Agron Tufa: Kthimi i eshtrave të Mid’hat Frashërit, vendim i vonuar !

November 11, 2018

Drejtuesi i Institutit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, e cilëson si të drejtë vendimin për kthimin në atdhe të eshtrave të Mid’hat Frashërit, ndonëse me vonesë.

Në një intervistë për Politiko.al, Tufa vlerëson lart figurën e Mid’hat Frashërit teksa thekson se për modelin e tij kanë nevojë sot brezat e rinj, nëse duam të kemi një shembull të përtëritjes kombëtare e kulturore.

“Mit’hat bej Frashëri, biri i denjë i rilindësit Abdyl bej Frashëri, është pa asnjë diskutim figura më e pastër, kristaline e intelektualit, krijuesit dhe veprimtarit atdhetar deri në ditën kur Sigurimi komunist i shtetit të Enver Hoxhës, arrita ta helmojë në SHBA”, shprehet Tufa.

I pyetur për qëndrimin e gazetarit Dritan Hila, i cili në një postim në rrjetet sociale shprehej se Mid’hat Frashëri bashkëpunoi me okupatorin nazifashist dhe ishte pro krijimit të një federate greko-shqiptare, Tufa thotë se parimisht nuk i lexon enveristët dhe nostalgjikët e enverizmit.

“Sa për shpifjen që bëhet, kjo është përpjekja më e dëshpëruar dhe më qesharake që kam dëgjuar dhe bëhet me shpresën se mos ngjit. Ka pasur që para dy muajsh një përpjekje të qarqeve enveriste për ta hedhur në treg këtë tezë, por ju e dini si e bëjnë shpifjen nostalgjikët enveristë, si Hila me shokë të shumtë: ta pranojmë pa vërtetim, apo përmes ndonjë falsifikimi, që e sajojnë të gjithë hutinjtë e natës.

Aq më qesharake e krejtësisht debile është akuza e dytë, ajo e bashkëpunimit me grekët. Këtë, me siguri, Dritanit ia ka pëshpëritur në vesh i ati, ish hetues mizor i ish-Sigurimit të shtetit enverist, ish kryetar degësh të MPB-ve enveriste, pra, nuk pritet të flasin ndryshe ata që vijnë prej një beckgrond-i të neandertalëve komunistë”, thekson Agron Tufa.

Intervista

Pyetje: Do të kishim interes të dinim cili është qëndrimi Juaj sa i takon vendimit për kthimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit në Shqipëri?

Agron Tufa: Ndonëse shumë i vonuar në kohë, vendimi për kthimin e eshtrave të një prej apostujve të nacionalizmit shqiptar, Mit’hat Frashërit, është, kuptohet vetvetiu, i drejtë. Është e pajustifikueshme kjo vonesë në hapësirën demokratike pas rënies së regjimit diktatorial komunist, që e çoi shtetin dhe shoqërinë shqiptare në faliment dhe katastrofë të gjithanshme, duke e shfytyruar dhe turpëruar shqiptarin. Gjithsesi, ndonëse vonë, tani kur me përpjekjet i inteligjencies së pakompromentuar shqiptare, Mit’hat Frashërit po i botohet  vepra e plotë dhe e begatshme, si pionier i albanologjisë; si shtetar, veprimtar kombëtar, si memuarist i rëndësishëm, si themelues i politologjisë dhe diplomacisë shqiptare; si një ndër të parët shkrimtarë emancipues në stil, gjuhë e zhanër (me pseudonimin Lumo Skëndo); si editor i shquar, librar (që i ka dhuruar mbi dyzet mijë tituj Bibliotekës sonë Kombëtare); si muzeolog, orator, historian, gjuhëtar; si një utopist e futurolog i së ardhmes së kombit, përmes programit të organizatës “Balli Kombëtar” dhe lideri kryesor i Ballit, mund të themi më në fund, se tani fillon njohja reale e këtij “gjeniu të Kombit”, siç e ka cilësuar me të drejtë z. Uran Butka, në monografinë kushtuar kësaj figure. Mit’hat bej Frashëri, biri i denjë i rilindësit Abdyl bej Frashëri, është pa asnjë diskutim figura më e pastër, kristaline e intelektualit, krijuesit dhe veprimtarit atdhetar, deri në ditën kur Sigurimi komunist i shtetit të Enver Hoxhës, arrita ta helmojë në SHBA.  Një shtyllë, drita pa asnjë njollë. Një njeri-orkestër, një organon për kulturë e komb. Për modelin e tij kanë nevojë sot brezat e rinj, nëse duam të kemi një shembull të përtëritjes kombëtare e kulturore.

Pyetje: Gazetari Dritan Hila, në një reagim në rrjetet sociale shprehej se “Mid’hat Frasheri bëri dy gabime të mëdha në jetën e tij: Bashkëpunoi me okupatorin nazifashist dhe ishte pro krijimit të një federate greko-shqiptare, që praktikisht kuptonte një shuajtje të pavarësisë shqiptare. Këto të dyja ja shumëzojnë me zero të gjitha çfarë bëri më parë apo se i biri i kujt ishte”. Keni një koment në lidhje me këtë qëndrim?

Agron Tufa: Unë, parimisht nuk i lexoj enveristët dhe nostalgjikët e enverizmit. Për arsye higjene. Aq më tepër eneveristët e zellshëm dhe kryekëputë injorantë. Është e padobishme. Ç’të thuash për këto donkishotë, në kuptimin negativ të fjalës? Ju i sillnë të cituara në thonjëza dy shpifjet e vrerosura të një enveristi, fjalë, të cilat, me siguri, ia ka pëshpëritur në vesh dordoleci i Halloween-it, Nexhmie Hoxha. Zoti, si duket, nuk ka menduar mallkim më sarkastik për këto astrale të ulëta. Epo, aty mbeçin. Sa për shpifjen që bëhet, kjo është përpjekja më e dëshpëruar dhe më qesharake që kam dëgjuar dhe, bëhet me shpresën se mos ngjit. Ka pasur që para dy muajsh një përpjekje të qarqeve enveriste për ta hedhur në treg këtë tezë, por ju e dini si e bëjnë shpifjen nostalgjikët enveristë si Hila me shokë të shumtë: ta pranojmë pa vërtetim, apo përmes ndonjë falsifikimi që e sajojnë të gjithë hutinjtë e natës.

Aq më qesharake e, krejtësisht debile, është akuza e dytë, ajo e bashkëpunimit me grekët. Këtë, me siguri, Dritanit ia ka pëshpëritur në vesh ia ati, ish hetues mizor i ish-Sigurimit të shtetit enverist, ish kryetar degësh të MPB-ve enveriste, pra, nuk pritet të flasin ndryshe ata që vijnë prej një beckgrond-i të neandertalëve komunistë. Komike është se këto shpifje i bëjnë persona që kanë nevoje urgjente për arsimim.

Mit’hat bej Frashëri, biri i denjë i Abdyl bej Frashërit, do të kthehet në panteonin e mohur, përkrah Konicës e shumë figurave të mohuara nga komunizmi.  Enveristët le të përshtaten me këtë realit, ose përndryshe, le të ndezin revolucionin e tyre në… epruvetë.

Politiko.al

Titulli, i redaksise se Kuvendit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *