REPORTAZH PER DITET E LETERSISE SHQIPE NE AMERIKE

Ju rrëfej Zërin i Korit të Muzave Shqipe, në Amerikë, –Ditët e Letërsisë Shqipe 2018, Detroit, Michigan.

(Edicioni i 17-ë i Ditëve të Letërsisë Shqipe 2018, Detroit Michigan, SHBA)

Nga Raimonda Moisiu

Qyteti i madh i Detroit, ndodhet në shtetin e Michigan-it, në veri të Amerikës, i cili shtrihet përgjatë lumit Detroit River; zona metropolitane e qytetit përfshin St. Clair River dhe St. Clair Lake, deri në perëndim ku ndodhet, Lake Erie.  Detroit, qyteti i shtetit të Michigan ka histori të pasur dhe të larmishme 300 vjeçare. Ai njihet si Kryeqendra e Industrisë Automobilistike të Botës, që ka luajtur rolin jetik në revolucionin industrial të prodhimit të makinave Ford, Chrysler dhe General Motor. Detroit njihet po aq mirë edhe si vendi me histori komplekse në industrinë muzikore. Aty u themelua shoqëria e parë muzikore, Tamla Motown, në vitin 1959 -të nga Berry Gordy, i rëndësishëm në popullarizimin e muzikës së shpirtit, nga ku kanë dalë artistë të mëdhenj me famë botërore si Stevie Wonder dhe Marvin Gaye apo grupi femëror, Supremes. Në Detroit-in historik, jeton dhe punon, komuniteti më i vjetër dhe i fuqishëm shqiptar i Amerikës, i cili është faktor i rëndësishëm në prezantimin e identitetit kombëtar shqiptar mes gamës së gjerë të kulturave dhe komuniteteve të tjera në SHBA- ës.

Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan, 2018, u organizuan për të 17-in vit rradhazi, nën kujdesin e veçantë të botuesit të Revista Kuvendi, shkrimtari e publicisti i mirënjohur, poeti Pjetër Jaku, dhe stafi botues i revistës, të cilët ndriçojnë kulturën kombëtare Shqiptare në Amerikë. Pasioni dhe identiteti poetik i Pjetër Jakut, vjen jo vetëm nga trashëgimia e traditës poetike e vendlindjes së tij, -Lezha- e njohur si “vendlindja e poezisë” që ka prodhuar poetë si Gjergj Fishta, Ndoc Gjetja, Mark Simoni, Rudolf Marku, Prec Zogaj, Agim Isaku, Elinda Marku, Shpresa Rama, etj, por poeti Jaku i përket atij brezi të artë të ëndrrave të mëdha, lënda e parë e shpirtit, – ajo e Poezisë!

Të jesh poet, krijues, prozator, dhe pasionant i letërsisë, do të thotë të pasqyrosh një pjesë të padukshme të identitetit, në rastin që dëshiroj të shpreh, në këtë shkrim, -Traditën e Ditëve të Letërsisë Shqipe Michigan ose e thënë ndryshe Festa Letrare e Shqiptarisë Amerikane, e cila për afro dy dekada prezantohet me vizionin, pozitën dhe historinë e saj, – e Bukur dhe Unike.

Meritë të vecantë zë organizimi i këtij eventi, organizim që konkuron vlera të mirëfillta letraro-artistike, dhe për 17-ë vjet është bërë simbol epoke; duke prekur njerëzoren, dinjitetin dhe mundësi të barabarta me diversitetin e pasur kulturor dhe multikulturor, ku të gjithë faktorët natyrorë, njerëzorë dhe fizikë, bashkëpunojnë e bashkëbisedojnë për të ndërtuar urat dhe realizuar mundësitë. Ndër ndikimet më të forta në ndërgjegjen dhe kujtesën e poetit Jaku, është historia e qytetit të Lezhës, që bën evokimin delikat të psikosintezës, vizionit, idealit historik e kombëtar, vlerën dhe forcën mbresëlënëse të historisë dhe e vendos në një kuadër më të gjerë dhe të ndërlidhura; mes ndjenjës kombëtare dhe trashëgimisë së traditës poetike, që e dualizojnë atë mes vizionesh analoge, është “Kuvendi i Lezhës” Shqipëri dhe Revista Kuvendi, Detroit, Michigan e themeluar nga Pjetër Jaku, në vitin 2001-ë. Por jo vetëm kaq! Fill pas saj startojnë – Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan!

Traditë organizuese e admirueshme, profesionale e mbresëlënëse me përkushtimin e vetë themeluesit e botuesit të Revistës Kuvendi, shkrimtarit dhe publicistit Pjetër Jaku, bashkëshortes së tij, poetja e talentuar dhe rebele, Elinda Marku, në bashkëpunim me stafin e revistës, dhe komunitetin e shkrimtarëve, poetëve, artistëve dhe përkrahësve të tyre, bisnesmeneve dhe dashamirësve të artit e letërsisë, që jetojnë, punojnë e krijojnë në shtetin e Michigan-it, rrethinat e tij, në krejt Diasporën amerikane, por edhe nga Europa, Kosova, dhe Shqipëria.

Duke marrë në konsideratë këtë veçori të tyre në fushën e letrave, poetët dhe krijuesit shqiptaro-amerikanë janë tashmë të njohur jo vetëm këtu në Amerikën e largët, por nëpërmjet Periodikes Kuvendi, ata tashmë njihen matanë oqeanit, në tërësinë e trevave të Shqipërisë etnike, në Kosovë dhe në Ballkan. Na ndodh që evenimente apo aktivitete të tilla të larmishme të na lënë mbresa të veçanta dhe përjetime të këndshme, që shërbejnë si një kumt për të shpalosur idetë, njerëzit që përpiqen me mënyra të ndryshme për të ndryshuar realitete në rrafshin personal por edhe botën që na rrethon. Sigurisht bëhet fjalë për realitet brenda librave dhe detyrimin që gjithsecili nga ne ka ndaj lexuesit, evidenton personalitetin e shkrimtarit, apo të poetit, ku gjejnë vend e hapësirë personazhet, jeta jonë e përditshme, sfida dhe absurdi i jetës, dashuria dhe paradokset sociale, pra bashkëjetesa e udhëtimit të lumtur e të trishtë të jetës.

Në mbarë komunitetin shqiptaro – amerikan të Detroit dhe të Diasporës shqiptaro-amerikane u zhvilluan për tre ditë me rradhë, me madhështi e krenari kombëtare, ashtu si e meritojnë letrat shqipe; Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan, 2018, – e thënë ndryshe- Festa Letrare e Shqiptarisë Amerikane.

Në unitet mendimi e veprimi, krijuesit “shëtitën” lirisht për tre ditë e tre netë, në krijimtarinë e njëri-tjetrit, dhe patën fatin për të ndarë bashkë eksperiencat dhe copëza të shpirtit të tyre krijues. Poetët dhe Shkrimtarët pjesëmarrës shprehin dhe debatojnë, idetë dhe mendimet, ata eksplorojnë dhe ndikojnë në rivlerësimin e vlerave letrare dhe artistike, jo vetëm me punën dhe kontributin e tyre krijues, qytetar e intelektual, por edhe nënkuptojnë të vërtetën e madhe se brenda forcës së krahëve e duarve, mendjes e dijes, ata tregojnë e përjetësojnë historinë, identitetin kulturor shqiptar, vlerat kombëtare e historike në Amerikë, njësoj si shkrimtarët pararendës të gjeneratës sonë dhe perspektivën e trashëgimisë drejt gjeneratës së ardhshme.

******

Mbas një ditë intensive dhe të lodhshme me pritjen në aeroport të kolegëve shkrimtarë, poetë e artistë, të cilët vinin nga shtetet e tjera të Amerikës, por edhe nga Europa, Shqipëria e Kosova, mbërritën në qytetin 300 e ca vjecar e historik të Detroit; nga Tirana, Agron Tufa, poet dhe shkrimtar i njohur, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Nga Prishtina erdhi kantautori, poeti, shkrimtari, dhe Artisti i Kombit, Ilir Shaqiri, nga New York-u erdhi shkrimtari i mirënjohur bashkëkohor, fitues i çmimit të parë në prozën e gjatë shqiptare, dhe një nga themeluesit e SHSHSHA-ë, Ramiz Gjini, nga Malësia nën Mal të Zi ishte shkrimtari dhe mencuria e shqiptarëve Fran Camaj, nga Franca erdhi përsëri poetja e njohur Enkelejda Kondi, nga Italia erdhi poetja dhe shkrimtarja e njohur, Margharita Stoja, nga USA-publicisti dhe analisti i njohur, Arian Gruda, poeti dhe studiuesi i njohur i letërsisë, Prof. Gëzim Basha,  shkrimtarja dhe publicistja e njohur, njëkohësisht edhe Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Raimonda Moisiu, nga New York-u erdhi Qëndresa Halili, poete dhe prozatore e njohur, Anita Zela Varosi, romanciere,  Erjeta Cufaj, aktore e vlerësuar me cmime kombëtare, nga Los Anxhelos Kalifornia e largët erdhi, poetesha e njohur e Haiku-t shqiptar e amerikan,  Reshida Coba, shkrimtari, esseisti  dhe romancieri,  mjaft i njohur për penën e tij profilike në prozë, Pierre Simsia, nga Filadelfia erdhi Shpresa Ymeraj, poete dhe esseiste,  nga Florida erdhi Afërdita Pepkolaj, soprano e njohur, këngëtare, artiste e dashur dhe fort e suksesshme në Diasporë, personalitete të njohura, të fushave të ndryshme të artit, kulturës dhe jetës social-ekonomike në Detroit SHBA, media e shkruar dhe vizive, me editorin  e portalit dhe TV ALBDREAMS,  publicisti i njohur,  Rush Dragu. Bën pak freksët, sepse valëzimet e The Great Lakes, sjellin paksa të ftohtë. Ngjyrat e vjeshtës janë spektakolare, veçanërisht në veri të qytetit. Që në pamje të parë të bie në sy gjallëria e këtij qyteti qindravjecar e historik, që të bën të përfytyrosh se si kanë qenë ëndrrat e shqiptarëve të parë vendosur këtu. Sikush ka pasur një ëndërr, një shpresë të atyre që kanë parë ecjen në kohë të gjeneratave, që panë dinjitetin kombëtar të ngrihej e integrohej nga dita në ditë, nga viti në vit, nga dekada në dekadë, duke kapërcyer shekullin.

Dita e Parë: Hapja e Edicionit të 17-ë i Ditëve të Letërsisë Shqipe 2018, Detroit Michigan

Në mbasditen e 26 tetorit, në ambientet e Kafe “Kuvendi”, qendër mjaft e pasur me trashëgimi kulturore, historike, arsimore dhe me bibliotekën modeste të Revistës Kuvendi e pasuruar me libra të autorëve shqiptarë e të huaj, pikërisht aty në “Kuvendin e Lezhës” të shqiptarisë amerikane, qendra e artit, dijes dhe traditës shqiptare, u mblodhën shkrimtarë, poetë, publicistë, gazetarë, intelektualë, këngëtarë, aktorë, skenaristë, dashamirës dhe adhurues të artit e kulturës shqiptare nga të gjitha trevat e komunitetit shqiptar në Michigan, Amerikë, nga Shqipëria e Kosova, Gjithashtu, ishin ftuar mendimtarë e intelektualë dhe aktivistë të çështjes kombëtare, studiues të spikatur në fusha të ndryshme të jetës social-politike dhe ekonomike të komunitetit shqiptaro-amerikan në Detroit, Çikago dhe shtete të tjera, media e shkruar e vizive, respektivisht ALBDREAMS, gazetarë dhe reporterë të shtypit të pavarur, Paul Palushi,  dhe të Revistës Kuvendi. Në sfondin e sallës qëndronte posteri me mbishkrimin; Edicioni i 17-ë i Ditëve të Letërsisë Shqipe 2018, Detroit, Michigan, flamuri shqiptar dhe flamuri amerikan.

Në një atmosferë pothuajse familjare, aktivitetin e deklaroi të hapur poeti, publicisti dhe botuesi i njohur, Pjetër Jaku, i cili bëri edhe prezantimin e të gjithë të pranishmeve. Në këtë atmosferë sa harmonike dhe argëtuese përshëndetën Ilir Shaqiri, Raimonda Moisiu, Pierre-Pandeli Simsia, Elinda Marku, Margarita Stoja, prof. Gëzim Basha, Shpresa Ymeraj, Qëndresa Halili, romancierja Besa Jonuzi-Rexhepi, Anita Zela, Erjeta Cufaj, bisnesmeni Rrahman Rexhepi, Aida Gjergji, cifti Aida dhe Gjon Simoni, etj. Dikush përshëndeste me vargje poetike, dikush me fragmente proze dhe esse, etj. Pjetër Jaku këmbënguli në pyetjen e vitit të kaluar, nëse ka apo jo shkrimtarë nga Diaspora, pasi asnjëri prej tyre, qoftë edhe me një sentencë të vetme, nuk përfshihen në asnjë tekst shkollor dhe, se çfarë duhet bërë në të ardhmen që edhe në komisionet e teksteve të ketë autorë të njohur nga Diaspora.

Raimonda MOISIU, Kryetare e SHSHSHA-e dhe veterane e Ditëve të Letërsisë Shqipe, Detroit Michigan, në fjalën e saj theksoi: “E thënë që në fillim ajo ç’ka shqetëson sot letërsinë shqiptare është mungesa e theksuar e shkrimeve të kritikës letrare, për të njohur vlerat e vërteta të shkrimtarëve të vjetër e të rinj, të përfshirë në gamën e gjerë në të treja gjinitë; prozë, poezi dhe publicistikë. Vemë re se prurjet në letërsi janë të shumta, shtëpitë botuese të shumta, të cilat tashmë janë bërë në modë, duke e trajtuar literaturën, sikur të jenë mallra me shumicë, në mjet përfitimi material, financiar dhe me shumë gjasa për përfitim moral e intelektual. Këto shtëpi botuese fantazmë shesin libra me poezi dhe romane (100-200faq.) për 400-500 euro, autorëve të importuar nga sindroma karrieriste e përfitimit të famës e parasë, pehlivanët e letërsisë, vetëm e vetëm për të fituar imagjinaren – statusin e reputacionit të një shkrimtari të madh, “të talentuar”, të një “poeti të shquar”. Eshtë për të ardhur keq, se në këtë vorbull dhe aferë korruptive janë përfshirë shtëpi botuese disi me emër në Kosovë e Shqipëri, deri edhe krijuesë e autorë me emër në letrat shqipe. Ata nuk janë filantropistë, ata janë aty thjesht për të fituar para! Mendimi im është për një lloj të caktuar të botimit të veprave, pra ngritja e një bordi letrar, ku kritika letrare të jetë parësore apo ngritjen e shtëpive botuese të organizuara. Botuesit janë biznesmenë njëlloj si bizneset në profesione të tjera-u shpreh znj. Moisiu.

Gjithashtu u ra dakort t’i dërgohet një “Notë Informuese” Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës dhe Ministrisë së Diasporës të Republikës së Shqipërisë për mosvëmendje të theksuar ndaj krijuesve dhe krijimtarisë në Diasporë. Më pas, pa shoqërim orkestre muzikore, këngëtari, shkrimtari dhe Artisti i Kombit Ilir Shaqiri, me zërin e mrekullueshëm, të kthjellët, brilant, talent e mjeshtëri artistike, ndryshonte atmosferën herë pas here, duke e bërë më të harmonishme me këngën epike dhe e fuqishme në mesazh prej disa dekada; “Jam Evropë!”. Në mbrëmje, botuesi i Revistës Kuvendi dhe organizatori i këtij edicioni, Pjetër Jaku shtroi darkën mikpritëse në restorantin e bisnesmenit shqiptar, Flamur Gjoka.

Festa Letrare e Shqiptarisë amerikane – Zëri i Korit të Muzave Shqipe.

Dita e dytë e manifestimit letrar ishte konceptuar, ditë e ngjeshur me aktivitete të ndryshme; vizita në vende historike të qytetit të Detroi-t. Bisedat u përqëndruan në imazhin dhe mesazhin që përcjellin “Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan”, letërsia dhe roli i saj në Diasporë, imazhin e kulturës shqiptare dhe letrave shqipe, kulturë e integruar tashmë në Diasporën Amerikane, aty ku ndërthuren dhe integrohen kultura të ndryshme, përpjekjet për të përhapur, ruajtur dhe trashëguar gjuhën, traditën dhe vlerat kombëtare e historike, integritetin dhe ruajtjen e marrëdhënieve mes komunitetit letrar, të dashamirësve, adhuruesve dhe lexuesve me botën e artit e letërsisë, si diçka të rëndësishme e jetike për identitetin kombëtar  shqiptar. Mbas drekës me ushqime tradicionale shqiptare shtruar nga cifti Pjetër Jaku & Elinda Marku në ambientet e restorantit DINER me pronar shqiptarin, Viktor Krasniqi, pjesëmarrësit e manifestimit letrar, shkuan të çlodheshin dhe të përgatiteshin për mbrëmjen muziko-letrare GALA në ambientet e Imperial House.

*****

Me një program të mirëpergatitur letraro-artistik, spektakolar e mbresëlënës, konceptuar në formën e një mbrëmje solemne, edhe në përzgjedhjen e temave në gjinitë e poezisë, prozës, publicistikës, kritikës letrare dhe muzikës, të cilat u referuan nga autorë, kritikë arti dhe studiuesë të profileve të ndryshme. Eksperienca profesionale këto, për të zgjeruar njohuritë dhe ndarë e shkëmbyer përvojat jetësore, akademike, krijuese letrare ura lidhëse midis kulturës popullore dhe artit, konceptit intelektual, qytetar dhe mençurisë për të bërë grintën e fuqishme shpirtërore.

“Mirëserdhët dhe Suksese në “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2018-ë, do të deklamonte moderatorja, Margharita Stoja. Me qetësi të admirueshme, rrjedhshmëri në artikulimin e fjalëve, elegancë, profesionalizëm dhe inteligjencë moderative, e diplomuara për gjuhë e letërsi shqipe, ishte shkrimtarja Stoja, e ardhur enkas nga Italia për Ditët e Letërsisë Shqipe. Moderatorja në fjalë, e filloi me disa të dhëna nga këndvështrimi biografik krijues, që kanë të bëjnë me jetën dhe aktivitetin e çdo referuesi, të cilët prezantonin kumtesat e tyre sipas temave që ata vetë kishin përzgjedhur. Në fjalën e tij të hapjes shkrimtari dhe publicisti Pjetër Jaku, organizatori kryesor i këtij eventi, përshëndeti dhe falenderoi të gjithë pjesëmarësit, në veçanti ata dashamirës e dashamirëse, të cilët bënë të mundur realizimin e këtij aktiviteti, të quajtur “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2018-ë”, aktivitet që zhvillohet për 17 -ë. vjet me rradhë.

Drejtuesi i kësaj mbrëmje të mrekullueshme, publicisti i njohur dhe editori i portalit ALBDREAMS, Rush Dragu ishte treguar i kujdesshëm dhe me stil të veçantë profesional në përzgjedhjen e pyetjeve që u drejtonte autorëve, duke shkuar me mikrofon në cdo tavolinë. Pyetjet e para ishin për rëndësinë që ka botimi i revistës “Kuvendi”, i cili mbart në vetvete magjinë e ndryshmit të shpresës për t’i mëkuar ëndrrat me art që gjithsecili krijues dëshiron të arrijë në rrugën e krijimtarisë dhe përkushtimi i prurjeve të reja në letërsinë shqiptare, ndihma konkrete shpirtërore, materiale e krijuese për vazhdimësinë e botimit të revistës në fjalë, “Kuvendi”. Sigurisht gjetjet inteligjente të publicistit Dragu, dhe idetë origjinale të autorëve spikatnin ndjeshëm për-afrimin e tematikës së Festës Letrare të shqiptarisë amerikane, duke qenë pranë realistes e pragmatistes, shpërfaqën jo vetëm finesën letrare të thesarit shpirtëror të krijuesve, por edhe fuqinë shprehëse dhe frymën e kritikës letrare. Agron Tufa, poet dhe shkrimtar i njohur, Drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit mes fjalëve përgëzuese dhe vlerësuese në veçanti për Botuesin e Revistës “Kuvendi”, Pjetër Jaku dhe stafin botues të saj, -u shpreh – se është më e veçantë ngase, kemi bashkë vlerat dhe të arriturat letrare, kemi bashkuar edhe shpatullat e ndrydhura të atdheut tonë të copëtuar padrejtësisht vite me radhë. Autori Tufa foli gjithashtu edhe për rëndësinë e letërsisë shqipe dhe aktivitete të tilla kulturore në ekzil. Më pas ai lexoi vargje poetike të krijuara e botuara prej tij. Fjala e të ftuarit kryesor të këtij edicioni, shkrimtarit e poetit Agron Tufa, u prit me interes nga të pranishmit. Ndërsa shkrimtari i vlerësuar mes shkrimtarëve modernë e bashkëkohorë nga kritika e kohës, Ramiz Gjini do të shprehej “Ky aktivitet i njerëzve të letrave zhvillohet në Detroit çdo vit, duke u kthyer tashmë në traditë, falë punës dhe përkushtimit të zotit Pjetër Jaku, që bashkarisht me një grup bashkëpunëtorësh, përcjellin mesazhin për të gjithë ata që pëlqejnë dhe përkrahin angazhimet, dhe bëhen pjesë e këtij misioni, i cili merret me kulturën në këtë vend ku punojmë dhe jetojmë.” Më pas Ramiz Gjini i prezantoi publikut romanet e tij, “Bibollasit” dhe “Pëllumbat e rrugës”, romane të vlerësuar ndjeshëm nga kritika e kohës, por edhe të krijimtarisë së autorit në tërësi. Janë libra tërheqës e me natyrë njohëse groteske për lexuesin, copëza dashurie, tolerance, humanizëm, diturie për vlerat njerëzore dhe natyrën e bukur. Romane me një ndjeshmëri të veçantë. Një nga vlerat kryesore është këndvështrimi dhe larmia e farsave sociale ndërthurja e tyre dhe shmangia e njëtrajtshmërisë, mirësisë dhe ç’ka përmbledh jeta e përditshme. Autori Gjini lexoi fragmente nga libri “Bibollasit” për të pranishmit. Shkrimtari, poeti dhe Artisti i Kombit, Ilir Shaqiri, mes fjalëve përgëzuese dhe vlerësuese në veçanti për Botuesin e Revistës “Kuvendi”, Pjetër Jaku dhe stafin botues të saj, u shpreh se është më e veçantë ngase vlerësoj këtë sofër letrare, që zgjon muzën e kuvendimit dhe oratorisë në tryezën e bashkëbisedimit dhe sot këtu dëgjohet zëri i korit të muzave shqipe. Dhe, të vazhdojmë kështu e më mirë nesër e në vazhdim, deri në bashkimin gjithëkombëtar, intelektual, qytetar dhe krijuesKëngët e kënduara nën interpretimin e këngëtarit të mirënjohur dhe të shquar, Artistit të Kombit Ilir Shaqiri, si “Kënga e Pocarit”, “Jam Evropë”, dhe poezinë “Nëse (If)” të Rudyard Kipling, kompozuar nga vetë artisti Shaqiri, i dhanë freski e atmosferë artistike, shpërfaqën eposin kreshnik dhe muzikor të thesarit shpirtëror të gurrës popullore duke ngjallur emocione dhe mbresa të jashtëzakonshme për audiencën. Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, znj. Raimonda Moisiu, pasi shprehu falenderimin për mikpritjen shqiptare nga ana e organizatorëve të aktivitetit, ajo vlerësoi anëtarësinë e shoqatës, kolegët dhe koleget, që e mbështetën atë, duke ju bashkangjitur eventit “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2018-ë. Zonja Moisiu, e cila ka qenë disa herë në eventin “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan”, e vlerësoi këtë manifestim letrar jo vetëm është historik e kombëtar, shkëmbim eksperience mes krijuesve në Diasporë, veçmas ajo e vlerësoi për rolin edhe kontributin e këtij manifestimi, duke e quajtur; kronikë të gjallë të letrave shqipe në ekzil, dhe në të dyja kahjet e Atlantikut, rolin e bashkëbisedimit atdhetar, të shpalimit të pasioneve, dashurive njerëzore, të atdhedashurisë e patriotizmit, të vlerave kombëtare, të shtegtimeve magjike nëpër të fshehtat e muzës dhe të opusit krijues, të jetës midis vargjeve e vatrave të kulturës, e mbi të gjitha, të integrimit të gjuhës, traditës dhe identitetit shqiptar në tokë të huaj”.

Më pas autorja Moisiu bëri prezantimin e Reshida Çoba, poetesha e zërit të Haiku-t shqiptar në Kaliforninë amerikane. E fortë, kurajoze dhe duke qenë vetvetja në çdo varg të Haiku-t, ajo arriti të botojë dy libra me Haiku-n; “Unë, Gruaja R’, dhe “Flirtoj me Universin”, me vargje prekëse, që të mbeten në mendje dhe që nuk mund t’i anashkalosh pa i lexuar disa herë. Për stilin poetik të poetes Reshida Coba janë shprehur pena të njohura të letrave shqipe; që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, i cili mendon se: “Shprehja e saj poetike është e thjeshtë e komunikuese, larg retorikës spontane. Mendimet e autores mbartin filozofinë që më shumë ndjehet, sesa shprehet. Kjo e bën poezinë e saj lirike me një feminitet të këndshëm, me figura të përvijuara lehtazi, të dhëna me dashuri e dhimbje, që shpesh vjen larg.” Ndërsa Petrit Ruka shprehet se: “Vetëm sinqeritete të tilla kaq shkundulluese në vargjet e një gruaje, mund të të shtien në shpirt drithërima kënaqësish estetike.”

Zonja Moisiu në fund për audiencën solli vargje nga poemthi shumë i bukur i poetes Coba; “Puthja e Lypsarit”. Prania poetike e poetes, esseistes dhe një nga organizatoret kryesore të këtij Edicioni, Elinda Markut, e cila me penën e saj rebele poetike  zgjeron fokusin e poezisë, duke e shkëputur atë nga rrethi i ngushtë tematik, shqetësimet brenda shpirtit dhe përvojave jetësore të një individi në kontekstin historik, social, kulturor, politik, dhe ekonomik me një përsosmëri të rallë filozofike dhe ndjeshmëri artistike, pozicionimit të saj- fluger për erën- për t’u shprehur lirshëm, përpos pasionit dhe intimitetit të identitetit poetik, motivit e veprimit, të përjetuarit të këtyre vlerave dhe përmbajtjen e tyre ideo-artistike. Duke shfrytëzuar verbin poetik me energji shprehëse, intensitet dhe vrullshëm, Elinda Marku është këmbëngulëse dhe e guximshme, provokatore dhe reformatore duke hedhur kështu bazat e një kritike të qëndrueshme të momenteve historike të jetës dhe të shoqërisë, analogjinë meditative të së kaluarës me bashkëkohoren dhe parimet moderne universale, konfirmon kuptimin historik me ekzistencën e karakterit baladik dhe elementet mitike, paktin e shpirtit me intimen dhe fenomenet e jetës, të cilat Marku i shqipton me zërin e vet poetik dhe esseist-estetik. Kësaj feste të bukur letraro-artistike i dhuroi emocione të dukshme e të forta audiencës, shkrimtarja Qëndresa Halili, teksa lexoi poezi të Elinda Markut. E emocionuar, me fjalë shpirti, me lotë malli e gëzimi dhe artistike, autorja Halili falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për mikpritjen fisnike malësore, që ajo gjeti në familjen Jaku, në zemër të Detroit-it historik. Kjo grua universale është poetja Elinda Marku, e cila dashuron jetën, vuajtjet e mija i bën të vetat, fal gjithçka nga gurgullima e shpirtit të saj dhe universit bukuror të dashurisë njerëzore, i fal në realitet e në vargëzimin poetik, -tha mes të tjerave Qëndresa. Në fjalën referuese e kritikut të artit prof. Gëzim Basha, e vlerësoi evenimentin “Ditët e Letërsisë në Michigan, ku mes të tjerave u shpreh: “Ditët e letërsisë janë një eveniment për të celebruar sëpari traditën tonë të pasur letrare; autorët që krijuan koleksionin e brilanteve të letërsisë shqiptare duke i dhënë dinjitet idiomës, Shqipe. Është momenti të përkujtojmë ata klerikë katolikë, që hyjnë në listën e shkurtër të lëvruesve më të shquar të Shqipes, veçanërisht Mjedën dhe Fishtën. Ndjeshmëria e tyre gjuhësore mahnitëse, dhe vargu virtuoz mbeten një provë monumentale e aftësive shprehëse të gjuhës Shqipe. Po ashtu të celebrojmë letërsinë e diasporës sepse historikisht, një pjesë e rëndësishme e letërsisë Shqipe është krijuar nëpër diasporat e shpërndara Shqiptare.” Ndërsa poeti lirik i dashurisë, Gazmend Kishta lexoi një poezi lirike. Poeti Kishta guxon të drejtojë vetveten drejt tejdukshmërisë të një frymëzuesi, dhe e pasuron atë me imagjinata. Për heroin lirik-poetin Kishta-, dashuria është një formë e ekzistencës së qenieve njerëzore të dy të dashuruarve, që thithin ajër nga fryma e njëri-tjetrit. Shprehja lirike e Kishtës në poezi, qëndron e fortë, goditëse, delikate, duke iu referuar dominimit të ekzistencës, njerëzores, të cilën e klasifikon këtë poet lirik, i ekzaltuar dhe tejet i sinqertë në ndjenjat e tij. Poezia e Gazmend Kishtës shquhet për një lirizëm të hollë në marrëdhëniet njerëzore dhe në aleancë me natyrën. Në fjalën e saj përshëndetëse, romancierja Anita Zela Varosi, (autore e 4 librave në prozë)- pasi falenderoi botuesin dhe organizatorin, z. Pjetër Jaku, që e bëri pjesë të këtij edicioni, ajo foli vecmas për gratë që merren me letërsi. Ajo u shpreh gjithashtu se ndihej e gëzuar që në takim kishte aq shumë gra autore pjesëmarrëse. Pastaj ajo lexoi fragment nga romani i saj “Darka e fundit”:

Më duhet të sjell në vëmendje të lexuesve se Pierre Pandeli Simsia është një emër fort i njohur në botën shqiptare, e cili jeton, punon dhe krijon në New York. Shkrimtari e Publicisti Pierre Simsia i cili është veteran i Ditëve te Letërsisë Shqipe Detroit Michigan, u shpreh: “17-ë vitet e Ditët e Letërsisë Shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 12 vite pjesëmarrja ime në këto edicione të Letërsisë Shqipe.

Më parë se të përshëndes, veçoj faktin se, ky aktivitet i rëndësishëm i Kulturës dhe Letërsisë Shqipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, këtë vit ka të veçantën e tij:

– Mbahet në Vitin Jubilar Mbarëkombëtar të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

– Si çdo vit, korrespondon me datëlindjen e Homerit Shqiptar, At Gjergj Fishta.

– Por, siç po më shihni, unë po mbaj në dorë, një gotë me verë dhe ju ftoj të ngrejmë një dolli urimi të gjithë së bashku, sepse, në muajt e parë të këtij viti, Këshilli i Qarkut të Lezhës, e vlerësoi Arkitektin e Ditëve të Letërsisë Shqipe në Sh. B. A. shkrimtarin Pjetër Jaku, me titullin: “NDERI I QARKUT TË LEZHËS”

Ta gëzojë këtë titull të lartë nderi. jubilar mbarëkombëtar, të 550 Vjetorit të Vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, GJERGJ KASTRIOTI, SKËNDERBEU, Elinda Marku, vlerësohet me çmimin e madh:

POETJA E VITIT, 2018

Gjithashtu, edhe moderatorja, zonja Albina Palushi, vlerësohet: Për kontributin e saj në aktivitetet letrare artistike.

Në këtë rivierë të bukur artistike, letrare-muzikore, do të thoshin fjalën e tyre poetike, Gjovalin Lumaj, si gjithmonë me perlat e tij patriotike e atdhetare. Vargu më i dhimbshëm ishte për nënën duke e vendosur me lulet e pranverës, malet, fushat, valët e liqenit, aq sa është edhe malli për nënën e vendlindjen: nga poeti e përkthyesi Ruzhdi Gurra i cili lexoi vargjet; “Ndjesi Nëne”. Me vargjet e kësaj poezie poeti Gurra përcjell mesazhin e qartë, të ndjeshëm e nga më shpirtërorët, të ekzistencës humane –sic janë nënat dhe ndjesia e tyre.

Publicisti dhe analisti Arian Gruda u shpreh: “Ditët e Letërsisë që organizon Revista “KUVENDI”, kanë një domethënie të madhe për të gjitha ata, që duan dhe e vlerësojnë artin e fjalës së shkruar, janë ditë kujtese, që duhet të na nxisin edhe më shumë drejt librit, si një psikologji shëruese, që sjell vetëm dije e paqe. Nga bota pafundësisht e madhe e letërsisë, ku shumëçka është kthyer në një kulturë globale, duke e bërë kështu letërsinë hapsirën ku shkrihen aq bukur shekujt, kulturat, distancat.” Me pas ai lexoi fragmente nga poema Adem Jashari e kantautorit e Artistit të Kombit Ilir Shaqiri.

Poetja shqiptare e ardhur nga Franca, Enkelejda Kondi u shpreh: “Përshëndetje të gjithë poetëve, artistëve, pjesmarrësve të edicionit të 17-të, ditët e letërsisë shqipe në USA. Është kënaqësi që sot jam e pranishme mes jush, e marr pjesë për të tretën herë në këtë eveniment serioz e të nivelit të lartë artistik e kulturor. Në fakt merita i takon dy njerëzve të mrekullueshëm, të përkushtuar, që dashurojnë fjalën dhe gjuhën shqipe, bashkëshortët Pjetër Jaku dhe Elinda Marku. I falenderoj, i mbështes dhe inkurajoj për këtë inisiativë të mrekullueshme nga ana e tyre, në shërbim të ruajtjes së gjuhës shqipe dhe vlerave kulturore e kombëtare. Ardhja e kësaj rradhe për mua, është e veçantë pasi më shoqëron edhe vajza ime, Sara, e cila lindur e rritur në jug të Francës, interesohet dhe vlerëson dy kulturat, franceze dhe shqiptare. Për ju sot, kam zgjedhur t’ju përshëndes, me një nga poezitë i mia, e titulluar “Një vjeshtë pa ty”, me motiv vjeshtën, pasi vjeshta këtu të mahnit me ngjyrat e saj, ky dekor i mrekullueshëm ku gjejnë frymëzimin poetët.

Jam Erjeta Cufaj lindur në Pukë, -kështu do e niste fjalën e saj, -e vlerësuar si aktorja më e mirë për të rinj, nga Ministria e Kulturës dhe aktorja më e mirë në International Film Festival Gjakovë. Tani gati prej 4 vitesh jetoj në New York. Jam shumë e lumtur që pashë aq shumë shqiptarë të mbledhur dhe pavarësisht prej vitesh që jetojnë këtu apo gjenerata e re, – nuk folën njëherë një fjalë anglisht. “17”- nuk janë dy numëra rastësore, por një punë kolosale për të dëshmuar dhe shpërndarë kulturën shqiptare me shumë mundime. Të flasësh shqip në një vend të huaj është 30-ë fish më e vështirë se në vendin tënd, por 17-ë vitet e dëshmojnë se ne jemi të etur për Shqipen tonë të bukur. Jam vërtetë shumë e lumtur që çifti Jaku më bëri këtë ftesë, do ta quaj dhuratë vjeshtarake ku fuqia e fjalës dhe e penës iu dha dhe njëherë ngjyrat e duhura gjetheve! -e përfundoi fjalën e saj, artistja e skenës. Më pas aktorja Cufaj recitoi poezi të poetëve shqiptarë në ekzil.

Në fjalën e saj përshëndetëse, poetja dhe esseistja, Shpresa Ymeraj, ndër të tjera tha: “Nuk jam poete. Shkruaj nga nevoja për t’u shprehur. Shkruaj për veten.” Shpresa Ymeraj i pershendeti të pranishmit duke lexuar letrën fituese të çmimit Nobel në vitin 1982, shkruar nga Gabriel García Márquez. Gjithashtu ajo lexoi dy poezi shkruar në 1990-ën dhe 2014-ën, me tituj: “Parajsë” dhe “Mos më pyet mua” kushtuar krahinës të Dukatit-Vlorë dhe Atdheut. Këto dy poezi nuk ishin pjesë e ciklit të paraqitur për konkursin.

Shkrimtarja e ardhur nga Italia, Margherita Stoja, e cila ishte edhe moderatorja e këtij edicioni, në fjalën e saj përshëndetëse tha: “Falenderoj përzëmërsisht në emrin tim personal dhe në emër të gjithë të ftuarve të Edicionit të 17-ë e Ditëve të Letërsisë Shqipe në Michigan, poetin, editorin dhe shkrimtarin e njohur z.Pjetër Jaku, duke i uruar sukses të pandalshëm në këtë punë të përkushtuar, patriotike prej një fisniku të rrallë shqiptar për të mbajtur gjithnjë të ndezur dashurinë për gjuhën shqipe, për të afruar me shumë lexues rreth dijes. Pasi dija është e vetmja mënyrë për t’u shkëputur nga turma dhe për t’u bashkuar me individin, atë që reflekton dritë dhe ide për të ecur përpara.

Të gjithë pjesëmarrësit u argëtuan me muzikë nën rrezatimin dhe intepretimin, me zërin dhe eksperiencën e bukur, talentin e emocionin, përkushtimin për artin dhe publikun, buzëqeshjen e ëmbël në fytyrë të Afërdita Pepkolaj, e këngëtares së talentuar dhe zërit të fuqishëm, Hana Nikprelaj, me kitarë, Arben Spahiu,  nga kitaristët dhe humoristët më të talentuar dhe i shumëkërkuar në komunitet.

Dita e diel, 28 Tetor 2018, që i binte të ishte edhe dita e tretë e manifestit letrar, vazhdoi në ambientet e Café Kuvendi, duke diskutuar e debatuar rreth reflektimit, studimit dhe rolit të letërsisë shqipe, që lidh pazgjidhshmërisht letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut me historinë, kulturën, traditat, jetën e përditëshme dhe shkrirjen e tyre në art e kujtesë historike në letërsi.

Bisnesmeni i njohur në industrinë kulinare dhe filantropisti z. Marash Nucullaj, sipas traditës së mikpritjes fisnike shqiptare shtroi një darkë solemne në restorantin “Johnny’Grill”, Belleville, në nderim e respekt të “Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan, 2018-ë”, shkrimtarëve, poetëve dhe dashamirësve të artit e letërsisë, organizatorëve dhe pjesëmarrësve të kësaj feste të bukur letrare. Si gjithmonë nuk mungoi edhe muzika, nën interpretimin e të talentuarve Fran Gjoka, Ilir Shaqiri, por edhe të tjerëve me serenata korcare, kitarën dhe humorin e Arben Spahiut, dhe baladën dibrane e Hajredin Pashës, e cila u këndua nga Agron Tufa, Ilir Shaqiri dhe Fran Gjoka. Raimonda Moisiu në fjalën e saj përmbyllëse theksoi: “Pavarësisht mundësive që ofron Amerika, Pjeter Jaku dhe Elinda Marku, Stafi botues i Revista Kuvendi përballen me vështirësitë që hasen në emigracion dhe kontributi i tyre është më tepër angazhim vullnetar ekstra prej punës e obligimeve të ndryshme familjare e ekonomike. Organizim që kërkon sfida ndaj syleshëve skeptikë dhe sakrifica si nga ana morale, fizike e financiare, sepse vetë kushtet, koha, përkushtimi fizik e financiar janë të parat vështirësi që organizatorët hasin për evente të tilla letraro-artistike, por shpirti krijues, detyrimi moral dhe misioni i tyre fisnik, i thërret që të përcjellin të gjithë së bashku denjësisht zërin e atyre shkrimtarëve, poetëve, publicistëve e krijuesve, të cilët janë heronjtë e gjenezës shqipe, me penë e mëndje të shëndoshë. Dhashtë zoti u takofshim edhe në vitet e ardhshme! Poetesha Reshida Coba e cila erdhi brenda javës nga një aktivitet i Haiku-t në Japoni drejt e në Detroit Michigan, SHBA, u shpreh: “Krijimtaria është synimi ynë, është misioni ynë që vazhdon e do të vazhdojë. Ky takim i sotëm synon të shpalos vlerat e veprave të autorëve tanë dhe njohjen e tyre nëpërmjet bashkëbisedimit të shëndetshëm, profesional krijues dhe të drejtpërdrejtë. Miqësinë mes njerëzve të artit e kulturës. Ajo pasi falenderoi të gjithë pjesëmarrësit, për atë c’ka bëjnë, cfarë krijojnë, cfarë prezantojnë në këto Ditë të Letërsisë Shqipe, por mbi të gjitha për atë cfarë janë dhe cfarë sjellin këtu nga kualitetet e tyre njerëzore, krijuese dhe qytetare. Jemi të gjithë emigrantë, të përmalluar e të përlotur për të folur shqip, ndihemi shqip dhe buzëqeshim shqip. Shkojmë për të fjetur në darkë me gëzimin se të nesërmen do përshëndetemi “Mirëmëngjes” në shqip. Vërtet ne të gjithë shkruajmë, romane, poezi, novela, fitojmë dhe cmime, por miqësia, komunikimi janë arti më i bukur dhe më i vështirë, se arti i të shkruarit. Poetët e shkrimtarët; Ruzhdi Gurra, Ilir Shaqiri dhe Agron Tufa rrëfyen histori të vërteta e etërve   të tyre, histori e fate njerëzore të burrave fisnikë, trima e të mëncur. Rrëfenja që lanë mbresa të vecanta te të pranishmit.

Biznesmeni i mirënjohur dhe një nga aktivistët më në zë dhe i kudogjendur në komunitet, z. Marash Nucullaj, i njohur edhe si një mbështetës i fuqishëm i artit e kulturës në komunitet, në fjalën e tij përshëndetëse tha se të gjithë shqiptarët të bashkuar duhet të mbështetim shpirtërisht dhe financiarisht integrimin e artit dhe kulturës shqiptare, Festën Letrare të Shqiptarisë, sepse janë poetët, shkrimtarët, artistët, gjithë bota e artit që ndihmojnë në zgjimin e ndjenjës kombëtare dhe integrimin e identiteti historik shqiptar në Amerikë.

Ditët e Letërsisë Shqipe, Michigan 2018-ë, evidentuan edhe njëherë vazhdimësinë e përjetësimit të traditës, kulturës gjuhës shqipe, historisë, letrave shqipe, ashtu sikundër kanë bërë në vitet e mëparshme, evidentuan zërin e shpirtit qytetar, intelektual, krijues dhe vetëdijen e cilësive shpirtërore të shkrimtarëve, poetëve, gazetarëve e publicistëve, me vizionin, pozitën dhe historinë e identitetit e kulturës shqiptaro-amerikane, dëshmuan potencialin e tyre intelektual, dijet, aftësitë krijuese, talentin e mrekullueshëm, vlerat dhe virtytet e tyre.

 

Në vend të epilogut!

ÇMIMET DHE MIRËNJOHJET E DHËNA NË DITËT E LETËRSISË, 2018.

Ditët e Letërsisë Shqipe Michigan, 2018-ë, mblodhi me krijimtarinë e tyre poetë, shkrimtarë, publicistë, gazetarë dhe analistë, të cilët konkuruan me krijimet e tyre. Mbas një pune disa mujore në leximin e veprave të paraqitura për konkurrim, juria e këtij manifesti letrar vlerësoi:

 

Cmimi i Parë në Poezi, -Shpresa Ymeraj

Çmimi i Parë në Prozë, Anita Zela Varosi

Çmimi “Gjergj Fishta” në Poezi, – Erenestina Gjergji Halili

Çmimi “Migjeni” në Poezi, -Raimonda Moisiu

Çmimi “Arshi Pipa” në Publicistikë, Agim Xh. Dëshnica

Çmimi “Betim Muço” në Publicistikën shkencore, Ajshe Leka

Çmimi “Faik Konica” në Publicistikë, Mehmet Elezi

ÇMIMI “Petro Marko” në Prozë, Margherita Stoja

Çmimi “Anton Pashku”, në Prozë, Besa Jonuzi- Rexhepi

 

U NDERUAN ME MIRËNJOHJE

Klement Bardhi

Agron Tufa

Ruzhdi Gurra

Pierre Simsia

Julian Çefa

 

Reportazh nga Raimonda MOISIU,

Detroit, Michigan, 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *