POEZI NGA ERMIRA MITRE

KAM MALL

 

Mjellmë bëmë të fluturoj,

përmbi breg të Adriatikut,

lotin e kripur ta lëshoj,

mbi parvazin e braktisur.

 

Bëmë kalë të trokëllij,

mbi kalldrëm e mbi asfalt,

një nga një kodrat t’i zgjoj,

hapmi dyert erdha prapë.

 

Qershor 2014

 

  

ERDHA DURRËS

 

Erdha Durrës, Durrës plak,

rëra këmbën të më puthë,

deti gjoksin të ma lagë,

erdha prapë shpirtin ta mbush.

 

Erdha Durrës, erdha prapë,

hapmi portat e kalasë,

buzët e thara t’i freskoj,

mu tek pusi i Tophanasë.

 

Të pi vesën e mëngjesit,

dhe të zjarrtin perëndim,

që më shumë mallin ma ndezin,

më lenë zgjuar gjer në agim.

 

Nimfë bëmë, lehtë të rrëshqas,

nëpër det e oqeane,

mbi buzë tënde të qëndroj,

të të puth sy edhe faqe.

 

Syri ëmbël të përkëdhelë,

Mozaikun e Bukuroshes,

mbi të faqen ta mbështes,

të ndjej rrahjet e kësaj toke.

 

Malli lotët lëshon çurk,

zemra më ndizet prej gëzimit,

kur puth të bukurën Teutë,

mbretëreshë të qytetërimit.

 

Lermë të shplodhem përballë portit,

me hambarë të mbushur plot,

lermë të shplodhem me sirenat,

që të mbajnë zgjuar nga mot.

 

Në mërgim s’të kam braktisur,

kujtimet të mbajtën gjallë,

djepi im i përjetësisë,

shtroma sofrën erdha prapë.

 

Hirin hidhmani përgjatë bregut,

hi e rërë të shtrihen bashkë,

dhe e vdekur do të ngjallem,

bashkë me dallgën do vij prapë.

 

Amanetin mos ma tretni,

hirin hidhmani në det,

sirenë deti do të bëhem,

të të zgjoj ty çdo mëngjes.

 

Shtator 2014

 

MERRMA SHPIRTIN

Botuar në gazetën “Muzgu”-Tiranë 2015

 

Merrma shpirtin, fole bëma, për shtegtarët e robëruar,
shpresën rrite, fije bari prej tokës së amëshuar;

Merrma frymën, erë bëma, farë gruri të ç’mbështjellë,
të mbijëlarg, në fushat varg, që shtegtari ka lënë djerrë;

Merrma syrin, shpellë bëma, streho shpirtrat e trazuar,
dritë lëshon syri-shpellë, bujtësit për ti shpëtuar;

Merrma gojēn, bëma varr, kur lëshon fjalë të helmuar,
ngule kryqin përmbi gojën, që aq shumë ka mëkatuar;

Merrma gjakun, bëma zjarr, të përfshijë prag e derë,
nga gjumi të zgjojë të vdekurit që të ngrihen dhe njëherë;

Merrma lotin, plagët laju, kalorësve të Skëndërbeut,
ku janë fshehur, ku janë tretur sot trimat e mëmëdheut;

Merrma kockën bëma gur në vend të tij të rëndojë,
gur e kockë ta ngrejë kështjellën, mënçuri të pagëzojë;

Merrmi flokët bëji udhë, të lehta t’i ketë këmba,
shtegun e tij mban shtegtari, po të jetë e drejtë bota;

Merrma dorën bëma hartë, që të mbaje pesë kontinente,

gishtërinjtë ura bëmi, të lidh ndarjet e kësaj jete!

 

Shtator 2014

…SHPRESOJMË…

 

Shpresa është si dielli, e cilana e hedh prapa krahëve hijen e mundimeve tona, ndërsa ne udhëtojmë drejt saj.”

Samuel Smiles

 

 

TË SOTMEN JETOJ

Botuar në gazetën “Muzgu”, Tiranë 2015

 

Jam mbret i Tokës ku këmba më shkel,

I vëndit ku ulem, i shtratit ku fle,

I trupit që prek, i falem e ndjej,

I ajrit, i frymës që thith edhe nxjerr,

të sotmen jetoj, e nesërmja fle.

 

Jam mbret i ndjenjës, i mëndjes,

i fjalës që them, i farës që mbjell, i foshnjës që sjell.

i ujit që pi, i perlës që nga guaska e detit nxjerr,

i frutit, i mjaltit, i gurit, i drurit,

jam mbret i zjarrit që në vatër ndez,

të sotmen shijoj,

e nesërmja enigmën në prehër të më sjellë.

 

Jam mbret i vajit, i dertit, i hallit,

i lotit të ngrohtë që mbi faqe rrëshqet,

që gushën e lag e gjoksin bën det,

në ankth e pritje mbi mur të gjoksit qëndron,

të sotmen jetoj, e nesërmja mungon.

 

Jam mbret i tingullit të lirës së vjetër,

kitarës që bie tek pragu i derës,

jam mbret i qejfit, i valles, i këngës,

i sokakëve ku troket serenatë e zemrës,

ku vashat rrinë zgjuar nën dritën e Hënës,

pas perdes ngre dallgë melodi e brengës.

 

Jam mbret i qytetit ku pija rrjedh boteve,

kalldrëmi latohet nga kripa e lotëve.

të sotmes i këndoj, me gaz e me verë,

e nesërmja nuk e di ç’risi do më sjellë.

 

Jam mbret i paqes në pyll e lëndinë,

ku edhe zogjtë më të egër ulen e ngrenë folenë,

jam mbret i dritës, që dritë i jep syve të mi,

jam mbret i të sotmes, të nesërmen nuk e di.

 

E djeshmja, thëngji zjarri e shuar pas djegie,

shkruar në letër, a gdhëndur në stoli,

hirin zbraz e heshtur në të vjetrën kuti,

kurora e mbretit, relikë antike mbeti,

kujtim i largët, i lënë kushedi,

të djeshmen braktis, të tashmen jetoj,

të nesërmen pres në padituri.

 

Jam mbret i të sotmes, të ardhmen s’e di,

e Zotit i lutem në gjunjë, në vetmi,

jam mbreti që endet në galaktikat e tij,

si gurë tespije në dorë të tij rrotullohem,

pres të nesërmen me të sotmen të sinkronizohen,

pres një lajm, një figurë, një shenjë të më japë,

pres agimin e të nesërmes me sytë e mi ta shoh prapë,

jam mbret i të sotmes, të nesërmen nuk e di,

jetoj e shpresoj që e nesërmja të më vijë!

 

Shtator 2013

 

ELEGJI PËR DHIMBJEN

Botuar në gazetën “MUZGU”, Tiranë 2015

 

Nga shpatulla e malit rrëshqiti si ngjala në ujë,

në greminë ra e humbi në lumë a në shkëmb,

klithma, shigjetë therëse në zemër të malit u ngul,

luginën mbështolli si iriqi trupin e vet.

 

E dëgjuan zogjtë, u drithëruan e fjollë puplash lanë pas,

ndërsa trungu lëvoren lëshoi e u këput në mes,

gjarpri nën gur u lakua udhë t’i hapte dhimbjes ogurzezë,

rrënjët damarë zemërimi u frynë e tokën çanë përmes.

 

E dëgjoi stuhia dhe heshti e u struk në rrëzë të malit,

e dëgjoi Dielli e rrezet shkërmoqi në lot kristali,

e dëgjoi Hëna delikate dhe u fsheh nën petkun e qiellit blu,

ndërsa retë rrjetë ngatërruar u shkrinë si shkumë sapuni.

 

E dëgjoi klithmën e dhimbjes, po s’e njohu zërin e saj,

nga ç’humnerë e shpirtit u zgjua, mori udhë e shkoi,

në shkëmbinjtë e thepisur pudrosur me baltë u përplas e ra,

në shtëllungë pluhuri u shndrrua, u ngrit lart e u bë re.

 

Bariut kënga iu pre në grykë e buza mbi fyell i ngriu,

ofshani qëngji i ngratë e kaçurrelat merinos në ajër fërgëlluan,

pishat u drithëruan e fijet lëshuan si dhëmbë krehëri të thyer.

eshkën shkoi gurit, por shkëndijë s’ ndezi,

guri ish rrudhur e tkurrur si veza e fetusit pas dështimi.

 

Ra dhimbja e mbi lehonën lëshoi vel të zi perle,

ndërsa foshnja në gjoks të saj pinte bulëza të ftohta djerse,

qëngji nën thithkë blegërinte për qumështin e munguar,

buzët e tij të etura puthën buzën e kroit

se dhimbja ujin kish shterruar.

 

Dhimbja, kjo humnerë e thellë pa anë e pa fund,

mal gjigand me dhëmbë shkëmbi gjashtë gërmëshe,

kjo hije metastazë e natë e hidhur e mbrapshtë,

ulet këmbëkryq e shpirtin ta djeg si flaka e ndezur në vaj.

 

Prill 2014

 

  

MUZGU

Botuar në gazetën “Muzgu” Tiranë 2015

 

Rrezet e diellit thyhen poshtë në Perëndim,

si shkarpa druri pas djegies marrin ngjyrën gri,

dalëngadalë ditë-drita shteron si ujë në shkretëtirë,

nata e Hëna ulen këmbëkryq në të përjetshmen ortakëri,

bashkë me yjet shtrohen në të madhen gosti,

vallëzojnë me to ëndrrat dhe zogjtë në shtegtim,

ndërsa nënat rrinë zgjuar me foshnjën në gji.

Mendimet thellë në tunele të errëta marrin udhë,

nuk kanë as formë, as masë, as kohë,

fiken e ndizen si fanar,

thërmohen në mijëra copëza si margaritarë,

e bien mbi muzg e agim,

mbi natën, hënën, diellin, që dritë-hije u japin ditëve,

foshnjën në gji rrisin me ndryshimin e cikleve,

muzgu fiket si flaka e qiririt në mbarim,

aty ku agimi,

si priftërinjtë në meshën e Krishtlindjeve,

vesh petkun e artë të ditës së re që mbërrim,

e përshëndet ndërrimin e cikleve.

 

Gusht 2014

…DASHURIA…

“E vetmja bukuri që zgjat është bukuria e zëmrës.” 

RUMI

 

 

AJO

 

Ajo është delikate,
mbyllur në kafaz kristali,
kam frikë ta prek,
të prek shpirtin e saj të brishtë,
shpirtin e saj tis,
si velloja e bardhë e nusërisë,
membranë e universit që agimi gris.
Më lini fytyrën në të ta zhys,
e të bëj fole,
e pastaj të vdes,
të vdes mbi pëlhurën e dlirësisë,
me të të mbështillem,
kur të hyj,në honin pafund të përjetësisë.
Frymën e saj të ndjej,
tek më ndjek,
me flatrat e saj,të shkruara si zog a flutur,
me krahë të më godasë,
a me sqep të më trokasë,
e di nuk do të më vrasë,
me perkdhelje do më mbushë,
me dashyri hyjnore,
gushën,do të më ledhatojë dhe puthë,
pafundësisht derisa,
shpirtrat të ngjizen bashkë,si palca në rrashtë,
si dy kokrra gruri në një guaskë,
dy binjakë të ngjizur në një bark.
Me tis të më mbështjellë,jehona e dashurisë,
me të të thur folenë e lumturisë,
si bleta mbretëreshë,në lulëkuqe pjalmin të mbledh,
e mjaltë,mbi kafazin e kristaltë të derdh,
e pastaj lërmëni të vdes,
të vdes e të shndrrohem në tis,
të lodroj bashkë me shpirtin e saj përjetësisht.

Shkurt 2015

 

  

FEMËR VIRTUOZE

 

Nuk u dashurova,

me fytyrën tënde të bardhë,

as me mollëzat trëndafil,

apo me sytë e tu jeshil,

por me mëndjen tënde brilante,

që ndizej,

nën flokët e artë që të binin mbi supe.

Nuk u dashurova,

me buzët e tua të kuqe,

dy qershiza të freskëta të pakëputura,

por me rubinët e kuq,

tek derdheshin,

nga korniza e buzëve të tua.

Nuk u dashurova,

me format e gjinjve tëtu të rrumbullaktë

por me zemrën,

që fshihej nën ato duna rere: hijerëndë,

me shpirt-madhështinë e saj,

savete kupola e qiellit të kristaltë.

Dashuria ime për ty,

fshihej në dy kafazë:

në kafazin,

e brinjëve të kraharorit,

dhe në kafkë.

Të desha ty nga mesi e lart!

U dashurova,

me mëndjen dhe zëmrën tënde,

jo me seksin tënd.

Dashuria,

imeper ty ish disi e veçantë,

por,

ti ike shpejt, shumë shpejt,

nga një e qëlluar arme,

në kujtime,

ke mbetur një statujë,

gjysmë trup femre statike,

as vdes,

as ringjallesh,

por qëndron e varur

në hapësirën kozmike.

Dashuria ime

për ty,

e vecantë, jo platonike,

ishte adhurimi,

për virtytet e një femre fisnike.

 

Mars 2017

 

 

RENDIM

 

Rendim,
rendim papushim.

mbështjellë me andralla,
sfidojmë vetvehten.

Harrojmë,
të ndalemi e të kujtojmë,
se rastësisht një ditë erdhëm,
dhe një ditë tjetër do shkojmë.

Se midis jetës dhe vdekjes,
na ndan një tyl i hollë,
një frymëmarrje,
një tik-tak zemre,
një shikim i ngrohtë,
një prekje!

 

Gusht 2017

 

…MIDIS JETËS DHE VDEKJES…

“Jeta dhe vdekja janë e njëjta fije, e njëjta linjë por e parë nga dy anë të ndryshme.”

Lao Tzu

 

 

QYTEZA E LARGËT

 

Në qytezën e largët,
Shiu lau fytyrën e lodhur të maleve me rrebesh,
Era ia mbylli kapakët e syve me kujdes,
Dëbora mbi kokë i hodhi flokët e thinjura,
Mbi qytezë bëri fole mbrëmje-vetmia.

Klithma korbiane si degë u këput e theu ajrin krrau-krrau,
Ndërsa pishat krenarisht shpupurisen flokët,
Zogjtë jashtë u ngrohën në tymin e zhdërvjelltë të oxhakut,
Që frymonte akoma ngarkuar nga të ftohtët.

Atje në vatrën e zjarrit të plak Kryeziut,
Ulur mbi gunën vjetrane të bariut,
Gështenjat me thëngjijtë përpoqën faqet,
Në frëngjijtë e kullës armët nuk lëngojnë për të larë gjaqet.

Mbi kalldrëm godet trokthi i kuajve të hasdisur,
Midis malesh koha tundimet e gjakmarrjes i ka stisur,
Zogjtë mbi frëngjijtë fërgëllojnë prej vetiu,
Paqja hyjnizon shpirtrat tek Kulla e vjetër e plak Kryeziut!

 

Maj 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *