar

 

Ende po vijmë në jetë për të vdekur

ende po vdesim për t’u kthyer në jetë

 

Rrugëve të Prishtinës

as sot nuk po u shuhet tërpia e xhelatëve

për eshtrat e shenjtërit të Arbërisë

 

330 vjet me ty, o i Madhi Pjetër Bogdan

330 vjet në ty, o Imzoti ynë Pjetër Bogdan

 

KATEDRALA E KËSHTJELLËS SË DARDANISË

              – Ibrahim Rugovës –

Në Katedralen e Kështjellës së Dardanisë

me bekimin e Shën Florit e Shën Laurit

Shën Abrahami e kaloi natën e Kalvarit

Nga Çeta e profetëve i zbuloi fjalët

që sot i falen durimit të botës.

Gjatë Golgotës së Kreshmëve

në Purgator Shën Abrahami i këndoi Psalmet

dhe i mësoi ritet e ringjalljes.

Me bekimin e Gjergjit e të Nënës së Madhe

Shën Abrahami e puthi urën këndej e andej kujtesës.

Me profetin e Madh Bogdan

të premteve i lidhi nyje fjalët me besën

për ta ringjallur të Dielën e Pashkëve.

Me ujin e bekuar të Katedrales

i hapi dyert e Kështjellës së Dardanisë.

 

 

SHALLI I DARDANISË

   – Ibrahim Rugovës –

 

 

O shall i lartë

– kuror’artë

i bardhë borë

– e bashkëkohor

 

O shall i Arbërisë

– i bririt t’dhisë

i bukur e i vjetër

– si asnjë tjetër

 

O shall i dritës

– e i rritës

i t’urtit, krenarisë

– e i lirisë

 

O shall i Rugovës

– e i Kosovës

i krye heroit, trimit

– e i Ibrahimit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *